Tuneli i arratisjes pranë Bllokut 1954/Si u vranë me tortura 4 të dënuarit me vdekje

0
756
blank

Dëshmia e rrallë e Ali Çollakut i dënuar me 20 vjet burg pas kësaj ngjarjeje. Ai tregon si u vranë me tortura Isuf Velçani, Mark Zefi, Abdullah Bajrami dhe Zyhdi Mancaku. "Si u zhvillua brenda ditës, për dy orë, gjyqi ndaj 18 të akuzuarve për arratisje nga kampi.4, Tiranë i vendosur pranë Bllokut të udhëheqjes... 4 të dënuarit me vdekje, i vranë me tortura. Një orë rresht dëgjonim poshtë qelisë sonë, ulërimat e tyre... Të nesërmen xhelati Stavri Zharra na tha:  "Ky është gjaku i shokëve tuaj. Deri tani kemi harxhuar fishekun që bën gjysmë leku për ju, por tash e tutje nuk do të harxhojmë më fishekë për kategorinë tuaj. Do t’ju mbysim në dru ashtu siç vepruam mbrëmë më shokët tuaj".

 

 

(KUSHTUAR SHOKËVE TË MI QË DHANË JETËN PËR ARRATISJE NGA KAMPI NUMËR 4-TIRANË E RE, VITI 1954)

U arrestova në shtatorin e 1952. Prej asaj kohe, u bëra deshmitar i shumë ngjarjeve që shumëkujt mund t'i duken të pabesueshme. E tillë ndoshta do të jetë edhe kjo që po përshkruaj tani.

Ajo i takon muajit korrik të vitit 1954. Punonim në kampin numër 4 në Tiranën e Re bashkë me një grup shokësh: Isuf Velçani, Abdulla Bajrami, Zyhdi Mancaku, Mark Zefi, Abdyl Kërluku, Xhemal Luta, Haziz Xhika. Kolë Pepa (Veri), Besim Latifi, Haki Kasa, Emin Bakalli, Gjelosh Noshi, Ramadan Limani, Qani Mulita, Stefan Gjora, Haki Zeqiri, Feim Imeri.

Në kushte jashtëzakonisht të vështira do të hapnim një tunel të nëndheshëm për arratisje nga kampi. Edhe sot e kësaj dite më duket enigmatike qysh u zbuluam atë natë që ishim të gatshëm për t'u arratisur. Policia u fut brenda kampit, ndërsa unë hapa rrugëdaljen që na nxirrte jashtë telave të kampit. Kur po kthehesha nëpër tunel tek kapanoni, nuk shoh e nuk dëgjoj asgjë, përveç heshtjes së madhe... Ndësa vishesha, u fut në kapanon Abdyl Kërluku e më tha: - Eja shpejt se na zbuluan.

Për mua kjo ishte shume befasuese dhe krejt e papritur. Sapo u nisa të dal nga kapanoni bashkë me Abdylin, brenda në kapanon u fut policia, kurse në oborrin e kampit kishte me shumicë policë të tjerë. Përballë të burgosurve qëndronin një grup i madh oficerash të MPB. Ndër ta njoha Mihallaq Ziçishtin, Halim Xhelon, Nevzat Haznedarin, Stavri Xharën etj., etj. Mbas një kontrolli që u bë brenda e jashtë rrethimit, u gjet hyrja e tunelit nga jashtë. Disa policë të kontrollit të jashtëm u futën brenda në kapanon nëpërmjet tunelit. Nga ne morën në arrest shokët që kishin shtretërit mbi tunel, kurse ne të tjerët shkuam nëpër shtretërit si të gjithë të burgosurit e tjerë. Se si janë trajtuar ato katër shokët atë natë, nuk mund ta përshkruaj. Tortura të mëdha kanë përballuar. Të nesërmen në mëngjes na morën ne, 18 vetë, e na çuan në qelitë e burgut të vjetër, ku qëndrum një muaj në hetuesi e pas një muaji na nxorën në gjyq.

Me dy seanca, punë dy orësh, brenda ditës u dënuam nga Gjykata e Lartë ushtarake 18 vetë me dënime të ndryshme. Do të habiteni se si ka mundësi të dënohen 18 vetë deri në vdekje për 2-3 orë gjyq, po ja që kështu u bë. U dënuan 8 vetë me vdekje, kurse të tjerët me dënime të ndryshme.

