Dëshmia / Kipe Abdi: Më mashtruan, lashë Kanadanë për të gjetur burgun

0
393

Historia e të arratisurit që arriti në Kanada dhe u kthye në Shqipërinë komuniste sepse i besoi propagandës së shtetit shqiptar, që kush kthehej, do të falej, por sapo zbriti në Durrës e pritën punonjësit e Sigurimit dhe prangat. Një nismë e pabesueshme, në emër edhe të familjarëve që kishte lënë këtu, edhe pse, prej tyre vetëm nëna dhe vëllai me motrën e vogël, do e takonin në burg. Kujto.al sjell kujtimet e të përndjekurit Kipe Abdi, që arratisja e parë dhe tentativa e dytë për arratisje, e dënuan dy herë, duke e ccuar në burgjet dhe kampet më të rënda të punës.

Zoti Kipe, kur keni lindur dhe cila ka qenë jeta juaj para se t’ju dënonin?             

Unë kam lindur në 1934 në katundin Shalës të rrethit të Sarandës dhe jeta ime ka qenë në fshat. Në fshat kam jetuar dy vjet në kooperativë. Dhe pastaj shkova në shkollë, mbas ndërtimit të kooperativës në ’53-shin. Atje ndejta dy vjet në Shkollën e Bashkuar. Prej asaj u lirova pas dy vjetëve, na nxorën në çlirim, Shkolla e Bashkuar dhe vij në fshat. Fshati më dërgoi teknik ndërzimi në Tiranë, bëra aplikimin dy vjet, në kooperativën bujqësore për ndërzimin artificial. Dola me rezultate, më shpërblyen për punën që bëra. Edhe pastaj unë ika, shkova në bonifikim në Sarandë se s’kishim para që të jetonim, fukarallëk i madh. Edhe punoja në bonifikim gjysmë normist, në Çukën e Sarandës, edhe atje punova 2 vjet. Mbas dy vjetëve unë ika, edhe erdha në Bistricë, në Bistricë punova punëtor me lopatë. Kërkova për një kurs, elektriçist, nuk më dhanë, meqenëse isha familje e djegur politikisht. Prej andej vij në Elbasan, mbas 3 vjetëve. Vij në Elbasan, por isha i djegur atëherë, se grupi i Temes ishte mik i familjes tonë edhe kishim një rrjet brez pas brezi me këta, Demati si e kanë. Unë isha në mbikëqyrje në kohën kur erdha në Elbasan. Punova këtu në fabrikën e çimentos, hapa rrugën kanal, rrugën e çimentos. Atje bëra kantierin që kisha me 20 punëtorë. Si e mbarova kantierin, rrugën e kantierit, erdhën të burgosurit politikë. Pastaj mua më pushoi nga puna një, drejtori i ndërtimit të fabrikës së çimentos, i cili ka qenë nga Vlora. Pastaj më hoqi mua nga puna ky për arsye se unë agjërova, unë s’e prisha, ai më pushoi nga puna. Më çuan në bonifikim, ku bëheshin kanalet, punova atje 30 ditë, s’e prisha ramazanin unë, e mbarova, sipas dëshirës. Por këta, dega e Punëve të Brendshme, partia, u detyruan që të më viheshin mua këmba-këmbës, në çdo drejtim, e kisha pullë poste mbrapa. Tani kërkova punë unë, s’më japin punë. Unë kisha bërë një kurs si i thonë asaj për këtë, baxhoxhi. Vajta në baxho, jo vajta në drejtori, në drejtori. I them unë: “Dua punë”. Më tha mua: “Ne s’kemi punë për baxhoxhi, por vetëm grumbullues, po do - më tha mua – nesër në mëngjes eja në punë”. “Unë do të vij- i thashë unë- po nuk dua punë me laps”. Se unë isha gati për t’u arrestuar, unë  i shikoja punët e një ditë nga ditët, ky nëndrejtori i ndërmarrjes së qumështit, i mora unë të gjithë, jo se e ngatërrova, i mora të gjitha veglat unë, materialin, dokumentet, të gjitha, edhe më çuan mua, grumbulloja qumështin e Paplit dhe të Cërrikut edhe disa zona të tjera edhe i çoja qumështin e deles, e çoja në Cërrik..., nja 20 ditë kështu, po isha gati për t’u arrestuar. Një ditë nga ditët, ecim me nëndrejtorin ne, do të shkonim në baxho, në Cërrik. “Ah,- tha,- këta armiqtë s’na lënë rahat ore, nuk na lenë rahat as ditën as natën”. “Ku ka armiq më?”- i thashë unë. “Ka aq të rrezikshëm, shumë të fshehtë”- tha. Ajo ditë ishte dita e fundit e jetës sime për në Shqipëri, se unë prisja arrestimin. E kuptova, i shikoja unë edhe lëvizjet, të gjitha. Të hënën, ndodhi ajo, të martën unë ika.

Ju u arratisët.

U arratisa.

