Me Klora Merlikën drejt kampit të vdekjes në Tepelenë

0
1138
blank

Rrëfime nga kampi i Turanit e më tej nga kampi i internimit në Tepelenë… Një udhëtim tronditës përmes fakteve e dëshmive të gjetura atje. Historia plot mistere e varrezave të të internuarve në kampin e Tepelenës. Rrëfimet dhe dëshmitë e të mbijetuarës së këtij kampi, Klora Merlika, për jetën e tmerrshme në kampin e Turanit dhe zhvendosjen nga Turani, drejt kampit të Tepelenës në vjeshtën e 1949. Pse u zhvendosën tri herë me urdhër varret e të internuarve...

Nga Admirina Peçi

N’agimin e nji epoke të re, fill pas Luftës së dytë Botërore, në Shqipëri, do të niste një prej sagave më të përgjakshme të persekutimit komunist. Çdokush që nuk e përkrahu apo e kundërshtoi regjimin e Enver Hoxhës, do të shënonte emrin e tij dhe të të gjithë të afërmve në listat e zeza të represionit. Një prej formave më të përhapura të persekutimit ishte internimi. Kjo masë ndëshkimi kishte nisur që në vitin 1945 -1946 dhe u intensifikua në vitin 1948 -1949.

Në vitet e para të regjimit komunist, kampet ku internoheshin familjarët e kundërshtarëve politikë ishin kampe përqëndrimi, të rrethuar me tela me gjëmba. Të tillë qenë në fillim kampet e Krujës, Porto Palermos, Beratit dhe Tepelenës. Veç rrethimit me tela me gjemba, në çdo kamp kishte një komandë me policë të armatosur, që mbanin në kontroll gjithë të internuarit. Në Berat i vendosën, kryesisht në lagjen “Çelepie”, por me vonë i lëviznin shpesh pasi qytetarët e Beratit i ndihmonin me ushqime e veshmbathje.

Studiuesi Kastriot Dervishi, në librin e tij “Burgjet dhe kampet e Shqipërisë Komuniste” ndërsa citon dokumentet zyrtare, thotë se vetëm në mars të vitit 1946 në Berat ishin 1275 të internuar, kryesisht nga Shkodra, Kukësi, Peshkopia, Elbasani, Durrësi dhe Tirana. Numri i tyre, siç e dëshmojnë edhe statistikat zyrtare, do të rritej sidomos në vitin 1948 dhe 1949. Komandant i kampit të Beratit ishte Xhaferr Pogaçe, nga Kardhiqi i Gjirokastrës, bujk, me 4 klasë fillore. Ai do t'i shoqëronte të internuarit e Beratit, edhe kur ata do t'i shpërngulnin në kampin e Tepelenës, ku sërish do të ishte komandant i kampit deri në vitin 1952.

Ky do të ishte vetëm prologu në shtegtimin e këtyre njerëzve të pafajshmve, drejt kampit të vdekjes në Tepelenë.

Ishte pranvera e vitit 1949. Nga Berati, me kamionë të Ministrisë së Brendshme, qindra të internuar po i dërgonin në Tepelenë. Një pjesë e madhe morën rrugën e Salarisë dhe u ndalën në Turan, një fshat malor në Tepelenë, pak kilometra larg qytetit.

Si kamp internimi, ishin përshtatur 2-3 kazerma të ushtrisë Italiane, pranë një varreze, ku preheshin eshtrat e ushtarëve italianë, vdekur gjatë luftës italo-greke.

Poshtë nën këmbët e malit të Turanit, në këto kazerma, të internuarit e zhvendosur nga Beratit do të gjenin strehë për disa muaj. Në të vërtetë, do të ishin muajt më të vështirë të jetës së tyre.

Rrëfimet më të tmerrshme të dëshmitarëve të mbijetuar, lidhen me kampin e Turanit dhe më tej me kampin e Tepelenës, në fushën e vogël poshtë kalasë së qytetit.

Por shpesh, rrëfimet nuk e japin të qartë perceptimin mbi këto dy destinacione, madje ndonjëherë duket sikur flitet për të njëjtin vend.

