Dokumente 1944/Krimet e partizanëve në zonën e Përmetit

0
295
blank

Sekuestrime pa vend, djegie shtëpish pa kriter dhe për më tepër, ekzekutime të nxituara. Këto krime të partizanëve në zonën e Përmetit përmenden në qarkoret dhe raportet e vitit 1944 ku ata kritikoheshin për veprimet e tyre.  Aq i madh ishte terrori i “çlirimtarëve” sa banorët e kësaj zone nisën të largoheshin drejt zonave të pushtuara

 

Nga Xhafer Sadiku

Veprimet e komandave të vendit dhe shtabeve të njësive partizane mbi popullsinë ishin në kundërshtim me vetë ligjet e tyre. Shtabi i Zonës së Parë Operative Vlorë-Gjirokastër, me qarkoren e 24 gushtit 1944, u tërhiqte vëmendjen Komandave të Grupeve dhe të Qarqeve se: “…Janë vënë re në disa komanda një shmangie prej vijës së luftës dhe një shtrembërim i dukshëm i frymës popullore”. Masa të marra prej komandave të vendit ishin: “…shtrëngesë, burgime, ekzekutime, ngatërresë çështjes private me çështje të luftës”.

Komandanti i shtabit të Zonës së Parë Operative Vlorë-Gjirokastër, nënkolonel Islam Radovicka dhe zëvendëskomisari politik Pandi Kristo, kritikonin komandat vartëse se kishin kryer veprime në kundërshtim me ligjet: “Janë bërë ekzekutime pas një gjyqi të shpejtuar, pa iu vënë në dukje popullit fajtori dhe faji në mënyrë të kjartë. Shpesh herë dhe pa iu përmbajtur ligjeve, duke mos iu dërguar gjyqit competent dhe duke u ngatërruar lënda e gjykimit, faje politike me faje ordinere ose e kundërta…”

“Sekuestrime pa vend dhe kur këto janë kryer, janë bërë pa qenë prezent këshilli ose komanda; nuk është dhënë llogari dhe as që janë mbajtur procesverbalet përkatëse…gjënë e gjallë e kanë therur për mish dhe shpërndarë me anësi. Janë bërë ekzekutime dhe nuk është paraqitur raport ose njoftim as komandës, juridiksionit të së cilës i përket i ekzekutuari…”

Djegiet e banesave e sekuestrimet ishin bërë “në një frymë krejt të kundërt me atë të frontit; djegiet dhe sekuestrimet kanë ndjekur njëra-tjetrën dhe pa kriter. Të gjitha këto kanë dhënë si fryt ngjalle pakënaqësish ndër popullata dhe shmangien nga lufta”.

Në djegiet e shtëpive të mbahet një kriter shumë i matur, urdhëronte Shtabi i Zonës së Parë, “sepse çdo masë në këtë drejtim do t’i shtonte edhe më shumë plagët e popullit dhe numrin e të pastrehëve”.

Theksohej se “janë bërë ndërhyrje drejtpërdrejt në popull, pa kërkuar ndihmën e pushtetit të prapavijave të trupave luftuese për çështjet që duhet të kryejnë së bashku…”

Brigadat që vepronin në këtë zonë, theksohej se “kanë të zhvilluar shpirtin e repartit deri në teprim; kanë bërë rekuizime dhe sekuestrime në pasuri të tradhtarëve tue mos përfillë aspak Këshillat dhe Komandat; sekuestrimi i bërë nga një repart Brigade mbi pasurinë e ndonjë tradhtari; mbasi është kryer nga ky repart, ka shkuar dhe një repart tjetër i një brigade tjetër po tek ky tradhtar dhe ka bërë sekuestrim të ri; veprime sekuestrimi po nga brigadat janë bërë disa herë edhe ndër anëtarë të Frontit të cilët për një arsye ose tjetër nuk kanë qenë prezent në fshatin e tyre; kanë rekuizuar kafshë për shërbime dhe nuk ia kanë kthyer fare të zotëve…Kanë arrestuar anëtarë këshilli për gjëra ordinere…”

Kishte raste që për inate personale, digjeshin shtëpi të njerëzve të pafajshëm. Këshilli Nacionalçlirimtar i katundit Psarr në krahinën e Dëshnicës, i shkruante Komandës së Vendit se djegia e shtëpisë e bashkëfshatarit të tyre Ramiz Qazimi nga ana e batalionit “Naim Frashëri”, nuk kishte qenë aspak e arsyeshme, “mbasi i naltpërmenduri nuk bën pjesë me Ballim Kombëtar ose me ndonjë reaksion tjetër, por qëndron i mënjanuar, d.m.th. në punën e vet”. Ata akuzonin njërin nga krerët e batalionit, që e kishte djegur shtëpinë për hakmarrje.

Si rezultat i terrorit, shumë banorë po largoheshin nga zonat e Përmetit. Për situatën e krijuar Kryekomanda e vendit Përmet i raportonte Komandës së Qarkut Gjirokastër: Populli kërkon të shkojë nga zonat e lira për në zonat e okupuara prej armikut, megjithëse iu është vënë në dukje rreziku në ato krahina, prapë insistojnë. Në këto kohët e fundit me urdhrin e komandës së Shtabit të Zonës së Parë Operative Vlorë-Gjirokastër, është ndaluar leja për në qytetet e ndryshme, sidomos ata që shkonin për në Tiranë, përveç atyre që shkojnë për marrje buke në Berat dhe këto të kufizuara vetëm pë rata që qëndrojnë mirë me frontin nacionalçlirimtar”.

Shënim: “Marrë nga Skenarë të përgjakur (Përmeti, 1943-1990)”, i autorit Xhafer Sadiku, botim i ISKK. Pjesët në thonjëza autori i ka shkëputur nga dokumentet e ruajtura në Arkivin Qendror të Shtetit për vitin 1944.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here