Në kasollen pas "Kafe Flora"

0
2719
blank

Historia e gazetarit, avokatit e patriotit Zoi Xoxa, i cili u shpërngul nga vila e tij për të jetuar në një kasolle të improvizuar pas kafe Florës. Në atë kasolle përkthente, redaktonte dhe mbante ditarin e vuajtjeve. Xoxa kaloi 20 vitet e fundit të jetës në Bibliotekën Kombëtare duke hartuar fjalorin enciklopedik italisht-shqip.

Nga Blerina Gjoka

Disa dërrasa të ngritura në lartësinë e një koke njeriu, dyshemeja prej dheu, çatia llamarinë, krevate të ngjeshur pas njëri-tjetrit, një sobë me dru për ngrohje. Në ato pak metra katrorë vend Zoi Xoxa, ky burrë që kishte studiuar në Romë, kishte veshur kostumin e deputetit, e më pas të avokatit, që kish drejtuar gazeta, shkruante kokëulur në bllokun e tij.  Shkruante ditën dhe lexonte natën duke iu arratisur me mendje e shpirt vendit fizik ku ishte detyruar të jetonte. Baraka e vogël e Zoit, ashtu si disa tjera të ngjashme me të, ishte ngritur vetëm pak metra larg ndriçimit dhe haresë së Kafe Florës në Tiranën e viteve ‘50-‘60. Zoi bashkë me gruan Elenin dhe djalin Kostaqin jetuan në atë barakë afro 4 vite, ndërsa shtëpia e tyre e vërtetë ishte zaptuar nga komunistët. Jeta në kasolle është jetësuar në një ditar, “Viti 1956” të cilin familja e ruan me fanatizëm. Ja një pasazh i shkruar në këtë ditar në shkurt 1956:

“13. 02. 1956 - Shpresa që vdes e fundit

Kam kaq kohë që nuk po merrem me këto shënime, ka bërë një të ftohtë të jashtëzakonshëm dhe dëbora ka mbushur malin e Dajtit. Në këtë barakë nuk mund të rrihet dot dhe unë, nga nevoja kam bërë një tjetër orar; rri natën gjer tepër vonë, duke lexuar, i mbuluar në shtrat dhe fle ditën, duke u ngritur aty nga dreka. Kështu përpiqem ta kaloj ditën, pa ndjerë të ftohtët. Por e keqja është se në këtë orar nuk kam përfitim, sepse nuk mund të punohet. Durim.

Rroj me shpresën se, pas këtij muaji, ka për të ardhur pranvera “E in primavera viene il bello” – siç kanë thënë shumë. Kujtimet le të mbeten për pak më vonë. Pasditen e kaloj duke daktilografuar “Të Mjerët”. Kështu më kalon koha më lehtë në këtë punë mekanike dhe më mban shpresa se mund të ma kërkojnë një ditë dhe është mirë ta kem gati dhe të daktilografuar -, ultima dea.“

blank
Ditari i Zoi Xoxes doreshkrim

Zoi Xoxa kishte përfunduar në atë barakë pasi e shpërngulën nga shtëpia e tij në zonën e ish-Bllokut dhe e detyruan të nisej në internim ditën që i vdiq djali, Muzaka, vetëm 16 vjeç.

(lexo; https://kujto.al/ne-internim-me-femijen-ne-arkivol/)

Me djalin në arkivol përfundoi në një fshat të Fierit, ndërsa djali tjetër, Kostaqi, po punonte në ndërtimin e hekurudhës në Durrës. Më vonë e heqin nga internimi dhe e emërojnë për pak javë si mësues i Gjuhës Shqipe në Kavajë. Ky emërim erdhi për shkak të mungesës së kuadrove arsimore, por nuk qëndroi dot gjatë si mësues, pasi partia e dërgoi punëtor në Beden. Në vitin 1951 arrestohet dhe mbahet 7 muaj në hetuesi, ku nga torturat dhe kushtet mizerabël ai doli me dorën e majtë gjysmë të paralizuar. Pas lirimit ai vjen në Tiranë dhe u bashkohet disa familjeve të tjera të persekutuara që ndërtuan kasollet e mbijetesës pas Kafe Florës, duke u munduar të mbijetonin në kryeqytet dhe pse kryeqyteti i kishte përjashtuar.