Me vdekje u dënuan: Isuf Velçani, Mark Zefi, Abdullah Bajrami, Zyhdi Mancaku, Besim Latifi, Emin Bakalli, Kolë Pepa (Verri) dhe Haki Kasa... Nga këta, 4 të parëve u mbetet dënimi me vdekje, kurse katër të tjerëve u kthehet dënimi në burgim të përjetshëm.

Mbas ca ditëve që qëndruam në qeli të lidhur me pranga, atyre që iu fal jeta, i sollën në dhoma te ne. Pastaj, mbasi na mbyllën dhe dyert e dhomave të burgut (Burgu Vjetër), dëgjuam nëpër korridore zhurmë të madhe të lëvizjes së ushtarakëve. Prisnim se ç'do të ndodhte.

Poshtë dhomave tona ishin qelitë e të dënuarve me vdekje. Ato komunikonin me oborrin e burgut. Nga poshtë ndihej zhurma e britmave të tmerrshme. Nuk mund ta merrnim me mend se ç'po ndodhte, por nga klithmat e kuptuam që të dënuarit po i torturonin në mënyrën më të tmerrshme që përdornin këta xhelatë me fytyrë njeriu. ee

Mbas një ore ra heshtja. Rënkimet nuk i dëgjonim më. Nuk vonoi, u hap dera e oborrit të burgut, hyri makina që përcillte të dënuarit drejt ekzekutimit. Ndiheshin zhurmat e prangave që tërhiqeshin rrëshqanazi. Për të parë se ç'ndodhte, morëm e ngritën lart një djalë të ri që të shikonte nga dritarja... Shokët tanë po i tërhiqnin rrëshqanthi. Mbasi i kishin mbytur e dalë shpirti në tortura, me tempin e zakonshëm hop- hopa i hidhnin pa shpirt në makinë për t'i çuar aty ku e kishin menduar vetë, ku edhe sot e kësaj dite, ky vend ka mbetur i paditur.

Të nesërmen, kur dolëm në oborr kaluam në korridorin e birucave poshtë, aty ku ishin torturuar me dru shokët tanë, pamë se po pastrohej gjaku i martirëve që dhanë jetën në ato tortura, që nuk mund të imagjinohen. Kur po dilnim në oborr, xhelati i njohur Stavri Zhara qëndronte në këmbë e na shikonte të gjithëve në sy, duke buzëqeshur sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Në vështrim e sipër ai i thotë një të riu:

-Ç'është ky këtu?

Zija Ibrahimi i përgjigjet: - Gjak.

-I kujt është ky gjak?

-Vetëm ju e dini e mund ta bëni këtë vepër.

Krimineli mbi kriminelët Stavri Zhara tha: "Ky është gjaku i shokëve tuaj. Deri tani kemi harxhuar fishekun që bën gjysmë leku për ju, por tash e tutje nuk do të harxhojmë më fishekë për kategorinë tuaj. Do t’ju mbysim në dru ashtu siç vepruam mbrëmë më shokët tuaj".

Kaq sa shkruajta e kemi jetuar bashkarisht me shokët dhe e përsëris përshkruajta vetëm një copëz të vuajtjeve tona. Periudha gjysmëshekullore e sundimit të diktaturës komuniste në Shqipëri përmban sa e sa akte e veprime kriminale që nuk i bëri as pushtuesi. Sa jetë njerëzish u fikën vetëm se ëndërruan për demokracinë. Për ta, ne ish-të burgosurit politikë jo vetëm jemi dëshmitarë, por edhe vuajtës në sa e sa ngjarje të tilla, për lexuesin deri edhe të pabesueshme.

Ali Çollaku -ish-i dënuar politik për 20 vjet.

 

Shënim: Dëshmia është dhënë nga z.Ali Çollaku në prill të vitit 1992 dhe publikuar në gazetën "LIRIA". Ali Çollaku ishte pjesëtar në ngjarjen e arratisjes në kampin e ngritur pranë zonës së Bllokut në korrik 1954. Ai, sikurse edhe shumë shokë të tij nga grupi me 18 vetë, u dënua mbas kësaj ngjarjeje me 20 vjet burg.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here