Dëshmia/Kristo Mema: Në Spaç, jeta e të burgosurve sfidonte shkencën

0
408

Si djali i një familjeje që ishte angazhuar me forcat e Ballit Kombëtar, por kishte edhe pasuri dhe prona, ai mbante emërtesën e armikut dhe kulakut, ndaj erdhi koha kur do t'i sajonin një akuzë dhe do ta dënonin me 10 vite burg. Kristo Mema rrëfen torturat e hetuesisë, të kampit të Elbasanit dhe Spaçit, ku njeriu ngrinte dhe shkrinte prapë, dhe përsëri jetonte, duke sfiduar edhe shkencën.

Dëshmia e plotë:

Unë kam lindur në 10 tetor të vitit 1935, në fshatin Shtërmen të Elbasanit.

Cila është familja juaj?

Rrjedh nga një familje e pasur dhe kjo familje u përplas me komunizmin, qysh në vitin '43. Në gushtin e '43-shit, vëllanë e babait e pushkatojnë partizanët dhe prej asaj kohe u bë shkëputja. Më parë, ishin të përbashkët në luftë, kundër pushtuesve. Në vitin '44, ne u rreshtuam me forcat e Ballit Kombëtar të Mid'hat Frashërit. I nipi i babait, Jorgji, u emërua si sekretar i përgjithshëm i qarkut të Elbasanit, për Ballin Kombëtar dhe të tjerët me detyra, për të mbrojtur dinjitetin e popullit ose të fisit tonë. Në vitin '44, u shpërngulëm dhe vajtëm në Tiranë sepse Jorgji kërkohej nga komunistët, edhe ne si familje. Të kthehemi pak prapa. Në '43-shin, digjen dy shtëpi nga partizanët: shtëpia e Stefanit dhe shtëpia e Trifonit, të dy vëllezërve të babait dhe në '44-ën djegin shtëpinë e tretë, po të vëllait të babait, të Mihal Memës. Kështu që ne u shpërngulëm. Në nëntor të 1944-ës, vritet Jorgji në Tiranë, nga partizanët. Atëherë, u dorëzuan prindërit tanë, nëpërmjet miqësisë. Tre xhaxhallarët u dorëzuan, dy nipërit ikën, një vëllai i madh, Trifoni, u kap në Kukës dhe me tortura e zhdukën. Pra, u bënë tre: në '43-shin, vëllai i babait, në nëntor '44, Jorgji dhe në dhjetor po të '44-ës, zhduket nga torturat i ati i Jorgjit, vëllai tjetër i babait...Lufta kishte filluar nga '43-shi, por ishte luftë politike, tani nga '45-a, filloi dhe lufta ekonomike. Në '46-ën bëhet Reforma Agrare dhe konfiskohet gjithë pasuria, tokat, pyjet që kishim ne, prona private të luajtshme dhe të paluajtshme. Me reformën që nxori Partia Komuniste, ne përfituam,  gjithsej 40 dynymë nga 50 e ca ha që kishim si trung, ose 300 e ca ha si vëllezër. Unë, në '45-ën, isha dhjetë vjeç. Vazhdonin punonim në bujqësi dhe filluan detyrimet. Nga këto 4 hektarë që na dhanë, do paguaje për hektar, 75 kg mish, 1250 kokrra vezë, 8 kg lesh. Pra, në qoftë se ti nuk i paguaje këto, atëherë... Megjithatë u detyruam t'i paguanim, sepse vinte taksidari dhe i vinte dyllin e kuq shtëpisë. Vazhdoi kështu deri në '50-ën. Atëherë, u deklaruam komplet. Plus si armiq të popullit, por edhe si kulak. Domethënë lufta ekonomike, se kulakllëku ishte zhveshja e pasurisë. Nga '50-a, në '54-ën, ne na kërkonin tri herë detyrime në vit. Në qoftë se nuk do t'i shlyeje këto, atëherë vinte dyfishi. 5 bagëti që kishim në atë kohë, i shfarrosën, arritën të merrnin qilimat e shtëpisë, sixhadetë, pajisjet e shtëpisë, të fjetjes, deri te kazanët e rakisë, deri te pjatat dhe filxhanët...ishin filxhanë Stambolli, të cilësisë së lartë, edhe tabakatë...Deri aty arritën.

