Masakra e Gurëzit, vrasja pa gjyq e 10 burrave në sy të grave e fëmijëve

0
460
blank

Më 25 gusht 1946, u vra në Gurëz, komandanti Babë Rexha. Për atë vrasje, në të njëjtin vend, më 28 gusht 1946, u pushkatuan 10 burra të pafajshëm. Tetë prej tyre u torturuan dy ditë me radhë para ekzekutimit, ndërsa dy të tjerëve, iu vu gishti në rrugë, u lidhën dorë për dorë me të tjerët dhe të dhjetë u pushkatuan në sy të grave e fëmijëve që ishin thirrur me detyrim të shihnin skenën makabre. 75 vjet nga masakra e Gurëzit, Ndue  Hoti provon të rindërtojë ngjarjet e atyre ditëve terrori që e vunë përgjithmonë në rreth të kuq fshatin e Krujës

Nga Ndue  Hoti

Pararendet nga një shkrim i mëparshëm në kujto.al

Fill pas vrasjes së Babë Rexhës, u ndaluan nja 80 veta, disa u siguruan në mullinin e një shkodrani, disa në kishën aty pranë…Burrat e Gurëzit i seleksionuan dhe nja njëzet i nisën për Krujë. Të nesërmen, atje i pyetën dhe i torturuan për të gjetur autorin që shtiu mbi Babë Rexhën.

Mark Mirin e rëndonte në fakt një debat që kishte bërë në konferencën e Mukjes me 3 gusht 1943 me një nga kokat e rëndësishme të grupimit komunist si dhe fakti që më 1945-ën, nipi i tij, kapiten Ded Nikoll Miri i shkollës ushtarake italiane me banim në Tiranë ishte vrarë në vitin 1944. Tani në qeli po iu lutej më të rinjve që të mos pranonin asnjë akuzë, ato le t'ia hidhnin atij se ishte i vjetër tashmë.

Në fund, sipas porosisë së ministrit të Mbrojtjes do të veçoheshin nja shtat-a-tetë veta. Këta liruan dhjetë dhe mbajtën dhjetë për t’u treguar më të “devotshëm”.

Intermexo: Urdhri i Koçi Xoxes për masakrën e Gurëzit

Koci Xoxe, dëshmia në gjyqin e 1949-ës për vrasjet, fq. 10-11.

Pyetje: A i pranon populli këto vrasje pa gjyq?

Përgjigje: Në rast operacionesh ose kryengritjesh, populli i aprovon vrasje të tilla. Nuk është e vërtetë që vrasja e Babë Rexhës në Gurëz të Krujës të ketë qenë një provokacion i Sigurimit. Unë kam dhënë urdhër, që të vriteshin menjëherë në vend, si raprezalje, 7-8 ose 10 veta. (“E Vërteta e fshehur e një procesi", Kastriot Dervishi, Shekulli, 6.08.2010.)

Të rrahur e sakatuar i sollën me një kamion në Gurëz. Të liruarit i lanë në këmbë. Gjo` Vati i liruar, për fat të keq, për shkak të torturave nuk ecte dot dhe kërkon të kthehet me makinën me të mjerët. Në Gurëz, disa përsëri i liruan, i zëvëndësuan me të tjerë, Gjo` Vatit i vunë prangat.

Zef Miri kishte marrë njoftim nga korrieri që nga shtëpia në Bardhane në Potok. Kishte lënë vetëm shtëpinë dhe po paraqitej te kisha, te Hanet e Gurëzit, se ashtu e donte puna.

Ndue Gjo`Noca, burrë i mirë, tregtar i ndershëm qe aty pranë në dugajën e tij, kur donin ta ndërronin me një tjetër. Jo, është Ndue Gjon Uci- tha dikush- dhe ky mungonte…Atëherë, Matush Kola! Matusha la cigaren siç po e mbështillte, e futi në kuti, u ngrit në kambë dhe shkoi i qetë andej nga e thirrën.