Në ç’vit?

Në ’65-ën.

Dhe shkuat ku?

Shkova, zbrita në Rrogozhinë, nga Rrogozhina fjeta në Vlorë, nga Vlora në Sarandë, në Greqi.

Dolët në Greqi. Dhe pastaj ku përfunduat?

Në Kanada.

Sa vjet ndejtët në Kanada?

12 vjet.

Si u kthyet nga Kanadaja?

Ne u kthyem nga Kanadaja se atëherë kishin bërë një kërkesë, kishin bërë si një lajmërim gjoja, që do të falen njerëzit ata që s’kanë bërë dëme, që s’i kanë lyer duart me gjak, s’kanë vrarë, s’kanë prerë, kanë të drejtë të kthehen. Përveç asaj ishte një propagandë e fshehtë, po nga shokët e mi që i kisha amerikanë thanë që në ’80 mbaron komunizmi. Shumë nga ne u gënjyen nga kjo propaganda. Në ’77 erdha unë, më 21 shkurt të ’77-ës. Edhe erdha unë në Itali dhe s’e besova prapë, preva biletën domethënë edhe për kthim nga Italia. Ata të ambasadës ma bënë shesh fare: “s’ke gjë, je i garantuar”. S’i besova prapë unë, prapë ata më garantonin e më në fund të kësaj vendosa unë, vendosa, vij në Trieste, hipi në vapor. Që kur hyra në Trieste, që hyra në vapor, ka qenë ai “Partizani”, ku e di unë, hyra brenda, ishte një nga Korça, është një histori e gjatë, po kështu shkurtimisht, edhe më thotë: “Po ku vete o burrë i dheut, o gomar, e di ç’të pret ty, ku do vesh ti?”. “Ça thua?- thashë unë.- Po ata më garantojnë.” “Hajde, hajde, ç’ke për të hequr ti”. Si vëlla ma tha, kështu me gjithë shpirt.

Ai jetonte në Shqipëri?

Po ishte me, ishte drejtori i anijes mo.

Aha, ishte kapiteni i anijes.

E, ky më tha mua.

Ju zbritët në port në Durrës, ç’ndodhi pastaj?

Në Durrës, atje nja 50 a 100 nga Sigurimi i Tiranës.

Ju arrestuan direkt?

Direkt. Atje u mblodhën. Sa u mblodhën ato aparatet, i shikojnë se s’e di si zbërthehen, më thirrën mua, jo e hapa, ku e di unë se ç’kishin bërë poshtë e përpjetë këta, sikur kisha bombë atomike unë. Edhe më vuri në dhe ai mua, një ushtarak, të tjerët si civila, më thotë mua: “Ore, e di ç’ke ti? Na ndize një cigare”. Si ndeza cigaren, ja futa në grusht, nja 4 i  rrëzova unë një herë, isha djalë 97 kile. Katër i rrëzova, erdhën u hodhën sipër, më lidhën nga këmbët edhe më futën në Elbasan.

Në degën e Punëve të Brendshme Elbasan, cili ka qenë hetuesi juaj?

Ka qenë një nga Tepelena, jo, hetues ka qenë Viktor Martini edhe herën e dytë, se kam bërë dy herë burg unë. Jam dënuar dy herë, 30 vjet gjithsej.

Ky ishte dënimi i parë?

Po,  i pari me Viktor Martinin.

Si ju trajtonin në hetuesi?

Trajtimi i hetuesisë, ta them unë, janë të pabesueshme. E para e punës, 25 ditë pa rroba si jam kështu, pa shtresë, pa mbulesë, saqë u fryva fare, saqë edhe nga sytë nuk shikoja, u fryva nga ajo pagjumësia e sikleti edhe rashë gati për tokë, ja më ngjalli Viktori... S’qëndroja dot më, sa lajmëruan shtëpinë, më sollën rrobat, më sollën gjëra.

Sa kohë qëndruat në hetuesi?

Njëmbëdhjetë muaj.

Njëmbëdhjetë muaj hetuesi. Çfarë torturash kanë përdorur?

Torturë e parë ishte njëra që ishte, më lanë pa rroba 25 ditë, e dyta ishte që më marrin në orën dymbëdhjetë të natës, ora dy, më lidhnin te karrigia atje, e “fol”- më thonin mua e shumë herë më binin edhe me pëllëmbë kur nuk u jepja ndonjë gjë, ato që donin ata.

Në përgjithësi të ndaluarve në hetuesi, iu kërkonin që të bëheshin bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit?

Ata atë kërkonin, po te mua nuk shpreheshin dot se unë që në fillim, ua zbraza që në fillim. Me mua, s’ke as këtë, as atë, domethënë ua shkarkova unë që në fillim, e s’më bënin më kërkesë mua më ata.

Kush ishte motivi, neni me të cilin ju dënuan?

Neni 64.

Çfarë motivacioni?

64, tradhti e lartë ndaj atdheut.

Tradhti e lartë ndaj atdheut?

