Duke pritur ekzekutimin

0
218
blank

Rrallë ndodh që dikush që është i dënuar me vdekje, të shpëtojë dhe të shkruajë përjetimet. E një nga këto raste të rralla është edhe ai i Uran Kalakullës që gjykata e dënoi me pushkatim pa kryer asnjë krim dhe që për 64 ditë jetoi me idenë që mund të ishte e fundit

Nga Uran Kalakulla

Ditën e katërt dhe të fundit u dha vendimi. Për mua dhe Pjetrin ishte me vdekje (me pushkatim); për shokun e Pjetrit, Zeqirin, 20 vjet burg; për Riza Kuçin, 15 vjet burg; për Agim Mustën dhe Tanush Kason, 13 vjet burg secili dhe për Kahreman Paftalin 10 vjet.

Ishim ngritur më këmbë. Kur dëgjova vendimin, ndjeva se gjithë trupin, në çast, ma përshkuan ca si mornica, një si rrymë elektrike, por as u zverdha dhe as u mpaka.

…Sigurisht, më erdhi keq për jetën që do të më ndërpritej në moshë të re, por shumë më keq më erdhi për djalthin e vetëm, foshnjë, që do të mbetej përjetë jetim; për gruan e re, që do të mbetej e ve; për nënën plakë, që do të pësonte atë gjëmë të paparë e me radhë: për vëllanë, motrat. Ndjeva sikur trupi m’u bë prej guri dhe në ato çaste trupi gjykues, policët dhe salla plot me sigurimsa, më dukeshin si miza, a thua se unë isha ndonjë katallan e ata liliputë…

Sapo u dha vendimi, rojat që ishin përreth, na u sulën mua dhe Pjetrit dhe menjëherë na vunë prangat me duar prapa, kurse pesë të tjerët i lidhën me terezi, dy e nga dy…Mos vallë kjo ishte një masë e detyruar për të na çmobilizuar se mos bënim ndonjë gjest të papritur dëshpërimi?!

Na shoqëruan nga dalja poshtë shkallëve. Por, edhe në atë hall, vura re se kishte shumë popull; si nëpër to, ashtu edhe jashtë. Pas një dere xhami, vura re siluetën e sime shoqeje.

Kisha më shumë se një vit e gjysmë pa e parë dhe oh, sa mall kisha për të! Ajo thirri me sa zë kishte: “Mos u mërzit, Uran, mos u mërzit!” Duket, e shkreta, ngaqë kishte dëgjuar që prokurori për mua kishte kërkuar 25 vjet, gjykatësi do ta kishte zbritur në 20, mundohej të më jepte kurajo. Dhe unë iu përgjigja me plot zërin, në zbritje e sipër: “Lamtumirë, Deti!”

 

…Tek zbritëm nga makina, në oborrin e pasmë të burgut, shokët e mi, me përjashtim të njërit, po qanin. Dhe më kujtohet fare mirë që, Rizai, me lot në sy, më tha: “Mos u mërzit Uran, mos u mërzit!”. Policët na mbërthyen për krahësh dhe na morën me vete. Kështu u ndamë nga shokët me rrezik që të mos shiheshim më. Rruga jonë tashmë ishte drejt “dhomës së vdekjes”.

Dhoma e vdekjes

Dhoma ime e vdekjes ishte një birucë e ngushtë, sa mund të zinte vetëm një dyshek. Ajo vërtet ishte e shtruar me dërrasa, por ato ishin gjithë lagështirë dhe myk; ca më tepër sepse ajo ndodhej jo vetëm ngjitur me nevojtoren e vargut të “birucave të Koçit”, por edhe nën nivelin e saj, gati ndonjë gjysmë metri. Dhe, meqë muri ndarës mes të dyjave, ishte me tek tullë, kuptohet se çfarë pasojash të bukura kishte.

Mbi pjesën e sipërme të derës, nga ana e jashtme e saj, ishin shkruar qartë, me shkronja të zeza tamam fjalët “Dhomat e vdekjes” e poshtë tyre një kafkë me dy kocinjtë e njohur të kryqëzuar, si te flamuri i piratëve; apo si shenjat e SS-ve nazistë.

