Shpëtoi 200 shqiptarë nga kampet naziste, vuajti kamp-burgjet e komunizmit

0
232
blank

Historia e Et'hem Carës, të diplomuarit në Austri që i vuri njohuritë dhe pozitën e tij në shërbim të Shqipërisë dhe shqiptarëve, por u dënua rëndë nga regjimi komunist

 

Et'hem Cara ndërroi jetë 50 vjet më parë, më 30 korrik 1973. Ndryshe nga ç’mund të pritej për një ish-të dënuar politik nga regjimi që ende vazhdonte të sundonte në Shqipëri, përcjellja e tij shënoi një ngjarje të pazakontë në qytetin e Kavajës për shkak të një pjesëmarrjeje masive.

Ata ishin të vetëdijshëm për rrezikun që u kanosej dhe, në të vërtetë, reagimi i pushtetit nuk mungoi të nesërmen, por shtysa për të nderuar kavajasin e respektuar ishte më e madhe sesa frika. Kjo nuk ishte pa spjegim. Rreth 200 e ca veta në Kavajë ia detyronin jetën, në një farë mënyre, Et'hem Carës, prej një ngjarjeje të 30 viteve më parë. Po aq falënderues sa ata vetë, ishin dhe familjarët e tyre: ata që e kishin jetuar ngjarjen, apo pasardhës të lindur më vonë; të afërmit; miqtë; të njohurit. Dhe vetëm kaq do të mjaftonte që varrimi i Et'hem Carës të ishte madhështor.

Në nëntor të vitit 1943 në zonën e Durrësit e Kavajës, pushtuesit nazistë organizuan një operacion të befasishëm, duke arrestuar qindra persona, të cilët natën e 20 nëntorit i nisën në burgun e Tiranës. Destinacioni i tyre ishin kampet shfarosëse të nazizmit. Ankthi pushtoi qytetin dhe familjarët e të arrestuarve, të terrorizuar nga frika për të afërmit e tyre, nisën të kërkonin ndihmë për ndërhyrje te kushdo që kishte në dorë të bënte diçka. Disa figura të njohura të Kavajës u vunë në lëvizje, por dëshmitë thonë se figura qendrore dhe njeriu që ndihmoi për lirimin e më shumë të arrestuarve ishte Et'hem Cara.

Në rolin e deptutetit të rrethit të Durrësit ai bëri çmos për lirimin e sa më shumë vetave. Priti pa u lodhur familjarët e shqetësuar, dërgoi letra dhe kërkesa të drejtpërdrejta për lirimin e të burgosurve duke deklaruar garancinë e tij për pafajësinë e tyre. Dokumentet arkivore dëshmojnë për 70 të liruar nga burgu bazuar në garancitë me shkrim të lëshuara nga Et'hem Cara dhe dhjetëra të tjerë janë liruar nga ndërhyrjet e tij verbale. Në fund të kësaj fushate sfilitëse, Et'hem Cara, arriti të sigurojë lirimin e mbi 200 të arrestuarve.

Duke pasur parasysh domethënien e këtij fakti, përkundrjet akuzave për bashkëpunim me okupatorin që i bëheshin në Gjyqin Special, avokati mbrojtës e pyet Ethem Carën rreth ndodhisë, në seancën e 17 marsit.

“Kur Irfan Ohri me gjermanët kanë pas burgos qindra vetë nga Kavaja e Durrësi, mbi interesimin e familjarëve të tyre, unë kam ndërhyrë si deputet i Durrësit duke u bam vetë garant për ta dhe janë lirue 200 e ca vetë. Shumica e këtyne ka qenë nga persona të lëvizjes nacionalçlirimtare. Edhe për dërgimin e të burgosurve në Prishtinë kena bërë demarshet e duhuna dhe bile Kryeministri ka shkrue me insistim për kthimin e tyne këtu”, -përgjigj Et'hem Cara. Avokat Karapici, siç shkruhet në procesverbal, paraqiti pas kësaj, një listë me emrat e personave nga Kavaja që i kishte liruar Et'hem Cara me garancinë e tij.

