Mënikut ç'i panë sytë, klithjet e Sabihasë që vranë shpirtin e fshatit

0
578
blank

Reportazh në fshatin Mënik, aty ku në natën e 26 shkurtit 1951 u pushkatuan pa gjyq 22 intelektualë të Tiranës. Rrëfimet e Rakip Hysës për kujtimet e të atit mbi piskamën e gruas dhe bataret e armëve që shuan jetën e 22 njerëzve. Momenti i hapjes së varrit të përbashkët dhe telat me gjemba që u gjetën në gjymtyrët e të vrarëve. Komunizmi që vrau, mbolli dhe “rriti” frikën dhe harresën edhe pas viteve 90’.

Me hap të ngadaltë e sytë ngultas, kah një qiparisi të vogël, që “ushqehet” me gjakun e 22 njerëzve, Rakipi afrohet dhe bashkë me dorën e zgjatur të takimit, pyet qortueshëm: “Kush je? E di ti se ku ke shkelur o bir?”, kërkon përgjigje të menjëhershme dhe i gatshëm për të na thënë të largohemi, sepse këmbët pa e ditur mirë i kishim mbi dheun që mbuloi 22 të pushkatuar nga regjimi komunist, më 26 shkurt 1951. “Ah, je gazetar…, ç'të shkruash për këtë vend të mallkuar, që u kthye në një varrezë të madhe të kundërshtarëve të komunizmit”, sfidon 58-vjeçari, që gati na “paralajmëron” se nuk ka penë që e përshkruan atë që ngjau në natën e ftohtë të 26 shkurtit 1951. Ajo shashkë e hedhur në Ambasadën e Bashkimit Sovjetik, stisur nga Sigurimi i Shtetit, u bë shkak që brenda një nate Tirana të ndizej nga arrestime, tortura, e pushkatime. “Baba më tregonte shpesh kur u rrita. Ishte vonë, dhe tre-katër shtëpi përdhese ndodheshin diku pranë këtij vendi. U dëgjuan klithjet e një gruaje, e pa e përfunduar thirrjen, breshëri të gjata automatiku oshëtinë vendin”-kujton Rakip Hysa, nga rrëfimet e të atit. Më vonë e mësuan emrin e asaj gruaje që briti, qe zëri i 38-vjeçares Sabiha Kasimati, që u shua pas zbrazjes së armëve. Askush nuk doli nga shtëpitë. Vendi ishte mbushur me polic. Banorët mezi prisnin që të vinte agu, për të parë ç'kish ngjarë. Me shumë drojë pas disa ditësh iu afruan vendit dhe panë që dukej një gropë e mbuluar, shenja të gomave të makinave dhe shumë gëzhoja. Sa shumë plumba u derdhën atë natë… “Zgjatën gati një minutë breshëritë e armëve”-kujtojnë më të vjetrit. Sa ishin të vrarët, po britmat e asaj gruaje? Këto dilema ndoqën nga pas banorët e zonës, që kurrë nuk u shprehën hapur. Me zë të ulët bisedonin mes tyre. “I kanë vrarë o bir, por nuk dihet sa kanë qenë, po ajo grua ç’qe që kthithi, a e vranë edhe atë?-më pyeste shpesh babai, kujton Rakipi. Dhe ky burrë i fisshëm dhe i thjeshtë i Mënikut, dilemën e të atit që s'i hiqej nga mendja piskama e mesnatës së vitit të largët 1951, e zbuloi vetëm pas përmbysjes së sistemit komunist. “Ishte fillimi i demokracisë, nuk e mbaj mend mirë vitin, por erdhën njerëz të interesoheshin. Ditën që u krye zhvarrimi unë shkova atje”-tregon Rakipi, teksa hovin për të rrëfyer edhe pa e pyetur në detaje, ia ndalin dy lot që i shkajnë nga sytë vetishëm, për t’iu bashkuar poshtë mjekrës. Bën një hap pas dhe nis të rrëfejë me dorën zgjatur: “Ja, bash mu këtu i kishin vrarë e varrosur”-thotë 58-vjeçari, ndërsa mbledh veten dhe fshin me trinën e pëllëmbës lotët. “Ishte e rëndë, në fillim u zbulua kafka e një njeriu, më pas ngadalë nisëm të zbulonim një e nga një eshtrat. Nuk kishte gjë më të rëndë, gjetën në gjymtyrë ende tela me gjemba që i kishin të lidhur”-tregon ai. Familjarët e viktimave nuk patën lot të qanin, por shtangën e u kapluan nga ankthi. Sa eshtra do gjendeshin, a do kishte një varr për të afërmit që regjimi i vrau natën, pa gjyq, duke ua dorëzuar xhelatëve ekzekutor të ish-Sigurimit të Shtetit? Vështirë të dalloje eshtrat e kujt zbuloheshin. Ata edhe nga kjo botë ikën të lidhur të 22, të gjithë bashkë nga tela me gjemba. Përveçse çdo trup kishte duart e lidhura. Në formë rrethi u gjet edhe një tel i trashë që i kishte bashkuar të 22 të pushkatuarit, për të mos u lënë asnjë mundësi ikjeje. Gryka e Erzenit vijonte ende nga oshëtima e armëve. Më pas ra një qetësi vdekje. Në beharin e vitit 1951, bari rritej më shumë në atë gropë jo fort të madhe, me përlasat 4.5 metra të gjatë dhe tre të gjerë. “Më kanë treguar se bagëtitë e kooperativës i kishin lëshuar në këtë fushë, disa prej tyre rendën drejt barit që kish mbirë mbi varrin e madh dhe u larguan. Gjaku kishte zënë edhe kafshët”-tregon Riza Shtina, një banor i Mënikut.