Kjo “dhomë” nuk kishte dritare, por në vargun e atyre birucave (qenë nja dhjetë), në tavan ishin ca si oxhakë të vegjël, gati sa një shami gruaje, nga ku duhet të hynte drita dhe ajri.

Këtej e tutje, unë isha i lidhur me pranga (me duart prapa) dhe ato ishin fiksuar me dry, që unë të mos kisha asnjë mundësi t’i liroja sadopak. Me këto pranga të vazhdueshme duhej të rrija ditë e natë, deri në momentin kur të dilja para skuadrës së pushkatimit. E ndoshta do t’i kisha me vete edhe në gropën që duhej të zëvendësonte varrin. Po ndoshta pas vrasjes, para se të më tërhiqnin zvarrë për në gropë, policët e skuadrës mund të m’I hiqnin, sepse ato u duheshin për të lidhur të tjerët që do të vinin pas meje. Aq më shumë kur I kishin importuar nga Gjermania Lindore, ndaj edhe u kishin ngjitur si me mburrje emrin “gjermanesha”.

Kur hyra në birucë, ndejta një copë herë të mirë në këmbë. Kisha në shpirt ende zjarrin e revoltës, të zemërimit, të indinjatës, të urrejtjes. Aty nuk kishe fare ku silleshe, veçse të vije vërdallë si fugë. Nuk kishte më tepër se një metër gjerësi dhe një e gjysmë gjatësi. Ishte gati si një varr mbi tokë, me mure e tavan në një gjysmerrësirë të vazhdueshme.

Kur vala e zemërimit nisi gradualisht të ftohej, siç ndodh me çdo njeri ende të gjallë, vërtet nuk më qeshej, por të them të drejtën, nuk ndjeja aspak frikë. Duket e kisha mbledhur mendjen top për të pritur momentin fatal me një lloj stoicizimi. Arsyeja kryesore e këtij qëndrimi besoj se nuk vinte nga ndjenja e një revolte, por nga një bindje e kahershme dhe e thellë imja. E pashmangshmja në jetë duhet pritur me qetësi, me gjakftohtësi dhe gjithmonë me kurajo, e sidomos me dinjitet. Unë mendoj edhe sot e kësaj dite se, kush ka sadopak respekt për veten dhe vë në plan të parë dinjitetin njerëzor, duhet po kështu të presë çdo fatkeqësi që I takon në jetë. Dëshpërimi, leqendisja, lotët, të qarat e të thirrurat si prej gruaje, më janë dukur (në raste të tilla) jo vetëm shenja të një paaftësie absolute të vetes për t’u përmbajtur, por të një dobësie të tillë që I ka rrënjët sa në një dashuri të pafund ndaj vetes (e, për pasojë, edhe një dhembsuri e tejskajshme), aq edhe nga mungesa absolute e seriozitetit dhe respektit për vetveten.

Nuk e di nëse kjo teza ime e ka emrin trimëri (dhe pjesa e dytë e kësaj teze e ka emrin dobësi), por ja që kështu më ndodhi dhe kështu mendoj edhe sot e kësaj dite.

Por ajo që më mundonte ishte koha. Sa kohë do të duhej të duroja në këtë torturë? Pse për mua tani ishte zotërues një mendim i vetëm: më mirë një fund me tmerr, sesa një tmerr pa fund?

Ndaj doja që e gjithë kjo histori të merrte fund menjëherë, një sahat e më parë!

Domosdo që edhe mua, si çdo qenie njerëzore, më vinte keq për këtë fund jo vetëm të papritur, por edhe të pamerituar. Se nuk ndieja në vetvete ndonjë faj, nuk kisha asnjë brerje ndërgjegjeje për çka kisha bërë. Po të kisha mundësi të kthehesha në jetë prapë, me siguri që do të bëja të njëjtën gjë, pavarësisht me metoda më të holla e në një kohë më të studiuar, por ama, do ta bëja prapë! E ndjeja se jo vetëm nuk kisha bërë faj, por, përkundrazi, kisha bërë mirë; kisha bërë detyrën time si qytetar, si shqiptar e, më në fund, detyrën time si njeri.

