Vdiq Arianit Çela, me mbi 650 procese politike mbi shpinë dhe pa u ndëshkuar për krimet e tij

0
932
blank

 

Jetoi i patrazuar, në shtëpinë e tij në Tiranë, deri në orën që vdiq, pa u ndëshkuar kurrë për krimet e kryera gjatë 45 viteve të regjimit. Për rolin e tij vendimtar në mbi 650 procese politike, historianët e cilësojnë si Vishinski i komunizmit në Shqipëri...

Është ndarë sot nga jeta në moshën 98-vjeçare, Aranit Çela, ndër prokurorët dhe gjyqtarët më famëkeq të regjimit komunist. Për rolin e tij vendimtar në mbi 650 procese politike, historianët e cilësojnë si Vishinski i komunizmit në Shqipëri.
U lind në Vlorë më 1923 apo 1924, i biri i Hysenit dhe i Eminesë, familja e tij e kishte origjinën nga Kanina. Në moshën pesëmbëdhjetë vjeçare i vdes i ati, për të cilin në autobiografinë e tij të 1954 shkroi "ka qenë element alkoolik dhe shumë pak i lidhur me familjen... Familja ime ka vuajtur mjaft ekonomikisht. Kjo edhe për arsye, se sikurse thashë më lart, ka qenë element gjithë kohën sarhosh (alkoolik) dhe krejt i pakujdesshëm për familjen e vet."
Në vitet 1935-1942 ndoqi Institutin Tregtar të Vlorës. Me ardhjen e regjimit fashist, Aranit Çela ishte ndër fëmijët balila të cilët kaluan një muaj pushime në Itali (Pezaro) në verën e vitit 1939. Në 17 marsin 1941 kërkon pa sukses të punësohet në Zyrën e Regjistrimit të Gjendjes Gjyqësore në Ministrinë e Drejtësisë të regjimit fashist. Në prill-maj 1942 Araniti qëndron në paraburgim iu gjetën në shtëpi disa trakte, por regjimi fashist tregohet zemërgjerë dhe e dënoi me kusht. Më 10 janar 1943 bëhet anëtar i PKSH-së në organizatën e Mallakastrës, por partizan del vetëm në nëntor të këtij viti. Në korrik 1944 bën pjesë në brigadën e 14-të komuniste, e më pas, deri në mars 1945, në divizionin e 3-të komunist.
Në mars 1945-shtator 1946, Aranit Çela është prokuror ushtarak në Shkodër, në qytetin ku zhvilloheshin përditë proceset më të tmerrshme politike të kohës. Më 1946-1948 vazhdon me këtë cilësi por në divizionin e Korçës. Më 1948-1949 është ndihmësprokuror i Prokurorisë Ushtarake. Në vitet 1949-1953 ndjek studime në fushën e drejtësisë në Bashkimin Sovjetik. Më 1953-1954 ishte nënkryetar i Degës së Hetuesisë së Sigurimit të Shtetit. Më 1954-1955 prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme. Më 1955 – 1958 dhe 1966 – 1990 kryetar i Gjykatës së Lartë. Më 1958 – 1966 prokuror i përgjithshëm. Më 1958 – 1991 deputet i Kuvendit Popullor dhe anëtar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë.
Arrestohet më 3 nëntor 1993 dhe dënohet me akuzën "Për veprën penale të shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim me pasojë shkeljen e paligjshme të lirive e të drejtave themelore të njeriut dhe në dëm të jetës së personit, të parashikuara nga nenet e Kodit Penal." Pavarësisht kësaj, doli nga burgu në ngjarjet e vitit 1997. Drejtësia që kishte përgatitur për atë ditë e shpalli të pafajshëm dhe urdhëroi dëmshpërblimin.
Jetoi i patrazuar, në shtëpinë e tij në Tiranë, deri në orën që vdiq, pa u ndëshkuar kurrë për krimet e kryera gjatë 45 viteve të regjimit.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.