Dëshmia e oficerit: “Kam vrarë dhe torturuar”

0
3302
blank

Jani Naska: "Në Elbasan kam rrahur strehuesit e të arratisurve, e sidomos në Çermenikë, Dumre e Darsi. Kam arrestuar me urdhër e pa urdhër në vitet 1945-1946. Ka pas arrestime të studiuara e të pastudiuara. Kam arrestuar edhe anëtarin e partisë Halim Peqini, gjoja për një vrasje që kish bërë gjatë luftës dhe një tjetër. ..Në vitin 1947 u hap burgu ordiner dhe dolën të burgosurit. Unë vetë vrava dy nga ata dhe dy të plagosur rëndë. Këtë e ndjej gabim.

Jani Naska ishte kuadër i vjetër në armën e Sigurimit qysh në fillesat saj. Në mbledhjen e datës 15.12.1948 ai jep dëshminë e tij në lidhje me torturat dhe përdhunimet. Pavarësisht veprimeve dhe një ndalimi të shkurtër, Jani Naska mbeti kuadër i vlerësuar në Sigurim pasi ishte kryetar dege e drejtor u punëve të brendshme në nivel rrethi apo qarku, si dhe kryetar dege në Drejtorinë e Sigurimit të Shtetit. deri në daljen në pension ai vlerësohej si një ndër kuadrot me kontribute të armës. Në dëshminë e tij deklaron edhe një përdhunim nga drejtori i Punëve të Brendshme të Prefekturës Berat, Strati Papa.

 Jani Naska:

Kam qysh në vitin 1944 si oficer i Mbrojtjes së Popullit. Gjatë kësaj kohe, kam punuar me koshiencë të plotë duke e ditur se kjo ishte vija e partisë. Në Elbasan jam marrë me punën e të arratisurve. Në Elbasan kam rrahur strehuesit e të arratisurve, e sidomos në Çermenikë, Dumre e Darsi. Kam arrestuar me urdhër e pa urdhër në vitet 1945-1946. Ka pas arrestime të studiuara e të pastudiuara. Kam arrestuar edhe anëtarin e partisë Halim Peqini, gjoja për një vrasje që kish bërë gjatë luftës dhe një tjetër. Nuk i kam rrahur. Kam provokuar.

Kam provokuar një anëtare partie (Zebush Jaupi) duke i dërguar një letër si nga Cen Graceni dhe kjo nuk e denoncoi. Në bashkëpunim me inspektorin e kontrollit dhashë mendim të arrestohet anëtari i partisë, Kadri Myzyri.

Në vitin 1947 u hap burgu ordiner dhe dolën të burgosurit. Unë vetë vrava dy nga ata dhe dy të plagosur rëndë. Këtë e ndjej gabim. Në Elbasan nuk kam kontrolluar anëtarët e partisë. Nga fundi i vitit 1947 patëm marrë biografitë e gjithë nëpunësve të pushtetit me përjashtim të anëtarëve të partisë. Në Peqin vdiq një nga të rrahurit që i bëri i besuari i Haki Kaziut.

Këto gabime i ndjej se janë faje dhe e kanë dëmtuar partinë dhe popullin.

Lidhje me qarkorin i kam pas jo të mira. Kiço Kasapi më thotë “je bërë si xhandar i Zogut”; me Thoma Delianën nuk kam shkuar mirë.

Më 9 dhjetor 1946 jam arrestuar me urdhër të komandantit për çështjen e Sherif Çekës (njëri nga ata që strehuan E.Hoxhën gjatë luftës-shënim). Ky arresti më ra si bombë. Erdh në Tiranë pa një lek në xhep. Më dha Nesti 50 lekë. Kur isha në arrest, shokët më shikonin si armik.

Gabimet në Drejtori (të Sigurimit të Shtetit). Jam marrë me procese, kam rrahur. Në burgun e Tiranës, varur me 100 kg në krah, lakuriq. Kur pashë kështu s’lash gjë pa bërë. Kam rrahur Petraq Qafokun megjithëse s’kishte gjë, tani më duket u lirua. Me rrjetin kam pas raste që sillesha keq dhe indirekt “mosdhënia punë së Sigurim do të thotë dobësim pozite në parti” pa funksion.

Në qoftë se s’pranon duhet t’i drejtohet burgut. Me një që s’pranoi të bëhej i nxori koburen. Pastaj Strati vjen e sjell me shkelma dhe unë i lidha sytë.

10:1 s’para e kemi vënë në veprim. Kam marrë pjesë në dhënie dënimesh të burgosurve se na rritën mendjen Vaska e Nesti. Edhe ne jepnim vendime, lëre pastaj Nesti e Vaska sa kanë.

Inxhinierët jugosllavë na thanë se së shpejti Shqipëria do të bëhet koloni e Jugosllavisë.  Prandaj propozimin e shokut Isa (Agoviku) e shoh me shumë vend.

Trajtimi im s’ka qenë i mirë. Shoku Nesti ngrinte dyshime sikur unë bëja pjesë në një grup dhe doja ta atentoja komandantin. Vaskë Koleci kërkonte të bëheshin servilë, ndërsa ata që nuk i bindeshin i flakte apo shkelte gazin.

Në një rast tjetër, në procesin e Veniamin Dashit, Vaska ka ndërhyrë duke bërtitur. Nga Edip Çuçi jam raportuar 4 herë.

Stati Papa ka hedhur një anëtar partie nga dritarja. Strati sillej keq me prokurorin dhe e kërcënonte. Ka çnderuar një vajzë në seksion, V.D., e internuar.

blank

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here