Gjon Shyti, patrioti i Rilindjes Kombëtare, i shpallur armik pas vdekjes

0
691
blank

Si iu hoq Gjon  Shyti Jubanit statusi i patriotit të Rilindjes Kombëtare dhe si iu mohua familjes pensioni që i takonte. Dokumentet që tregojnë sesi regjimi komunist mohoi kontributin e tij të vyer mbi 30-vjeçar në botimet shqip duke e rimodeluar figurën e tij dhe statusin e familjes sipas optikës së komunistëve që morën pushtetin dhe besonin se historia niste dhe mbaronte me ata

Gjon  Shyti Jubani është një prej patriotëve të Rilindjes Kombëtare. Gjoni ka qenë drejtor i tipografisë së Françeskanëve në Shkodër para shpalljes së Pavarësisë dhe ka vazhduar në këtë profesion edhe pas 1912-ës, duke punuar për botime me rëndësi për gjuhën, kulturën dhe çështjen shqiptare në ato vite aq vendimtare për kombin.

blank

E mbesa e tij, Ilda Shyti, mjeke prej vitesh në Itali, ka vendosur të tregojë për kujto.al, historinë e gjyshit të saj, por edhe të familjes, e cila nga familje patrioti, në diktaturë, u quajt familje armiku dhe përjetoi një përndjekje të egër që vazhdoi deri te nipat e mbesat. Gjon  Shyti Jubanit iu mohua statusi i “Patriotit të Rilindjes Kombëtare” nga pushteti komunist që i njohu të drejtën vetes të rishkruante historinë; familjes së tij iu mohua pensioni që merrte dhe u internua në kampin e Tepelenës. Një nga djemtë e Gjonit u burgos 10 vjet e një tjetër 6 muaj; asnjë nga fëmijët nuk u lejua të shkollohej, por nisën punë që në moshë të njomë dhe edhe nipërit e mbesat u trajtuan si “armiq”, por sot, më e vogla e tyre, Ilda, kërkon që historia e familjes së saj të mos mbulohet me heshtje, siç kanë bërë për vite me radhë i ati dhe xhaxhallarët e saj, që u thoshin fëmijëve: “Më pak dini, më mirë jeni!” dhe mbi të gjitha dëshiron, që figura e gjyshit Gjon  Shyti Jubani “mos të lihet në harresë, sepse në kohë të vështira për atdheun tonë, ka dhënë kontribut të çmuar për përhapjen e dijes e të kulturës”.

Një kërkesë për pension që ai bën në fund të jetës, i prekur nga një sëmundje mushkërish që ia kishte shkaktuar puna në shtypshkronjë, na tregon aktivitetin e tij, të cilin e vërtetojnë edhe dëshmitë e lëshuara nga eprorët e institucioneve apo organeve të shtypit për të cilat kishte punuar. Këto, bashkë me dokumente të tjera, që pas shumë stuhish, familja i ka rikuperuar e të cilat Ilda Shyti i ka ndarë me kujto.al, shërbejnë si një autobiografi dhe biografi e Gjon Shytit dhe si një përshkrim i procesit sesi regjimi u hiqte statusin e patriotit, patriotëve dhe u jepte statusin e armikut, kundërshtarëve të tij.

Në kërkesën e tij për pension, drejtuar Komisionit për rrogat jetike të veteranëve më 22 shtator 1940, e cila shërben njëkohësisht si një autobiografi, Gjon  Shyti shkruan:

Në Kohën e Turkis kur në Shqypni mbretnonte pa-dieja, I pari kjeçë që punova 8 vjet në Shtypshkronjën e Etënve Jezuitë për me mbajtë të gjallë gjuhën shqype, tuej shtypë dy fjalorët “Bashkimi” e “Busetti”.