Nik Tom Prela nuk ecte dot, i kishin thyer dy këmbët, edhe pse i sakatuar po e çonin për krahësh drejt vendit të pushkatimit. Fatkeqët do të pushkatoheshin jo në kambë se predhat mund të kapnin njerëz deri larg, por ulur në gjunjë me shpinë nga lumi i Matit, që predhat të binin afër.

Mark Staka kërkoi që mos ta pushkatonin nipin njëzetekatër vjeç, Zefin, por për këtë kërkesë të fundit, burrin e dëgjuar nga Gorreja e pushkatuan të parin. Pas breshërisë, Nikoll Deda shpëtoi… Më falni jetën se më fali Zoja- tha, por një partizane “trime” i afrohet e fyen sekretarin e rinisë dhe qëllon për vdekje duke lënë dy jetimë, gruan dhë nanën qyqare.

Gjaku i Zef Mirit, Mark Mirit, Ndue Mirit, Ndue Franit (nipi i Mirajve që u ndodh rastësisht në Gurëz, nga Malsia), Gjo` Vatit, Nikoll Dedës, Mark Stakës, Nik Tom Prelës, Matush Kolës dhe Zef Nik Stakës njomi tokën e përzhitun të Gurëzit në atë fundgushti 1946. Ekzekutimi ndodhi në po atë vend ku u vra Rexha. Kjo ishte masakër, sepse u krye në sy të fëmijëve, grave, nanave dhe të moshuarve.  –“Askush mos të mungojë nesër në ekzekutim. Kush nuk vjen ka shtirë mbi Babë Rexhën…”

Ky ishte fillimi.

Gurëzi kaloi i gjithi në shtet-rrethim gjatë atij viti, në veçanti para ngjarjes në pyjet e Gorresë së Poshtme, më 11 tetor 1946, kur u vra sipas një skenari, zv/komandati i postës vendore kapteri Rrahman Xhemali nga Kuçi i Kurveleshit.

Paraushtarakët, ata që kishin mbiemër të njëjtë, kur paraqiteshin për t'u rekretuar në shërbimin ushtarak në degën ushtarake të rrethit, kaloheshin në filtrin politik. U kujtohej vazhdimisht e u thuhej: “Çfarë lidhjeje ke pasur me filanin, pushkatuar apo të dënuar për ngjarjen e Gurëzit?”. Ky vend ishte futur në rreth të kuq deri në vitin 1991, para ndryshimit të "butë" nga sistemi ekonomik i planifikuar në sistemin ekonomik 30-vjeçar që deri në këtë 75-vjetor mbeti anarshist e shumë kriminal.

Përmbysja e komunizmit ishte një slogan.

Eshtrat e Bab' Rexh's janë rivarrosur në vorret e dëshmorve të Rrethit të Krujës, në qoshen J-P të tyre. Eshtrat e dëshmorëve të Pavarësisë nga Gurëzi ndodhen simetrikisht me të tijat, në anën V-L. Në këtë 75-vjetor ende dëshmorëve të masakrës së Gurëzit nuk u ësht' ngritur një përmendore. Sa të "rrnojme do ta tregojmë" këtë masakër ndaj vendit tonë dhe do të kujtojmë emrin e mikut të Gurëzit Rexh' Deliu dhe emrat e dëshmorëve të masakrës së Gurëzit: Zef Mirit, Mark Stak's, Mark Mirit, Nik Tom Prel's, Matush Kol's, Gjo' Vatit, Nikoll Ded's, Ndue Mirit, Zef Nik Stak's, Ndue Fran Rrukaj.

 

Shënim: Kujto.al do të publikojë në vazhdim edhe ngjarjet që pasuan dhe që shkaktuan viktima të tjera të pafajshme mes banorëve të Gurëzit, përgatitur nga Ndue  Hoti.

Në foton kryesore: Në sens orar, Nik Tom Prela, Matush Kola, Ndue Frani, Nikoll Deda, Mark Staka

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.