P.S. Jam i pafajshëm

0
354
blank

Kujto.al sjell letrat dhe shënimet që katër të dënuar me vdekje, Kujtim Beqiri, Mirush Përmeti, Hilmi Hysi dhe Mark Shllaku u drejtuan familjeve para se të ekzekutoheshin

 

Të pajtuar me fundin e tyre, edhe pse të bindur se po vriteshin pa faj, disa nga të dënuarit politikë në regjimin komunist janë shprehur, në fund të jetës, se nuk iu dhimbsej vetja, por i mundonte fati i familjes dhe të afërmve. I torturonte ideja që gratë, fëmijët dhe të afërmit e tyre do përjetonin varfëri, uri, poshtërim, përndjekje dhe ata nuk do mund të bënin asgjë për t’i ndihmuar. Por regjimi komunist i bënte edhe më të dhimbshme plagët duke nxirë, përmes akuzave të pavërteta dhe propagandës, kujtimin e atyre që vriteshin. Ndaj disa prej të dënuarve politikë, kërkuan me ngulm t’u bënin të ditur familjeve se ishin të pafajshëm. Ishte e vetmja mundësi për t’ua bërë më të lehtë dhembjen atyre që mbeteshin pas. Kujto.al sjell letrat e Kujtim Beqirit, Mirush Përmetit, Hilmi Hysit dhe Mark Shllakut, të vrarë në periudhën 1946-’49, të cilët para se të ndaheshin nga kjo jetë, u kujdesën t’u thonë familjeve se nuk kishin kryer asnjë faj.

 

Kujtimi i Kujtimit

blank

Inxhinieri i diplomuar në Vjenë si një nga studentët më të shkëlqyer të universitetit, u thirr për të drejtuar punimet e tharjes së kënetës së Maliqit në korrik 1946 dhe në nëntor të atij viti, u arrestua si sabotator duke u dënuar me varje në litar.

Për të justifikuar prishjen e marrëdhënieve me SHBA-të, i nxitur nga Jugosllavia mike, regjimi komunist në Shqipëri ngriti një skenar për t’i paraqitur amerikanët dhe veçanërisht, Harry Fultz-in, pjesëtar i misionit diplomatik të SHBA-ve në Shqipëri, si armiq që synonin dëmtimin e shtetit dhe ekomomisë sonë. Si “provë” u përdorën profesionistët që kishin mbaruar shkollën e Fultz-it në Tiranë, para se të diplomoheshin në universitetet perëndimore si Abdyl Sharra e Kujtim Beqiri, të cilët u akuzan se, me udhëzime të Harry Fultz, kishin sabotuar punimet për tharrjen e kënetës së Maliqit.

Gjyqi i zhvilluar në kinema “Nacional”, i dënoi me varje në litar Abdyl Sharrën dhe Kujtim Beqirin, ekzekutim që u krye më 22 nëntor në Maliq. Inxhinieri 30 a 30 e pak vjeçar (burime të ndryshme japin vite të ndryshme lindjeje), Kujtim Beqiri, dy ditë para ekzekutimit, i shkroi një letër të vëllait. Në fund të saj, ai kërkon të sigurojë të afërmit se është ai që ata njihnin dhe jo ai që propaganda komuniste do paraqiste. Kjo letër, që nuk mbërriti në destinacion, gjendej në dosjen formulare me nr.7 të Kujtim Beqirit dhe u publikua vitet e fundit nga Autoriteti i Dosjeve të Ish-Sigurimit të Shtetit. Në fjalët e fundit, para se të varej, Kujtim Beqiri theksoi se historia do e tregonte se ai ishte i pafajshëm.

blank

Letra

I dashur vëlla Skahrim

Unë jam mirë e shëndosh dhe sido që të vijë puna për mua merak mos u bëni. Për vete nuk kam as dëshpërimin më të vogël, se si duket ne e paskemi në gjak të jemi të guximshëm.

Kam dëshpërim dhe merak për ty dhe për të gjithë familjen që po ju lë mjerim, pork jo tani u bë. Po të dërgoj majën teme (lapsin e inxhinierit), jepja Fatos që ta ketë këtë si kujtimin më të shtrenjtë të jetës së saj.

Nuk jam në gjendje ta këshilloj si të veprojë gjatë jetës së saj, por ajo do ta gjejë vetë rrugën e drejtë dhe të nevojshme. Thuaj që të më falë që e kam shpurë në këtë mjerim.

Për Xhixhinë dhe motrat më vjen shumë keq se mua kishin baba dhe vëlla, të lutem t’a ndihmosh ku të jetë e mundshme.

Për ty më vjen keq se po të ngarkoj një barrë të rëndë në jetën tënde, por më fal.

Për Fejzin, por veçanërisht për Mehmetin më vjen keq që nuk u takuam.

Të fala Dritës, vjehrrës, Galipit, Mentorit dhe kunatave.

Vëllai yt Kujtim

Vetëm një lutje kam për të gjithë ju që më keni njohur së afërmi-Të më kini ndërmend gjithnjë si Kujtimi që kini pas njohur më parë.

blank
Mirush Permeti

 

 

Mirush Përmeti: I pafajshëm qeshë gjithmonë

Mirush Përmeti u gjykua për të njëjtën çështje të sabotimeve në tharjen e kënetës së Maliqit, me një grup të dytë të arrestuarish. Ai u dënua me pushkatim në fund të procesit, më 25 nëntor 1946. Edhe Mirushi kishte studiuar në shkollën teknike të Tiranës, ndërsa më pas kishte kryer studimet e larta në Padova të Italisë. Në librin “Dosja e diktaturës”, Pjetër Pepa sjell një poezi që Mirush Përmeti i shkroi bashkëshortes së tij të re, të cilën Kujto.al e ka botuar dhe më parë. Bashkëshorti dhe babai 34-vjeçar kërkon t’i ngulisë në mendje Bedries, e cila do të rriste e vetme fëmijët e tyre, faktin që ai nuk kishte kryer asnjë faj.

