“E kemi torturuar shumë, por nuk pranon asgjë”

0
2524
blank

Gjermani Hans Troschel, arrestuar më 29.11.1944 e dënuar me 30 vjet burgim, ishte ndër personat që u tortura shumë. Më 27.10.1950, Elisa 81-vjeçare, nëna e Hansit, i dërgoi një letër Enver Hoxhës, në të cilën kërkon lirimin e tij sepse ishte i pafajshëm. Me njerëzillëk kujtonte se ishte e dobët dhe e sëmurë me dëshirën e fundit të jetës të shihte edhe njëherë birin e saj.

Rrallë ndodhte që në dokumentet e regjimit komunist të pranohej rrahja e torturimi i një të pandehuri apo të dënuari. Pavarësisht se tortura përdorej gjerësisht, kjo pothuajse nuk përmendej në dokumente. Gjermani Hans Trochel, arrestuar më 29.11.1944 e dënuar me 30 vjet burgim,  ishte ndër personat që u tortura shumë. U desh një korrespondencë e vitit 1953 në të cilën të përmendej fakti i torturimit të tij.

Pas dhënies së dënimit, Hansi vuajti dënimin në kampet e punës të të burgosurve dhe në burgjet e Tiranës dhe më pas të Burrelit. Mbante vazhdimisht korrespondencë të rregullt me Gjermaninë.

Më 27.10.1950, Elisa 81-vjeçare, nëna e Hansit i dërgoi një letër Enver Hoxhës, në të cilën kërkon lirimin e tij sepse ishte i pafajshëm. Me njerëzillëk kujtonte se ishte e dobët dhe e sëmurë me dëshirën e fundit të jetës të shihte edhe njëherë birin e saj.

Hoxha e lexon letrën, por ia përcjell Mehmet Shehut duke i kërkuar ta informojë. Mehmeti lë shënimin për Kadri Hazbiun dhe ky i fundit për Asllan Zykajn, i cili rezulton një prej xhelatëve që është marrë me robërit gjermanë këtë kohë.

Në përfundim A.Zykaj përpilon relacionin e datës 23.12.1950 në të cilën bëhet një përshkrim i përgjithshëm i gjendjes së tij. Nuk sillet asnjë provë që mund ta implikonte sadopak. Ka sforcime për të krijuar prova të rreme, por as kjo nuk realizohet. Në fund, relacioni mbyllet me këto fjalë: “Është arrestuar, proceduar dhe torturuar, por nuk ka treguar asgjë”. Çështja e Hansit do të dalë edhe në letra të tjera.

Në vitin 1952 përpilohet një tjetër relacion po i repartit 3011 (Dega e 5-të, legatat) të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit në MPB. Këtu thuhej se Hansi ndodhej në Burgun nr.2 në Tiranë (burgu i vjetër). Përmendet sërish fakti se Hansi ishte torturuar, por nuk tregoi asnjë. Propozohej që për Hansin të zhvillohej një hetuesi e re (d.m.th ta rrihnin prapë).

Raporti i fundit për Hansin, ai i Degës së 2-të të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, është i datës 1.12.1953, në të cilin bëhet fjalë për tre shtetas gjermanë: Erna Schubert, Irmagard Tennius dhe Hans Trochel. Për këtë të fundit thuhej se ishte torturuar shumë, por nuk ka pranuar asgjë. Ndryshe nga herët e tjera është shtuar fjala “para kthesës”, pra para vitit 1948. Thuhej se ndodhej në kampin nr.1 (atë çast në Rinas) dhe se gjatë vuajtjes së dënimit pikturonte e qëndronte indiferent.

 

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here