Në të vërtetë, Turani i parapriu Tepelenës. Për të krijuar një perceptim më të qartë të udhëtimit të vështirë të të internuarve, duhet të shkojmë në vend e të shohim çfarë gjurmësh kanë mbetur sot nga këto dy vende me histori me të vërtetë rrënqethëse.

Të fshehtat tronditëse në kampin e vdekjes së fëmijëve në Turan

Do të shkojmë fillimisht në Turan. Gjatë udhëtimit do të na shoqërojë një prej të mbijetuarve të këtyre kampeve, Klora Merlika. Kur ajo erdhi në Turan, ishte vajzë 15 vjeç. Atë kohë mbante mbiemrin e vajzërisë, Mirakaj.
Klora është sot 84 vjeç, por shfaq një energji të pazakontë për moshën e saj.
Ajo jeton për të dëshmuar dhe faktuar të vërtetën.

Mbërrijmë në Turan, pas 15 minutash, prej nisjes nga Tepelena. Klora e njeh menjëherë vendin, sapo përballet me peisazhin. Malet, ku gratë e internuara mbartnin dru në kurriz, dhe grykat e ngushta mes tyre janë njësoj. Sikur koha të kishte ngecur në vend.
Teksa ngjitemi në të djathtë të rrugës, nën këmbët e malit të Turanit, shfaqen një varg ndërtesash të rrënuara. Klora na bën shenjë të ndalojmë. Dallojmë gjurmët e dy shtyllave prej guri. Pikërisht aty ishte hyrja e kampit.

Klora tregon: “Këtu jemi në Turan, ku kanë qenë varrezat italiane. Kanë qenë edhe kazermat, që rrinin ushtarët. Aty na kanë shkarku. Këtu ka qenë vendi kur na vendosën fillimisht kur erdhëm në Tepelenë. Ky ka qenë vendi. Ka qenë fundi i prillit - maj, kur kemi ardhur këtu. Këtu erdhi gjithë kampi i Beratit.
Na kanë shpërndarë nëpër këto banesat që janë rrënuar tani. Ishin diçka ma t’mbajtuna atëherë. Kishin një farë mbulese, që edhe pikonte shiu kur binte shi”.

blank

Klora ecën brenda kampit të Turanit. Ajo kujton çdo detaj, si ta kishte përjetuar një ditë më parë. Mban mend kur erdhi për herë të parë këtu dhe gjeti kushërinjtë e saj, që i kishin sjellë më parë.

Klora kujton: “Këto kanë qenë kazerma, edhe kjo këtu. “Në atë kazermën aty kishte plot familje, po si për me i ofendu si gruaja e ministrit të Brendshëm, nusja e xhaxhait tim, Kol Bibë Mirakës, i thanë ‘ti ke për të qëndru këtu tek banjo. Ajo e gjeti pis, por e pastroi. Nuk ishte e pakënaqur, se të paktën ishte vetëm.”

Shfaqen pamjet e kazermave, gjurmët që kanë mbetur sot prej tyre. Rrëfimet e të mbijetuarve, por edhe dokumentet zyrtare, dëshmojnë se jeta në kampin e Turanit ishte e tmerrshme. Ushqimi i vetëm që ju jepnin ishte 400 gramë bukë misri në ditë. Asgjë tjetër. Shtëpitë e fshatit, siç duket edhe sot, ishin në distancë të largët me kampin. Në javët e para, kur kampi nuk ishte rrethuar me tela me gjëmba, kryesisht fëmijët arrinin të dilnin e të shkonin deri në fshat, për të kërkuar ndonjë ushqim. Më vonë siguria u shtua. Nuk lejohej të dilte askush nga territori i kampit. Dhe furnizimi i vetëm ishte buka e misrit dhe uji me racion, pasi edhe ujë nuk kishte. Sfida më e madhe ishte për foshnjat 1 apo 2 vjeç, të cilët nuk mund ta hanin bukën e misrit dhe nënat e tyre nga java në javë, prej urisë nuk kishin më asnjë pikë gji për t'i ushqyer.
Në mungesë të ujit, që e sillnin me fuçi dhe shpërndahej me racion, as që bëhej fjalë për kushte higjeno-sanitare. Në këto rrethana, prej urisë së tejskajshme dhe mungesës së ujit, në mes të verës së 1949, në kamp ra epidemia e dizanterisë dhe e tifos së morrit.
Vdekjet ishin të shpeshta. Çdo ditë vdisnin fëmijë nga 2 apo 3, deri në 13 apo 20 në ditë.

