Gurëz 1946/Përgatitja e një masakre

0
792
blank

Mund të ishte subjekti i një vepre epike, të shtrirë, të rëndë, tronditëse, por është një ngjarje e vërtetë e 75 viteve më parë, për të cilën, si për shumë të tjera, historia zyrtare ende nuk ka shkruar. Ing.Ndue  Hoti, përmes bisedave me njerëz që i kanë jetuar ato ngjarje, hulumtimeve, studimit të vendimeve të gjykatave ushtarake të Tiranës dhe Krujës, është përpjekur të rindërtojë ngjarjet e atyre muajve terrori në fshatin e Gurëzit, apo Gurrëzës, siç shkruhet sot në hartë, të mbushura me vrasje, mister dhe viktima të pafajshme

Nga Ndue  Hoti

75 vjet më parë te Hanet e Gurëzit, më 24 gusht 1946, në dugajën e Ndue Mirit mbërriti me kalë shale, i shoqëruar prej truprojës së tij, Rexh Deliu (1898-1946).

Prof. Prenk Uli, autori i librit që ban' fjalë për jetën dhe veprën e Rexh Deliut, në faqen 5 na jep të dhëna për datëlindjen, në fshatin Rinas të Krujës, më 18 gusht 1898 të Rexhës, që ishte fëmija i parë i Deli Rexhës dhe e pagëzuan me emrin e gjyshit Rexhep… Në rini, Rexha punoi si punëtor i thjeshtë në Tiranë, pastaj njihet me njerëz me emër, deri te drejtues të Luftës Antifashiste si Myslim Peza dhe me ata të Krujës deri te Mustafa Kacaci. Mori pjesë edhe në Konferencën e Mukjes 1-3 gusht 1943. Në këtë mbledhje merrte pjesë edhe Mark Miri (1875-1946) nga Gurëzi, me përfaqësues të Legalitetit, ish-kapiten rezervë i Mbretërisë si edhe Mark Staka (1880-1946), të dy banorë të trevës së thellë fushore të rrethit të Krujës. Gurzakët njiheshin edhe me përpara me Rexh Deliun, kishin marrë pjesë në zgjidhjen e problemeve shoqnore në vendet e tyre, si pajtime, rekrutimin e partizanëve në fillim në çetën Krujë-Ishëm, e cila shërbeu si bazë për krijimin e batalionit (Rexha ishte komandant i këtij batalioni) dhe më vonë për Brig. XXIII Sulmuese, etj..

blank

Në fq.97, autori shkruan se, me dt. 24 gusht 1946, Rexh Deliu shkon në Gurëz me cilësinë e menaxherit të zgjedhjeve për Frontin Demokratik. Pasditen e kaloi te Kafja e Ndue Mirit nën shoqërinë e krerëve kryesorë të vendit, si miku i vjetër Mark Miri, Mark Staka, Zef Miri (1870-1946), Gjo Vati, Mark-a Mirashi (Kryetar i Reformës Agrare në Gurëz), Nik Tom Prela (sekretar i Komis. Ndarjes së Tokës-Gurëz), Llesh Kol Nishi (Anëtar i Komisionit të Ndarjes së Tokës), Nikoll Gjoka, Idriz Meta, Sherif Binaku, Sali  Vata, kryetari i Këshillit të lokalitetit Gurëz, Llesh Miri (1918-1946), mësuesi i fshatit, një ortodoks nga Jugu i quajtur Lluka  Prifti, etj..

 

Ndue Miri, pronari i lokalit e kundërshtonte vendimin e qeverisë për Reformën Agrare. Llesh Miri e mbështeste këtë vendim të qeverisë, Mark Miri qëndronte neutral. Mbasdite vonë, miqtë u bajtën te shtëpia e Mark Mirit. Rexh Deliu, që në fillim, tregoi se ishte përpjekur të ndikonte në Postën e Mbrojtjes Popullore të Krujës për çështjen e dorëzimit dhe të faljes së Frano Mirit, të dënuar me vdekje pas arratisjes nga burgu i Tiranës, me disa të tjerë pak orë para ekzekutimit të vendimit të gjykatës, vitin e kaluar. Ky interesim nuk ishte pritur mirë nga disa drejtues të Postës. Kjo ndërhyrje ishte motivuar si oportunizëm, dobësi e Rexh Deliut. Pastaj vazhduan debatet për Reformën dhe Zgjedhjet për Frontin Demokratik, nën dritën e llambës allafranga me vajguri si dhe tingujve e kangëve me lahutë deri pas mesnate.

