Mes mjerimit, një pasuri e flakur nën minder

0
1160
blank

Përndjekja në breza e familjes së Gjon  Shyti Jubanit. Sot, mbesa e vogël, Ilda Shyti, mjeke në Itali, mbledh kujtimet e përndjekjes së familjes së saj, vitet e internimit në Tepelenë, burgjet e xhaxhallarëve dhe përçmimin që i shoqëroi gjatë diktaturës, e cila u mori ç’mundi: statusin e gjyshit, pensionin e familjes, mundësinë për shkollim. Shpëtoi vetëm një libër, pa kapak, i flakur nën minder dhe dëshira për të mbetur njerëz dhe pse trajtoheshin si kafshë

 

Më 31 dhjetor të vitit 1949, të hipur në një kamion ushtarak, bashkë me familje të tjera, Gjyste Shyti me fëmijët e saj: djemtë Kolë, Lekë, Zef e Salvator Shyti dhe vajzën Antonjeta u nisën drejt kampit të Tepelenës. Djali i vogël, Salvatori ishte vetëm 7 vjeç. Vajzës së tij të vogël, Ilda Shytit, e cila ndan me kujto.al historinë e familjes së saj, i kanë treguar më pas fqinjët ato që i ati nuk donte ose nuk mundej t’i zinte në gojë. Dhe pse fëmijë, “i kanë vënë pushkën në kokë duke e kërcënu: Ku është Ndoci?”.

blank

Ndoc Shyti ishte vëllai i madh i Salvatorit, polic në kohën e Mbretërisë që mbajti qëndrim antikomunist gjatë luftës dhe në fund të saj, kur kuptoi që komunistët do të merrnin pushtetin, u arratis. Familja nuk e mësoi kurrë fatin e tij, por vuajti pasojat. Babai i familjes Gjon Shyti Jubani që kishte ndërruar jetë nga një sëmundje e shkaktuar nga zanati i tipografit, për vite me radhë kishte punuar për botimin e librave, revistave dhe gazetave me rëndësi për gjuhën dhe çështjen kombëtare shqiptare dhe për këtë arsye kishte përfituar statusin e Patriotit të Rilindjes Kombëtare. Në vitin 1948, pas një vargu shkresash e kërkesash, ky status dhe ky pension u mohuan për shkak se si Gjoni dhe i biri, Ndoci, u trajtuan si kolaboracionistë. Pas këtij vendimi, erdhën edhe masat e tjera: fillimisht internimi i gjithë familjes dhe më vonë arrestimi dhe dënimi me burg i dy djemve të saj.

blank
Ndoc Gjon Shyti

 

Në Tepelenë, si kushdo tjetër, edhe ata përjetuan urinë, të ftohtin, mundimet. “Nëna (gjyshja) tregonte që as bukë me ngrënë nuk kishin...rrobat e grisura...babai im qante. Nëna ishte gjysmë e verbër. Mblidhnin ashkla për të tharë rrobat…”, mbledh Ilda Shyti, sot mjeke në Itali, historitë e pëshpëritura dhe copëzat e kujtimeve të familjes së saj. Kaluan dy vjet dhe tre dimra në Tepelenë, për t’u kthyer sërish në Shkodër më 31 dhjetor të vitit 1951.

 

Nëse ishin larguar me rrobat e trupit, tani po ktheheshin me rrecka. “Di që kur janë kthyer në Shkodër i kanë lënë të Komiteti Ekzekutiv. Me rroba te grisura, binte shi me legena. Një burrë me karrocë me kalë, kur pa nënën që mezi mbahej në këmbë me fëmijët me rrecka, i mori në kaloshin e i çoi në shtëpi. Jetonin te fabrika e vjetër e sapunit, lagjja “Tom Kola”, dikur rruga “Gjon Buzuku”. Oborri ishte i mbushur me barishte 1 metër, xhamat ishin të thyer, nga biblioteka e gjyshit kishte mbet vetëm një libër pa kopertinë, i hedhur nën një minder: ishte Komedia Hyjnore… Nana më kallxonte për uri, keqtrajtime, përbuzje, vetmi... E përçmim”….

Në diktaturë, patriotët mund të ktheheshin në armiq, por armiqtë, mbeteshin të tillë, brez pas brezi. Sapo shpalleshin të tillë, jeta e tyre zhytej në mjerim të plotë, sfondi i saj zhvishej nga çdo gjë e bukur dhe e vlerë, siç ishin librat e bibliotekës së pasur të Gjon Shytit, me autografët e autorëve, “që u morën nga një pushtetar shkodran e u çuan në Tiranë” dhe të vetmet ngjarje që mund ta trondisnin këtë njëtrajtshmëri të ngrysët, ishte diçka edhe më e zezë, si ndonjë urdhër arresti, pasuar me burg. Edhe këtë, e përjetoi familja Shyti.

