Pas shkollës në qytetin e Delvinës, fillon liceun në Gjirokastër dhe vazhdon në Liceun e Korçës. Pas mbarimit të liceut, në vitin 1932, kërkon të vazhdojë studimet për mjekësi. Duke pritur për bursë nga shteti i mbretit Zog të asaj kohe, punon si mësues në Nivicë të Delvinës dhe në krahinën e Kolonjës për një periudhë 4-vjeçare. E ndërpret këtë punë pasi i akordohet bursa për studime universitare në Perugia në degën Veterinari dhe në vitin 1942, diplomohet me rezultate të larta. Presidenti i universitetit i ofron që të qëndrojë aty si asistent pedagog. Nuk pranon. Kthehet në Delvinë ku kishte familjen për të dhënë kontributin në atdheun e tij. Në vitin 1943, kohë lufte, e shpërngul familjen, nga Delvina në Tiranë dhe vendosen në një shtëpi me qira në rrugën e Kusit, ose Riza Cerova.  Familja përbëhej nga babai ish-avokat, njerka, vëllezërit dhe motra. Qëndrojnë aty deri në vitin 1947 sepse i burgosen dy djemtë e mëdhenj, të shkolluar në Perëndim: juristin dhe gjyqtarin e njohur për vendimet e tij të pavarura, Eqerem Ruhi Hado dhe Enver Ruhi Hadon, veteriner, të cilët dënohen pafajësisht me gjyqet kundër intelektualëve dhe familja shpërngulet me detyrim nga Tirana në Shijak. Kalvari i vujtjeve për ta dhe për pasardhësit  vazhdon dhe pas daljes së tyre nga burgu.

Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.