blank

Klora tregon një prej kazermave dhe i kujtohet historia tragjike e Cuklinës, nënës së 12 fëmijëve, të cilës në internim i vdiqen të gjithë bijtë e saj, nji nga nji dhe këtu në Turan i vdiqën edhe dy binjakët ende foshnja.
“Kjo ka qenë kazerma ku rrinte Cuklina dhe i shtriu këtu në këtë shesh dy binjakët. I kishte shtri ato bohçet e bukura, dhe femijët si dy lule me ato buzët e thame kështu… Nji dhimbje të madhe edhe tashi e kam, kur mendoj ata binjakët e shtrimë aty, njani mbas tjetrit. Shumë të bukur, shumë të bukur ishin si fëmijë. E kujtoj me dhimbje te madhe vdekjen e fëmijëve këtu në Turan. Brenda dy ditëve vdiqen mbi 20 fëmijë, thoshin 23-24. Vdiqën nga dizanteria. Këtu s’kishte as mjek..”

Në këtë kamp, vdiqën edhe dy vajzat e vogla 3 vjeç, Dila dhe Prena Gjikola, historinë e të cilava na e ka dëshmuar nëna e Dilës së vogël, Gjelë Gjikola. Ato arritën ti gjejnë eshtrat e dy vogëlusheve pas 55 vjetësh, në një kënd të këtij kampi.
Këtu në këtë kamp vdiq edhe Zefi i vogël 3 vjeç, djali i Drane Jakes, e cila në formë sfide ndaj regjimit, kur u lirua nga internimi, erdhi fshehurazi për gjithë natën dhe e zhvarrosi me thonj të birin, për të mos ia lënë eshtrat në këtë vend të largët e për t’ia ndërtuar varrin në vendlindje në Lekbibaj.
Në valën e epidemisë së tifos dhe dizanterisë, vdekjet e fëmijëve ishin aq të shpeshta, sa dëshmitarët e mbijetuar tregojnë se në kamp gjithë ditën e gjithë natën dëgjoheshin kujat e nënave dhe vajet e pambarimta.

Klora merr rrugën në të djathtë teksa ngjitet në brendësi të kampit. Do të na tregojë ku ishin varrezat e ushtarëve italianë, ku u varrosën edhe fëmijët, apo gratë e pleqtë që nuk mbijetuan dot.

“Këtu jemi aty ku ka qenë sheshi i varrezës së italianëve të vrarë në kohën e luftës italo-greke. Seicili varr kishte nji emër të shkruajtur. Tani i kanë heq të gjitha dhe s’ka mbetur shenjë. Kur vdisnin fëmijet, këtu i kanë varrosur. Prandaj dinin me i gjet eshtrat e tyre. Edhe pleqtë, kushdo që vdiste këtu i varrosnin”, tregon Klora.

Sot, nga varreza e dikurshme, nuk ka mbetur thuajse asnjë gjurmë. Pas një marrëveshje mes qeverisë shqiptare dhe asaj italiane, bisedimet rreth të cilës kishin nisur që në vitin 1953, nisi zhvarrimi në të gjithë varrezat e italianëve që kishin mbetur në Shqipëri, proces që zgjati deri në vitin 1962. Mendohet se edhe në Turan, varret e italianëve u hoqën në të njëjtën periudhë. Pas atij momenti nuk dihet ç’u bë me eshtrat e të internuarve, që ishin varrosur prej të afërmve të tyre në atë territor.
Kazermat, që sot shfaqen si gërmadha vende-vende, mbuluar nga pemët dhe shkurret, në verën e largët të 1949-s, ishin streha e qindra të internuarve të uritur, të sëmurë e të pashpresë. Në këto kazerma ata flinin, hanin bukën thatë dhe kur ishin me fat, zienin barishtet e egra që gjenin përreth. Në këto kazerma, fëmijët endeshin duke kërkuar bukë pareshtur, në këto kazerma ata sëmureshin e nënat i shihnin tek jepnin shpirt, shtrirë aty në dysheme.