Poezia

Kujdes gjithmonë ti do të kesh

Të dy ata fëmijë.

Mbas dore kurrë mos t’i lësh

T’i rrisësh për Shqipëri

 

Sido që të jetë fati jonë

Ndër mend të kesh gjithnji

Se i pafajshëm qesh gjithmonë

Punova për Shqipëri…

 

Shënimi i Hilmi Hysit

Hilmi Hysi, që kishte përfunduar shkëlqyeshëm studimet për drejtësi në Montpellier të Francës dhe që kishte mbajtur disa detyra të rëndësishme kur u kthye në Shqipëri, u arrestua në janar 1947 dhe u gjykua me grupin e dytë të deputetëve në gjyqin që nisi ditën e fundit të vitit 1947 dhe doli me vendime në 3 janar 1948. Për juristin nga Skrapari u dha dënimi me vdekje. Disa nga të pandehurit në këtë proces, nuk kishin të bënin fare me njëri-tjetrin, por ajo që i bashkonte ata, ishte se, në një kohë apo një tjetër, kishin zgjuar pakënaqësinë e diktatorit.

Hilmiu, si edhe të pandehurit e tjerë të këtij procesi, u mbajtën disa muaj në hetuesi, gjatë të cilave, u torturuan pa masë. Bashkëshortja e Hilmiut, Myneverja, siç shkruan përsëri Pjetër Pepa në librin “Dosja e diktaturës”, ka dëshmuar se në rrobat e tij, gjenin shpesh njolla gjaku; në çorape, thonj të shkulur dhe në shaminë e duarve, dhëmbë të tij. E megjithë këto tortura që i bëheshin për të pranuar akuza të pavërteta, juristi 35-vjeçar gjeti forcën për të lënë një shënim në një copëz letër të ngjitur poshtë enës së ushqimeve. Ai shkruante: “Jam i pafajshëm. Binduni!.

Më vonë, pasi mësoi dënimin, Hilmi Hysi arriti të nxjerrë përmes mikut të tij, doktor Zymës që mjekonte të burgosurit, edhe një letër kushtuar së bijës 6-vjeçare, Lidja apo Lili siç e thërrisnin. Babai “me litar në grykë” i shpreh keqardhjen për vuajtjet që do kishin Lili, motra e vogël dhe nëna e saj, por edhe e motivon për të vazhduar përpara, duke e lutur që përmes sjelljes së saj, të ruajë emrin e tij dhe të tyre. Një emër që ai po e linte të pastër!

 

Mark Shllaku, një shqiptar i mirë dhe i ndershëm

blank
Fotografia e Mark Shllakut dhe letrat e dala nga burgu, ne duart e se bijes, Juli Dukagjinit, viti 2019.

Mark Shllaku është një tjetër baba i ri dy vajzash të vogla, që regjimi komunist e dënoi me pushkatim. Ai ishte një mësues 31-vjeçar që u dënua me vdekje në 1949, pasi u akuzua si nismëtar i themelimit të Partisë Socialdemokrate, se mbante lidhje me njerëzit e Gjomarkajve dhe Mirakajve si dhe për agjitacion e propagandë. Në dokumentarin “Të zhdukurit”, realizim i kujto.al, me skenar të Luljeta Prognit, vajza e tij, Juli ka treguar sesi në takimin e fundit me babanë, pasi ai ishte dënuar, Marku e kishte porositur bashkëshorten Angje që, te plaçkat e tij që ajo do merrte pas pushkatimit, të kërkonte për një letër. Ishte amaneti shkruar në letra paketa cigaresh. Ishin mendimet e një të dënuari me pushkatim që për torturë të orëve të fundit kishte vetëm vuajtjen dhe lotët e gruas dhe vajzave. Ishte shprehja e dashurisë së tij. Porositë. Dhe në fund ai shkruante se po vdiste si një shqiptar i mirë dhe i ndershëm.

Letra

E dashtuna Angje e fëmijë!

Më kanë nda nga shokët për me më ekzekutu. Nuk po më dhimet jeta vetëm se ju po ma mërzisni shpirtin. Mos u mërzit për mue vetëm mi rrit fëmijët me hir të zotit. Amanet babën e mos i trego për mue. Borgj i kam Halitit për tjegullat dhe në ardhtë dita, jepja për mue.

E dashtuna Angje!

Jam lidh kamsh e duersh. Edhe pak orë me kanë mbet me jetue. Mëndjen e kam te ti e fëmija që nuk mujta më ju gëzue. Tashti më kanë pikëllue shumë fytyrat tuaja që më dalin parasysh e smë lanë me dekë… banu e fortë.

Marku!

Angje!

blank

Ne tu mbushtë mëndja me u martue e ke lejen teme por mos me më harrue. Por amanet fëmijët. Të kam dasht me shpirt deri tash në çast të mrame të jetës teme. Edhe në atë jetë do të lutem për ty. Amanet mos u mërzit për mue por shikjo fëmitë. Ju puth me mall për herë të fundit.

 

Marku.

E dashtuna Angje!

Të lutem me mi ba hallall vuajtet që të kam shkaktue.

Të lutem me mu interesue për eshtrat, të mos më harrojsh për kurdoherë. Me mi marrë eshtrat e me mi çu në një varr. Kam me vedi një teneqe me emnin tem, me të mundësh me më njoftë.

Hallall të gjithëve dhe ty të parës. Po vdes si një shqiptar i mirë dhe i ndershëm./kujto.al

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here