Çfarë ndodhi në '54-ën?

Në 20 dhjetor të '54-ës, u formua kooperativa e fshatit tonë, një grup, se nuk kishin hyrë të gjithë. Atëherë, u mblodh Partia dhe vendosi që shtëpitë tona të merreshin për zyra të kooperativës dhe ashtu ndodhi! Vjen policia me kryetarin dhe sekretarin e Këshillit. Na nxorën. Meqenëse, ishte marrë vendimi, tani duhej liruar. I nxorën plaçkat, i hodhën në oborr. Ne kishim dy palë shtëpi, dykatëshe me 4 dhoma, dy lart, dy poshtë dhe poshtë, shtëpinë e zjarrit, për gatesë, për bukë. Katër e katër, tetë dhoma dhe dolëm në rrugë. Unë kundërshtova dhe sekretari i Këshillit, Calja, se ishte shumë dinak, që mos të mbetej në detyrimin e tij, ikën me gjithë Izeir Cërrikun, të plotfuqishmin dhe çon kryetarin e Këshillit, po të Stërmenit, ai ishte dhe pushkatar, me një pushkë të gjatë. Edhe vjen, thotë: Kemi për të shkuar pak, në Degë, në Cërrik. "Përse?-i thashë unë. Unë kam plaçkat përjashta".  "Ke për të thënë nja dy-tri gjëra atje". Më mori, më vuri përpara. Nga Stërmeni, nja dhjetë minuta që bën Cërriku. Aty ishte Faik Elezi. Përnjëherë më kapi prej fyti. Tha: "Ky është ai bandilli që do të prishë kooperativën? Se nuk pranon ky, rrjedh nga familje krimineli, që ka shfrytëzuar gjithë këtë zonë, familja e tij". I thashë unë: "Nuk di gjë çfarë kanë bërë prindërit, por megjithatë më vjen keq që po më godit sepse unë nuk kam bërë ndonjë gjë". "Të rregulloj unë, ty". Më morën, më futën në birucë. Erdhi një polic, më thirri. Në hetuesi tani, te Faiku. "Çfarë mendon ti,-tha,- se nuk do ta ndërtojmë kooperativën"? "Po jo mor' zotëri,-thashë unë-unë nuk kam bërë fjalë që mos të ndërtohet kooperativa. Unë kam bërë fjalë se ju më keni nxjerrë plaçkat, m'i keni hedhur në oborr. Ku do të fle unë"? Tha: Ashtu si prindërit tuaj, që kanë nxjerrë këtë zonë, kështu do rrish dhe ti, ku të duash, rrugëve..."Kështu qenka puna?,-i thashë unë. Unë e di se pushteti popullor ka drejtësi". Më këputi një syve. "Lëri mo' këto, mua do m'i shesësh"? Më çoi në birucë. Në mëngjes, dy policë, Izeir Cërriku, i plotfuqishmi me Ramazan Duzhën, po polic dhe ky, më japin një sopatë të madhe edhe ishte turra me dru për policinë edhe më vunë mua të çaja dru. Ata rrinin, pastaj morën dhe karrige, u ulën, unë çaja dru deri në darkë kur u err. Unë çaja dru, por mendoja "ku do jenë plaçkat?". Kur u err, më kthejnë, më thonë që nipi ynë i ka marrë plaçkat, i ka çuar në shtëpinë e vet. Ky ishte nipi që i ishte djegur shtëpia dhe i kishte marrë plaçkat dhe i kishte vendosur te shtëpia e djegur. Ishin vendosur ca trarë, ca ristela dhe aty vumë dhe rrogozë. Unë shkova atje, çfarë të shikoje, ku do rrije? Ku do flije.? Për çudi, mua më kishte ardhur dhe letra për ushtar. Më 10 shkurt. Më marrin më çojnë në repart pune, te Rrapi i Trishit, që është Kinostudioja sot. Ne e kemi ndërtuar Kinostudion. Merrnim nga gurorja. Norma ishte 12 metër kub figurim: transport, figurim. Në qoftë se nuk do ta bëje këtë normë, do punoje gjithë natën. Mbarova ushtrinë dhe u ktheva, mirëpo vëllain dhe babain, i kishin përzënë, i kishin marrë dhe kopshtin e duhanit sepse i kishin thënë që këtu dëgjoheshin fjalët e mbledhjes së partisë. Ne ishim dhe kulakë dhe armiq të popullit, prandaj na duhej hequr toka dhe i çuan në një kodër që nuk prodhonte. U detyruam u larguam pasi u ktheva dhe unë nga ushtria. Bëhet fjalë për '56-ën.

