1991/Dënimi i grupit të parë që rrëzoi shtatoren e diktatorit në Korçë

0
278
blank

20 shkurti i vitit 1991 kishte përqendruar vëmendjen e publikut shqiptar për zhvillimin e ngjarjeve në qytetin Tiranës. Ndërkaq, po këtë ditë u rrëzua edhe njëra nga tri shtatoret kryesore të Enver Hoxhës që ndodhej në qytetin e Korçës. Kjo shtatore ishte bërë për të treguar diktatorin në vitet e rinisë së tij. Me Korçën, atë e lidhnin dy pjesë të jetës së tij, koha e studimeve në vitet 1927-1930 në liceun francez të qytetit si dhe koha kur punonte mësues me kontratë i orës së edukatës morale, por edhe të kujdestarit të bibliotekës së këtij liceu në vitet 1937-1939. Krahasuar me dy shtatoret e tjera, ky i Korçës ishte më i përshtatshëm për t’u rrëzuar. Pranohet tashmë fakti se ai i Tiranës ishte në përmasë gjigande, ndërsa ai i Gjirokastrës në pozitë mbizotëruese dhe gati i palëvizshëm.

Në ditën e ngjarjes, pra më 20 shkurt, ka qenë një mbledhje e Partisë Demokratike të rrethit e cila drejtohej në atë kohë nga Ilir Manushi. Të deleguar nga Tirana kanë qenë Genc Ruli dhe Rexhep  Uka. Gjatë zhvillimit të aktivitetit është marrë vesh nga radioja rrëzimi i shtatores së E.Hoxhës në Tiranë. Kjo ka nxitur rininë dhe qytetarët e Korçës të tubohen e të rrëzojnë bronzin e diktatorit. Si edhe në Tiranë, edhe në Korçë, bronzi i Hoxhës është tërhequr zvarrë. Mjerisht, për gjithë këto zhvillime nuk ka as fotografi e as pamje filmike.

Manifestimi i Korçës ka qenë i fortë. Shtatorja e diktatorit është rrëzuar dhe nga qendra e qytetit është tërhequr zvarrë. Më tej nuk ka informacione se ç’është bërë me mbeturinat e saj. Regjimi ka arrestuar disa pjesëmarrës në ngjarje. Shtetasi Ilir Jano aktiv në këtë ngjarje nuk ka mundur të arrestohet pasi është arratisur.

Të pandehurit akuzoheshin se kishin kryer vepra penale në shkelje të dekretit të manifestimeve dhe atij të mbrojtjes së monumenteve. Pa dashje gjykata i ka akuzuar të pandehurit edhe për agjitacion e propagandë. Kjo sepse të dy dekretet nuk kanë lidhje me agjitacionin si vepër penale. Ngjarja në vendim përshkruhet në këtë mënyrë:

“Në datë 20.2.1991, rreth orës 17.00 ka mbaruar mbledhja e një partie, organizuar në kinema “Çajupi” në Korçë. Pas daljes nga mbledhja, shumë qytetarë janë grumbulluar para kësaj godine, lokal turizmit dhe kanë filluar të hedhin fjalë për heqjen e përmendores së Enver Hoxhës. Meqenëse kjo filloi të bëhej masive, grumbulli i personave ka filluar të marrë drejtimin nga sheshi ku ndodhet kjo përmendore. Forcat e policisë që ishin në detyrë për ruajtjen e rendit e të qetësisë, si dhe për zhvillimin e mbledhjes së një partie...kanë marrë urdhër për të shkuar para sheshit ku ndodhej përmendorja. Në gjendjen e sipërme, në shesh u grumbullua shumë popull dhe para tyre forcat e rendit që kërkonin të vendosnin qetësinë. Shefi i policisë së rrethit, me megafon, sqaron pjesëmarrësit se grumbullimi i tyre është i paligjshëm dhe kërkon duke bërë thirrje për shpërndarje. Pas kësaj kërkese, pjesëmarrësit nuk janë shpërndarë dhe policia ka ndërhyrë për të shpërndarë pjesëmarrësit, duke i larguar ata nga vendi rreth e rrotull përmendores ku ishin mbledhur, por nga masa e personave bëhej thirrje për heqjen e përmendores, si dhe duke përdorur sharje në drejtim të E.Hoxhës, si dhe nga shumë pjesëmarrës filluan edhe goditje me gurë e tulla, duke goditur forcat e rendit, të cilët treguan gjakftohtësi  dhe nuk iu përgjigjën masës me dhunë. Duke parë mundësinë e zhvillimit më gjerë të dhunës, forcat e rendit tërhiqen pas këtij monumenti, një pjesë personash kanë rrëzuar përmendoren e E.Hoxhës, duke sjellë më tej në mënyrë vandale përsëri vetëm një pjesë personash”.

