Zef Haxhija, deputeti 58 vjeçar, që regjimi komunist e burgosi dhe i rrëmbeu gjithë ç'pati

0
664
blank

Zef Haxhija  ishte ndër deputetët e parë shqiptarë të pasluftës i zgjedhur në zgjedhjet e dhjetorit 1945.  Ai ishte bërë pjesë e gjyqit të famshëm të klerikëve të vitit 1947, i cili çoi në pushkatim tre klerikë, mes tyre imazot Frano Gjinin dhe pjesës tjetër të të gjykuarve, mes tyre edhe At Zef Pllumi, ju dha dënime të ndryshme me burgim. Zef Haxhija u dënua me 5 vjet burg, ndërsa bashkëshortja dhe 9 fëmijët e tij vuajtën kalvarin e  gjatë të persekutimit...

Ishte data 20 nëntor 1947.  Në  Gjuhadol të Shkodrës, në rrugicën e Gurazezëve, do të arrestohej Zef Haxhija, 58 vjeç, diplomat, deputet dhe agjent tregtar. Zefi ishte diplomuar në Shkollën Teknike Tregtare  dhe mandej në Gjimnazin Ushtarak në Turqi. I kthyer në atdhe, ai kishte punuar fillimisht përkthyes në konsullatën austriake në Shkodër e mandej si konsull i Çekosllovakisë deri në vitin 1939, kur Shqipëria ishte pushtua nga Italia Fashiste.

Ai rridhte nga një familje e vjetër katolike e Shkodrës. Të parët e tij ishin tregtarë të zotët që kishin bërë tregti deri në Mekë. Ishte martuar me Angjelina Lacajn në vitin 1918 dhe çifti Haxhija do të sillnin në jetë plot 9 fëmijë, më i madhi prej të cilëve ishte Koleci, dhe më i vogli Hermenegjildo.

blank

Në foto: Nëntë fëmijët e Zef Haxhisë

Pas Luftës së Dytë botërore, Zef Haxhija me  fëmijët tij dhe bashkëshorten do të vijonin të jetonin në shtëpinë e tyre të veçantë në Gjuhadol, deri ditën e arrestimit. Zefi  ishte ndër deputetët e parë shqiptarë të pasluftës i zgjedhur në zgjedhjet e dhjetorit 1945, por me jetë të shkurtër  politike, pasi regjimi i dënoi një pjesë të madhe të deputetëve të këtij legjislacioni duke e përqendruar pushtetin vetëm në duart e komunistëve.

Arrestimi i tij në vitin 1947, do i jepte fund karrierës, por edhe jetës së qetë familjare. Gjithçka që ata kishin shtëpi e pasuri ju konfiskohet nga regjimi dhe familja  nxirret nga shtëpia e tyre, duke i detyruar të jetojnë për disa vite tek të afërmit, ndërsa në shtëpinë e tyre ia kishin behur qiraxhinj, shumica oficerë të ardhur nga jugu. Pranë shtëpisë së madhe të Zef  Haxhisë, ishte ndërtuar edhe një shtëpi e vogël, në të cilën banonin para vendosjes së regjimit punonjësit e shtëpisë. Në atë shtëpi do ta detyronin që të jetonte pas daljes nga burgu, Zefin me bashkëshorten dhe 9 fëmijët e tyre.

Mbesa e tij Elektra Haxhia, dëshmon për Kujto.al, se pas daljes nga burgu, gjyshit të saj, "iu  dha vetëm kjo banesë e vogël për të 11 pjestarët e familjes. Shtëpia e tyre e madhe u lirua plotesisht nga qeraxhinjtë vetëm diku nga fillim vitet '80".

blank

 

Në foto: Zef Haxhija para shtëpisë tij në Shkodër

Zef Haxhija ishte bërë pjesë e gjyqit të famshëm të klerikëve të vitit 1947, i cili çoi në pushkatim tre klerikë, mes tyre imazot Frano Gjinin dhe pjesës tjetër të të gjykuarve, mes tyre edhe At Zef Pllumi, ju dha dënime të ndryshme me burgim.

Ne procesverbalin e gjyqit për  Zef Haxhija shënohen këto të dhëna biografike: Zef Kol Haxhija, i biri Koles dhe i Gjystes, vjeç 58, i martuar me 8 femij, i varfer, ka mbaruar shkollen teknike tregtare, mandej ka vazhdue Gjimnazin Ushtarak Turqisht, nga Shkodra, i pa prekur nga reforma, ish deputet, i reshtuar me daten 20/XI/1947.

Vihet re se në biografinë e tij kanë shënuar se i arrestuari kishte 8 fëmijë dhe jo 9 sa ç'kishte në të vërtetë.

Më tej në procesverbalin e vendimit gjyqësor shënohet: "Nga te pandehurit  Zef Haxhia  ka qenë Antari Komitetit Qendror te Demokristjanes, ka trathetue besimin e popullit si perfaqesues ne Kuvendin Popullor duke u lidhur me organizatat teroriste fashiste e profesioniste te cilat ishin per rrezimin me dhune te Pushtetit Popullor. Faje keto qe parashikohen prej nenit 2 e 3 pikes 1, 2, 4, 6, 7, 8, 14 te Ligjit 372".

Në vendimin final për Zef Haxhinë u dha dënimi me  5 vjet privim lirie dhe punë të detyruar, duke e bërë pjesë të një varg të burgosurish politikë, të cilët u skllavëruan në kampet burgje që shërbyen për tharje kënetash e ndërtim infrastrukture kudo në Shqipëri. Pas përfundimit të dënimit Zef Haxhija u kthye në familje, me një varg probemesh shëndetësore,  por e vijoi jetën mes privimeve të shumta  së bashku me fëmijët e tij, të cilët po ashtu, regjimi i përndoqi dhe i vuri në shënjestër të luftës së klasave.

Elektra Haxhia dëshmon për Kujto.al,  se të 9 fëmijët e Zef Haxhisë, u përndoqën nga regjimi. "Vajzat nuk janë lejuar kurrë të punojnë perveçse në ndërtim ose në punë të rënda fizike. Ndërsa djali i madh që kishte mbaruar në Torino për inxhinier u kthye për të ndihmuar në rindërtimin e vendit dhe vdiq "aksidentalisht". Djemtë e tjerë kanë marrë zanate por asnjë nip apo mbese nuk ka pasur të drejtë të shkollohej. Unë isha e vetmja qe perfitova dy vite pas gjimnazit nje te drejte studimi ne Shkoder", thotë Elektra.

Zef Haxhija u nda nga jeta në gusht të vitit 1964 në moshën 74 vjeçare, pa qenë i pranishëm në jetën e mëtejshme të fëmijëve, nipërve dhe mbesave, të cilët u përballën me luftën e klasave deri në fund të regjimit komunist.

 

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here