Ku shkuat pasi u larguat nga fshati?

Shkuam në Elbasan. Nuk kishim ku të shkonim. Na mori një Nuni ynë, Venemi Mëhilli, quhej. Ai kishte një mulli si pronë. Na ndau një pjesë, atje ku rrinin kafshët, ku mblidhej drithi. Mirëpo Sigurimi i Shtetit, policia vinte t'i mbyllte mullirin. Thoshin: O do t'i largosh kriminelët, ose ne do ta mbyllim. Ia mbyllën. Megjithatë ai, për hatër shumë të miqësisë, na mbajti. Por ne thamë, që sa të pësojë dhe ky, po ikim. U interesuam, gjetëm dy dhoma te e shoqja e Xhevit Beut. E bëmë pazarin: 40 mijë lekë. Hymë ne, i dhamë paratë, por nuk kishim bërë tapitë, ajo vjen e thotë që mua po më vjen presion policia, prandaj duhet të largoheni, urdhëro paratë! Ikëm. Pastaj, gjetëm një shtëpi tjetër, por sa hyjmë në shtëpi tjetër, erdhi viti 1963. Kur gjetëm shtëpinë, mua më arrestojnë, në gushtin e '63-shit. Më arrestojnë edhe më formulojnë akuzën gjoja se unë do arratisesha.

Si ishte momenti i arrestimit?

Kur unë po shkoja në shtëpi, pasi mora rrogën në datën 20, se kështu paguante NISH Tulla. Fadil Ibërshimi ishte pagator. Do vija për pushimin e drekës, se banoja në Kala. Ishin nja 7 mijë lekë. Mora paratë dhe ika. Kur po hyja te porta e kalasë, në krahun e majtë ka qenë ish-Elektriku. Aty më dolën, më fusin thesin në kokë..."Çfarë kam bërë?" Unë meqënëse mora rrogën, mora një paketë cigare "Diamant" me kuti. Kisha dhe një orë...ruse, e kishim marrë prej kohësh. Më çuan në Degë, më kontrolluan, më gjetën paratë, rrogën që mora, orën, ishte dhe një stilograf, edhe atë, sendet personale. Bën dokumentin, procesverbalin, i firmosa, më thërresin në hetuesi. Ishte Thanas Caku, hetues. Më tha: "Mjaft ke livadhisur ti!". Po çfarë kam livadhisur? "Nuk ke lënë lokal pa bërë propagandë kundër sistemit tonë". "Gabohesh zoti Thanas, i thashë, unë shtëpi dhe punë. Unë as në bulevard nuk dilja, sepse ne i njohim këto probleme. Ti po të duash beso, po të duash mos beso, ne jemi si familje që kemi hyrë e kemi dalë nëpër burgje, prandaj ne...nuk flasim". "Ti ke thënë që në Shqipëri nuk ka jetë të mirë, prandaj duhet të largohet gjithë forca e re, jashtë shtetit". I thashë: Kur unë nuk largohem vetë? Kur ne, edhe në '44-ën, ti e di mirë, që kishim mundësi për të ikur, nuk ikëm, nuk do ikim sot kur e dimë mirë se çfarë na pret. Pra, z.Thanas, ti je kryehetuesi, por unë i di mirë këto punë se çon Adem Demirin, që na kontrollon kur ne jemi punë. Dhe ne nuk hamë bar, ham bukë, i kuptojmë kurthet ose ndjekjet që bëni ju. Pra, i kemi të njohura këto punë. Jo të vija unë nëpër klube. Jo se nuk më del, se ne marrim më tepër se të tjerët, por këto janë rrethanat". Ngulte këmbë; më lidhte; më ulte në trekëmbësh, më lidhte te këmbët, te duart edhe kishte një kopan druri, edhe më godiste me atë në qafë. "Trego"! "Çfarë të tregoj? As kam pasur ndër mend. As kam biseduar me njëri, fare". "Ti ke shkuar në Mjekës, për të marrë informacione, që dhe kur të ikje, t'i kishe informacionet e gatshme që ja çfarë po bën sistemi komunist". Më ballafaquan me dëshmitarë. Kam pasur 11 dëshmitarë. Unë nuk pranova akuzën e këtyre personave, sepse ishte një akuzë e ndërtuar, kot.

