Pirro Frashëri, 33 vite burgjeve e internimeve në diktaturë

0
271
blank

Në moshën 14-vjeçare dënohet më 20 vjet burg politik, më pas internim e ridënim...Jeta tragjike e njeriut që sfidoi diktaturën

“I PAMPOSHTURI” e cilëson Pirro Frashërin, miku i tij Murat Basha. Ai na tregon prejardhjen e Pirros që vjen nga Frashërllinjtë dhe Faik Konica, dy mbiemra të mëdhenj në historinë tonë. Murat Basha e ka njohur dhe ka kaluar kohë me Pirron dhe na tregon se ishte i biri i Farudin Frashërit, stërnip i Abdylit të madh dhe Paqizesë nga familja e Faik Konicës.

Pirro Frashëri ishte arratisur nga Shqipëria në vitin 1953 në moshën 14 vjeç e 3 muaj. Pesë muaj më pas kthehet në Shqipëri për të marrë vëllezërit e tij. “Troket në derën e ''miqve'' te një shtëpi tek Tre Urat në Përmet. Nëna e ''mikut'' (ish-pronari i një restoranti luksoz në qendër të Tiranës, sot rezident në USA) lajmërojnë në kufi dhe vijnë e kapin. Në këtë moment, personi që lajmëroi dhe e ëma, u ''arratisën''...  PIRRO në moshën 14 vjeç e 10 muaj, dënohet me 20 vite burg politik.  E kreu dënimin në burgun e Vlorës. Del. E internojnë. Tre vite internim në Bofje. Arrestohet dhe ridënohet 10 vjet, se kishte bërë agjitacion me ''kafshët e pyllit''....  Në burgun e Spaçit, është nga të paktët Shqiptar, që ka bërë 6 muaj rresht birucë, sepse nuk pranonte të punonte për Komunistët. "Na quani Armiq, nuk punoj për ju'',- u thoshte. Nga birucat e dërgojnë në gjendje koma në spitalin e burgut....  Mbas dy muaj, në luftë me vdekjen, shpëton. E nxjerrin para kampit në Spaç. I kërkojnë të rikthehet në punë. Nuk pranon.  ''Më mirë vdekje, e kam thënë një herë Jo dhe Jo''.  Komisari kriminel Shahin Skura, thotë: "Nëse dikush tjetër bën 6 muaj birucë si ky, le të mos punojë". E ridënojnë. Del nga burgu në 1986....plot 33 vite burg dhe internim në mes. Nuk pranon të paraqitet në degën e punëve të brendshme në Korçë.

Shkon ne hotel. Alarmohet qyteti, rrethohet hoteli, shefi i degës Korçë shkon në hotel dhe i thotë: "Përse nuk u paraqite në degë?". PIRRO krenar i përgjigjet: ''Spiunët paraqiten në degë, unë nuk kam punë aty''.  Shefi e pyet: "E do jetën ti???!!!"  -''Shumë'',- ia kthen PIRRO, por në mënyrë të Ndershme''."

Pirro Frashëri u largua nga Shqipëria në vitin 1991 dhe qëndroi në kampin e Kosturit, në fshatin Manjaki në Greqi. Sipas dëshmive të siguruara nga Murat Basha, Pirro Frshëri  ka jetuar në kapanon të veçantë me të burgosurit e tjerë politikë. Më vonë është transferuar në Patra, ku dhe ka ndërruar jetë në vitin 1994.

Pirro Frashëri është një ndër rastet më tragjike të historisë së diktaturës. Një fëmijë i burgosur si “armik i popullit” për të vuajtur 33 vite nën dhunën e egër të diktaturës komuniste.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here