“Dëgjon Zërin e Amerikës, beson se ndërhyrja e huaj do zgjidhë çështjen e Kosovës dhe Çamërisë”

0
194
blank

Një proces gjyqësor me akuza të forta politike, në të cilin spikaste guximi i madh i të pandehurit, u zhvillua në Durrës. Koha e arrestimit dhe e dënimit rastisnin me qëndrime të kundërta të udhëheqjes komuniste në lidhje me raportet me sovjetikët. I pandehuri, dëgjues i “Zërit të Amerikës”, ishte tejet i qartë në qëndrimet e tij.

Shaban Hysen Gjakova, lindur më 21.6.1931, i konsideruar me origjinë të pasur, kulak, me banim në Shijak, për deklaratat e tij, u arrestua më 17.8.1959, pak kohë pasi Hrushovi kish mbaruar vizitën e tij në Shqipëri. U akuzua në bazë të nenit 73/1 të Kodit Penal. Deklarimet e guximshme të tij, gjykata i analizonte kështu:

“I pandehuri Shaban Gjakova ka zhvilluar agjitacion dhe propagandë kundër pushtetit popullor. Në persona të ndryshëm ka folur për varfëri ekonomike në vendin tonë dhe për gjendjen e keqe ekonomike të punonjësve dhe ka konsideruar të padrejtë luftën e klasave. Ka dëgjuar lajme propagandistike të “Zërit të Amerikës”, lidhur me vendin tonë dhe duke i komentuar këto me persona të tjerë, ka bërë krahasimin e gjendjes ekonomike. Ka folur se duhet zgjidhur çështja e Kosovës dhe Çamërisë, problem të cilin, sipas tij, pushteti popullor nuk është i interesuar ta zgjidhë dhe mundësinë e zgjidhjes e priste nga ndërhyrja franko-gjermane. Ka shpresuar se gjendja te ne do të rregullohet me ndërhyrjen e jashtme dhe ka për këtë. Ka thënë tekstualisht: ‘Dallasi ka qenë njeriu më i zgjuar, ka mbledhur përfaqësuesit e vendeve të huaja dhe e ka parasysh gjendjen e vendeve socialiste që vuajnë nga komunizmi’, duke predikuar kështu për një ndërhyrje të jashtme dhe duke shfaqur urrejtjen kundra Bashkimit Sovjetik. Këtë urrejtje i pandehuri e ka shfaqur edhe duke u shfaqur edhe duke u shprehur se Shqipëria shfrytëzohet nga Bashkimi Sovjetik si koloni”.

Gjykata e Qarkut Durrës, e drejtuar nga Miço Gramtiko, me pjesëmarrjen e prokurorit Josif Qaja, me vendimin nr.14, datë 11.5.1960, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 4 vjet heqje lirie. U la në fuqi me vendimin nr.87, datë 31.5.1960 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here