I njihnit dëshmitarët?

Po, kishte të njohur dhe të panjohur. Ishin 11. Unë, një pjesë, as i njihja fare. "Po si ka mundësi, thosha unë, që unë paskam biseduar me këta njerëz, për t'u arratisur? Atëherë, këta i bie të jenë bashkëpunëtorë. Duhet të dënohen". Në momentin që unë kundërshtoja dhe nuk kishin përgjigje, ishte dajaku, mungesa e arsyes pastaj. Më mori Reshim Kolla, kryetari i Degës, në hetuesi, në prezencën e...siç tha ai, se ku e njihja unë, në zyrën e tij, atje lart: "Ky është komandanti i grupit të ekzekutimit". Ishte një oficer i zi. "Edhe ty, kjo do të presë". "Ne jemi mësuar me këto, zoti kryetar, i thashë, se nuk jemi të sotshëm, jemi të '43-shit. Sot, është viti '63. Është kot ky presion, megjithëse nëse ke ndër mend, urdhëro!". Ai m'u fut me kërcu. Edhe e urdhëroi atë, më lidhi dhe me majat e këpucëve më binte nga kërcijtë e këmbës. Më torturoi. Mori dy kokrra metali, i futi në spinë e thoshte: "Trego!". "Çfarë të tregoj?" "Çfarë ke biseduar me filanin"? Numëronte dëshmitarët. "Po asnjë gjë nuk kam biseduar me ta". "Po ja ata thonë..." "I ke mësuar ti",- i thashë, se shpirti moo...Pesëmbëdhjetë ditë rresht më ka marrë Shim Kolla, nuk pranova thëniet e dëshmitarëve. Në fund fare thashë: "Zotëri, unë e di që do të dënohem. Merr dokumentet, mbylle hetuesinë, më dëno sa të duash ti". Në fund fare, erdhi, tha: "E mbyllëm punën bashkë". Pas tre muajsh. "Ti, tha, kokëfortë, ndjek rrugën e prindërve të tu. Ke për të përfunduar si ata". "Po, i thashë, edhe mund të përfundoj, por mua ma merr mendja që nuk kam bërë gjë. Në qoftë se prindërit apo farefisnia ime qënkan si unë, qenkan dënuar kot edhe ata". Filloi edhe më goditi...Si përfundim, e mbylli akuzën.

Sa u dënuat?

Në gjyq, më dënuan 10 vjet. Më akuzonin edhe për një armë, por nuk u vërtetua. Në gjyq, nuk u mor për bazë. Pasi, u dënova, më çuan në burgun e Tiranës.

Në cilin vit u dënuat?

Në '63. Jam arrestuar më 20 gusht dhe jam dënuar pas tre muajsh, më 20 nëntor. Më 10 dhjetor, kam shkuar në burgun e Tiranës, atje...për çudi, ishte rregulli i burgut, bëhej larja. Unë kisha tre muaj që nuk isha larë.

Nga aty ju dërgojnë në kampin e Elbasanit? Kujtoni ndonjë ngjarje të veçantë?

U shemb tuneli. Dhe ishim truprojë. Pra, meqënëse ra shi atë natë, u shemb tuneli dhe këtu dështoi gjoja dalja jonë. Ky tunel punohej prej dy personave: ai që ngrohte autoklavën dhe pastruesi i banjës. Ata gjithmonë, e merrnin dheun që punohej, e nxirrnin jashtë. Këto ishin kurthe të ndërtuara nga Nevzat Haznedari. Na arrestuan, na lidhën me hekura, na zhveshën, katër ditë vetëm me të mbathura. Na vunë dy trupa.

Ku ju mbanin?

