Procesi ku u dënua i biri i Sotir Pecit, tre të tjerët vdiqën në burgje

0
2976
blank

Një proces hetimor-gjyqësor kundër disa të moshuarve u zhvillua në vitet 1976-1977. Ndër ta ishte edhe Gaqoja, i biri i rilindësit Sotir Peci, ish ministër dhe ish regjent i Shqipërisë, i cili u arrestua në moshën 56 vjeçare. Gaqoja kishte dalë në pension kur nisi një rrugëtim të mundimshëm persekutimi, duke u gjykuar në grup, por duke patur “fatin” se ishte i vetmi që mbeti gjallë nga ai proces sa tragjik aq edhe qesharak.

Siç e kujton edhe vetë në librin e tij, Gaqoja ndodhej në shtëpi duke gatuar makarona. As i shkonte ndër mend se atë ditë do të arrestohej dhe do bëhej pjesë e një procesi të tillë. E marrin në telefon nga Komiteti Ekzekutiv i Korçës. Pasi paraqitet, i thonë të shkojë në Tiranë se do shkojë në Tiranë për të shërbyer si përkthyes i delegacioneve të huaja që kishin ardhur me rastin e kongresit të 7-të të PPSH-së. Gaqoja pret biletën e autobusit dhe niset drejt kryeqytetit.

Atje në hotel “Tirana”, i thonë se duhej të hipte në makinë pasi po e priste “profesori” francez. Kaloi bulevardin, pastaj edhe kryeqytetin dhe mori drejtimin e rrugës së Elbasanit për të përfunduar nga erdhi, në Korçë. Ishte data 15.10.1976 kur e arrestuan. As vetë ai nuk dinte ta shpjegonte këtë mënyrë të arrestuari. Gaqo kish mbaruar liceun e Korçës në vitin 1940. Në vitet 1941-1943 punoi si titullar administrate në komunën e Draslicës në Strugë. Në vitet 1943-1944 punoi sekretari i dytë në liceun artistik të Korçës. Pas lufte e deri sa doli në pension punoi arsimtar në Korçë dhe Bilisht. Kishte dy vajza të martuara. Kushëri të parë kishte Koço Tashkon.

Së bashku me Gaqon, u arrestuan edhe shtetasit: Kiço Venetiku (i vitlindjes 1922), arrestuar më 29.10.1976, Vangjush Tushi (1914), arrestuar më 13.8.1976, Krisanthi Venetiku (1910), arrestuar më 29.10.1976. Të gjithë akuzoheshin në bazë të nenit 73/1 të Kodit Penal, pra për agjitacion e propagandë, ndërsa Kiçoja edhe për nenin 64, tradhti ndaj atdheut.
Kiçoja dhe Krisanthi ishin vëlla e motër. Një vëlla e kishin të arratisur. Ata bëheshin fajtorë se ishin ushqyer qysh në rininë e tyre me “ideologji reaksionare”. Në pretencën e tij prokurori ndër të tjerash, deklaroi:
“Armiku i klasës përpiqet se na lufton me të gjitha drejtimet si në ideologji, ekonomi, ashtu dhe në politikë, duke përdorur forma të kamufluara në nxitjen e liberalizmit veçanërisht në të rinjtë e duke shfrytëzuar me dinakëri çfarëdo dobësimi të vigjilencës revolucionare me qëllim që i rigrupuar të godasë në befasi shtetin tonë të diktaturës së proletariatit. Prandaj, në këto kushte të presionit të gjithanshëm imperialisto-revizionist dhe të këlyshëve të tyre brenda vendit sikurse katër të pandehurit..., detyra jonë është të mos lejojmë krijimin e situatave të favorshme për armikun, por ashtu siç na mëson shoku Enver të kemi kurdoherë iniciativën në sulm, të mbajmë vazhdimisht të ndezur luftën klasore kundër armiqve të jashtëm e të brendshëm dhe kundër ndikimeve të huaja të ideologjisë borgjezo-revizioniste”.
Gjykata e Rrethit Korçë, me vendimin nr.118, datë 10.6.1977, i deklaroi fajtorë dhe i dënoi: Kiçon me 25 vjet, Vangjushin e Gaqon me nga 10 vjet dhe Krisanthin me 7 vjet heqje lirie. U la në fuqi me vendimin nr.215, datë 15.7.1977 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.
Në vendimin e gjykatës midis të tjerash thuhej: “Në të njëjtën linjë kundërrevolucionare ka ecur edhe i pandehuri Gaqo Peci i cili është shprehur se metodat e realizmit socialist pengojnë artistët të shprehin realitetin dhe që të tre të pandehurit duke u bashkuar në një kor me ideologjinë borgjezo-revizioniste predikojnë se në art dhe në letërsi nuk ka përse të duhet partishmëria, pasi ajo sipas tyre, e pengon artistin të shkruajë si të dojë dhe çka mendon”.

I vetmi që nuk vdiq nga ky grup ishte Gaqo Peci, i cili u lirua më 16.11.1982. Të gjithë të tjerët vdiqën pa arritur të shihnin me sy lirimin:
-Vangjush Tushi vdiq më 31.7.1982 në Repartin nr.309 Ballsh.
-Kiço Venetiku vdiq më 5.4.1985 në Repartin nr.303 Spaç.
-Krisanthi Venetiku vdiq më 3.9.1979, në Repartin nr.318 Kosovë.

Ne foto; Gaqo Peçi /kujto.al

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here