Sa vite burgosjesh dhe internimesh në një foto!

0
611
blank

Një foto familjare pas së cilës qëndrojnë shumë vite burgu dhe internimesh, të nisura me arratisjen e kryemyftiut të Shkodrës dhe Kosovës, Salih Myftijas

Kjo fotografi është fiksuar në shtëpinë e një nga familjeve më të njohura shkodrane për kontributin e saj në shërbim të atdhedashurisë e nacionalizimit shqiptar në mbështetje të Monarkisë Zogiste dhe nga ana tjetër një nga familjet e persekutuara nga diktatura komuniste.

Është shtëpia e Myftijeve në lagjen Ndocej, nga ku, dhjetë ditë para se komunistët e Enver Hoxhës do të hynin në Tiranë si çlirimtarë, një grup nacionalistësh shqiptarë, zogistë e ballistë, ajka e intelektualëve të atdheut, do të merrnin rrugën e emigracionit politik. Dhe në krye te tyre ishte Hirësia e tij, Salih Myftija, kryetar i Lëvizjes së Legalitetit për Shkodrën dhe Kryemyfti i Shkodrës dhe Kosovës, i cili mori me vete djalin më të madh, Fuadin, duke lënë katër vajza e tre djem nën kujdesin e mbrojtjen e nanës Qamile, një grua që u nderua e respektua në Shkodër, për sakrificën e karakterin burrëror për të ruajtur traditat patriotike të familjes Myftija.

Hirësia e tij, Salih Myftija dhe djali i tij, Dr.Fuad Myftija që ndoqën në mërgim familjen mbretërore, u shquan për besnikërinë e tyre ndaj Mbretit Zog I dhe pas ngjarjeve në Egjipt, ku u rrëzua Mbreti Faruk, ata u vendosën në New York.

Hirësia e tij, Salih Myftija drejtoi komunitetin mysliman dhe kontribuoi në ngritjen e xhamisë në këtë qytet. Dr.Fuadi ishte diplomuar për Drejtësi në Firenze, Itali; drejtoi OKLL për gjithë diasporën shqiptare për katër dekada si Sekretar i Përgjithshëm.

Për familjen Myftija filloi kalvari i gjatë i persekutimeve, internimeve dhe burgosjeve. Nëna e shtatë fëmijëve Qamilja u internua në fshatrat e Lushnjës së bashku me tre djemtë Xhevatin, Feridin e Mitehatin.

Drejtimin e familjes e mori përsipër vajza më e madhe Mejremja (në foto në plan të parë me të zeza) e cila këto ditë në moshën 95-vjeçare u nda nga jeta, duke qenë edhe në familjen ku u martua me Sabri Dacen, një tjetër familje e persekutuar, një grua fisnike duke trashëguar traditat e vyera të familjes Myftija. Pas internimit, me kthimin në Shkodër, Feridi u burgos me grupin e të rinjve gjimnazistë si kundërshtar i vendosur i regjimit komunist, ndërsa djali më i vogël Mitehati, pasi kishte mbarue gjimnazin, duke mos gjetur asnjë rrugëdalje për të filluar jetën e tij, pas një depresioni të thellë, hyri nën rrotat e një skode mu në mes të qytetit, aty ku është sot Hotel Rozafa. Kjo ngarje makabre në vitin 1968 tronditi thellë qytetarinë shkodrane. Sigurimi i Shtetit vuri njerëzit e tij për të regjistruar e fotografuar ata që do të shkonin në mortin e kësaj familje.

Për të vlerësuar e respektuar emrin e Hirësisë së tij, Salih Myftija dhe të vuajtjeve e sakrificave të kësaj familje atdhedashëse e antikomuniste, ministri i Oborrit Mbretëror, Abedin Mulosmani kur vizitoi Shkodrën në vitin 1993, bëri një vizitë në familjen Myftija dhe solli përshëndetjet e N.M.Tij Mbreti Leka I.

Në foto, pranë ministrit Mulosmani janë dy vellezërit Xhevati e Feridi, si dhe motrat Mejremja, Sadija, Nezihati e Safeti, me trashëgimtarët e tyre.

Pa dyshim, që terheq vëmendjen  edhe një djalë i kësaj familjeje (në plan të parë me këmishë të bardhë e kollare), Zija Myftija i cili pasi e vuri Sigurimin e Shtetit në provë të vështirë, u fsheh e u maskua për pesë vjet në mbrojtje të familjeve shkodrane dhe në vitin 1950, u arratis nga Liqeni i Shkodrës dhe u bashkua në New York  me xhaxhain e tij, Hirësinë e tij, Salih Myftija e me kushëririn e tij Dr. Fuadin. Zija Myftija, një antikomunist i vendosur edhe në pjesëmarrjen e tij në demonstratat antikomuniste në Amerikë, erdhi në Shkodër për të kaluar vitet e fundit të pleqërisë pranë mbesave e kushërinjve, i vendosur për t’u vorrosur në qytetin e tij të lindjes, në Shkodër, e cila e përcolli me respekt në banesën e fundit, në vitin 1993.

Por ajo që e bën këtë foto edhe më historike, është fakti se në këtë vizitë të ish-përfaqësuesit të N.M.Tij Mbreti Leka I, janë edhe antikomunistë të njohur në Shkodër e mbarë vendin si Rrok Konti, Nikolin Destanishta, Lin Martini, të cilët ishin bashkëvuajtës në burgje e internime me familjen Myftija, emra këta të njohur për qëndrimet e tyre.

Namik Mehmeti/kujto.al

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here