…Pra, në këtë mes, them me ndershmëri dhe sinqeritet se nuk kam bërë asnjë trimëri të veçantë, përveçse, detyrën time që kisha marrë përsipër të kryeja në gjirin e shoqërisë sonë të masakruar nga barbaria e diktaturës komuniste.

Kuptohet: … më vinte keq për veprën time të lënë në mes, për shumë plane që kisha nisur të realizoja në fushën e krijimtarisë letrare e në fushën e studimeve shoqërore. Mbi të gjitha, po më vinte keq se do të vdisja i dëshiruar pa e parë shembjen e zhurmshme dhe të turpshme të kështjellës së përgjakur të pushtetit komunist, të ngritur mbi kockat e viktimave, ashtu siç kisha parë përmbysjen e kështjellës nazi-fashiste.

Kur i ke duart të lidhura përpara është gjysma e së keqes, sepse mund të bësh disa veprime: të hash, të pish, të urinosh, të pish një cigare, të bësh luftë me minjtë që të hyjnë në birucë nga e çara e poshtme e derës, të kruhesh (të paktën kokën e pjesën e përparme të trupit, meqë je i palarë prej kaq e kaq kohe), por edhe të shkruash. Mbi të gjitha: mund të flesh.

Por provoni t’I bëni të gjitha këto veprime kur këto të shkreta duar I keni të lidhura prapa! Do të bindeni se ky është një ndryshim shumë I madh, madje themelor. Duket më kishin lidhur me duar prapa për të mos bërë asnjë nga këto veprime në mënyrë të pavarur, por, sigurisht që edhe të mos kisha asnjë mundësi për të vrarë veten e t’u hiqnim kënaqësinë e kësaj pune xhelatëve tanë.

Për këtë, të dënuarit me vdekje i lidhin edhe këmbët e në kokë i rrasin të lidhur që të mos e heqë dot, një helmetë, në mënyrë që të mos lëvizë fare e të mos ketë mundësi të derdhë trutë duke përplasur kokën pas mureve. Kështu e motivon “filozofia zyrtare” e këtyre punëve të fëlliqura. Madje, ajo argumenton se e gjitha kjo punë nuk bëhet për ta munduar më tej të dënuarin, por, përkundrazi, për të bërë të pamundur vetëvrasjen, sepse ligjërisht, ka gjithnjë shans t’i falet jeta.

Mua dhe shokut tim të grupit as na lidhën këmbët, as na vunë helmetë në kokë. Ç’ishin këto lloj masash gjysmake? Mos ishte një lloj komedie për të na futur frikën? Këtë nuk mund ta them me siguri, derisa vendimin me vdekje, të dhënë nga Gjykata Ushtarake e Tiranës, e la në vend edhe Gjykata e Lartë, me kryetar Arianit Çelën famëkeq! Pastaj, nuk e kishin fort në gjak komunistët të bënin komedi të këtilla, sidomos me “armiqtë e popullit”. Pra kushedi  sesi ka qenë puna!   Unë edhe sot e kësaj dite nuk di t’i jap përgjigje.

Duke i mbajtur duart prapa gjithë kohën, nisin të të dhembin supet, por belaja më e madhe është kur do të ulesh e të mbështetesh pas murit. Të pengojnë mjaft prangat, të vrasin në kolonë. Edhe më keq po të kërkosh të shtrihesh për të fjetur. Anash nuk fle dot se zë përfund trupit krahun dhe ai të mpihet fare. Në shpinë nuk shtrihesh dot. Kuptohet pse. E vetmja mënyrë: të flesh përmbys. Edhe kështu prapë vuan, sepse me krahët prapa është shumë e mundimshme të shtrihesh përmbys. Pastaj, të merret dhe fryma.