 

Bëjmë një ndalesë në përshkrimin e ngjarjeve nga ana e autorit të këtij shkrimi, Ing.Ndue Hotit, të cilat tregojnë që njerëzit e Gurëzit dhe veçanërisht familja Miri, ku Rexhë Deliu bujti një natë para vrasjes, nuk kishte asnjë arsye për ta goditur Rexhë Deliun të nesërmen, në mes të fshatit. Ata e njihnin, e donin dhe e respektonin atë njeri. Ashtu si dhe ai, ata. Dhe kjo është pika e kthesës së marrëdhënies së tij me Partinë. Ajo jo vetëm nuk mund të pranonte që dikush t’i mbante anën një armiku, siç e konsideronin Frano Mirin, por nuk mund të pranonin as që një njeri, qoftë edhe nga radhët e saj, të respektohej e të kishte ndikim në një fis apo krahinë të tërë. Nëse kishte njerëz me ndikim të tillë, atëherë, siç e tregojnë dhjetëra- ndoshta- shumëfish-raste të atyre viteve, ata eliminoheshin. Dhe me të njëjtin gur, pushteti, që njerëzit i konsideronte më pak se zogj, pasi eliminonte këta njerëz, eliminonte dhe një grup armiqsh, duke i akuzuar si fajtorë për vrasjen që e kishte bërë vetë.

 

Kush ishin Mirajt dhe pse pushteti i konsideronte armiq?

Fran Mirit dikush i kishte sygjeruar, që më mirë të arratisej se sa të të vazhdonte të qëndronte në atë punë shteti e kjo po i tërhiqte vëmendjen nga rreziku. Këtë ia tregon dhe vëllait, Gjekës dhe vendosen të dalin në mal. Po bëhej një vit që me largimin nga shpia në Potok, “dalja në mal” e dy djemve të Zef Mirit. Hija e randë e një hakmarrjeje vinte mbi shpijat e Mirajve, në veçanti te e Zefit. Mendojnë t’i mashtrojnë, u premtojnë falje dhe rikthim në vendet e mëparshme. Frani kishte qenë intendent në një repart. Garant për premtimet futet baba i tyre dhe një prift. Frani pranon, por nuk kalon shumë kohë dhe e arrestojnë në vendin e punës. Gjykata e dënon me pushkatim. Këtë ia thotë dhe të atit kur i shkon për takim. Atë ditë kishte qëlluar, që pas mesit të natës, në ora tre të mëngjesit do të ekzekutohej vendimi. Zef Miri kthehet në shpi dhe i prekur thellë, i tregon familjes për fatin e Franit. Orët e parapushkatimit kalojnë shpejt, po vinte ora tre e mëngjesit, por nuk ndodh ashtu. Një tak-tak në derë dhe… “Jam unë Frani”. Mendoj se familja nuk u ka besuar veshëve, një gjë mistike po ndodhte, por jo është vetë Frani, është gjallë… “Kemi thyer burgun, ushtria po na ndjek, dy shokë më presin te Pusi i Derrave, duam diçka për të njomur fytin”. Po afrohej pesa e mëngjesit, Frani largohet, ja mbërrinë forcat e ushtrisë. Shtëpia e Zef Mirit rrethohet. Dikush jep urdhër që shtëpia të zbrazet. Gjithë familja, ashtu siç u ndodh u ngarkua në një kamjon, vetëm me rrobat e trupit, pa ushqime drejt e në kampin e internimit në Berat, në një çadër. Shpia do të sekuestrohej, do të kthehej në postë kufitare. Shumë sende të çmuara i nxorën në ankand. Shumë relika deri fotografi do të humbisnin nëpër arkiva. Pati nga ata persona që i blenë mallrat, por kur u kthyen nga internimi pas pesë vjetësh ua kthyn disa syresh. Ndërkohë, Gjek Miri ndodhej në Vermosh. Pas disa muajsh organet e sigurimit bëjnë një plan: të lirojmë Zefin nga kampi, ta kthejnë në shtëpi,..dhe patjetër Frani do të tundohet për të takuar të atin dhe të mësojë diçka për familjen në internim, ku kishte të shoqen Agen me djalin Lekë tre muajsh, nanën Lulë me dy jetmët e Gjekës (kishin humbur të ëmën), Terezën dhe Luigjin. Frani nuk kthehet në Fushkuqe te i ati, por i maskuar si oficer, arrin në një fshat të Beratit, ku po punonte i vëllai Pjetri, hipur mbi një makinë fshirëse. Vëllai i vogël nuk po e njihte vëllain. Vertet një aventurë. Lulë Mirja deri sa vdiq nuk do t`i shikonte më djemt e saj.