Në kamp. Në Elbasan. Vunë dy binarë, na shtrinë barkas. Vunë markusin, mbushur me rërë, që markusi të kishte boshllëk, të mos bllokohej, por të vinte të mbërthente trupin. Na fusnin me radhë, ishin tri dhoma që futeshim tre njëherësh. Edhe markues gome, mbushur me rërë...u bë trupi, tamam sikur ishim pata. Dëmtohen qelizat, edhe muskujt hapen, deri te kockat. Deri sa ata u mërzitën. Na lëshuan. Morën kazanët e ujit të ngrohtë në kuzhinë, na futën në ata. Një pjesë të hekurave i prenë, se nuk dilnin duart. Unë e kisha afër doktor Miço Konomin, mezi flisja...se më ishte tharë pështyma. "Ka ndonjë gjë"? "Jo, rigjenerohen shpejt, mbyllen shpejt këto". Po hapur trupi, gjë e çuditshme, gjithë mishrat. Na morën që aty, na çuan në Burrel. Domethënë bëhet fjalë në janar të '66-ës. Na lanë dy muaj atje. Na kthyen prapë në Elbasan. Aty ndenjëm pa punë, se përgatitej kampi i Spaçit. S'kishim ku shkonim.

Deri kur qëndruat në kampin e Elbasanit?

Ndenjëm deri në 20 prill të '68-ës. Na çuan në Spaç të Mirditës, më 20 prill të '68-ës.

Çfarë pune bëtë në Spaç?

Atje filluam tunelin, po njerëzit nuk e njihnin nëntokën. Ishte e tmerrshme, për cilindo. Nuk kishim punuar ndonjëherë. Aty kërciti diktatura, si të thuash forcat e policisë, me hekura, me lidhje nëpër shtylla, me kavo, domethënë me qëllim që të bindeshin të futeshin në galeri brenda...Arriti deri atje sa u bë alarm, në Ministrinë e Brendshme që nuk futen të burgosurit në galeri. Ndërtuan kurthe nga më të ndryshmet. Familjet, kur vinin në takim, i grabisnin...fshatarët, po Sigurimi i bënte këto. Më kujtohet, erdhi vëllai, më takoi, më tha mua: "Dëgjo, mos më prit më, se unë nuk vij", sepse e kishin grabitur. Ushqime asnjë gjë, ia kishin marrë, veshmbathje, çfarë kishte, ndihmat që do t'i çonte personit të vet.

Edhe, megjithatë, u njoftua Ministrinë e Brendshme, se u mor vesh që i shfrytëzonin keq, i merrnin ushqimet, i diskrititonin. Pastaj, filloi puna e rregullt, njerëzit u bindën, prej dajakut. Vazhduam punën, por kapanonet ishin të ndërtuara prej pupliti. Ato të mbushura me çimka, si kudo, sepse nuk e thashë edhe më përpara, në çdo lloj kampi. Të hante çimka. Edhe ne çfarë bënim? Qepnim çarçafët, edhe i bënim si thes, futeshim brenda në atë, por prapë futej çimka, se do hapje një...do merrje frymë. E nga këto, nga më të ndryshmet...

Si ishte puna në galeri?

Shumë e rëndë. Pra, në galeri ishte 30 gradë C temperatura. Do zhvisheshe vetëm me të mbathura...Pa kapur lopatën të dilte djersa!

Ju kërkohej normë?

Norma ishte shumë e rëndë, biles. Ishin vagonat polakë, që merrnin 7 kv, 700 kile dhe ne bënin 20 vagona me ato, tre veta.

Çfarë ndodhte me atë që nuk e plotësonte normën?

Të gjithë, gjithë natën do futeshin, do punonin në teleferik. Gjithë natën. Ishte e pamundur. Ose do rrinte lidhur gjithë kohës në shtyllë në qoftë se nuk bënte normën deri 8-orëshin. Pas 8-orëshit do e merrte dhe në qoftë se ti do vazhdoje ashtu, prapë po ai avaz do ishte, pra, lidhje. Pastaj, kur ishte ftohtë, ngrinte njeriu. E merrte polici, ndizte zjarrin, e ngrohte, që të shkrihej. Edhe gjë e çuditshme kjo, këtë e diskutonin edhe mjekët në atë kohë që, kjo është një fuqi e çuditshme. Domethënë njeriu të ngrijë edhe të jetojë, të shkrihet edhe të jetojë. Edhe shkenca nuk e pranon, megjithatë Zoti...!

