Rexhai Libohova, nga burgjet e fashizmit te burgjet e komunizmit

0
422
blank

Historia e Rexhai Libohovës që komunizmi e dënoi në burgje dhe kampe shfarosëse, pak muaj pas mbarimit të luftës, ku dy vëllezër të tij kishin dhënë jetën.

 

Gjatë ditëve të janarit që zhvillonte punimet Kongresi i Lushnjës, ku Teki Libohova bënte pjesë në komisionin nismëtar, disa miq të tij morën brenda shtëpisë ku zhvillohej kongresi edhe djalin e tij të madh, as 8 vjeç në atë kohë. Ata realizuan edhe një fotografi me të, që u ruajt nga familja për vite me radhë dhe që duhet të ketë qenë një nga kujtimet më të rëndësishme të fëmijërisë së Rexhai Libohovës, por jo i vetmi. Dy vjet më vonë, kur senatori francez Justin Gotard erdhi në Lushnjë për të vizituar Shkollën Femërore, djaloshi 10-vjeçar, pa e porositur njeri, i doli para dhe i uroi mirëserardhjen. Ky gjest i bëri shumë përshtypje senatorit aq sa kërkoi ta merrte fëmijën në Francë dhe të kujdesej për ta shkolluar atje. Mirëpo, gjysh Haliti që dikur kish studiuar jurisprudencë në Stamboll dhe kishte punuar si gjykatës në Berat dhe gjyshe Nysieti nuk mund ta linin nipin të largohej kaq i vogël nga shtëpia dhe kështu oferta bujare u refuzua.

Pas mbarimit të shkollës 6-vjeçare në qytetin e lindjes, Lushnjë, në vitet 1928-1930, Rexhaiu studioi në Kolegjin Ndërkombëtar “Monte Maria” në Romë dhe kur u kthye në Shqipëri, u regjistrua në Shkollën Tregtare të Vlorës të cilën e mbaroi me rezultate të larta. Familja e dërgoi për të thelluar studimet në Institutin Tregtar Italian në Selanik, ku merr diplomën “Financier”. I pajisur me njohuritë e duhura në këtë fushë, pas disa vite studimesh, Rexhai Libohova, kur kthehet në atdhe, konkurron për vendin e konsulentit financiar në Dhomën e Tregtisë së Elbasanit, që e fiton.

Elbasan ai njihet dhe martohet me Ikbalen, vajzën e Shefqet Dajiut, një nga firmëtarët e Pavarësisë. Por pushtimi fashist, do të sjellë ndryshime të mëdha në jetën e Rexhai Libohovës.

Në burgjet fashiste

Ai bashkë me vëllezërit, Skënderin dhe Aqifin e kundërshtuan hapur pushtimin. Italianët ndërhynë, duke e dërguar në Itali dhe duke e regjistruar në shkollën Spoleto që përgatiste ushtarakë. Pas dy muajsh qëndrimi në këtë shkollë, ai riatdhesohet “si i paaftë dhe i papërshtatshëm”.  Ndërkohë, i vëllai Skënderi, megjithëse i shkëlqyer në mësime, nuk u lejua të diplomohej në Shkollën Tregtare të Vlorës i etiketuar si “element i rrezikshëm dhe nxitës i turbullirave”. Djemtë e Teki Libohovës, kishin tërhequr tashmë vëmendjen e pushtuesve dhe më 7 nëntor 1941, Rexhaiu arrestohet nga italianët. Dërgohet në burgun e Tiranës dhe Gjykata e Lartë Ushtarake e Tiranës e dënon me tre vjet burg. Në maj 1942, e dërgojnë në burgun e Elbasanit. Një muaj më parë, i kishte lindur e bija, Elisabeta, të cilën e sheh për herë të parë përmes hekurave të burgut. 18 ditë pas tij, ishte arrestuar edhe vëllai, Aqifi i cili u lirua në prill 1942, ndërsa Rexhaiu 7 muaj më vonë.

Në një shkrim të publikuar nga Republika dhe të postuar nga Faqja Libohova Online, shkruhet se pas daljes nga burgu, Rexhaiu u vendos në familjen e aktivistit të luftës, Tomor Sinanit. Kur Enver Hoxha erdhi për vizitë në këtë shtëpi, i kërkoi Rexhaiut të aktivizohej me lëvizjen komuniste në Lushnjë, por financieri i ri, pa kundërshtuar reshtimin me Frontin Nacionalçlirimtar, nuk pranoi të shkonte në Lushnjë për arsye se atje rrezikohej ngaqë ishte shumë i ekspozuar. Tre vëllezër të tij luftonin në radhët e ushtrisë nacionalçlirimtare në Lushnjë, tashmë. U duk se biseda u mbyll qetësisht, por Hoxha nuk e harroi refuzimin e Rexhaiut. Lufta ishte tragjike për familjen e Rexhai Libohovës. Dy vëllezër të tij partizanë, Aqifi dhe Skënderi u vranë: Aqifi në Skrapar, ndërsa Skënderi matanë kufijve veriorë, më 16 dhjetor 1944.

