"Thirra nënë për herë të parë në moshën 34-vjeçare"

0
641
blank

Klauda Toto, e bija e Kristiana Beçës dhe e mbesa e Nikolla Beçës e Elena Noel, rrëfen vuajtjet e familjes gjatë diktaturës. Vrasja e gjyshit në torturat e burgjeve komuniste, burgosja dhe internimi i gjyshes franceze Elena Noel. Rrëfen se si regjimi komunist e ndau familjen e saj dhe për pasojë Klauda përfundoi në jetimore

Thirri nënë për herë të parë në moshën 34 vjeçare. Klauda Toto nuk mundi ta shqiptonte fjalën magjike, prej kohës kur lindi e derisa u bë vetë nënë. Sepse regjimi komunist e ndau më të ëmën qysh kur lindi. Klauda është e bija e Kristiana Beçës dhe e mbesa e Nikolla Beçës e Elena Noel. Gjyshi i Klaudës, Nikolla Beça, ishte një student shqiptar në Paris në vitet 1938 ku dhe përfundoi studimet për inxhinieri. Ishte i biri i Andon Beçës, deputeti i kuvendit të Shqipërisë deri në vitin 1943, inxhinier, ndërtues i shumë veprave inxhinierike gjatë viteve të para pas pavarësisë së Shqipërisë deri në vitin 1944. Gjatë studimeve në Paris, Nikolla Beça u njoh me vajzën pariziene, Elena Noel, me të cilën ndërtuan jetën në Touluse të Francës. Në vitin 1943 ata vendosën të kthehen në Shqipëri të shtyrë nga disa rrethana të kohës. Me ardhjen e komunistëve në pushtet do të shkatërrohej përgjithmonë qetësia e familjes Beça, pasi do të shpalleshin “armiq të popullit”. Nikolla përfundoi shpejt në burg ku dhe e vranë, ndërsa bashkëshortja Elena, do të burgosej gjithashtu dhe më pas do të internohej në Tepelenë. E bija e mitur, 8-9 vjeçe mbeti rrugëve të Tiranës pa asnjë njeri. Historia do të pasohej me të tjera drama të rënda për familjen. Një histori që e rrëfen, Klauda, bija e Kristianës e cila u nda nga e ëma qysh foshnjë për t'u takuar me të, vetëm pas 34 vitesh, kur në Shqipëri u rrëzua sistemi diktatorial. Është një ndër historitë më prekëse të diktaturës komuniste, një ndër mijëra fëmijët shqiptarë që mbetën jetimë, për shkak të diktaturës.

Kujto.al, realizoi dokumentarin që i kushtohej kësaj historie dramatike të familjes Beça, mbështetur në rrëfimin e Klaudës. Kujto.al do të publikojë intervistën e Klauda Totos. Nis me pjesën e parë të historisë, burgjet dhe internimet, pasojat që lanë në familjen e Nikolla Beçës.

Kur u njohe me emrin e nënës?

Me emrin e mamasë sime jam njohur që kur një fëmijë është koshient për veten e vet dhe di se çfarë e rrethon, kush janë të dashurit e vet. Unë jam rritur pa nënë, pa prezencën e nënës sime dhe babai im më ka ushqyer dashuri pa nënën time, se dhe ata të dy janë dashur jashtë mase pavarësisht se politika e asaj kohe ka shkatërruar shumë familje shqiptare, ndër ato jam edhe unë.

Ma trego si e shkatërroi diktatura dashurinë e prindërve të tu?

