"LUFTË KLASASH”!

0
844
blank

Nga Alma Liço

E kam dëgjuar madje mjaft dendur këtë togfjalësh kur isha ende e mitur.

Luftë klasash - ishte ajo që po i ndodhte familjes sime. Pas dënimit me pushkatim të gjyshit, ishte flakja nga puna e prindërve të mi, e cila një vit më pas do vijonte me internimin familjar. Këtë shpjegim dëgjoja nga prindërit e mi, por që nuk e kuptoja.

E pa ndikuar nga shpjegimi gjuhësor i tij dhe aspak e bindur për domethënien, jam munduar në rrjedhën e viteve dhe përjetimin e ngjarjeve, t´i jap një kuptim më të përshtatshëm këtij togfjalëshi.

LUFTA - si fenomen shpërfaqet ndërmjet dy ose më shumë grupimeve/shteteve që kanë pikëpamje apo interesa të ndryshme për territore apo zhvillime specifike, për të cilat nuk mund të gjejnë kompromis apo gjuhë të përbashkët. Kjo pason me konfrontimin fillimisht verbal e më tej fizik, me armë apo mjete të tjera shantazhi dhe asgjësimi. Pra, në një luftë marrin pjesë së paku dy palë, me mundësi, mjete e kapacitete të njëjta ose jo, por gjithsesi, secila palë ka mundësinë edhe te sulmit apo edhe të mbrojtjes.

LUFTA E KLASAVE – sipas definicionit të mësipërm duhej të nënkuptonte konfrontim ndërmjet dy palëve/klasave me bindje dhe objektiva të kundërta, ku secila palë të dispononte mjetet e nevojshme dhe të domosdoshme për ta përballuar atë.

Por a ishte e tillë “lufta e klasave “ në Shqipëri?

Në njërin front kishim shtetin diktatorial me të gjitha mjetet e shantazhit e terrorit (polici, prokurori, sigurim i shtetit, gjykata, burgje, kampe internimi..etj) ndërsa nga ana tjetër kishim  familje (me kryefamiljarë të burgosur apo të vrarë, rrëmbyer mall e gjë, të flakur mes katër rrugëve apo degdisur në internim), në përbërjen e të cilave kishte me shumicë të moshuar, gra dhe fëmijë) të cilët ishin të zhveshur dhe të çarmatosur nga çdo mjet a mënyrë për t´u mbrojtur.

Sipas arsyetimit të mësipërm, këtë përballje monstruoze e të pabarabartë e kam të vështirë ta quaj luftë. Në të vërtetë ajo afrohet më tepër me një genocid të mirëfilltë që shteti diktatorial komunist ushtroi brez pas brezi ndaj personave apo familjeve tërësisht të pambrojtura. Krime masive, për fat të keq ende të pagjykuara dhe padënuara!

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here