Jeta e një fëmijë “kulaku” në diktaturë!

0
546
blank

Nga Luljeta Progni

Një ndër ditët e zakonshme të punës sime, duke bërë kërkime për historinë e të persekutuarve gjatë diktaturës komuniste, tek Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit, takova një zotëri rreth të 70-ave që ishte aty për të marrë dosjen e të atit.

Ilmi Plaka kishte ndjekur disa prej dokumentarëve që unë bashkë me stafin kemi realizuar për ish-të përndjekurit politikë dhe me mirësjellje më kërkoi pak minuta kohë për të më treguar historinë e familjes së tij. Kishte në dorë dosjen e të atit, Shaban Plaka, që kishte vuajtur 20 vjet burg gjatë diktaturës.

Rrëfimi i Ilmiut nisi me historinë e burgut të babait, shoqëruar me detaje nga dosja. Dukej si një ndër historitë që i kisha dëgjuar mijëra herë. Më pas, fillova ta pyes për kohën kur Ilmiu rritej jetim për shkak se i ati ishte arrestuar kur ishte ende në barkun e nënës. Duke dëgjuar rrëfimin e tij me shumë emocion, kuptova se ishte një histori ndër më të dhimbshmet që kisha dëgjuar gjatë këtyre viteve. Takimi i tij i parë me babain ishte rrëqethës.

Ilmi Plaka, një pesëvjeçar që niset me gëzim drejt një rruge shumë të gjatë e të vështirë për të njohur babanë e tij… Pas asaj bisede vendosëm që bashkë me ekipin, të realizonim një dokumentar të shkurtër për Shaban Plakën. Por, në një dokumentar 40-minutësh ishte e pamundur të përfshije historinë e gjatë të vuajtjeve të Ilmi Plakës, familjes e fisit të tij. Ndaj dhe i sugjerova Ilmiut, që të shkruante historinë e jetës së tij në një libër, ku të mund të tregonte më me detaje historinë e familjes së tij.

Jeta e Ilmiut është e mbushur me ngjarje të dhimbshme e përpjekje mbijetese qysh kur lindi pa praninë e të atit. E njohu babain e tij përmes hekurave të burgut dhe rrëfimi vazhdon me takime të tjera të tij me të atin…

E gjithë fëmijëria dhe rinia e tij rrëfehet përmes këtyre udhëtimeve. Ilmi Plaka u rrit e u burrërua përmes këtyre udhëtimeve në çdo cep të Shqipërisë. I ka njohur të gjitha burgjet e kampet e punës, sepse Shaban Plaka vuajti dy herë nga dhjetë vjet në burgjet komuniste dhe kampet e punës.

Kalvari i tij nis me kampet e punës në Rinas, kënetën e Maliqit, në Beden, Kuçovë, Berat… e shumë, e shumë kampe të tjera pune, për t’u mbyllur pastaj me burgun famëkeq të Burrelit.

Pak vite pasi lirohet nga burgu, Shaban Plaka arrestohet sërish për të vuajtur edhe dhjetë vite të tjera nëpër burgjet komuniste nga Spaçi në Ballsh.

Ka dhimbje të madhe në rrëfimet e Ilmi Plakës. E gjithë familja e tij u godit ashpër nga diktatura, i gjithë fisi i tij nga babai dhe nga nëna. Janë 74 vite burg vetëm në fisin e Plakallinjve, një i pushkatuar dhe një i vdekur në burg. Dhjetëra vite internim për familjet e tyre. Është një ndër fiset më të prekura nga diktatura.

Në gjithë këtë kalvar dhimbjesh, një personazh më tërheq veçanërisht. Është gjyshja e tij, Hanko Plaka. Nëna e Shaban Plakës, është edhe nëna e Ibrahim Plakës, i cili ishte gjithashtu i dënuar politik, por është edhe nëna e Xhemal Plakës, që kishte rënë dëshmor për atdheun pasi kishte luftuar me partizanët kundër pushtuesve nazistë.

Edhe Shaban Plaka e Ibrahim Plaka kishin qenë fillimisht partizanë, por regjimi komunist do t’i shpallte ata armiq të popullit pasi u rreshtuan me forcat e Ballit Kombëtar dhe sepse ishin një ndër familjet më të pasura të zonës së Gostimës. Nënë Hanko, një grua fisnike në Gostimë, vuajti si asnjë nënë tjetër edhe pse i dha atdheut gjakun e të birit, e diktatura i grabiti jetën e dy të tjerëve.