Regjimi që “thau” qiparisin e shoi fenerin…

Na u desh kohë të gjenim vendin ku ishin pushkatuar 22 intelektualë të Tiranës. Pyesnim e na drejtonin me duar. “Ja, futu në atë rrugicë, ec ca, kthehu djathtas dhe do gjesh vetëm një qiparis gjysmë të tharë, përmendore nuk ka”-tregojnë banorët. Këtë shpjegim, gati të thatë na e japin të gjithë. Prisnim të kishte një shenjë, përmendore të vogël, apo pllakadë me emrat e të pushkatuarve, por asgjë nuk ka mbetur. Nëse mund të quhet “shenjë”, është një qiparis i mbjellë nga Osman Kaceli (i afërm i të pushkatuarit Jonuz Kaceli). Vendosi edhe një fener si një dritë që nuk shuhet, por ndonjë fëmijë edhe atë e ka marrë. Pushteti lokal i zonës as e ka në listën e vendeve për t'u kujtuar, ndonëse ajo kodrinë e vogël buzë Erzenit është e denjë për t'u kthyer në peligrinazh. “Janë interesuar disa të afërm, kanë ardhur e parë vendin, më shpesh vjen Osman Kaceli që na u lut të mbillte këtë qiparis”-thotë Rizai, ndërsa afrohet dhe konfirmon se qiparisi është drejt vyshkjes, ndoshta në buzë pranvere edhe mund të çelë… Për disa muaj një fener që nuk shuhej ndriçonte shpirtin e 22 të rënëve, por nuk është më. Menduan se vitet e para të demokracisë do zbardhnin të vërtetat e komunizmit, por “drita” që u ndez për pak kohë, është shuar. Sistemi nuk vrau vetëm me armë, por mbolli ndnjesinë e frikës e mbuloi me terr të shkuarën. Ashtu si në natën e 26 shkurtit 1951. “Disa të afërm vinin shpesh para disa vitesh, por tani janë gjthnjë e më të rrallë”-tregojnë banorët e Mënikut. Për ta ai vend nuk është i vetmi që mund të mbajë viktimat e komunizmit. Herë pas herë në kohë të ndryshme, nga viti 1946-1953 dëgjoheshin natën batare armësh. Dhe banorët u mësuan, cili mbylli sytë sonte, kush e pat fatin e keq që ra në duart e diktaturës. “Ka edhe vende të tjera që mendohet se ka të varrosur. Përgjatë gjithë bregut të Erzenit, mendohet se ka eshtra të të pushkatuarve”-kujton Rizai, ndërsa thotë se pas vitit 1953, nuk u dëgjuan më krisma armësh. Zona po popullohej më shumë dhe komunistët ndryshuan vend, duke hapur varre të tjera masive, një prej të cilave është edhe Mali me Gropa. Ikim nga fshati Mënik, duke ndjekur me sy qipatrisin e vogël dhe të ecurën e ngadaltë të Rakipit, që futet në shtëpinë e tij, aty ku vite më parë babai i rrëfeu për herë të parë tmerrin e asaj nate dhe piskamën e Sabihasë.

Shashka që “vrau” 22 intelektualët

Në mbrëmjen e 19 shkurtit 1951 në ish-ambasadën e Bashkimit Sovjetik u dëgjua një shpërthim. Kaq mjaftoi që të ndizej makineria terroriste e pushtetit. Sajoi një shkak për të kaluar në sulmin më të egër të atyre viteve. Në zyrën e tij Mehmet Shehu dha urdhër të prerë: të arrestohen 100-150 njerëz, ku 10-15 prej tyre të pushkatohen. Arrestimet e kaluan numrin 200, ndërsa me një të rënë lapsi në listën e pushkatimeve u përfshinë 22 persona. Të gjithë e dinin se asnjë prej të pushkatuarve nuk kishte lidhje me bombën, por ishin të skeduar më parë si kundërshtarë të mundshëm të sistemit komunist. Pas pesë ditësh tortura çnjerëzore në Hetuesinë e Tiranës dhe në Burgun 302, me një fletë në duar xhelatët e ish-Sigurimit të Shtetit rendën në qeli dhe morën 22 të arrestuarit, duke i ngjitur në një kamion ushtarak të mbuluar dhe i ndalën buzë Erzenit, në fshatin Mënik. Krismat e armëve shuan jetën e 22 njerëzve.