Në kamp nuk ka asnjë gjurmë uji, as çezëm, as burim.
Klora tregon:“Na e binin me ca fuçi ujin dhe na e shpërndanin si me racion, se këtu nuk kishte ujë. S’kishte ujë këtu. Mundoheshim me çdo mënyrë me gjet ndonjë enë…”

Klora futet brenda njërës prej kazermave. Kanë të njëjtën arkitekturë si kazermat e ndërtuara buzë lumit të Bënçës, poshtë kalasë së Tepelenës. Por, ndërsa atje kishte kompani druri në formë krevatesh, ku qëndronin gjithë familjet, ngjitur e ngjitur, këtu nuk kishte dërrasa. Mbi 200 vetë shtriheshin brenda kësaj kazerme, në këto dysheme, të rreshtuar si sardelet.

Klora dëshmon: “Këtu çfarë kishim ndonjë gjë për ta shtruar e shtronim për tokë, se s’kishte as dërrasa as gjë. Kishte njerëz që kanë fjetur edhe në dysheme direkt, ata që i kanë marrë pa rroba fare. Shtriheshin në tokë këtu e flinin. Ishte simbas gjendjes që i kanë marrë. Varej gjithçka nga personi që të merrte në internim. Kur ishte dikush “me mish e gjak” të linte të merrje diçka prej shpie, ama kur s’kishte as mish, as gjak, as shpirt, të merrnin me rrobat që kishe veshur dhe kështu do të shkosh ne internim, nuk të linin të prekje asgjë në shtëpi”.

Në fund të verës 1949 kampi i Turanit ishte kthyer në ferr. Vdekshmëria e lartë dhe kushtet e tmerrshme higjeno-sanitare prej mungesës së ujit, i shtynë krerët e regjimit ta zhvendosnin këtë kamp poshtë, në breg të lumit të Bënçës.
Klora e kujton mirë ditën e zhvendosjes. Edhe rrugën e largimit nga ky vend që shenjoi tek ajo vetëm fytyrat e fëmijëve të vdekur, imazhe që nuk iu shlyen gjithë jetën.

Pasi dredhon mes kodrave, me sfondet e maleve në të dy anët, rruga që zbret nga Turani në Tepelenë, na drejton në stacionin e dytë të internimit të Klorës në Tepelenë. Ky stacion ishte i shkurtër, mbase vetëm pak javë, por Klora do të na e tregojë edhe atë.

Klora tregon me dorë Kazermën ku i vendosën para se t’i çonin në kampin e Tepelenës. “Na zbritën gjithë forcat që ishim të internuar dhe një pjesë hynë tek kjo kazerma këtu. Pjesa tjetër shkuan tek kazermat e tjera, që janë poshtë kalasë. Këtu kemi qëndruar vetëm sa kanë vendosur telat, që kanë rrethuar gjithë kazermat atje, dhe bënë vend edhe për ne që bënë kompani me dërrasa tek një kazermë që ishte pa kompani. Mbaj mend, që këtu kemi qëndruar nja 1 muaj a 5 javë.”

Prej këtu, në horizont, në anë tjetër të lumit të Bënçës, poshtë kalasë, duket kampi i Tepelenës. Do ta vijojmë atje pjesën tjetër të rrëfimit…

