Vdekja makabre e Dom Aleksandrit që u mbyt në ujërat e zeza

0
164

Famullitari i Kishës së Bogës Dom Aleksandër Sirdani u arrestua më 27 korrik 1948 pas një meshe që mbajti, me akuzën se kishte përmendur fjalën “re e zezë”… Lidhet dhe tërhiqet zvarrë nga Boga në Koplik dhe pas disa orësh turtura, mbytet në një pusetë të ujërave të zeza nga punonjësit e degës së Punëve të Brendshme.

Fati i klerikut katolik Aleksandër Sirdani duket gati i pabesueshëm, kur ky prift që jetën iu kushtoi besimit dhe studimeve të thelluara të historisë së Shqipërisë, vdiq nën tortura në vitin 1948, një ditë pasi në kishë mbajti meshën e zakonshme, por do ishte e fundit për të. Dom Aleksandri, në moshën 56 vjeçare, ishte emëruar famullitar në Bogë të Malësisë së Madhe, në vendin e tij të lindjes, pikërisht në periudhën kur kishte shpërthyer një persekutim i egër, kryesisht në veri të vendit, me ekzekutime publike në masë, internime dhe tortura. Vëllai Aleksandrit, kleriku dhe shkrimtari i njohur Marin Sirdani, ishte një nga penat e shquara të kohës, i cili edhe ai më vonë u burgos e internua. Jeta e Dom Aleksandrit do mbyllej në 27 korrik 1948, kur në kishën e drejtuar prej tij mbërritën punonjës të degës së brendshme të Shkodrës. Në mënyrë demonstrative Dom Aleksandri lidhet dhe tërhiqet zvarrë pas një kali, nga Boga deri në Koplik, në postën e policisë. Dhuna vijoi edhe për disa orë të tjera, derisa e mbytën në ujërat e zeza. Dëshmitë për këtë ngjarje të tmerrshme ishin të shumta në atë periudhë, pasi ky ekzekutim makabar ndodhi në sy të shumë njerëzve. Akuza për të cilën Dom Aleksandri u arrestua dhe torturua deri në vdekje i kapërcente kufijtë e qesharakes. Ai mbajti një meshë në Bogë dhe u tha besimtarëve: “Vëllazën e motra, nji re e zezë na ka mbulue, por mos u trembni, sepse edhe ajo do të kalojë e një re e bardhë do të vijë përsëri e na do të dalim përsëri në dritë si gurët e lumit mbas shiut kur dielli i shkelqen”, duke huazuar vargun e famshëm nga Eposi ynë i artë i Kreshnikëve. Pa kaluar shumë orë nga kjo meshë, punonjësit e degës së Punëve të Brendshme e arrestuan, duke aluduar se ke thënë për komunizmin se: “është re e zezë”… Atë Aleksandër Sirdani është një ndër 38 klertikët Shqiptarë që ka marrë dekretin e Lumturimit nga Papa Françesku.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here