Emrat e intelektualëve që u pushkatuan më 26 shkurt 1951

Sabiha Kasimati, Tefik Shehu, Pjerin Guraziu, Jonuz Kaceli, Anton Delhysa, Haki Kodra, Gafur Jegeni, Myftar Jegeni, Manush Peshkëpia, Reiz Selfo, Qemal Kasaruho, Zyhdi Herri, Gjon Temali, Petro Konomi, Niko Lezo, Pandeli Nova, Thoma Katundi, Mehmet Shkupi, Ali Qorraliu, Fadil Dizdari, Hekuran Troka, Lluka Rashkoviç.

Sabiha Kasimati, 38 vjeçe. E lindur në Edërne të Turqisë, e diplomuar në Itali. Megjithëse iu ofrua një vend pune në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ajo vendosi të kthehej në atdhe. Punoi në Institutin e Shkencave, duke qenë i njohur kontributi i saj në këtë fushë.

Tefik Shehu, 39 vjeç, i lindur në Gjakovë. I diplomuar në Zagreb për Ekonomi, Financë dhe Drejtësi. Në vitin 1939 u vendos e punoi në Tiranë. Pas pushtimit të Shqipërisë u kthye në Gjakovë. Atje u arrestua nga serbët, por mundi të shpëtonte me ndihmën e nacionalistëve shqiptarë. Më 1945, u arrestua nga komunistët shqiptarë në Tiranë, por me ndihmën e avokatit Koço Dilo, shpëtoi nga pushkatimi. Më 26 shkurt 1951, ishte urdhër i prerë për t’u pushkatuar.

Pjerin Guraziu, 45 vjeç, i lindur në Shkodër. Doktor i Shkencave Ekonomike, sportist me rezultate të nivelit ndërkombëtar. Pedagog në shkollën Tregtare të Vlorës. Drejtor i Doganës së Tiranës më 1938. Pas luftës, shef Finance në Ministrinë e Financave dhe në Ministrinë e Bujqësisë. Anëtar i komisionit për organizimin e garave atletike në Ballkaniadën e vitit 1946.

Jonuz Kaceli 43 vjeç, u lind në Tiranë, në familjen e madhe patriote të Kacelëve, e njohur për shërbime në dobi të atdheut, në ekonomi, kulturë, art etj.. Ai u dërgua në gropën e vdekjes, pasi ishte vrarë më parë nga torturat.

Anton Delhysa,  47 vjeç. U lind në Prizren, specialist ndërtimi, kreu me përfundime të shkëlqyera Shkollën Teknike të Fulcit. Njihet si drejtues i punimeve për ndërtimin e Shkollës Amerikane në Golem të Kavajës, të Shkollës Teknike të Fulcit dhe të Ambasadës Amerikane në Tiranë. Pas luftës, drejtoi punimet për ndërtimin e fabrikës së sheqerit në Maliq, për spitalin në Gjirokastër, për fabrikën e tullave në Vorë etj.

Haki Kodra, 30 vjeç. U lind në Dibër të Madhe. Pasi u diplomua për Ekonomi në Universitetin e Zagrebit, u kthye në Dibër, ku ngriti një biznes të madh, por u luftua nga serbët, ndaj u largua dhe u vendos më 1940 në Tiranë. Pas luftës punoi në sektorin ekonomik deri në vitin 1951 kur u pushkatua.

Gafur Jegeni, 41 vjeç. U lind në Dibër. Kreu studimet e larta në Akademinë Ushtarake në Itali. Nga viti 1935-1937, komandant i kufirit bregdetar në Shqipëri. Në ditët e prillit 1939 në Vlorë, me gradën kapiten, kreu detyrën si patriot për mbrojtjen e atdheut. U arrestua dhe gjyqi ushtarak e dënoi me vdekje, më pas u internua në Ventotene. U lirua nga anglo-amerikanët më 1943. Pas kësaj u tërhoq nga ushtria.