Drejt kampit të Tepelenës

Rruga e asfaltuar na çon poshtë kodrës, mbi të cilën ngrihet qyteti i Tepelenës. Jemi pothuajse në hyrje të kampit. Dyert e tij qëndrojnë gjithmonë të mbyllura. Por sot kemi mundësinë për ta vizituar në çdo cep të tij.
Klora Merlika na tregon portën e hekurt. Ajo hapej kanat më kanat, kur vinin kamionët me të internuar. Ngjitur me të, deriçka e vogël e hekurt hapej e mbyllej sa herë dilnin gratë në kolonë, për të shkuar në mal për dru, dhe sa herë ato ktheheshin në kamp të ngarkuara…
Sa kalon portën e hekurt, në të majtë, shfaqen një varg ndërtesash sot të rrënuara, që siç rrëfen Klora, dikur shërbenin si zyrat e komandës së kampit.
Në të djathtë të hyrjes, përballë zyrave të komandës shfaqen ndërtesa të tjera, dykatëshe me shumë dhoma, që ndahen në mes nga një korridor. Klora thotë se ato dhoma kanë shërbyer dikur si dhoma izolimi për fajtorët e kampit.

“Këtu ishin zyrat, aty ishin për dënim që mund të dënoheshin, kush nuk shkonte në punë.
Këtu ku ishin zyrat, vinte ndonjëherë edhe një doktor, Dhimole Lluka. Kishte një dhomë ku na vizitonin.
…Këtu ishin zyrat e policisë, këtu ishte një infermieri me demek, ku bëheshin vizitat. Vinte një mjek minoritar Dhimole Lluka. Vinte rrallë e bënte vizita.”, rrëfen Klora Merlika

Pak hapa më poshtë, Klora ndalon sërish. Është një çezmë uji që gurgullon e qetë. Ka qenë aty si dëshmitare, që në vitin e largët 1949. Klorës i kujton një ngjarje të hidhur… Aty, policët e kampit e kishin lidhur me tela, vëllanë e saj Zefin, për ta dënuar, pse kishte fshehur pak miell, që ia kishte falur një shok në shkollë. E kishin mbajtur aty gjithë natën. Klora kujton se ai thërriste familjen për ndihmë. Dridhej i lidhur pas çezmës…
“Dritat e zyrave reflektofshin se kishte ujë shumë, çoheshin stërpikat..dhe atij i dukeshin si krahë shtrige...Oj nanë shih si i hap shtriga krahët, moj nanë, don me më kap. Në rrinim pas telave. Ishin telat atje tek ata gurët më poshtë. Mo ki frikë Zefi, -i thosha unë, se drita duket ashtu..nuk ka gja asht uji drita që reflektohet dhe duket ashtu si krahë të arta..:.. Lidhur me tela deri sa i ka ra të fikët afër mëngjesit. Si i ra të fikët e zgjidhën e lëshuan…”, rrëfen Klora, ndërsa dhimbja i lexohet në sy.
Klora ecën më tej. Çapitet në vijim të rrënojave të kampit dhe na tregon se për çfarë kanë shërbyer ato gjatë periudhës kur ata mbaheshin të mbyllur brenda tij…
Pasi kalon çezmën Klora tregon se pak hapa më poshtë ishte vendosur rrethimin me tela që e ndante ambientin e të internuarve me ambientet dhe zyrat e komandës.
Ajo kthehet në të majtë dhe tregon rrënojat e një kazerme plotësisht të shkatërruar. Edhe në kohën e funksionimit të kampit ajo kazermë ishte e hapur. Dikur ishte djegur dhe në ato ambiente ndonjëherë gratë e kampit ndiznin zjarr për të gatuar lakrat e egra që gjenin përreth ose ngrohnin ujin për të larë fëmijët.

