Sali Çuni i revoltës së Spaçit, vuajti mbi 32 vjet burgim

0
674
blank

I lindur më 5.5.1932 në Letaj të Kukësit, Sali Man Çuni jetonte familjarisht prej vitit 1949 në Jugosllavi. Ishte i arratisur, por në bazë të amnistisë së vitit 1956, nga malli për atdheun, bëri gabimin më të madh të jetës, duke u riatdhesuar në vitin 1957. Menjëherë u trajtua si “armik i pushtetit popullor” dhe u internua në fshatrat e Lushnjes. U dënua tri herë. Hyri në burg në moshën 25 vjeç dhe doli prej andej në moshën 58 vjeç. Në vitet 1957-1967 dhe 1968-1990 vuajti plot 32 vjet, 8 muaj, 13 ditë heqje lirie.

 

Dënimi i parë

U arrestua më 6.11.1957 “nga vigjilenca e fshatarëve”, madje u qëllua me armë në Sul të Gramshit. Nuk mund të jetonte më shumë se dy javë në internim. Vetëm aq ditë i mjaftuan për të marrë vesh realitetin e zi në Shqipëri. Synoi të arratiset nga Qafa e Thanës. U akuzua në bazë të nenit 64 të Kodit Penal. Gjykata Ushtarake Tiranë, me vendimin nr.14, datë 10.3.1958, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 20 vjet burgim e konfiskim të pasurisë dhe humbjen e të drejtave zgjedhore për 3 vjet. Por në bazë të dekretit nr.2548, datë 27.11.1957, dënimi iu ul në 15 vjet. U la në fuqi me vendimin nr.42, datë 12.4.1958 të Kolegjit Ushtarak të Gjykatës së Lartë. U lirua më 31.12.1967.

 

Dënimi i dytë

U arrestua më 23.6.1968. U akuzua në bazë të nenit 64 në kombinim me nenet 10 e 12 të Kodit Penal. Pas daljes nga burgu u internua në Rrethin e Elbasanit. Punonte marangoz, ndërsa shënohet se ishte autodidakt dhe se “ushqente vazhdimisht ndjenja armiqësore ndaj pushtetit popullor”. Vendosi të arratiset. Fillimisht lajmëronte përgjegjësin te vendi i internimit të duhej të vizitohej dhe ikën me shpejtësi në fshatin e tij Letaj të Kukësit, prej nga mendonte të kryente arratisjen. Kalon natën në Fushë-Krujë, e pastaj me makinë nga Miloti niset në Kryezi të Pukës te një mik, të cilit i tregoi qëllimin e arratisjes. Merr bukë edhe me dy të afërm në zonën e Kukësit, por kur do kryente arratisjen, arrestohet nga forcat e Sigurimit. Gjykata e Qarkut Shkodër me vendimin nr.31, datë 26.8.1968, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 15 vjet heqje lirie e konfiskim të pasurisë. U la në fuqi me vendimin nr.129, datë 30.9.1968 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.

 

Dënimi i tretë, ridënimi në revoltën e Spaçit

U arrestua më 23.5.1973 kur u ridënua për pjesëmarrje në revoltën e Spaçit më 21-23 maj 1973. U akuzua në bazë të neneve 72 (sabotimi), 73/2 (agjitacioni me pasoja të rënda), 76 (pjesëmarrja në organizatë kundër pushtetit), të Kodit Penal, se kish dijeni për revoltën qysh para saj dhe ishte “në grupin organizues”, se ishte shprehur se komunistët nuk e kishin të gjatë, se e kishin dënuar kot, kishte qenë aktiv në hedhjen e parullave, kish refuzuar për të dalë në punë, u kish bërë thirrje të tjerëve të merrnin pjesë në punë, kish marrë pjesë në mbledhjen e datës 22.5.1973, etj..

U përfshi në grupin ku ishin edhe 14 të dënuar të tjerë: Kostandi Papa, Bebi Konomi, Rexhep Lazri, Gëzim Çela, Shefqet Gjana, Ulusi Pashollari, Fatmir Llagami, Nuri Stepa, Bashkim Fishta, Agron Xhelili, Niazi Bylykbashi, Sherif Allamani, Marash Gjoni, Refik Beqo.

Ndaj tij formulohej kështu akuza: “Ka marrë pjesë në revoltën e organizuar në kampin e Spaçit. Qysh para saj ka biseduar në mënyrë të vazhdueshme me armiq të tjerë të grupit organizues të kësaj revolte, duke u shprehur se këta nuk e kanë të gjatë, na kanë dënuar kot, së shpejti do sulmojnë fuqitë imperialiste-revizioniste, se të arratisurit janë organizuar për një gjë të tillë, prandaj edhe ne duhet të jemi gati, e biseda të tjera të kësaj natyre. Gjatë rebelimit ka qenë aktiv në hedhjen e parullave armiqësore duke u shprehur: ‘Ja vdekje-ja liri’, urra, urra, etj.. U është kundërvënë urdhrave të komandës për të stabilizuar gjendjen në kamp dhe për të dalë në punë. Ka refuzuar dhe u ka bërë thirrje të dënuarve të tjerë për të mos dalë në punë. Ka marrë pjesë në mbledhjen e organizuar në datën 22 maj 1973 dhe ka aprovuar kërkesat e kësaj mbledhjeje”.

Gjykata Popullore Mirditë, me vendimin nr.34, datë 13.7.1973, e deklaroi fajtor dhe në bashkim të dënimeve e dënoi me 20 vjet heqje lirie, konfiskim të pasurisë dhe heqjen e të drejtës zgjedhore për 5 vjet. U la në fuqi me vendimin nr.1301, datë 8.9.1973 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë. Përmendet në vendimin e gjykatës se jo vetëm ishte solidarizuar me revoltën, por kishte hedhur “thirrje të hapura armiqësore”. U lirua më 10.1.1991 nga Reparti nr.305 Përparim.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here