Pas Luftës Ballkanike punoi në fletoren “Taraboshi”. Në vitin 1913, thirret në Vlorë nga Luigj Gurakuqi për të punuar për fletoren zyrtare “Përlindja e Shqipërisë” në drejtimin e Dhimitër Beratit, më vonë fletoren “Populli” nën drejtimin e Sahid Kerulit e Muço Qullit. Më pas, bashkë me Qullin, Topullin, Peçin, Nivitzen e të tjerë patriotë, kthehet nga Vlora në Shkodër, ku rinis botimin e fletores “Populli” në shtypshkronjën e Terenc Toçit. Disa prej tyre, Muço Qulli dhe Topulli u vranë nga malazezët; Salih Nivitze, u arratis; disa u internuan dhe Gjon  Shyti iku në Iballë të Pukës. Kërkesa për një pension të veçantë, sot me vlerë autobiografike, vazhdon duke kujtuar se prej vitit 1916 e deri në 1939 për 24 vjet, punoi pa pushim për shtypshkronjën Françeskane, duke botuar  botime me rëndësi historike si gazetën "Posta e Shqypnis" dhe “Oren e Maleve”; revistën “Hylli i dritës” e “Kanuni i Lek Dukagjinit”  e të tjera. Në kohën e regjimit zogist u burgos dy herë si antizogist. Ai e mbyll kërkesën duke shkruar se doktorët ia kanë ndaluar vazhdiminin e këtij zanati dhe duke qenë se nuk është në gjendje të punojë për t'u siguruar bukën fëmijëve, lutet t'i sigurohet një ndihmë mujore.

 

Gjon  Shyti ndërron jetë, kur fëmija më i vogël, i gjashti, babai i Ildës, ishte vetëm 2 vjeç. Ai merr statusin e Patriotit të Rilindjes Kombëtare dhe familja përfiton një pension mëse të domosdoshëm në rrethanat në të cilat ndodhej. Statusin e tij të patriotit dhe pensionin për familjen e konfirmojnë fillimisht edhe institucionet e qeverisë së re komuniste, siç është Dekreti Nr.276, i datës 21.2.1946 dhe vendimi  Nr.47 i 16 nëntorit 1946, i Komisionit që merrej me shpërblimin për “Familjet e Dëshmorëve, Invalidëve të L.N.Ç dhe Patriotëve të Rilindjes Kombëtare”. Në këtë të fundit shkruhej:

…nga shqyrtimi që i bëri dosjerit të Patriotit Gjon Shyt Jubani dhe në bazë të dokumentave të lëshueme nga dikasteret kompetente konsistoi se i lartpërmenduri simbas veprimtarisë së zhvillueme duhet të konsiderohet Patriot i Rilindjes Kombëtare, gjithashtu tue marrë për bazë çertifikatat e enteve të ndryshme të lëshueme mbi gjendjen ekonomike dhe atë familjare, në lidhje me këto duke marë parasysh nevojat e jetesës në bazë të neneve…, Komisioni…vendosi: Që familjes patriotit Gjon Shyt Jubani ti caktohet nji shpërblim mujuer prej Fr.Shq.400 Katërqind në favor të së shoqes, Zonjës Gjyste Gjon Jubani.”

Deri këtu, familja e tronditur nga humbja e Gjon Shytit, duket sikur po gjen mbështetjen e merituar nga shteti shqiptar, por kjo gjendje nuk zgjati shumë. Madje, duke parë rrjedhën e ngjarjeve, duket se ata përfituan pensionin edhe për ca kohë, vetëm nga pavëmendshmëria e rrjetit të spiunëve dhe funksionarëve përkatës. Shumë shpejt, Gjon  Shyti dhe familja e tij, nga patriotë, do të ktheheshin në armiq dhe për këtë, shkak u bë djali i madh i familjes, Ndoci.

“Kam pas një xhaxha, vëllai i madh i babait tim, i cili ka pas punuar në policinë e Shkodrës në kohën e Ahmet Zogut. Quhet Ndoc Gjon  Shyti. Gjatë Luftës së Dytë Botërore ka qenë antikomunist. Di që para se të shpallej fundi i Luftës në Shqipëri, kur e kuptoi që po fitonin komunistët, ka ikur në shkollën e Jezuitëve, ku studionte për t’u bërë prift, xhaxhai tjetër Lekë Gjon  Shyti dhe i ka thënë: “Ik nga seminari, thuaj që të kam detyruar unë të hysh në këtë shkollë, e tani ti nuk ke më frikë prej meje. Këtu kanë fituar komunistët, për mu ka ardh fundi. Do iki nga Shqipnia me shokët e mi”. Dimë që është arratis në nëntor të 1944-ës. Di që ka qenë grupi i Gjon Markagjonit! Nuk kemi pas më lajme për të. Dikush thoshte qe i kanë vrarë, dikush tjetër që janë arratisur, të tjerë që kanë vdek të ngrirë. Trupi nuk është gjet asnjëherë. Në 1991, në Radio Vatican kemi dëgju që është gjallë e gjendet atje. E ka kërkuar mama ime: nuk mund të japim lajme të tjera. Akoma sot nuk kemi lajme. Nena e babës e konsideronte te vdekur”, tregon Dr.Ilda për kujto.al.

