Dokumenti i Sigurimit të Shtetit për shkrimtarin dhe publicistin si agjent i Amerikanëve
Disa artikuj dhe tekste me përmbajtje armiqësore u bënë prova për Sigurimin e Shtetit për të çuar pas hekurave shkrimtarin dhe gazetarin Petro Marko në vitin 1947. Kishte qenë një ndër gazetarët e rëndësishëm të viteve ’40 në Shqipëri. Ishte i angazhuar në lëvizjen komuniste qysh në fillime. Petro Marko ishte gazetar në gazetën “Illyria”, "Përpjekja Shqiptare” e shumë të tjera të viteve '30-'40 në Shqipëri. Me ardhjen e komunistëve në pushtet, Petro Marko u emërua si kryeredaktor i gazetës “Bashkimi”. Ai e drejtonte “Bashkimin”, pikërisht në atë kohë kur kjo gazetë “demaskonte” armiqtë e popullit, shumë prej të cilëve kishin qenë miq të tij. Pak kohë pasi ishte ekzekutuar “grupi armiqësor” i deputetëve, do të arrestohej edhe Petro Marko dhe pas rreth dy vitesh hetuesi, u dënua me tri vite burg.
Në dosjen e Petro Markos të përpiluar nga Sigurimi i Shtetit, veçojmë një dokument të titulluar “Promemorie mbi Petro Markon”:
“Tiranë më 27-X-946
Promemorie mbi Petro Markon
Me ardhjen e Fultzit dhe të Anton Stevens, ky vjen për një herë në kontakt me këta dhe sipas angazhimeve të marruna fillon nga aktiviteti si agjent i amerikanëve. Si kryeradaktor i “Bashkimi”-t, amerikanët me anë të Petro Markos u informuan mbi aktivitetin që kishte treguar kjo fletore deri tani. Petro i furnizonte vazhdimisht me informata të ndryshme, ka dhënë hollësira rreth personelit që punonte aty tue i cilësuar se kush ishin më të besuar dhe kush jo. Ka dhënë biografira të personaliteteve të ndryshme. Në bazë të udhëzimeve të marruna nga Fultz-i Petro Marko desh ta bënte gazetën “Bashkimi” mjet propagande për Amerikën dhe për këtë disa herë mundi të ketë përfundime të mirë për ta. Ka nxjerë fotografi të luftës që bën ushtria amerikane, botuar artikuj nga revista amerikane, të cilat i sillte Stevensi. Ka dhënë Stevensit informata të ndryshme mbi shtypin, numurin e fletoreve që dilnin në Shqipëri, se këta drejtoheshin nga organet e pushtetit, se shtypi privat ishte i ndaluar, mbi sasinë e letrës që dispononte pushteti, çfar mungesa kishte, ç’libra të reja kanë dalë deri aherë në shtyp, mbi libra të ndryshme sovjetike nese silleshin gratis ose me të holla….”.
Me këto akuza, Petro Marko, pavarësisht rolit që kishte patur gjatë luftës në mbështetje të Lëvizjes Nacionalçlirimtare, u dënua me tri vite burg, njëherësh iu ndalua edhe e drejta e botimit. Ai vazhdoi të përndiqej e të censurohej për 43 vitet në vazhdim, derisa ra regjimi komunist në dhjetor të vitit 1990.
Gjuetia ndaj intelektualëve nëpërmjet gjyqeve politike me akuza të sajuara vazhdoi intensivisht deri në fundin e regjimit në vitin 1990, për të ekzekutuar e burgosur thuajse shumicën e elitës shqiptare, ndër të cilët edhe gazetarë. Më poshtë publikohet një listë ku përfshihen emra të gazetarëve dhe publicistëve shqiptarë të dënuar me pushkatim apo me burg nga diktatura komuniste.
Më poshtë publikohet lista me disa nga gazetarët e ekzekutuar dhe burgosur gjatë diktaturës komuniste në Shqipëri
Nebil Çika - i pushkatuar
Xhemal Farka - vdekur në tortura
Fiqir Llagami - dy herë i dënuar, vdekur në burg
Musine Kokalari - e burgosur
Kolë Berisha - i pushkatuar
Akeks Mavraqi - i pushkatuar
Gjon Shllaku - i pushkatuar
Zoi Xoxe - i burgosur
Beqir Ajazi - i burgosur
Koço Semini - i burgosur
Petro Marko - i burgosur
Rrok Kolaj - vdekur në burg
Beqir Haçi - i burgosur
Zhan Gorguzi - i burgosur
Andon Frashëri - i burgosur
Kolë Tromara - i pushkatuar
Mitrush Kuteli - i burgosur
Lazer Radi - i burgosur
Akile Tasi - i burgosur
Lazër Shantoja - i pushkatuar
Guljelm Deda - i burgosur
Kristo Floqi - vdekur në burg
Kristo Krika - i burgosur
Gjergj Bubani - i burgosur
Ihsan Libohova - i burgosur
Pashko Gjeçi - i burgosur
Arshi Pipa - i burgosur
Selfixhe Ciu - e internuar
Marian Skanjeti - i burgosur
Et’hem Haxhiademi - i vdekur në burg
Fadil Kokomani - i pushkatuar
Fatos Lubonja, i burgosur
Vangjel Lezho - i pushkatuar
Niko Kotani - i burgosur
Më poshtë një tjetër listë me emra të rëndësishëm të mediave para vitit 1944, që u dënuan nga regjimi për funksione politike që kishin mbajtur
Mihal Zallari - i burgosur
Vinçens Prenushi - vdekur në burg
Abdurrahman Dibra - i burgosur
Myzafer Pipa - vdekur në hetuesi
Mustafa Greblleshi - i burgosur
Javer Hurshit - i pushkatuar
Hilmi Leka - i pushkatuar
Bedri Pejani - i pushkatuar
Bahri Omari - i pushkatuar
Qazim Kokoshi - vdekur në hetuesi
Hafiz Ibrahim Dalliu - vdekur në burg
Mirash Ivanaj - vdekur në burg
Lef Nosi - i pushkatuar
Shënim: Artikulli mbështetet në materialet të marra nga libri “MEDIA SHQIPTARE, rrugëtimi i vështirë drejt lirisë”, me autore Luljeta Progni, mbështetur nga Konrad Adenauer
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.