Et'hem Cara u arrestua në 1 nëntor 1944 në shtëpinë e tij në Tiranë. Ai kishte qenë ministër i Financave për 6 javë në muajt shtator-tetor në kohën e pushtimit gjerman, në qeverinë e kryesuar nga Ibrahim Biçakçiu. E kishte pranuar postin, si një detyrë ndaj vendit, pas këmbënguljes së Kryeministrit për ta pasur ekonomistin e diplomuar në Austri në krye të financave në një çast shumë delikat. Gjatë atyre javëve, Et'hem Cara u konfliktua me autoritetet gjermane në mbrojtje të interesave kombëtare. Ai i rezistoi kërkesës imponuese të pushtuesve që po bëheshin gati të largoheshin nga Shqipëria, për të marrë borxh 12 milionë franga duke e reduktuar këtë shumë “mbas shumë diskutimesh, e më shtrëngim të madh deri 3 milionë”.

Dhe kur në tetor 1944, okupatorët u kishin vënë dispozicion aeroplanin për të shkuar në Gjermani, Et'hem Cara, bashkë me disa kolegë, kishin vendosur të mos largoheshin. Ai dha dorëheqjen nga posti i ministrit dhe vendosi të mos largohej duke gjykuar se ishte “ma mirë dhe më e ndershme me qëndrue këtu”. Me siguri ai ka gjykuar se sa kohë nuk i kishte bërë asnjë dëm vendit apo njerëzve, nuk kishte përse të trembej, por nuk e kishte parashikuar se komunistët do të ngrinin një gjykatë speciale për të dënuar “kriminelët e luftës dhe armiqtë e popullit” dhe do të dënonin ata që kishin pasur poste drejtuese në qeveritë e mëparshme, pavarësisht nëse do kishin kryer ndonjë krim apo jo. Madje edhe nëse, si në rastin e Et'hem Carës, kishin qenë, jo armiq, por miq të mëdhenj të popullit.

Et'hem Cara u dënua me burgim të përjetshëm. Shtëpinë, kostot e ndërtimit të së cilës ende nuk i kishte shlyer kur e arrestuan, ia sekuestruan, si çdo të dënuari tjetër me mbi 5 vjet heqje lirie nga ky gjyq dhe bashkëshortja me 4 fëmijët mbetën në mëshirë të fatit. Sapo u mor vendimi i gjyqit, u dërgua mes 700-800 të burgosurish në kampin e parë të punës së detyruar në Jubë, ku të dënuarit, përfshirë dhe kolegë të kabinetit qeveritar ku kishte marrë pjesë, hapnin kanale kulluese. Puna e rëndë e kampeve vazhdoi për vite me radhë, duke i dhënë atij mes vuajtjeve të patregueshme, përfitimin e vetëm të uljes së një pjese të dënimit. Si përfundim u lirua në vitin 1962, në prag të moshës 57-vjeçare, pas rreth 17 vitesh burg.

Biografi

U lind në Kavajë më 1905. Qysh herët mbeti jetim. U mor në kujdestari nga familja e Qazim bej Hydit. U dërgua për studime në Austri, ku më 1928, u diplomua në Akademinë tregtare në Linz.

Pas përfundimit të studimeve, Et'hemi u kthye në vendlindje. Për dy vjet punoi si mësues. Më 1930 është nëpunës në Dhomën e Tregtisë në Elbasan. Gjatë viteve 1935-1944, punon në Ministrinë e Arsimit, fillimisht si kryellogaritar dhe më pas si drejtor i personelit.

blank

Deri në fillim të shtatorit 1944, Et'hem Cara punoi në Ministrinë e Arsimit. Më pas, për 6 javë, ishte Ministër i Financave në qeverine e kryesuar nga Ibrahim Biçakçiu. U arrestua nga komunistët në nëntor të vitit 1944 dhe u dënua nga Gjyqi Special 1 mars-13 prill 1945, me burgim të përjetshëm dhe punë të detyruar. U lirua në vitin 1962.

U nda nga jeta më 30 korrik 1973. Me 5 Prill 1995, u dekorua nga Presidenti i Shqipërisë me urdhrin “Për veprimtari patriotike të klasit II (pas vdekjes). Në vitin 2003, këshilli bashkiak i Kavajës e ka dekoruar me titullin “Qytetar Nderi” (pas vdekjes).

kujto.al

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here