Këto rrethana përshkruhen, sigurisht me gjuhën përkatëse, edhe në dokumentet e vitit 1948, të cilat përcjellin shkallë-shkallë kërkesën për t’ia anuluar pensionin familjes së Gjon Shytit, ndërkohë që faktikisht pensioni ishte ndërprerë që pas janarit të atij viti. Sinjalin e parë e jep Shoqata e Bashkimit të Invalidëve të Luftës N.Ç e cila më 16 mars të vitit 1948, i shkruan Komitetit Ekzekutiv të Shkodrës:

“Simbas informatave të sigurta qi ka kjo Zyrë, Gjon Shyt Jubani, kohën e fashizmit ka kenë si nënfederal këtu dhe nji djalë i tij Ndoc Gjon  Shyti ishte polic i kuesturës e Gestapos dhe tjetri djalë Kol Gjon  Shyti ishte rreshtuar në fuqinë gjakpirëse të Rasan Jusufit. Djali i parë i gjenit qi na quhet patrijot, i qujtuni Ndoc Gjon  Shyti, sot ndodhet i aratisur me Martin Sheldin, prandej ju vemë në dijeni mbi sa sypri për kompetencë.”

blank
Shkresa qe Shoqata e Invalideve te Luftes, pas vendimit qe patriotet e Rilindjes Kombetare do te quheshin pjese e saj per te perfituar shperblim, i dergon Komitetit Ekzekutiv te qytetit te Shkodres, duke ia paraqitur Gjon Shytin si armik

Komiteti Ekzekutiv i Shkodrës i shkruan Drejtorisë së Kujdesit Social se, sipas shkresës së shoqatës së invalidëve, “…Fam. e Patriotit Gjon Shyt Jubani e shpërblyeme me Lek.720 në muaj me librezën Nr.35, nuk duhet t’a përfitojnë shpërblimin në fjalë mbasi si i ndjeri Gjon ashtu dhe djelmet e tij në kohën e okupacionit italo-gjerman kanë pasë nji qendrim te keq politik, t’uej pasë detyra si në Kuesture, Gestapo etj.”.

Martin Sheldia që përmendet në këtë shkresë ishte një oficer, i konsideruar legjendë e maleve shqiptare, që mori pjesë në rezistencën antikomuniste të Veriut dhe u dorëzua në vitin 1949, pas një amnistie, po ndryshe nga ç’ishte premtuar, regjimi e dënoi me burgim të përjetshëm dhe ai ndërroi jetë në burgun e Burrelit. Sigurisht i njëjti fat e priste edhe Ndocin nëse do të dorëzohej, por meqë nuk u kthye, regjimi vazhdoi planin e hakmarrjes me familjen e tij.

Pas kërkesës së shoqatës së invalidëve të luftës, vjen vendimi i Drejtorisë përgjegjëse që “anulon përfundimisht” shpërblimin mujor për familjen e Gjon Shytit, “mbasi familja e sipërme gjatë okupacjonit fashist ashtu edhe sot nuk ka qëndrim të mirë politik”.

Nëpër këto shkresa mund të parashohësh dënimet që kishin nisur të përgatiteshin për familjen e Gjon Shytit e që nuk do mjaftoheshin me ndërprerjen e pensionit mbështetës të një familjeje me një nënë në prag të verbërisë së parakohshme dhe një fëmijë të vogël vetëm 6 vjeç. Dhe ato dënime nuk vonuan të viheshin në zbatim.

Shënim: Në foton kryesore: Gjon Shyti me Paulin Palin, Shuk Lemiqin, Vincenc Prennushin, Ndoc Gerën etj.

Kujto.al do të botojë në vazhdim historinë e përndjekjes së familjes.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here