Gjykata vazhdonte arsyetimin e saj se në këtë manifestim kishin qenë edhe të pandehurit, se ishin përdorur “sharje, fjalë fyese dhe poshtërim kryesisht të figurës së Enver Hoxhës”.

Gjykata shtonte dozën e përfundimeve të saj komuniste, që gjë duket te kjo pjesë e vendimit:

“Duke u provuar kjo ngjarje, gjykata konkludon se duke marrë pjesë të sipërmit në grumbullim manifestimi dhe thirrje të kundërligjshme, si dhe duke ju bërë kërkesë për shpërndarje dhe nuk u larguan deri këtu, kanë shkelur kërkesat e dekretit “Mbi ndalimin, grumbullimin dhe manifestimin e shtetasve në vendet publike”, e konkretisht nenet 5 e 6 të saj, për rrjedhojë duhet të dënohen në bazë të dekretit nr.7408, datë 31.7.1990. Po kështu më tej, këta të pandehur duke u bashkuar me thirrjen për heqjen e përmendores së udhëheqësit E.Hoxha, si dhe me fyerje që poshtëronin personalitetin e kësaj figure, udhëheqës i luftës nacionalçlirimtare dhe themelues i shtetit të ri shqiptar, si dhe duke e shoqëruar këtë me akte dhune ndaj personave, autoriteteve të rendit për mbrojtjen e ligjeve, me prekje rëndë të rendit publik dhe nga këta të pandehur që ju dhanë zemër elementit huligan, të veprojnë direkt me përmendoren për heqjen e saj, këta të pandehur që po gjykohen kanë shkelur pika 3 e 4 të dekretit “Për mbrojtjen e monumenteve”, nr.7459, datë 22.1.1991”.

Veprimet që çuan në rrëzimin e monumentit të Enver Hoxhës, gjykata i cilësonte “me rrezikshmëri të madhe shoqërore” dhe “ngjallje urrejtjeje” në masat e popullit.

Gjykata e Rrethit Korçë, me vendimin nr.66, datë 2.3.1991 i deklaroi fajtorë dhe i dënoi:

1-Spiro Janaq Jorgaqi, i vitlindjes 1946, lindur e banues në Korçë, arrestuar më 23.2.1991, dënohet me 1 vjet e 4 muaj heqje të lirisë.

2-Alfred Jani Shuli, i vitlindjes 1967, lindur e banues në Korçë, arrestuar më 24.2.1991, dënohet me 1 vjet e 4 muaj heqje të lirisë.

3-Vizhdan Hasan Kolaci, i vitlindjes 1960, lindur e banues në Korçë, arrestuar më 23.2.1991, dënohet me 2 vjet heqje të lirisë.

4-Spiro Robert Beçi, i vitlindjes 1962, lindur e banues në Korçë, arrestuar më 23.2.1991, dënohet me 1 vjet e 2 muaj heqje të lirisë.

5-Arben Gëzim Fezga, i vitlindjes 1963, lindur e banues në Korçë, arrestuar më 23.2.1991, dënohet me 1 vjet e 8 muaj heqje të lirisë.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here