“Këtu çdo të diel na nxirrnin të fushë me gjithë plaçkat që mund të kishim dhe bëhej pastrimi i kazermave”, thotë ajo.
Klora tregon me dorë një ndërtesë në krye të këtyre kazermave ku thotë se ato ambiente dikur shërbenin si VC për te internuarit.
“Ja këto ishin banjot. Prisnim në radhë për të shkuar e për tëkryer nevojat…”, rrëfen ajo.
Në kamp kishte 6 kazerma të mbushura me të internuar. Secila identifikohej përmes një numri. Klora ndjek kahun orar dhe ndalon tek kazerma nr.6. Ajo kujtohet si kazerma e mirditorëve, për të cilën Klora tregon:
“Atje përballë ishte kazerma 6 e cila u mbush plot me mirditorë pasi vranë Bardhok Biben. I kishin sjellë ashtu zhveshur të këputur o zot. Më vonë era edhe zgjebja aty…
Bardhok Biba ishte vrarë me 1 gusht 1949. Në atë kohë të internuarit ndodheshin ende lart në kampin e Turanit. Dy ditë pas vrasjes, së tij, një brigadë e posaçme, e Sigurimit të Shtetit arrestoi 300 persona brenda pak orësh. Gjithë Mirdita u përshkua nga terrori, dhe si masa arbitrare ndëshkimore u jetësua ajo çka u njoh më pas si Masakra e Qafë-Valmirit ku dhe ishte vrarë Bardhok Biba. Katërmbëdhjetë vetë që nuk kishin fare lidhje me vrasjen u dënuan me varje e pushkatim. Kjo ngjarje çoi drejt përgjakjes së krejt krahinës dhe përndjekjes së të pafajshmëve nga organet e regjimit komunist…

Të internuarit në Tepelenë kujtojnë se ky ka qenë kulmi i represionit dhe dhunës ndaj tyre. Disa dëshmojnë se ato ditë as bukën thatë nuk jua jepnin më… Edhe pasi i vendosën në këtë kazermë, të internuarit nga Mirdita sërish ishin në kushtet më të mjeruara. Nuk kishin asgjë pos shpirtit. Të gjithë të zbathur e me rrecka….
Kjo periudhë e vitit 1949 rezulton të jetë kulmi në kurbën e internimeve gjatë regjimit komunist.
Ky dokument statistikor i Ministrisë së brendshme tregon në shifra numrin e të internuarve gjatë vitit 1949 dhe 1950 për çdo muaj të vitit. Dokumenti zbulon se muajit gusht dhe shtator të 1949-s numri ishte dyfishuar.
Në muajin korrik, në Tepelenë, Valias dhe Porto Palermo kishte 1858 të internuar. Në muajin shtator numri i tyre kishte mbërritur në 2503. Vetëm në këtë dy muaj, në këto tre kampe ishin internuar 645 persona më shumë.
Klora vijon të na tregojë të tjera ambiente në kamp. Kthehet në të majtë, ku kazermat shënojnë një zgjatim të formës katrore të kampit. Në atë skaj drejt lumit të Bënçës pak muaj pasi zbritën në këtë kamp u hap kuzhina dhe lavanderitë.
Deri në fund të tetorit 1949, në kamp vijonte të jepej vetëm buka e misrit thatë. Pra kuzhina dhe ambientet e këtij këndi të kampit ende nuk ishin hapur. Një dokument zyrtar i 5 tetorit 1949 firmosur nga Enver   Hoxha e vërteton këtë gjë.

Këshilli Ministerial i Republikës popullore të Shqipërisë mbasi pa propozimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme bërë me shkresën nr. 72 dt. 26 gusht 1949
Vendosi: që nga fondi përkatës për të burgosurit Minisitrija e Punëve të Brendshme të disponojë dhe për ushqime, banesë ujë zjarr dritë dhe pastrime të të internuarve duke u dhënë përveç bukës dhe nga një kg supë në ditë. Komisioni i planit ngarkohet të disponojë kontingjentet e nevojshme të ushqimeve që do të kërkohet për këtë qëllim nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë..
Kryeministri i Qeverisë së republikës së Shqipërisë Enver   Hoxha
(jepet dokumenti)
Diktatori na zbulon se deri në këtë kohë të internuarit kishin në menu vetëm bukën dhe se nga ky moment e tutje atyre ju shtohej në menunë ditore edhe një kilogramë supë në ditë. Pas këtij urdhri në kamp nisi të funksionojë kuzhina, pak më vonë edhe furra dhe ambientet e lavanderisë.
“Atje ka qenë kuzhina që qenka rrënuar fare. Atje bëhej gjella. Këtu ka qenë kuzhina. Secila kazermë kishte kazanin e vet. Në fund ishin lavamanët ku laheshin…. Në një fuçi kësisoji bëhej gjella”, kujton Klora.

