Janar 1948/ Letra e të lumit  Frano Gjini dhe familjarëve para pushaktimit

0
1375
blank

 Ishte 65 vjeç. Pavarësisht moshës së shtyrë, ai kishte kaluar pothuaj 14 muaj hetuesi të vështirë dhe pas shumë torturash po dilte në gjyq. Monsinjor Frano Gjini, ishte arrestuar më 15 nëntor 1946. Kjo dalje në gjyq me 2 janar 1948,  pas një lumi akuzash  të paqena do të zgjaste pak ditë.  Fill pas 6 ditësh, me 8 janar 1948, në pretencën e tij prokurori  Namik Qemali kishte kërkuar dënimin me vdekje për monsinjor Frano Gjinin dhe po ashtu edhe për tre klerikë të tjerë: Dom Nikoll Dedën,  Pader Mati Prendushin dhe Dom Tom Lacen. Atë ditë Gjykata Ushtarake e Shkodrës kishte marrë vendimin për ta dënuar me vdekje monsinjor Frano Gjinin.

Duke ju kundërvënë këtij vendimi, monsinjor Frano Gjini kishte bërë një ankimim në Gjyqin e Lartë Ushtarak Shkodër. Ankimimi  mban datën 10 janar 1948 duke i shkruar Gjyqit të Nalt Ushtarak Tiranë, siç vijon:

"Une i nënshkruari Mons. Frano Gjini Regjent i Delegacjonit Apostolik në Shqipni. Kam nderën të njoftoj atë P.Gjykatë të Naltë se e ndiej per detyrë të shejt të kundërshtoj vendimin e Gjyqit Ushtarak të Shkodrës dhanë me 8.1.1948 me kene se ky vendim asht dhanë në bazë akt akuzës lshue prej Prokurorit Ushtarak të K.U. Shkodrës me 2. 1. 1948 e cila si asht formulue nuk asht konform me të vërtetën per sa i përket personit t'im:

Se nuk kam punue për ardhjen e fashizmit italian në Shqipni.

Se nuk kam kene spiju i imperializmit nazi-fashist.

Se s'kam punue për fashizimin e vendit.

Se nuk ia kam pranue kurr aderimin tem okupacionit italian me përjashtim të një telegrami dergue mbas 22 ditesh nga okupacioni italianë bashke me Kolegët e tjere te Episkopatit, i cili telegram nuk ka tjeter kuptim veç të një formaliteti konvenence të detyruem nga fataliteti historik të ngjarjeve të kohës të përgatituna prej tjerëve pra si kanë veprue të gjith përfaqsuesit e enteve civile, ushtarake e fetare të vendit t'onë.

Se nuk kam shue ndjesit patriotike natyrale të popullit.

Se nuk kam vue kurr nji pengese serioze për eliminimin e Levizjes N.CI.

Se nuk kam ndihmue në asnjë mënyrë Qeverit Kuislinge.

Se nuk kam ndihmue kurrkend për të pengue rezistencën e popullit kundra okupatorit por as formacionin e bashibozukve kundra N.ÇI.

Se mbas çlirimit nuk kam organizue e marrë pjesë apo kryesue ndonje grup politik antipopullor me qëllim për me përmbysë Pushtetin me vjolence as nuk kam ngarkue ndonjë person klerik a civil per të më përfaqsue në grupe të tilla, nese kane ekzistue.

Se nuk kam drejtu kurr memorandume te karakterit fetar imperijalistave të huaj.

Se nuk kam pas kurrnji përpjekje as me ilegal as me reakcjonar të mrenshem e të jashtem. Prandej në lidhje me sa më sipër e ndiej për detyrë ndergjegjje Kombetare shoqnore profesionale të kërkoj në bazë të drejtësis prej asaj të Ndertes Gjykatë  rishikimin e gjyqit, prishjen e vendimit të tij e njoftjen e pafajsis sime. N'uzdaj se kerkesa ime ka me u pranue, nënshkruhem me nderime.

Shkoder 10.1.1948.

Frano Gjini

Pas këtij ankimimi monsinjor Frano Gjini por edhe familjarët e tij i shkruajnë një kërkesë për falje jete edhe Presidiumit Popullor, me shpresë se do ta kthenin dënimin me vdekje. Letrat dejtuar Presidiumit janë këto:

LETRA E MONS GJINIT PËR NDRYSHIM VENDIMI

Me anën e Gjykatës Ushtarake të Shkodres, P.T. Presidiumit të Kuvendit Popullor të Republikës.

“Gjykata Ushtarake e Shkodres ka vendosur për denimin tim me vdekje. Me rase se Vendimi aprovohet edhe prej Gjykates së Lartë Ushtarake lejohemi me lutë edhe me parashtrue Atij, P.T. Presidium Organ Suprem i Shprehjes së Vullnetit të Popullit, qi të kenë mirsinë mëshironjëse për me më akordue Aktin e Vet të Lartë edhe të shenjtë të mëshirës edhe të klemencës për kthimin e denimit kapital në Burgim të përjetshëm. Shënjohemi me përvujtni Monsinjor Frano Gjini”.

blank

LETRA E FAMILJARËVE PËR FALJEN E TIJ

Shkodër me 26.1.1948 Me anën e Gjykatës Ushtarake të Shkodres. P.T. Presidiumit të Kuvendit Popullor të Republikes Tirane.

Me vendimin e Gjykatës Ushtarake të Shkodrës asht vendosur dënimi me vdekje i vllajt edhe i axhes s'onë Monsinjor Frano Gjinit. Me eventualitetin e aprovimit të Atij vendimit edhe prej Gjykates se Lartë Ushtarake të prekura në sentimentet t'ona të dhimsurisë qi provojmë në kët moment për të vetmin ngushëllim të familjes s'onë mbasi përveç të denuarit me vdekje nuk kemi tjetër person të seksit mashkull në gjinin tone lejohemi me Ju drejtue mirësisë meshironjëse të Atij P-T Presidiumit të Kuvendit Popullor qi të denjojnë me i akordue Aktin e Vet të Lartë të mëshirës edhe klemencës, për konvertimin e denimit kapital në burgim të përjetshëm duke shpresuar qi për hir të Vullnetit të Shenjtë të Atij P.T Presidium viti 1948 të jenë edhe për familjen t'onë nji vit gezimi edhe ngushëllimit. Shenjohemi me pervujtni: Motra e të denuarit Tina Tuke Gjini banuese në lagjen Sereq të Shkodres edhe mbesa e tij Rozina Kol Gjini banuese në atë lagje.67.

blank

Por pavarësisht lutjeve me përulje për ti falur jetën, vendimi nuk u ndryshua. Dokumenti i ekzekutimit të tij së bashku me dy klerikët e tjerë dënuar po ashtu me vdekje, Mati Prendushi e  Dom Nikoll Deda, mban datën 11 mars 1948. Ekzekutimi i tyre ishte kryer në orën 5 të mëngjesit  të atij 11 marsi dhe fjala e fundit e Monsinjor Frano Gjinit ishte: “Rroftë krishti Mbret, Feja katolike dhe katolikët në botë! Rroftë Papa, gjaku dhe trupi jem mbetet këtu, pse shpirti dhe zemra ishte tej Papa. Rroftë Shqipnija!”

blank

 Të dhënat e këtij shkrimi janë marrë nga libri i studiueses Leonora Laçi “Abati i Mirditës  Imzot Frano Gjini

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here