Vrasja në kufi e Sokol Hados dhe Frederik Harunit më 26 shkurt 1990

0
323
blank

Tre shokë nga Cërriku, Sokol Hado, Federik Haruni dhe Enver Malko u orvatën të arratiseshin nga Shqipëria në shkurt 1990. Rënia e murit të Berlinit kishte nxitur dëshirën e madhe për t’u larguar nga vendi. Shokët zgjodhën të arratiseshin nga Venishti i Rrethit të Dibrës sepse atje, Frederik Haruni kish kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak dy vjet më parë.

Ata u nisën me makinë të rastit në linjën Elbasan – Klenjë të datës 25.2.1990 dhe arrijnë në Peshkopi rreth orës 14.00 të po kësaj date. Prej këtej nisen në këmbë në drejtimin Peshkopi – Kastriot – Venisht nëpërmjet përroit të Gramës. Gjatë natës arritën në afërsi të kufirit tek vendi i quajtur Bjeshkët e Zonjave ku ranë në përpjekje me njësitin e shërbimit, i cili bëri kapjen e njërit dhe asgjësimin e dy të tjerëve. Rreth orës 3.00 të datës 26.2.1990 njësiti i shërbimit dalloi që nga larg se në drejtim të tij po afroheshin persona të dyshimtë. I lejoi të afrohen, hapën zjarr ndaj tyre dhe njërin duke vrarë Frederik Harunin dhe kapur Enver Malkon. Sipas raportimit zyrtar, nuk kanë kuptuar se kanë vrarë Sokol Hadon, për të cilin nuk ka asnjë informacion zyrtar. Pasi është pyetur personi që nuk u vra, autoritetet morën vesh se ishte edhe një person i tretë. Në komunikata nr.48, datë 27.2.1990 të e MPB-së, thuhej:

“Më datën 26.2 1990 në vendin e quajtur Laku i Mavrovës, sektori i pikës kufitare Vrejtë Dibër, njësiti kufitar ra në përpjekje me dy shkelës kufiri: Frederik Jaho Haruni, vjeç 25, banues në Cërrik punëtor në Kombinatin Metalurgjik, ish ushtar i kësaj pike, i cili u vra dhe Enver Malko Malko vjeç 25, banues në Cërrik, punëtor, i cili u kap. Sipas pohimeve të tij, bashkë me ta ka qenë edhe Sokol Enver Hado, vjeç 25, i ati veteriner ne fermën e Cërrikut, i cili është ndarë prej tyre në vendin e quajtur Shëllnës rreth 20 metra larg nga vija e kufirit. Janë marrë masa për bllokimin e kufirit”.

Kufoma e Sokol Hados u gjet më vonë. Sipas komunikatës  MPB-së nr.117 datë 19.5.1990më datën 18.5.1990, në sektorin e postës së kufirit Vrejtë, në vendin e quajtur Përroi i Gramës, rreth 2 kilometra larg vijës së kufirit u gjet kufoma e Sokol Enver Hados, vjeç 26 nga Cërriku.

Në foto: Sokol Hado

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here