Klora tregon një fuçi të ndryshkur. Thotë se është e njëjtë me fuçitë e naftës, që gjetën atëkohë në kamp, lënë nga ushtria italiane. Fuçitë i prisnin në mes u vinin dy vega dhe më pas shndërroheshin në kazanë për gjellën. Ngaqë ato kishin qenë të mbushura me naftë, supa kryesisht ujë dhe pak kokrra fasule, bollgur apo makarona, gjithmonë kishte ngjyrë gri të errët, pasi fuçitë lëshonin vazhdimisht lëndët me të cilat kishin qenë të mbushura më parë….
Kthehemi pas dhe Klora Merlika tregon skajin fundor të kampit ku ishte vendosur rrethimi me tela me gjemba. Në njëjtin vend është edhe sot. E ndjekim Klorën, e cila na tregon brenda rrethimit dy kazerma të tjera ngjitur me njëra tjetrën: e para në radhë sipas Klorës ka shërbyer si magazinë e në fund të saj kazerma ngjitur ka shërbyer si furrë buke.
Fare pranë saj gjendet kazerma nr.4 e ngjitur me të, deri lart pranë zyrave përballë komandës vijnë rresht kazerma 3, kazerma 2 kazerma 1. Klora bashkë me familjen e saj jetuan për afro 5 vjet në kazermën numër 4. Aty i vdiq edhe gjyshja e saj Cube, të cilës nuk mundën t’ia çonin në fund amanetin për t’ia varrosur eshtrat në vendlindje.
“Këtu ishte kazerma ku kam jetuar… këtu ishte krevati.. këtu vdiq gjyshja ime nga dizenteria…. Gjyshja vdiq këtu në këtë kapanon. E varrosëm tek një fushë e vogël pas zyrave të komandës… Por pas 6 javëve na detyruan t’i heqim varret prej aty e t’i çonim tek Ura e Bënçës. Edhe atje varreza nuk qëndroi gjatë… (Hiqet…pastaj kalonin delegacione dhe pyesnin ç,janë këto varre. Dhanë urdhër pas kësaj që ti hiqnin prej andej….)”, rrëfen Klora.
Edhe pse kampi Tepelenës nuk ishte një vend dënimi me punë të detyruar, gratë dhe fëmijët e rritur përdoreshin rregullisht për punë të rënda, si mbartja e druve në kurriz nga malet përreth deri në komandë, mbledhja e plehut organik nga stanet në male dhe bartja e tij po në kurriz deri në kamp, punime në rrugët përreth zonës së Tepelenës, etj. Dalja e tyre nga kampi dhe e gjithë rruga deri në majat e maleve bëhej autokolonë në këmbë. Për punën nuk kishte shpërblim monetar.
Po ashtu ushqimi tmerrësisht i varfër ishte shqetësimi i përhershëm mes 1000 deri 2000 të internuarve. Të afërmit në malësitë e Shkodrës, Tropojës, Mirditës e tij, nuk mund të shkonin deri në Tepelenë për t’i ndihmuar me ushqime. Rrallë, ndonjë prej familjeve të internuara mund të merrte ndihmë nga të afërmit.

Misteri i varreve të të internuarve në Tepelenë

Historia e varrezave të të internuarve në kampin e Tepelenës është një prej njollave më të errëta të historisë së këtij kampi. Askush nuk mund të japë sot fakte të dokumentuara dhe statistika të sakta mbi vdekshmërinë në këtë kamp. Pas zhvendosjes nga Turani, varret e të internuarve janë lëvizur tre herë. Klora do të na i tregojë tre vendet ku ishin varrezat.

blank

Fillon me pamjet e portës: …”Këtu ishin zyrat e policisë që na ruanin ne të internuarve. Prapa zyrave nuk ka pasur asnjë ndërtesë as shtëpi, asgjë. Ishte një shesh ku i varrosnin të internuarit që vdisnin brenda në kamp. Aty kanë qenë varrezat… Shpeshherë kur vija nga shkolla, ndonjë lule që gjeja rrugës, e këpusja dhe doja ta çoja te varri i gjyshes. Polici bërtiste ku po shkon. “T’ia vendos këtë lule gjyshes tek varri”, -i thosha. Dhe më linte ta lulen çoja të varri i gjyshes…”, rrëfen Klora.