Nëna ime të atin e ka pasur shqiptar, të ëmën franceze dhe gjyshi im, Nikolla Beça pra babai i mamasë sime, ishte djali i Andon Beçës i vetëm dhe stërgjyshi im Andon Beça rridhte nga një familje e pasur, ishte martuar me një të pasur se ashtu ishin martesat asaj kohe, dmth ishin në bazës të shoqërisë, nuk mund të merrte një i pasur një të varfër dhe kështu e kundërta, por që stërgjyshja ime vdiq shumë shpejt dhe la gjyshin tim shumë të vogël, ndërkohë mundësitë financiare ishin. E di se stërgjyshi im ka qenë deputet në kohën e Zogut dhe dërgoi gjyshin tim Nikolla Beça që të vogël për studime në Francë që në moshë të mitur, ai studioi atje që i vogël, u rrit dhe u dashurua me gjyshen time në fakultet. Gjyshja ime kishte mbaruar universitetin dega juridik ndërsa gjyshi kishte përfunduar studimet për inxhinieri. Ndërkohë lindi mamaja ime më 29 qershor të viti 1938. Kur gjermanët hynë në Francë, filloi lufta franko-gjermane, gjyshi im mendoi të vinte këtu për të shpëtuar familjen, ndërkohë që këtu ishte një vend i vogël tepër i varfër, ndërkohë që stërgjyshi im Andoni i tha të birit mos hajde, mirëpo ai erdhi për të shpëtuar familjen e vet. 4 vjet ata ishin jashtëzakonisht mirë, bënin pjesë në oborrin mbretëror siç ka qenë më përpara dhe kishin një jetë të mirë, jashtëzakonisht të mirë. Kur erdhi gjyshja ime këtu erdhi e shoqëruar me njerëzit e vet sepse rridhte nga një familje e pasur dhe 4 vjet ishte jeta e tyre e lumtur, e lumtur ka qenë, por një jetë e qetë në një atdhe tjetër, në një vend tjetër.

Si nisi historia e persekutimit ndaj gjyshërve të tu?

Pastaj ashtu siç filluan raprezaljet në ’46-ën që me tregtarë e me intelektualë të gjithë i futën brenda në burg, ndër ta ishte dhe gjyshi im. Megjithëse stërgjyshi im e paralajmëroi të mos vinte dhe e këshilloi të largohej para se komunistët të vinin në pushtet. Stërgjyshi im, Andon Beça ishte gjithashtu një figurë e njohur sepse kishte ndërtuar rrugën Elbasan-Tiranë, rruga e Krrabës quhej, është ndërtuar nga stërgjyshi im me një firmë italiane. Ndërkohë dhe energjinë e parë të asaj kohe stërgjyshi im ishte një nga të parët që e solli. Gjyshi im luante futboll. Pastaj siç të thashë filloi tortura për mamën time, dmth të prindërve të saj, të gjyshes dhe të gjyshit tim. Ndërkohë që Andoni, strëgjyshi im kishte ikur në Austri dhe atje ka vdekur. Futën gjyshin tim në burg, shkak u bë një lojë, ishte një kurth më tepër, e akuzuan sikur bënte kontrabandë floriri, por kjo ishte një kurth sa e futën në burg. Pastaj aty dihen ato vuajtjet e asaj kohe, jo për gjyshin tim po për të gjithë që futeshin në atë derë dhe nuk dilnin të gjallë edhe mbas disa muajve, 6-7 muajve ndoshta më vonë, po pa bërë vitin futën dhe gjyshen time. Preteksti, sepse unë kam dëshmi që i kam marrë, sikur gjyshja ime i jepte informacione ambasadës franceze që nuk është e tillë, por gjithë të huajt që ishin këtu shiheshin me sy tjetër, aq më tepër gjyshja ime që ishte pariziene nga një familje e kamur, e pasur sepse dhe i ati i saj ka qenë ushtarak, ajo bënte jetën e saj ashtu siç e bënte dhe më parë në Francë. Shkonte te hotel Dajti me ata njerëzit e kamur atëherë që ishin paria e qytetit dhe bënte jetën e saj normale. Gjyshja ime ka qenë siç më kanë treguar dhe shoqet e mamës, ishte një grua tepër fisnike, e gjatë, me një qen, vetëm ajo kishte qen në Shqipëri, d.m.th. që dilte, si përfundim e futën në burg edhe atë.

blankPatën kontakte mes tyre, Elena me Nikollën, pra e dinte Nikolla se edhe Elena ishte dënuar me burg?