blankPo ky njeri, që mbante në bibliotekën e tij një kopje të botimit “Anzat e Parnasit” me dedikim të At Gjergj Fishtës, do të gjente udhën e shpëtimit vetëm nëpërmjet fjalëve.  Xoxa, i diplomuar jurist në Fakultetin e Drejtësisë në Romë në vitin 1926 ka qenë politikan, gazetar dhe avokat. Ai njihet si një prej themeluesve të gazetarisë shqiptare. Ishte drejtor politik i gazetës “Shqipëri e Re” (1926 – 1928), drejtor politik i “Gazeta e Re” (1928-1929), pronar i gazetës “Djersa e Popullit”  (1934-1935), pronar i gazetës “Drita” (1937-1939, të cilën e bleu nga Mati Logoreci). Shkroi edhe në disa gazeta të tjera si “Dielli”, “Albania”, “Besa”, etj.

Gjatë qeverisjes së Zogut ka punuar inspektor i ministrit të Punëve të Brendshme, ndihmësanëtar i Këshillit të Shtetit, etj. Mori pjesë edhe në kongresin autoqefalist ortodoks të Korçës së vitit 1929. Në vitet 1932-1939 ishte deputet i Parlamentit shqiptar. Pas pushtimit fashist, ai nuk pranoi të largohej me Zogun, por as nuk pranoi të punonte për italianët dhe dëbohet në Fier, burgoset dhe internohet.

Rikthehet në Tiranë në vitin 1945, por nuk u afrua me komunistët për shkak të ideologjisë së tyre. Vendosi t’i përkushtohej profesionit të parë dhe hap një zyrë avokatie. Vendimi për të marrë në mbrojtje Lef Nosin në Gjyqin Special, gjyqi i parë i komunizmit ku nisi terrori i dënimeve dhe pushkatimeve që do të forconin regjimin e kuq, u bë shkak për vuajtjet e mëvonshme.  Xoxa e kishte përgatitur me shumë pasion mbrojtjen e Nosit, ai e dinte që po mbronte një patriot, një firmëtar të Pavarësisë, por turma e egërsuar nga propaganda komuniste nuk e lejoi ta lexonte deri në fund mbrojtjen në sallën e gjyqit. Pas këtij momenti ai u vu në shënjestër. Nuk vonoi shumë dhe i trokitën në derë për t’i kërkuar të ikte nga shtëpia e tij në internim. Urdhëri i internimit e gjeti Zoin në ditën më fatkeqe të një prindi, kur po vajtonte të birin, por udhëruesit nuk do të kishin mëshirë, e futën në makinë bashkë me arkivolin e të birit, Muzakës së vogël.

“Nuk foli kurrë për Muzakën sa kohë jetova me të. E kalonte kohën duke redaktuar bocat e botimeve për Shtëpinë Botuese 'Sami Frashëri' dhe përkthente kryeveprat botërore, por nuk e lejuan të botonte asgjë me emrin e tij”- kujton Merita Xoxa, nusja e djalit të tij, Kostaqit.

Ajo e mban mend Zoin në 20 vitet e fundit të jetës së tij duke shkuar çdo mëngjes në Bibiliotekën Kombëtare dhe duke u kthyer në darkë që andej. “Deri sa vdiq punoi me një vullnet të jashtëzakonshëm për fjalorin enciklopedik italisht-shqip dhe shqip-italisht, një punë kolosale që ka mbetur sot dorëshkrim pa e parë dritën e botimit”- tregon Merita, e cila e ruan me kujdes këtë trashëgimi pas vdekjes së bashkëshortit të saj, Kostaqit.

Zoi Xoxa ndërroi jetë në 1989 pa arritur të shihte ndryshimin e sistemit komunist që e la në harresë e varfëri gjithë jetën./kujto.al

blank
Fjalori Italisht-Shqip doreshkrim
blank
Gjate punes si mesues ne Kavaje

blank

blank
Merita Xoxa
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here