Seit Vorpsi, ikja e një fisniku që diktatura e burgosi

0
5178
blank

Është ndarë nga jeta një ditë më parë, në moshën 88 vjeçare  Seit Vorpsi,  ish i burgosur politik i regjimit komunist. I dënuar me nenin famëkeq 55 "Për agjitacion e propagandë", ai vuajti plot 8 vite të rënda burgim, pjesën dërrmuese në burgun e Spaçit, duke u përballur me punën e rëndë në minierat e piritit, dhe jetën e vështirë të qelive.  I lindur në vitin 1933,  Seit Vorpsi u rrit në një familje autoktone tiranase me traditat më të mira,  ku i ati Shaqir Vorpsi, vit pas viti kishte ndërtuar një ekonomi të mirë për familjen e tij. Por shpejt, jeta e qetë e familjes së tyre do të përmbysej. Vendosja e regjimit komunist do të shënonte një varg goditjesh në familje, duke nisur  me sekuestrimin e pronave dhe dënimin e të atit, Shaqir Vorpsi, në vitet '50-të, mbajtjen nën survejim e presion psikologjik për vite me rradhë të gjithë familjes prej strukturave të Sigurimti të Shtetit, e më pas edhe dënimin e Seit Vorpsit për agjitacion e propagandë.

Një prej miqve të Vorpsit, ish i burgosuri politik Tanush Kaso e kujton me respekt shokun e tij të vuajtjeve, duke veçuar tek ai cilësitë më të larta njerëzore.

"Ishte biri i një familjeje autoktone tiranase, e cila nuk shihej me sy të mirë nga regjimi komunist, jo vetëm se me punë të ndershme ndër vite kishte vënë njëfarë pasurie, por më tepër sepse nuk përkrahte sistemin diktatorial sllavokomunist. Ajo familje ishte në listat e të padëshiruarve, të "të prekurve nga reformat e pushtetit dhe Partisë", të "deklasuarve", të cilët ndiqeshin nga Sigurimi i Shtetit", shkruan  Tanush Kaso, në fjalën e tij të lamtumirës për mikun e tij.

"Të shumtë janë qytetarët tiranas, prej familjesh fisnike, që kaluan nëpër hetuesitë, torturat dhe  burgjet komuniste, nën akuza të pavërteta e të sajuara në mënyre trashanike nga xhahilet dhe injorantët e Drejtorisë së Sigurimit të Tiranës. Kështu do t'i vinte radha edhe njeriut të ndershëm e paqësor, Seit Vorpsit,  mbasi vite më parë, edhe babai i tij kishte vuajtur disa vite burg per motive politike. Neni 55, "agjitacion e propagande kunder pushtetit", qëndronte si "shpata e Demokleut" mbi kryet e çdo shtetasi në vendet publike, nëpër kafenetë, në radhët e dyqaneve e kudo. Një fjalë e lëshuar pa qëllim, por që fliste për realitetin e hidhur të asaj kohe, mjaftonte për të siguruar humbjen e lirisë dhe burgun, për tre deri në dhjetë vjet. Keshtu ndodhi edhe me z. Seit Vorpsi, i cili nga bulevardet e Tiranës dhe jeta familjare, do të përballej me hetuesit kriminelë, (që sot janë shndërruar në avokatë e gjyqtarë), dhe do të përfundonte për disa vjet, në galeritë e thella të Spaçit të Mirditës. Mbas lirimit nga burgu, iu kthye jetës familjare dhe punës, duke ecur me shumë kujdes; sepse çdo ish i burgosur politik e dinte se i kishte nga pas 'hafijet e Sigurimit'", - shkruan më tej Tanush Kaso.

Pas rënies së regjimit komunist, si pjesa dërrmuese e të përndjekurve politik edhe Seit Vorpsi vijoi betejat e gjata ligjore për pronat e rrëmbyera gjatë diktaturës si dhe sfidat e reja të tranzicionit.

"Kënaqesia më e madhe e mikut tonë, Seit Vorpsi, ishte familja dhe rrethi i tij shoqëror. Ka marrë pjesë edhe në veprimtaritë e shoqatës sonë, të ish të Burgosurve Politikë të Shqipërisë, përkrah bashkëvuajtësve, të cilët i donte dhe e donin. Kurdoherë buzagaz e fjalëmirë, njeri i patëkeq, ose, siç thone italianët, "bonaçione", Seit Vorpsi do t'i mungojë kësaj shoqërie, si edhe asaj të kafenesë së tij të preferuar, në "Pazarin e Ri", ku takohej çdo ditë me miqtë e vjetër e të provuar, tiranas", përfundon Tanush Kaso, in-memoramin e tij për bashkëvuajtësin e burgjeve të diktaturës Seit Vorpsi./kujto.al

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here