Prej kohës kur hyri në burg, gjyshi nuk kishte kontakt fare me mamën time dhe me gjyshen time. Nuk i lanë të takoheshin. Gjyshi kishte menduar se gjyshja ime kishte ikur në Francë dhe e kishte lënë këtu. Por jo, kur gjyshja ime u fut në burg, rastësisht, në një ajrim që bëjnë këta të burgosurit, shikon gjyshin. Ata rrinin të ndarë: meshkujt veç dhe femrat veç. Por në një prej ditëve, në burgun e Tiranës, ishin dy palët në ajrosje dhe gjyshja dhe gjyshi im shihen aty rastësisht. Gjyshi im thërret me të madhe “Helen Helen”. Mirëpo komunikimi ishte frëngjisht sepse gjyshja ime nuk dinte shqip. Si duket edhe kjo e folur, komunikimi frëngjisht, tërhoqi vëmendje dhe e morën gjyshin tim dhe e futën në birucat e hetuesisë. Siç më kanë treguar, gjyshin tim e kanë varur brenda në qeli dhe e kanë masakruar duke e poshtëruar. Nuk e di çfarë kishte bërë gjyshi im përveç të mirave dhe investimeve që kishte bërë në Shqipëri bashkë me stërgjyshin tim, ndërkohë që gjyshja ime bëri tri vite burg dhe ps burgut e internuan në Tepelenë 3 vjet, mirëpo mami im ishte e vogël. Pra, mamaja ime 4 vjeç ka ardhur në Shqipëri, 4 vjet kanë shkuar mirë, dmth 8-9 vjeç atë e shikonin fëmijë të deklasuar dhe u morën dhe me një fëmijë. Gjyshja ime kalonte një traumë të madhe atje ku ishte sepse e dinte që këtu nuk kishte asnjeri.

Nuk kishin asnjë të afërm që të mund të bëhej mbështetje për Kristjanën, mamanë tënde që kishte mbetur fëmijë rrugëve?

Kishte ca kushërinj të gjyshit tim të cilët refuzuan ta ndihmojnë mamanë time, nuk e afruan fare edhe pse ngeli në rrugë të madhe, s’kishte asnjë. Siç duket, ata kushërinjtë e gjyshit tim u tërhoqën, nuk i di... arsyet e veta. Ndoshta nuk deshën të identifikohen me familjen time që ishin shpallur “armiq të popullit”... ndoshta për të ruajtur jetën e tyre... nuk e di. Përfundimisht mamaja ime ngeli rrugëve dhe kur është ndërtuar stadiumi "Qemal Stafa", mama ime ka qenë e vogël dhe e kanë cuar të punonte atje, me e mëdha ishte lopata dhe bishti se ajo. D.m.th. e masakruan dhe mamën time, një fëmijë.

Ku u strehua mamaja jote, pra është fjala kur ishte vetëm 8 apo 9 vjeç dhe mbeti e vetme pa nënë e pa baba rrugëve të Tiranës?

Se kush e ka mbajtur në atë kohë, vitet e para nuk e kam të qartë këtë pjesë. Por shpejt ajo u sëmur dhe doktor Shefqet Ndroqi e njihte mamën time dhe gjyshen time sepse gruaja e parë e doktor Ndroqit ka qenë franceze dhe unë e kam takuar atë. Ka pasur edhe një vajzë, Miriam që ka qenë shoqe me mamën time, pak më e madhe dhe njiheshin. Doktor Ndroqi e ka shpëtuar mamën time, e ka kuruar ndërkohë dhe e ka strehuar në sanatorium dhe bile i thanë doktor Ndroqit pse e mban këtë fëmijë këtu dhe ai është përgjigjur që kjo është e sëmurë dhe ka nevojë për mjekim.

Sa kohë qëndroi Kristiana, mamaja jote, në spitalin e Sanatoriumit?