Ilmiu tregon me dhimbje udhëtimet e nënë Hankos nëpër burgjet komuniste për të takuar dy bijtë e saj, Shabanin dhe Ibrahimin. Në kthim nga secili udhëtim nëpër burgje, ajo shkonte edhe tek memoriali i të birit dëshmor. Lotët e nënë Hankos kanë mbetur në kujtesën e Ilmiut si pjesa më e dhimbshme e historisë së tij: “Qante gjithë ditën, i qante të tre djemtë e saj me lot e me fjalë. Iknim nga iknim, e kur ktheheshim në shtëpi, po duke qarë e gjenim…”.

Do të gjeni në rrëfimet e Ilmiut, në këtë libër, një ndër momentet më të dhimbshme, udhëtimin e tij bashkë me gjyshen, Hankon në burgun e Spaçit. Ishte ndryshe ky udhëtim, sepse Hanko e kishte humbur shikimin dhe e kishte shumë të vështirë të dilte nga shtëpia. Ilmiu i tha se rruga ishte e vështirë dhe në fund të fundit nuk mund ta shihte Shabanin, por Hanko e kishte përgjigjen: Të paktën i dëgjoj zërin djalit…

Ilmiu tregon çdo detaj, e të duket sikur lotët e gjyshes rrjedhin nëpër faqet e tij edhe sot pas më shumë se 50 vitesh. Ilmi Plaka është ndër personazhet më fisnikë, sepse si rrallëkush ka pasionin për të rrëfyer e shkruar çdo detaj të jetës së vështirë gjatë diktaturës, për të përjetësuar babain e tij Shabanin, gjyshen Hanko, xhaxhallarët e tij, por edhe nënën Behije Plaka, e cila gjithashtu ishte një grua fisnike që punoi kokulur arave të Gostimës, shiti teshat e trupit për të ushqyer të birin Ilmiun, për të mbajtur nënën Hankon, të shoqin Shabanin e kunatin Ibrahimin, burgjeve të diktaturës.

Tek na përshkruan të gjithë personazhet e jetës së tij, Ilmiu tregon vuajtjet e fëmijërisë, urinë dhe varfërinë. Tregon gjithë betejën e tij për të përfunduar arsimin e mesëm, kur si fëmijë kulaku iu mohua e drejta e studimit. Tregon vuajtjet e tij nëpër punët më të vështira, që iu rezervoheshin vetëm kulakëve. Tregon presionet e shumta të sigurimit të shtetit për ta rekrutuar dhe betejën e tij për t’i shpëtuar me dinjitet këtij presioni. Nuk ishte e lehtë asokohe t’i shpëtojë atij presioni, sepse të kërcënonin edhe me jetë, por Ilmi Plaka, nëna e tij dhe gjyshja, nuk kishin asgjë për të humbur, sepse nuk patën kurrë të drejtën e triskës së fronit.

Dita e dasmës së Ilmiut është një ndër momentet më të gëzuara, por gjithashtu të dhimbshme. Dasmën pa zhurmë, pa orkestër, pa të ftuarit e zakonshëm, vetëm me këngën e gjyshes Hanko dhe njerëzve të afërm të familjes… do ta gjeni të rrëfyer nga Ilmiu. Është një ndër episodet që të përlot.

Do të gjeni në këtë histori të Ilmi Plakës, mirënjohjen për të gjithë ata që e ndihmuan në kohët e vështira të diktaturës. Pati njerëz, që në kushte shumë të vështira iu gjendën pranë duke e ndihmuar sadopak e për ta, Ilmi Plaka tregon shumë mirënjohje.

Ky rrëfim i Ilmi plakës është i thjeshtë, i sinqertë. E vërteta e jetës së tij, familjes së tij, tregon nga ana tjetër egërsinë e diktaturës komuniste, betejën për mbijetesë të viktimave të diktaturës, të tregon se si në kohë kaq të vështira, pati edhe njerëz me kurajo që iu gjenden pranë Ilmiut dhe e ndihmuan me sa mundën. Tregon përpjekjet gati mbinjerëzore për t'i mbijetuar asaj diktature, tregon se si një i ri e mund presionin e jashtëzakonshëm të makinerisë së diktaturës për të mos u dorëzuar në asnjë rrethanë e për të qëndruar me dinjitet, i varfër, i përbuzur, i shtypur i kërcënuar, pa triskën e Frontit... për të mbërritur deri sot, kur Ilmi Plaka ulet e shkruan historinë e jetës së tij me një krenari të ligjshme.

Një libër si trashëgimi për fëmijët e tij, për fëmijët e gjithë Shqipërisë, brezave të tanishëm e atyre që do të vijnë, me qëllim që ata ta mësojnë se cila ishte historia e diktaturës, që kurrë të mos përsëritet. 

Shënim: Ditët në vazhdim, do të publikojme pjesë nga libri i Ilmi Plakës "Jeta e një fëmijë “kulaku” në diktaturë!", për vuajtjet gjatë diktaturës.

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here