Dhjetë, deri në pushkatim.

Sa vjet ju dënuan?

Dhjetë vjet.

Dhe sa vjet bëtë ju?

Bëra 8 herën e parë.  U arratisa prapë unë.

Mbasi dolët nga burgu ju u arratisët përsëri. Deri ku shkuat?

Deri në Dardhë të Korçës.

Aty nuk arritët të kalonin kufirin.

Po pra, më kishin vendosur spiunin mbrapa.

Dhe ju dënuan për së dyti.

Njëzet vjet.

Njëzet vjet. Në ç’vit?

’87-ën, ’88-ën.

Sa vjet bëtë?

Bëra 4 vjet.

Katër vjet. Ndërkohë në cilët burgje keni kaluar?

Spaç ndenjta më shumë. Kur do të prishej kjo punë na çuan në Qafë-Bari,  ndejtëm 6 muaj edhe nja 6 muaj ndejtëm në Burrel, tre kampe kam ndërruar unë.

Tre kampe keni ndërruar?

Spaçin, Qafën e Barit dhe Burrrelin. Nga Burreli, jam liruar.

Po të dënuarve në burg iu kërkonin të bëheshin bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit?

Po, po, është normë e caktuar ajo.

Ndërkohë çfarë ndodhi me familjen tuaj, mbasi ju dënuan?

Familja ime në Elbasan qe, në Elbasan e lashë unë, atje e gjeta, nuk e lëvizën.

Si kanë qenë marrëdhëniet tuaja me të afërmit gjatë periudhës së kryerjes së dënimit, edhe më pas me të gjithë rrethin? Vinin ju takonin në burg?

Spaç, më erdhi nëna një herë mua, edhe motra, edhe ai vëllai i vogël, tjetër s’më ka ardhur askush, as motra, asgjë. Motra e vogël më ka ardhur, që ka pasur Arif Bezhani.

Si i trajtonin të afërmit tuaj në kohën që vinin t’ju takonin në burg?

As na vinin fare, as na flisnin, as kur bënin dasmën nuk na pranonin, kur isha edhe jashtë.

Kur vinin në burg për t’ju takuar, nëna dhe të afërmit, autoritet e burgut si i trajtonin? A kishit vend të veçantë?

Jo, hiç fare, sa i jepnim dy gishtat vetëm, s’takoheshim.

Kishin vështirësi kur vinin në burg për t’ju takuar?

Ato kanë ndejtur një natë, një herë me taksi atje, nëna me motrën, saqë erdhën në darkë edhe deri në darkën tjetër kanë ndejtuar atje me taksi që më kishin lajmëruar me telegram mua. Se donin që të më takonin edhe prapë, s’u takova unë, vetëm dhashë gishtat, dy gishtat vetëm.

Domethënë ju jeni arrestuar për arratisje jashtë shtetit që ishte tradhti e lartë ndaj atdheut.

Po.

Ky ishte neni për të cilën ju dënuan.

Po.

Dy herë.

Dy herë.

Si ka rrjedhur jeta juaj pasi keni dalë nga burgu, mbasi keni mbaruar dënimin?

Sa dola nga burgu shkova drejt e në Greqi, gati zbathur.

Ju keni dalë në çfarë viti?

Në ’90-ën.

Në 1990.

Në ’91, kur u hap kampi.

Në kohën kur u falën të burgosurit. Ju shkuat në Greqi. Dhe më pas?

Në Greqi punova dy vjet, erdha këtu, martova motrën, u martova edhe vetë, shkurtimisht. Po vuajtëm, se njerëzit s’më donin, askush nuk më afronte. Isha njeri i pakënaqur nga vëllezërit dhe nga motrat. Ndejta 12 vjet në burg, mua s’më dërgoi as një paketë motra, vetëm motra e vogël.

Regjimi ushtronte presion ndaj të afërmëve tuaj?

Po, edhe ato që më sillte motra mua, sillte ndonjë paketë, ndonjë gjalpë, ndonjë çikë mjaltë, s’dukej gjë, s’e vinim në gojë ne, se ishin tërë ata spiuna, s’hanim gjë ne në burg. Unë për veten time s’kam vënë gjë në gojë. Dy herë opinga më dërgoi motra mua, i vjedhin. Edhe nën kokë t’i vendosje, i vidhnin. Për të qenë të shkatërruar shpirtërisht, moralisht, s’kishim asnjë siguri as në kamp. E këto punë nuk përfundohen t’i zësh fill e për pe. Ne i kemi harruar, jemi lodhur, s’ka të mbaruar kjo punë e jetës sonë, nuk ka laps t’i shkruaj. Ato që na ka bërë komunizmi ne nuk na i ka bërë as sllavi, as greku. Erdhi greku, kushdo që ka ardhur nuk na ka marrë tokën, pronën, ne jemi zhveshur komplet, ja sot e gjithë ditën ku jam.

Dëshmia nga arkiva e familjes Doko/kujto.al

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here