Gratë e arrestuara në ngjarjet e shkurtit 1951

0
264
blank

Më 19 shkurt 1951 organizata e drejtuar nga Sejfulla Shima hodhi dinamit në legatën sovjetike në Tiranë. Dinamiti u hodh ato ditë sepse më 19-23 shkurt 1951 zhvillohej plenumi i 9-të i Komitetit Qendror të Partisë së Punës. Ditën e dytë të këtij plenumi, sekretari i përgjithshëm i kësaj partie, njëherazi edhe kryeministër, Enver Hoxha, u foli të pranishmëve për ngjarjen e rëndë, si dhe kërkoi masa drastike. Byroja Politike e PPSH-së udhëzoi Sigurimin që në bazë të listave të elementëve kundërshtarë, të arrestonte rreth 170 persona dhe disa prej tyre t’i pushkatonte. Listën e arrestimeve e formuluan tre degë të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit: e para (Zbulimi Politik), e dyta (që merrej me organizatat kundërshtare si Balli Legaliteti, kleri) dhe e treta (mbrojtja e ekonomisë socialiste), në koordinim me Degën e 7-të (hetuesia), e cila kryente procedurat përkatëse hetimore.

Lista e grave të arrestuara më 20-23 shkurt 1951 ishte kjo:

-Sabiha Kasimati

-Maria Muzband Levendi

-Elisabeta Agust Bast

-Paqize Reshat Spahiu

-Albina Pjetër Shundi

-Myzejen Kasem Kapllani

-Didi Qamil Biçakçiu

-Margarita Dhimitër Noçka

-Eleni Jorgji Ristani

-Krisanthi Kristo

Siç dihet Sabiha Kasimati u pushkatua. Emri i saj gjendet në listën e dytë të hartuar nga Dega e 2-të e Sigurimit të Shtetit. Sabihaja akuzohej se urrente lëvizjen komuniste, se fliste kundër reformave e mbante kontakte me “elementë armiq të burgosur apo ekzekutuar” si: Selahudin Toto, Tika Tezha, Azis Vrioni, Riazi Vlora, Lake Vila, Myqerem Janina, Gjergj Ashta, Eqrem Çabej, Stanislav Zuber, Ludovik Petrasi, Luigj Benusi, Rakip Strazimiri, Zorika Mano, gruan e Xhelal Mitrovicës, etj. Akuza ndaj Sabihasë shtohej teksa përmendej  një letër me deputetin anglez Lester Hutchison “me të cilin kishte bërë biseda të gjata”, lidhjet me UNRRA-n, etj. Përmendeshin implikime të dala nga procesi i Shefqet Bejës, ndërsa thuhej se rrethi i saj shoqëror përbëhej nga “elementë armiq”. “Është armike e betuar e pushtetit të sotëm. Ka urrejtje karshi tij dhe sidomos karshi komunistëve, kritikon moralin komunist, etj” – e mbyllte raportin Dega e 2-të.

Në gjykatë përfunduan dy gratë vijuese të listës, francezja Maria dhe gjermanja Elisabeta, ardhur në Shqipëri në vitin 1938. Maria u dënua me kohën e paraburgimit. Elisabeta u dyshua se dinte gjuhën shqipe dhe për këtë arsye u burgos. Për Elisabetën ky ishte arrestimi i dytë. Fillimisht, ajo dhe i shoqi Emili u arrestuan prej komunistëve më 30 tetor 1944. Gjykata Ushtarake e Tiranës më 21.1.10.1945 e dënoi me 3 vjet me kusht si “bashkëpunëtore” e hapur e pushtuesit. Ajo u dënua sepse kishte “spiunuar në disfavor të lëvizjes”. Bashkëshorti i Elisabetës, Emil Bast (hebre) u mbaj dhe vdiq në burg më 28.4.1948 si “armik i popullit” i dyshuar si “nazist” (“hebre nazist”!).

Elisabeta u arrestua për herë të dytë më 23.2.1951 për njohjet që ka pasur me Lluka Rashkoviçin (i pushkatuar në v.1951). Kanë qenë dy-tre familje që ishin njohur në vitin 1942, por që nuk kishin pasur më shumë se 5 vizita me njëri-tjetrin. Po ashtu ajo mbronte piktorin gjerman Hans Troshel për të cilin thotë se nuk ishte spiun, siç e akuzonin komunistët.

Gratë e tjera të listës, u mbajtën në paraburgim disa muaj deri në një vit në kushtet nga më çnjerëzoret. Nuk u nxorën në gjykatë./kujto.al

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here