Derisa gjyshja ime përfundoi internimin dhe u kthye në Tiranë. Sapo u kthye e mori mamën nga sanatoriumi. Para se t'i fusnin në burg, regjimi i sekuestroi të gjitha, me shtëpi e me orendi që i kishin sjellë nga Franca, me lekë e me të gjitha dhe kur doli ishte pa asgjë pas shpirtit. Ndërkohë dhe mama ime nga një jetë mondane, nga një vajzë me edukatë franceze  u bë rebele. Kjo gjë nuk i pëlqente gjyshes sime, sjellja e saj..., por ajo me durim dhe me edukatën e saj, e mblodhi dhe e futi në brazë mamën time pak nga pak. Gjyshes i kishin dhënë një dhomë te rruga Bardhyl, një dhomë përdhese që ishte me dhe’ poshtë dhe atë dhomë unë e kam parë. Siç më tregonin shoqet e mamës sime, gjyshja ime e bëri kuti. Ndërkohë mama ime u rrit, adoleshente, 16-17 vjeçe takohet me babën tim se ishin komshi edhe shtëpia e babës tim është andej nga Shkolla e Kuqe edhe ato ishin te rruga Bardhyl, një rrugicë na ndan. Kështu u njohën dhe gjyshja ime ishte pro dashurisë së tyre sepse donte të zbuste mamën sepse ishte egërsuar shumë nga pasojat që kishte kaluar në mungesën e prindërve të saj dhe keqtrajtimi që i kishte bërë ky regjim, regjimi i atëhershëm. Pas një farë kohe, ajo kishte ngelur shtatzënë me mua, që atëherë quhej fëmijë i jashtëligjshëm. Njerëzit e babës tim nuk e dinin. Babai im ishte shumë i ri, 24 vjeç, student, por tepër modern, modern në kuptimin e mirë të fjalës. Kur mama ishte shtatzënë me mua, ishte e fshehur sepse opinioni atëherë ishte shumë i rëndë. Njerëzit nga babai im nuk e dinin shtatzëninë e saj, ndërkohë që ndoshta nuk e dinin dhe lidhjen e babës tim me atë, aq më tepër që ishte dhe një e huaj dhe ishte frikë e madhe. Gjyshja ime kishte dy vëllezër në Francë që nuk e dinin fare çfarë kishte kaluar gjyshja ime, motra e tyre këtu në Shqipëri. Sapo doli nga internimi ajo u lidh me vëllezërit e saj, si duket përmes ambasadës franceze. Ata e marrin vesh dhe terrorizohen, por një nga dajat e mamës tim siç duket njihte Enver Hoxhën kur kishte qenë në Francë. I shkruan dhe i kërkon riatdhesimin e gjyshes sime që ishte këtu dhe çfarë kishte kaluar. Si duket për shkak të shoqërisë a nuk e di, tregohet human dhe i jep dakordësinë për t'u larguar nga Shqipëria. Ndërkohë unë kisha lindur, unë kam lindur në Shkodër, ato kanë qenë në një vizitë në Shkodër dhe lindja ishte aksidentale pasi ato kanë jetuar në Tiranë. Kur linda në Shkodër nuk e dinte asnjë që unë linda, përveç babës tim më vonë që e mori vesh, por që ishte student nuk kishte mundësi edhe nuk mund ta tregonte si ishin kohët atëherë. Ndërkohë që unë kisha lindur u jepet ok gjyshes sime për t'u larguar në Francë nga Shqipëria, por i thanë që ti nuk duhet të marrësh Kristjanën, mamën time. Gjyshja ime tha unë nuk e lej dhe të vdekur me arkivol e marr dhe e coj dhe pasojat ranë mbi mua. Pretendimi pse nuk donin ta linin mamën ishte se babai i vet ishte shqiptar, ndërkohë që ai ishte francez sepse që i vogël u largua në Francë edhe u martua në Francë dhe të gjitha atje, por origjina shqiptare. Kështu që mamën time e morën, ishte 18 vjeç e pak. Mua nuk më lanë, atëherë mua më fusin në befotrof, më vonë pastaj babi im e mori vesh, por në Shkodër, ndërkohë që baba im pastaj vinte dhe interesohej gjithë kohën sepse mundësitë për të më mbajtur nuk i kishte sepse ishte i ri, familja e tij nuk e dinte.

Shënim: Vazhdimi i intervistës së Klauda Totos, do të publikohet ditët në vazhdim në kujto.al

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here