Mësues Peter Kavaja në ditët e fundit të jetës nën përndjekjen e operativit Xhavit Shala

0
1126
blank

E shkuara e errët gjatë diktaturës e Drejtorit të Kërkimeve Shkencore në Akademinë e Sigurisë, si dëshmi se Vetting-u në polici është vetëm propagandë

Shumë pak njerëz e mbajnë mend mësues Petër Kavajën. Ndoshta ka akoma ndonjë nxënës që e kujton. Por është një njeri që e ka njohur shumë mirë mësues Peterin. Është Xhavit Shala, sot drejtor i Kërkimeve Shkencore në Akademinë e Sigurisë. Është histori e 34 viteve më parë. Drejtori i rëndësishëm i strukturave aktuale të policisë së shtetit, ishte në atë kohë operativ i Sigurimit të Shtetit, i ngarkuar të ndjekë çdo ditë mësues Peterin, deri në çastet e fundit të jetës.

Në vitin 1986, Petër Kavaja, ishte në moshën e tij të tretë dhe po bëhej gati për dënimin e tretë nga diktatura komuniste. Mësues Peteri ishte 71 vjeç, jetonte i vetëm në Elbasan. Nuk kishte krijuar kurrë familje. Kishte vetëm dy shokë, njëri prej të cilëve e spiunonte çdo ditë tek operativi i Sigurimit të Shtetit. Ndërsa Xhavit Shala ishet 23 vjeç, sapo kishte nisur karrierën si operativ i Sigurimit të Shtetit dhe ishte ngarkuar të ndiqte mësues Peterin.

blankHistorinë e ka kthyer këto ditë në kujtesën e publikut, shkrimtari Agron Tufa, duke rrëfyer përmes dokumeteve ditët e fundit të jetës së mësuesit “tradhtar”.

“Mësuesi Peter Kavaja nga Elbasani, i vitlindjes 1913, i cili kish mbaruar shkollën normale (por edhe kish ndjekur shkollën teknike amerikane në Tiranë) ishte dënuar tri herë: në vitet 1951-1954 nga jugosllavët dhe në vitet 1954-1967 dhe 1973-1982 nga komunistët. Pasi bëri burgun e parë, deshën ta rekrutonin dhe si hakmarrje e dënuan edhe një herë tjetër.

Nuk dilnin 22 vitet e burgut dhe një jetë e shkuar dëm, por duhej t’i përgatitej edhe një dënim i tretë. Operativi Xhavit Shala i kish kopjuar çelësat e studios skulptorit elbasanas, Dhimitër Telezi dhe aty kryente takime me agjenturën. I shkreti Dhimitër, nga natyra zemërbutë, kishte frikë të hapte studion se mos gjente Xhavitin brenda me ndonjë”, shkruan Agron Tufa, referuar dokumentit të arkivës që vërteton rrëfimin e tij.

Operativ Xhaviti ishte ngarkuar të ndiqte mësues Peterin për të përpiluar dosjen e tij me të dhëna të tilla që të burgosej për herë të tretë. Detyra ishte që në finale, Xhaviti të paraqiste në organet e Sigurimit, një dosje që mund të akuzohej mësues Peteri si “agjent amerikan”, edhe “agjent jugosllav”. Gjatë rrugës, u krye edhe një manovër që e vërtetonte sipas Xhavitit dhe shokëve të tij, se mësues Peteri kishte qenë edhe “agjent në shërbim të Mehmet Shehut”. Ndërkohë që dosja e mësues Peterit kishte të dhëna të tjera që vërtetonin të kundërtën: për shkak të refuzimit për t'u bërë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, Mehmet Shehu e kishte burgosur edhe me 9 vite burg, në kohën e dytë të përndjekjes së mësuesit elbasanas.

Ndërkohë që operativi Xhavit Shala po ia ndërtonte me shpejtësi dosjen për ta burgosur për herë të tretë, mësues Peteri u sëmur dhe ndërroi jetë në spital më 22 janar 1986. Vdekja e mësuesit ishte si një ndëshkim i madh për operativin që nuk pati mundësi ta kurorëzonte me sukses dosjen e  viktimës së tij e nuk pati mundësi ta shihte brenda hekurave të burgut për herë të tretë.

Peter Kavaja ishte ndër “tradhtarët” e parë të spikatur nga operativ Xhaviti, i cili nuk e pati fatin të shkëlqente me atë dosje sepse mësues Peteri ndërroi jetë para se dosja e operativit të zellshëm të niste të konkretizohej me arrestim.

Mësues Peteri u përndoq deri sekondën e fundit i shtrirë në shtratin e vdekjes në spitalin e Elbasanit. Ai ndërroi jetë dhe me siguri u varros nga komunalja sepse ishte njeri i vetëm dhe “tradhtar” e askush nuk i afrohej. Operativ Xhavit Shala vazhdoi karrierën e tij me të tjera viktima si mësues Peteri në ato katër vite të mbetura të sistemit diktatorial. Diktatura komuniste ra në dhjetor 1990, por karriera e operativit nuk u ndal aty. Ai vazhdoi si një ndër kuadrot më të rëndësishëm të Policisë së Shetit dhe sot është drejtori i Kërkimeve Shkencore në Akademinë e Sigurisë. Mediat e ftojnë për të folur edhe si ekspert i sigurisë.

Ndërkohë në Policinë e Shtetit ka nisur prej disa muajsh procesi i Vetting-ut. Bazuar në kriteret e Vetting-ut, Xhavit Shala duhet të ishte përjashtuar automatikisht nga radhët e Policisë së Shtetit. Por jo, ai është ende në krye të njërit prej institucioneve të rëndësishme të Policisë së Shtetit.

Si Xhavit Shala ka shumë të tjerë në radhët e Policisë, ndaj dhe sot kemi një polici si ajo që na u shfaq ditën e shembjes së Teatrit Kombëtar, policë që sulen si bisha dhe vënë nën thembrat e çizmeve të tyre fytyra qytetarësh aktivistë e artistë që nuk ishin kapur në asnjë krim përveçse po kërkonin ruajtjen e një godine të rëndësishme për qytetin.

 

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here