“Xhaxhai im i madh, Kolë Gjon  Shyti ka qenë në burg për tentativë arratisjeje në bazë të dëshmisë së shokut të tij Gjon Topçia, djali i tezes i Ndoc Mazit- hero i popullit komunist; i cili në momentin që u gjet në Zogaj të Shkodrës i dehur, kur e pyetën: “Pse je këtu?”, u përgjigj: “Po pres Kolë Shytin me u arratis”. Xhaxhai im është arrestuar në shtëpi, kishte poliomielit e mezi ecte. I binte fizarmonikës nëpër dasma për të fituar ndonjë lek. Xhaxhai Kolë Gjon  Shyti ka bërë 10 vjet burg. Xhaxhai tjetër Lekë Gjon  Shyti, që kishte studiuar për jezuit ndërkohë punonte në Mirditë, në fshatrat më të thella si arsimtar. Kur mori telegram nga nëna ime, Gjyste Shyti (Shllaku), që xhaxhai Kolë Shyti është arrestuar, niset direkt për në Shkodër. Nuk i japin lejë e megjithatë ikën për t’iu gjendur afër familjes. E dënojnë edhe atë me burgim për 6 muaj. Di që ishin të dy në një burg, axha Lekë punonte në kuzhinë, as ka guxu me i fol as me e ndihmu në asnjë lloj mënyre axhën Kolë. Më pas, ka pas punuar te uzina metalike në Shkodër. Edhe axha Kolë ka pas fillu punë kur doli nga burgu po në uzinën metalike.

blank
Ilda me babane Salvator Shyti, mamane dhe motren

Babai im ka fillu punë si çirak që në moshën 10 vjeç. Më pas ka punuar në rrobaqepësinë e Shkodrës deri sa doli në kemp… Nëna ishte e verbër e nuk mund t’u siguronte jetesën fëmijëve. Të gjithë kanë punuar punëtorë. Asnjërit nuk i është dhënë mundësia të studiojë. Kanë filluar punë me katër klasë shkollë, duke dënuar me mjerim jo një, por tre breza… Kur vdiq nëna ime, në maj të 1985, shteti nuk na e dha atë minimum që jepej në rast vdekjesh sepse ishim të përndjekur politikë… Që jemi të persekutuar politikisht, unë personalisht e kam marrë vesh në fund të tetëvjeçares, kur kërkesa për të ndjekur shkollën e gjuhëve të huaja u refuzua sepse isha mbesë e armiqve të popullit”.

blank
Ilda me te emen dhe te motren

Por të paktën Ilda, më e vogla e brezit të tretë të familjes së përndjekur Shyti, i vazhdoi studimet e larta në kohë, për shkak se kur ajo duhet të niste univeristetin, në vjeshtë të vitit 1991, situata politike kishte ndryshuar. Studioi për Mjekësi dhe i përfundoi studimet me notën 10, në tetor të vitit 1997. Sot, ajo dhe bashkëshorti, të dy mjekë, punojnë në Itali, ku studiuan në Padova dhe u ridiplomuan. “Pas 2005-ës, kemi filluar punën si mjekë e jemi specializuar. Tani, me konkurse të rregullta, punojmë në spital”.

blank
Dr.Ilda Shyti

Megjithëse figura prej patrioti e Gjon Shytit nuk u vlerësua dhe familja e tij nuk mundi të gëzojë asgjë nga vlerësimi që ai meritonte, nga mjedisi intelektual ku ai punoi, nga biblioteka e pasur që nuk e rikuperuan dot kurrë, diçka, pashmangshmërisht, Ilda e ka trashëguar. Edhe pse kontributi i çmuar i Gjon Shytit në përhapjen e dijes dhe kulturës, as nuk zihej në gojë gjatë diktaturës, heshturazi dhe si tinëz, një inkurajim nga gjyshi patriot për të ndjekur rrugën e dijes, ka mbërritur deri te ajo. Pak përmes geneve, pak përmes këshillave të prindërve, ndoshta sadopak, edhe prej të vetmit libër që i mbijetoi plaçkitjes, ku mes shumë e shumë vargjesh frymëzuese, mund të lexoje: “Asnjë të mos harrojë se asht njeri; ju lè nuk keni për t’gjallue si shtazë; po për të ndjekë virtyt e dituni”…

arta çano/kujto.al

Shënim: Në foton kryesore Gjon  Shyti Jubani. Historinë e tij të botuar në kujto.la, mund të lexoni në këtë link.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here