Në burgjet komuniste

Por kur luftimet me pushtuesit kishin mbaruar në Shqipëri, komunistët nisën të sulmonin shqiptarët. Në nëntor 1944, ata arrestuan babanë e Rexhaiut, Tekiun si element të dyshimtë duke qenë se i përkiste një familjeje të pasur. E rrahën dhe e torturuan deri sa dikush ishte kujtuar që ai ishte babai i tre partizanëve. Atëherë e liruan, por më 6 korrik të 1945-ës, babain e dy dëshmorëve, e arrestojnë përsëri. “Për pesë ditë me radhë iu nënshtrua torturave për ta detyruar të firmosë një dokument të servirur nga Sigurimi i Shtetit ku pranonte bashkëpunimin me të huajt. Kur e panë se nuk u thye nga torturat, në mes të natës e plasën në pragun e shtëpisë, gati gjysmë të vdekur”, shkruhet në artikullin e publikuar nga Libohova Online. Në këtë kohë, ishte i burgosur edhe djali i tij, Rexhai Libohova. Ai u dënua në qershor të 1945-ës,  nga Gjykata Ushtarake e Elbasanit si “kriminel lufte” duke u akuzuar konkretisht se: 1. Ka qenë autor i zbulimit të Këshillit Nacional-Çlirimtar të qytetit Elbasan; 2. Ka qenë shkaktar i arrestimit nga gjermanët të Tomor Sinanit.

Në përgjigje të këtyre akuzave Rexhaiu shpjegoi pozitën e tij. “Për arrestimin e Tomor Sinanit, ngjarja ka ndodhur në 12.11.1943. Një ditë më parë se të bëhej shtetrrethimi, takova zotin dhe zonjën Debrova. Meqenëse u bë vonë, fjeta tek ata. Nuk kam gisht në këtë arrestim. Sa për Këshillin Nacionalçlirimtar, s’kam qenë në Konferencën ku u zgjodh Presidiumi, që do të zgjidhte Këshillin, kështu që nuk pata mundësinë me tregue e me zbulue gja”. Në mbështetje të shfajësimit për arrestimin e Tomor Sinanit dëshmuan nëna e Tomorit dhe mësuesi i Hasan Dylgjeri. Megjithatë, Rexhaiu u dënua me 5 vjet heqje lirie. Ai u dërgua në kampin shfarosës të Maliqit.

Jeta pas burgut

U lirua pas katër vitesh, në maj 1949 dhe u kthye në Lushnjë. Atë vit mbyll sytë i ati. Para Tekiut hapej perspektiva e zymtë e jetës si armik i popullit. Iu nënshtrua punëve të rënda, të vetmet që u lejoheshin armiqve të pushtetit. Jetonte në izolim, po të mos ishte për ata pak miq që nuk iu ndanë gjithë jetën, si kleriku Irine Banushi, avokati Ferit Çabej, mësuesi Vasil Gallani, Pandeli Stringa dhe më i veçanti, Dr. Ihsan Çabej, pavarësisht sfidës që përbënte shoqërimi me një ish-të burgosur politik. Vizita e një prej njerëzve të pushtetit, Hasan Ginës, te Rexhai Libohova, pasi ky doli nga burgu, u kritikua nga diktatori i cili shkroi për Hasan Ginën, se “ky njeri përgëzon njerëz që dalin nga burgu, duke mohuar luftën e klasave”. Rexhaiu mbeti gjithë jetën “armik i popullit” pavarësisht se sa shumë i kish dhënë luftës nacionalçlirimtare familja e tij. Ditën e Dëshmorëve, siç ka treguar i vëllai, ish-regjisori i Estradës Profesioniste të Lushnjës, Gëzim Libohova, në memorie.al, autoritetet vinin për vizitë te ky i fundit, që kish qenë partizan duke shmangur shtëpinë e Rexhaiut, vetëm disa metra larg. Rexhai Libohova, i cili thirrej në shenjë mirënjohjeje “babi” nga bashkëqyetarët, u shua më 1 prill 1988, pasi i ishte lutur dr. Çabejt, ta nxirrte nga spitali duke i thënë “Dua të vdes në shtëpi”. Rexhaiu u përcoll nga dashuria e bashkëqytetarëve të tij, që nuk ngurruan ta respektojnë ditën e fundit në këtë botë.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here