Nuk di se si kanë bërë të tjerët, por unë sikur gjeta një mënyrë disi të përshtatshme. E mbështesja trupin e mbajtur pezull vetëm në tri pika: në faqen e djathtë, në supin e djathtë dhe në gjurin e majtë. Vetëm kështu mund të çlodhesha e të flija disi. Ndryshe ishte e pamundur. Mos u çudisni! Me çfarë nuk u mësoka njeriu!

Unë flija pak orë gjatë ditës, sepse e dija që nuk vinin të të merrnin për ekzekutim ditën. Për shumë arsye të tyret. Ata zakonisht vinin natën, madje pas mesnate. Ujku gjithmonë parapëlqen mjegullën kur do të rrëmbejë e shqyejë prenë e vet. Kështu vepronin edhe sigurims(ujq)it. Pra, unë rrija gjithë natën më këmbë, me fytyrën të kthyer nga dera, që, kur ta hapnin, të më gjenin përballë e të gatshëm. Jo të më tërhiqnin zvarrë. Kjo për mua ishte më tepër çështje dinjiteti. Sepse arsyetoja: kur je duke fjetur e të zgjojnë me përdhunë, ti s’e mbledh dot veten menjëherë e plotësisht dhe, në ato çaste solemne mund të ligështohesh dhe atëherë gjithë dinjiteti yt zvarritet përdhe. Pastaj, kisha vendosur të hidhja disa parulla që të dëgjonin të gjithë të dënuarit; sa të më hante gryka, ashtu si dhe para skuadrës së pushkatimit.

Për mua, ditën gjendja ishte disi më pak e tendosur. Besoj kështu ishte edhe për atë që kisha pranë, në birucën ngjitur e, po kështu, edhe për tre të tjerë të dënuar me vdekje, në birucat në vazhdim, të cilët kishin mbetur ende prej grupit të Teme Sejkos. Emrat e tyre s’i mësova dot kurrë.

Ditën ishin edhe shërbimet: dalja tri herë në ditë për të kryer nevojat vetjake (mëngjes, drekë, mbrëmje) dhe të ngrënët dy herë në ditë (drekë e darkë). Kapterët na zgjidhnin duart e na rrinin pranë: tek hanim ose te dera e halesë; nga një për secilin prej nesh të pestëve.

Qëndrimi im në “dhomën e vdekjes” zgjati plot 64 ditë. Kohë e gjatë apo e shkurtër për raste të tilla? E kush e di? Se mos janë marrë vesh, sot e kësaj dite, të gjitha rastet e ngjashme me atë timin? Pastaj, njeriu u mësuaka edhe me këtë lloj gjendjeje të veçantë. U mësuaka edhe me idenë e vdekjes së afërme, të pashmangshme, por edhe me shpresën fiktive se ajo do të rrijë ende larg edhe për do kohë.

Në shpirt, sikur formohet një si shtresë zotëruese rutine, me atë lloj jete, nëse mund të quhet jetë. E, kur ndodh kështu me shpirtin, këtë gjë fluide e të palëndë, me trupin si lëndë e vërtetë, destinuar që të vdesë e të shpërbëhet i tërë, deri në grimcat më të imëta të formimit të tij, sigurisht që është më kollaj të përshtatet. Ndalimi i lëvizjeve të lira (të natyrshme), uria, etja, shoqëria e pandashme e prangave pas shpine, të gjitha këto të bëhen gati një zakon dhe, i gjithë ky realitet i mundimshëm, të ngjason vërtet me një jetë normale, e cila, në të vërtetë, s’është gjë tjetër, veçse një lloj mbijetese a, më mirë, vetëm një copë gjallesë. Aftësia përshtatëse te njeriu, si te shumë qenie të tjera biologjike, duket se qenka me të vërtetë e pakufishme. Dhe, bash në një situatë të tillë, tragjikja e komikja mund të bashkëjetojnë në të njëjtën kohë.

Marrë me shkurtimenga libri “21 vjet burg komunist” i autorit Uran Kalakulla, botime Fjala

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here