Keni qenë në Spaç, gjatë kohës së revoltës?

Në '73-shin u krijua revolta e Spaçit. Unë kisha dhe tre muaj për t'u liruar. Atëherë, filluan, u arrestuan pjesa që mori pjesë...jo bërtisnin, godisnin. I arrestuan shumë njerëz nga ata. Ngritën një gjyq special. Brenda 24 orëve, doli Kasëm Kaçi. Ishte drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shqipërisë, me altoparlant. U vendosën, u dënuan, 4 u pushkatuan dhe 15 u dënuan me 25 vjet. Të gjithë, i morën dhe i çuan në Burrel, ndërsa ne, pasi i morën këta dhe po i gjykonin, në fillim i çuan në Tiranë, pastaj i sollën në Rrëshen, na vunë ca tabela: "Mos qëndro", "Mos fol", "Mos u grumbullo" dhe vunë një rregull që për 30 minuta të bëje të gjitha veprimet, të rreshtoheshe, të haje, të laje tasin, ta çoje në magazinë dhe të dilje. Pra, në qoftë se ti kapesh që nuk e zbatoje tabelën, ai menjëherë të godiste polici.

Kur u liruat?

Unë e mbusha në '73-shin, sipas dënimit. '63-'73, dhjetë vjet. Kishim një kartelist me mbiemër Diamanti... Thirrën oficerin që kishte kartelën. Doli ai, "filani", "po, e ka mbushur", thotë edhe kryetari i zyrës teknike, që ishte përfaqësuesi ynë aty, por i burgosur. Thotë oficeri: "Ti je dënuar edhe dy vjet". "Përse?-i them unë. Unë s'jam dënuar. Unë di që një dënim mora." Tha: "Je akuzuar për një armë". Thashë: Unë u akuzova për armë, por nuk u gjend gjë dhe në gjyq nuk mora vesh. Tha: "Sipas vendimit të Gjykatës...duhet të kthehesh". Pra, pasi u mbush kartela, u ktheva të mbushja dhe dy vjetët e dënimit.

Ju nuk jua komunikuan në gjyq, këto dy vjet dënimi?

Absolutisht. Atëherë, u detyrova të kthehem të bëj edhe dy vjet të tjera. Një vit e gjysmë, pjesën tjetër e fitova me punë.

Me familjen çfarë ndodhte gjatë kohës që ishit i burgosur?

Si mos më keq. Pra, sipas korrespondencës, që merreshim vesh, ata njerëzit i internuan, nga qyteti i çuan në fshat. Edhe atje, punonin me kooperativistët e tjerë.

Ku shkuat pasi u liruat?

Edhe unë, pasi u lirova, direkt në fshat. Pastaj fillova dhe punova. Doja të bëja një shtëpi. Po ishin ca rregulla. Duhej të merrje leje te kryetari i Këshillit. I bëra ato dokumentet të gjitha. M'u aprovua. M'u caktuar 150 metër katrorë tokë. Fillova, por kooperativa nuk më ndihmonte me makinë jo e jo, por as me qerre. Atëherë unë mora një makinë shpërndarjeje vetëm për rërë e zhavorr ndërsa gjithë materialet e tjera i kam mbajtur me krahë: tjegullën me krahë, gëlqeren me krahë, tullën me krahë, lëndën drusore, të gjitha me krahë...Nuk më jepnin asnjë farë mjeti, për të bërë shtëpi. Përfundimisht, e mbarova, por do dilja në punë, do punoja natën derisa e ndërtova një dhomë për vete.

Nuk krijuat familje?

Unë isha i martuar, por u ndamë kur unë rashë në burg. Nuk m'u afrua njeri në atë kohë, sepse kishte një urrejtje. Madje mua nuk më flisnin, jo të më bënin mik. Armiqtë e sistemit nuk duhet të krijonin familje, me qëllim që mos të kishte familjarë ai, po të mbeteshim vetëm ne, do na eliminonte koha.

Nga arkiva e familjes Doko/Kujto.al

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here