Ajo tregon se gjyshja e saj qëndroi e varrosur aty në fushën pas zyrave të komandës për 6 javë. Pas kësaj një komision që kishte ardhur në kamp kishte urdhëruar largimin e varreve prej aty dhe zhvendosjen e tyre në një shesh të vogël në krah të urës së Veliqotit.

Klora tregon varrezën e dytë.

“Këtu tek ky qosh, na bënë me i heq varrezat që ishin mbrapa kazermave, atje ku asht kampi poshtë kalasë dhe i bëmë këtu varrezat dhe i vunë punëtorët me hap aq varreza sa ishin atje. Pas 6 javëve që kishte vdek gjyshja na kanë detyruar ta heqim, për fat kishte të veshur një zhgun të hershëm që kishim mundësi me e kap prej rrobave, se trupi ishte krejt i shkrirë e s’mund të lëvizej, 6 javë pas vdekjes…

Kjo ishte varreza e dytë e Tepelenës. Ishte rruga e Gjirokastrës këtu. Kalonin edhe delegacione të huaja. Dhe pyetën ç’janë këta varre këtu. Ju thanë janë varret e të internuarëve. Pastaj e mori vesh Enver   Hoxha se ishte bërë e madh se në buzë të rrugës kishte varre të të internuarve dhe dha urdhër me i heq shpejt prej aty e me i vendos në buzë të lumit. Erdhi urdhri që duhet t’i hiqnim. Prapë kemi vu njerëz që i kemi nxjerrë varret prej këtu dhe i kemi çu në buzë të lumit. E atje u zhdukën pastaj pa nam e nishan…

Edhe pse kampi ishte menduar si një vend më i përshtatshëm për të izoluar të internuarit dhe për të shmangur vdekshmërinë e lartë, dëshmitë e të mbijetuarve por edhe faktet që ofrojnë dokumentet zyrtare tregojnë se në kamp pati valë të reja sëmundjesh. Tifoja, dizenteria dhe turbekulozi shënohen si shkaqet kryesore të vdekjeve në kamp.

Sipas një prej dokumenteve të Ministrisë së Brendshme me 10 nëntor 1949 njoftohej vdekja nga turbekulosi e 5-vjeçares Zore Rushit Krosi, ndërsa nga dizanteria kishte vdekur 89-vjeçari Gjelo Ded Prenga dhe 70-vjeçarja Dile Shkurtë Ndreca.
Po ashtu, dokumentet zyrtare njoftojnë se në kamp pjesa dërrmuese e të internuarve ishin fëmijë. Nga janar deri në qershor 1950, në kamp mbizotëronin fëmijët. Në maj aty kishte 554 fëmijë, 514 gra, dhe 284 burra, shumica pleq.
Ky shënon një rast të paprecedentë në gjithë historinë e represionit të diktaturave komuniste.
Kampi i internimit me tela me gjemba në Tepelenë funksionoi deri në vitin 1953.
Pas kësaj, siç dëshmon edhe Klora internimet morën formë tjetër. Quheshin kampe internimi të hapura, ku të internuarit i dinin kufijtë e territorit që nuk duhej ta kalonin dhe jetonin brenda hapësirës së caktuar, nën kontrollin dhe survejimin e punonjësve të degës së brendshme. Ata jetonin kryesisht në kasolle me baltë dhe kallama, i nënshtroheshin apelit të përditshëm dhe punonin në punë të rënda kryesisht bonifikim hapje kanalesh , toka të reja dhe më pas në ferma. Të tillë ishin kampet e Lushnjës, Vlorës, Fierit, dhe shumë fshatra të tjera në gjithë Shqipërinë. Në këto kampe familjet e kundërshtarëve politik të regjimit të Hoxhës vijuan jetën nën persekutim të pandërprerë, deri në vitin 1991-1992, pasi regjimi komunist u përmbys.

Burimi: Gazeta “Shqiptarja.com”, 13 dhe 14 shtator 2018

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here