Klerik i lartë katolik, drejtor i shtypshkronjës françeskane, drejtor i Kolegjit Françeskan, Guardjan i Kuvendit, drejtor i «Bijave të Marisë», drejtor për gati njëzet vjet i revistës «Zâni i Shna Ndout», Provincial i Françeskanëve (1926-1936), Ipeshkëv i Sapës (1936-1940), Kryeipeshkëv i Durrësit (1940), Primat i Kishës, poet, folklorist, përkthyes, Martir i Kishës, i Lumë.

Lindi në Shkodër më 4 shtator të vitit 1885. Më 4 tetor 1900, u fut në Urdhërin Françeskan. Noviciatën e kreu në Seminarin e Vogël të Troshanit. Studimet e larta për filozofi e teologji i kreu në Innsbruck (Austri). Më 19 mars 1908 u shugurua meshtar. Meshën e parë e tha më 25 mars të po atij viti. I magjepsur nga folkori i Shqipërisë së veriut, Prennushi nisi të mbledhë këngë popullore nga kjo trevë. Përmbledhja e këtij materiali folklorik u botua nga arkeologu dhe historiani austriak Karl Paç (1865–1945) në vëllimin Kângë popullore gegnishte (Sarajevë 1911). Në vitin 1924 botoi në Shkodër një vëllim me poezi lirike në gegnisht, me titullin Gjeth e lule, i cili u ribotua më 1931. Deri në vitin 1936 ushtroi detyra të ndryshme: drejtor i shtypshkronjës françeskane, drejtor i Kolegjit Françeskan, Guardjan i Kuvendit, dy herë drejtor i «Bijave të Marisë» te Stigmatinet dhe dy herë provincial i françeskanëve në vitet 1926-1936. Më 27 janar 1936, Papa Piu XI e emëroi ipeshkë të Sapës; u shugurua më 19 mars të po atij viti, bashkë me Gaspër Thaçin. Katër vjet më vonë, më 26 qershor 1940, u emërua kryeipeshëkv i Durrësit, duke u bërë kësisoj një nga dy dinjitarët më të lartë të Kishës Katolike në Shqipëri. Pas vdekjes së Imzot Gaspër Thaçit, ushtroi dhe funksionet e primatit katolik të Shqipërisë. Më 19 maj të vitit 1947 u arrestua nga Sigurimi. Në nëntor, Ministria e Brendshme organizoi një gjyq të rremë, ku Imzot Vinçenc Prennushi o.f.m u dënua me 20 vjet burg. Vdiq në spitalin e burgut të Durrësit, më 19 mars 1949, sipas Arshi Pipës, shokut të tij të qelisë, «mbasi ishte torturuar në mënyrën më të dhimbshme, duke e rrokullisur në një pëlhurë të mbushur me gjilpëra, derisa sipërfaqja e trupit ishte çjerrë». U varros në kishën e Durrësit, por më 1967 eshtrat e tij u zhvarrosen dhe, tinëz, u bartën në varrezën e qytetit. Vdiq «in odium fidei» (në urrejtje të fesë). Në vitet 2002-2010, u zhvillua Hetimi Dioqezan i Shkodrës, që mblodhi provat për martirizimin e tij dhe të 37 sivëllezërve meshtarëve e ipeshkëvinjve të tjerë, dhe më 26 prill të vitit 2016, u shpall Martir i Kishës. Gjashtë muaj më vonë, më 5 nëntor 2016, në Katedralen e Shkodrës u zhvillua kremtimi solemn i Lumnimit të tyre. Katër ditë më vonë (9 nëntor 2016), Presidenti i Republikës i dha dekoratën e lartë të «Flamurit të Kombit».

Burimi: Fjalori Enciklopedik i Viktimave të Terrorit Komunist VI (Tiranë: ISKK, 2017), 371
Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.