Myftar Jegeni, 36 vjeç. U lind në Dibër. Kreu Akademinë Ushtarake më 1937 në Itali. Me gradën kapiten më 7 prill 1939, luftoi në Durrës për mbrojtjen e atdheut, më pas edhe kundër ushtrisë gjermane. Kundërshtoi masakrat jugosllave. Ndaj serbët, pasi e arrestuan e dërguan në duart e komunistëve në Shqipëri. Pas prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë, punoi si llogaritar në një ndërmarrje ndërtimi në Tiranë.

Manush Peshkëpia, 39 vjeç, poet, patriot, me origjinë nga Gjirokastra, u lind në Vlorë. Analistët e letërsisë e rendisin krahas me Fishtën, Poradecin, Koliqin, Kutelin etj..

Reiz Selfo, u lind në Gjirokastër. U shqua si një nga sipërmarrësit e aftë në tregti dhe në ndërtim. Disa nga veprat, si Firma “Selfo” në Vlorë, Ura e famshme e Dragotit mbi lumin Vjosë, Ura e Bënçës në Tepelenë, disa shkolla, ndër to, gjimnazi në Gjirokastër dhe shumë të tjera.

Qemal Kasaruho, 49 vjeç. U lind në Gjirokastër. Ekonomist, zotërues i disa gjuhëve të huaja, Në vitet ‘20-‘40 punoi si kryeinspektor në doganën e Sarandës, më pas drejtor i përgjithshëm i Monopoleve dhe i Tatimeve në Ministrinë e Financave, ndër kohë mori pjesë në luftën kundër pushtuesve italo-gjerman. Pas luftës nuk u pranua të punonte si ekonomist në Tiranë, por jashtë saj, në minierën e Rubikut.

Zyhdi Herri35 vjeç. U lind në Tiranë. Studioi në Liceun e Korçës dhe në Gjimnazin e Tiranës, më pas vazhdoi studimet për drejtësi. Gjatë luftës bashkëpunoi me Frontin N.Ç. Pas luftës, kryeredaktor i gazetës “Bashkimi” në Tiranë.

Gjon Temali, 47 vjeç. U lind në Shkodër. Në vitet ‘40 studioi për Farmaci në Universitetin e Firences. Nga viti 1946 deri në shkurt të vitit 1951, farmacist në Spitalin e Tiranës.

Petro Konomi, 30 vjeç. U lind në Kajro. Kreu studimet e larta në Turqi, në Robert Kolezh, mandej në Akademinë Ushtarake në Itali. Gjatë luftës përkrahu Frontin N.Ç. Pas luftës u emërua në ATSH.

Niko Lezo, 50 vjeç. U lind në Delvinë. Kimist. Zotërues i disa gjuhëve të huaja. Ka kryer Universitetin e Tuluzës në vitin 1921. Më 1923, ngriti të parin laborator kimik në Tiranë. Po atë vit, zgjidhet deputet i Delvinës. Më 1940, arrestohet e internohet në Ventotene. Pas luftës punon sërish kimist në laboratorin, tashmë nën vartësinë e Ministrisë së Shëndetësisë.

Pandeli Nova59 vjeç. U lind në Opar, në një familje të pasur. Ekonomist. Zotërues i disa gjuhëve të huaja. Deri në vitin 1944, u mor me tregti dhe njëkohësisht ndihmoi Frontin N.Ç. Pas luftës punoi në një shoqëri tregtare çeko-shqiptare.

Thoma Katundi, 64 vjeç! U lind në Katund të Korçës. Ish-“Vatran” në SHBA.

Mehmet Shkupi, 58 vjeç. U lind në Shkup dhe banoi në Tiranë. Ish-pronar me arsim të mesëm dhe me profesion nëpunës kaloriferi. Dyshohej si “agjent” i legatës franceze dhe se zhvillonte veprimtari terroriste.

Ali Qorraliu, 61 vjeç. U lind në Tiranë. Tiranas i pasur. Jurist. Kreu studimet e larta në Kolegjin Juridik të Selanikut. Në kohën e luftës, ka përkrahur Ballin Kombëtar, ndaj u burgos nga regjimi komunist.

Fadil Dizdari, me origjinë nga Shkodra, u lind në Kavajë, Në kohën e Zogut kishte punuar si sekretar prefekture. U arrestua dhe u pushkatua pa gjyq, i dyshuar si “terrorist”, apo “armik i Pushtetit Popullor”.

Hekuran Troka, 32 vjeç. U lind në Kuçovë dhe banoi në Tiranë, me profesion tregtar. Në listën e zezë është shënuar “tregtar i dyshimtë spekulant”, “agjent i shërbimeve të huaja” dhe “terrorist”.

Lluka Rashkoviç, 51 vjeç. U lind në Mal të Zi. Ka ardhur në Shqipëri me familjen në kohën e mbretërisë. Gjatë kohëve të ndryshme u mor me transport udhëtarësh, në Shqipëri e Ballkan, jashtë çdo rryme politike.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here