"NON VOGLIO VIVERE”

0
615
blank

“Nuk dua të jetoj”, është shprehja më domethënëse për të përshkruar atë çfarë fiksuan në objektivin e tyre gazetarët gjermanë të Spiegel Tv, gushtin e vitit 1991, në kampin e internimit në Lushnje. Kasolle kashte të vendosura ngjeshur me njëra-tjetrën, rrugica ku nuk mund të shkëmbehen dy njerëz...thatësirë, pluhur, varfëri… dhe vuajtje që e sheh në portretet e banorëve të asaj shkretëtire 

Nga Luljeta Progni

“Non voglio vivere”, “non voglio vivere”- “nuk dua të jetoj”, është thirrja e përsëritur e Klora Merlikës, në kampin e internimit në Gradisht të Lushnjës, në gusht të vitit 1991. Një grup gazetarësh gjermanë kishin mbërritur në Shqipëri në një situatë të re, kur sapo kishte rënë diktatura komuniste. Sapo pa objektivin e kameras dhe kuptoi se gazetarët nuk ishin shqiptarë, Klora shqiptoi në gjuhën e huaj që njihte, në italisht, gjithçka donte t'iu thoshte gazetarëve. “Nuk dua të jetoj”, është shprehja më domethënëse për të përshkruar atë çfarë fiksuan në objektivin e tyre gazetarët gjerman të RTL-së, gushtin e vitit 1991, në kampin e internimit në Lushnje.

blank

Ashtu siç shfaqen pamjet ne dokumentar, lagjja e të internuarve në Gradisht të Lushnjës na tregon realitetin e asaj kohe, si jetonin të internuarit gjatë diktaturës komuniste dhe si trajtoheshin ata nga regjimi. Disa kasolle të vendosura ngjeshur me njëra- tjetrën, rrugica ku nuk mund të këmbeheshin dy njerëz, thatësirë, pluhur, varfëri… dhe fytyra e mjerimit që e sheh në portretet e banorëve të asaj shkretëtire. Shumica e tyre kishin mbi 30 vjet që vuanin internimin. Klora Merlika kishte në fakt 45 vjet që vuante denimin sepse ishte internuar qysh ne vitin 1946 për të kaluar nga kampi i Kuçovës, Beratit, Tepelenës dhe të gjitha kampet e tjera të internimit që vazhduan deri në vitin 1991. Klora ishte rritur në internim, atje ishte veshur nuse, atje lindi fëmijët. Në fund të viteve ’80, vetëm në kampin e Gradishtit ishin 600 familje të internuara. Mijëra familje të tjera vuanin dënimin në kampet e internimit në Savër, Shtyllas, Grabian, Çermë e gjetkë.

“Kam 35 vjet që jetoj e internuar në këtë vend” thotë Vera Ndreu, njëra prej grave të internuara. Kur gazetari e pyet: "çfarë krimi ke kryer që je dënuar me internim?!", gruaja përgjigjet ftohtë: “s'kam kryer asnjë krim”.

blank

Biseda vazhdon me pyetjen e natyrshme për cilën arsye ishte sjellë në këtë vend dënimi, dhe gruaja sqaron se një kushëri i bashkëshortit të saj ishte pushkatuar si “armik i regjimit” dhe më pas, i gjithë farefisi ishte dënuar me internim. Përgjigjja tingëlloi krejtësisht absurde për gazetarin e huaj. Më pas ai do të njihej me të tjerë të internuar, arsyet banale e të paqena të dënimit të tyre.

Kamera e gazetarit gjerman vazhdon udhëtimin nëpër ato rrugica të ngushta që ndajnë kasollet e familjeve të internuara për të ndeshur në të tjerë personazhe të atij ferri ku ishin detyruar me dhunë të ngrysnin jetën.

Mojs Miraka i drejton për te kasollja e tij dhe nis t'iu rrëfejë jetën e mundimshme. Në krah të tij është e ëma, Xhina Miraka, gruaja e fisme e derës së Mirakajve, e cila jetoi si rrallëkush, kalvarin e diktaturës komuniste. Ndërsa i biri Mojs Miraka tregon vuajtjet nëpër internime, kamera e gazetarit fokusohet te portreti i nënë Xhinës. Sytë e saj rrëfejnë dhimbje e duket sikur po i përjetonte për së dyti vuajtjet.

blank

Jonuz Canaj është një tjetër banor i fshatit të internimit i cili thotë se kishte 31 vite që jetonte i dënuar në atë kasolle. Babai i tij ishte pushkatuar dhe menjëherë pas pushkatimit, familja e tij u internua në kampet e Lushnjes.

Ky dokumentar i realizuar nga gazetarët gjermanë na kthen 30 vjet më parë në Gradisht, atje ku ngrysën jetën mes dhunës së diktaturës, mijëra familjarë të dënuar si “armiq të popullit” gjatë diktaturës komuniste. Më poshtë reportazhi i medias gjermane për kampin e internimit në Gradisht, në gusht 1991. Pjesën e Gradishtit e gjeni nga minuta e gjashtë e videos, me përkthim të pjesshëm, e publikuar nga Robert Thomai.

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here