Fran Miri nuk dorëzohej, nuk kapej, i zgjuar, i fuqishëm. Kështu kishin qenë edhe në luftë kundër fashizmit. Mark Miri i kishte bërë rezistencë pushtimit fashist më 1939, për këtë e kishin arrestuar e dënuar me gjashtë muaj burg. Kështu kishin luftuar edhe Nikolla e Pjetri deri sa u vranë me turqit në qershor 1912. Gjek Miri, shkruan Kol Jakova në RD, më 1 dhjetor 1993, kishte qenë një trim i madh: mitrolozi në bunkerin ku është sot Ushtari Panjohur po pengonte forcat partizane të merrnin Tiranën. Ai kur e pa bunkerin dhe situatën që krijonte, gjeti një gur të madh, u shtri në mes të piacës, mori një bidon me benzinë me vete dhe zuni të rrëshqasë me guxim drejt bunkerit. Mitrolozi i rëndë i bunkerit nuk shtinte rrafsh me tokën, kështu predhat i shkonin Gjekës mbi kokë. Kështu, duke përparuar e arriti bunkerin, ia hodhi benzinën dhe e ndezi me shpërthimin e një bombe angleze. Bunkeri u mbulua nga flaka, u asgjësua, duke lënë pa mend forcat rreth e rreth që nuk po u besonin syve, që ndiqnin me ankth veprimin e Trimit. Të tillë trima kishte lindur shpia e Mirajve dhe Toka e Gurëzit dhe jo armiq.

Dita e vrasjes së Rexhë Deliut-Fillimi i terrorit

Të nesërmen, sipas axhendës për takim me popullin, arritën në oborrin e kishës, por personi i caktuar për zgjedhjen e vendit për zhvillimin e mbledhjes me të ngarkuarin për propagandë politike nga qeveria, kishte ndryshuar mendimin momentin e fundit, pra jo në oborrin e kishës, por nën hijen e manave në skajin V-L të vorrezës, për çdo ngjarje të jashtëzakonshme, për "siguri" më afër Postës MP-Gurëz, tribuna me pamje nga manat, me kurriz nga dielli, nga shkolla fillore. Shoqëruesi i të deleguarit të rrethit për zgjedhjet dyshoi për këtë ndryshim të vendit dhe këtë ia thotë Rexhës. Babë Rexha pasi u mendua pak - shkruan autori i librit biografik P. Uli - iu kthye shoqëruesit: "Nuk është e drejtë të ngrihet i gjithë populli e të vijë këtu te oborri i kishës, ne jemi vetëm dy vetë, ne duhet të shkojmë atje, pavarësisht se ata e ndryshuan vendin e mbledhjes, pa na pyetur". Gjatë rrugës përmes varrezës, ai u shkëput dhe shkoi te komanda pranë lumit Mat dhe la në ruajtje armën automatike dhe u kthye në vendin ku ishte mbledhur populli. E gjithë komanda e postës dhe ushtarët e saj tani gjendeshin në krah të të deleguarit, disa ulur rrafsh, disa në këmbë. Autori shkruan se ndodheshin në atë tubim rreth 1500 vetë (nuk besoj në këtë shifër, shën.im n.h.).

Në ora 11:30 kur populli ishte përqendruar gjithë vëmendje duke pritur fjalimin e Rexh Deliut, një krismë e vetme e fortë, sikur shpoi bri më bri të gjithë të pranishmit dhe paniku çorientoi të pranishmit- kështu e tregonte gjyshi im Gjon M. Bajraktari (1912-1980) që kishte marrë pjesë në atë tubim. Rexha kishte mundur vetëm sa të hapte këllëfin e pistoletës dhe ishte rrëzuar në prehërin e njërit prej ushtarakëve të Postës së Mbrojtjes se Popullit (MP). Rexh Deliu mbeti i vdekur në vend. Sipas gjyshit tim nga Alku, të gjithë të pranishmeve po "t'ua prejshe mishin, nuk u dilte një pikë gjak". Te të pranishmit u fut paniku, populli kërkonte të largohej, por ushtarët morën urdhër, që populli të rrethohej e të ndalohej. Pyetja e parë ishte (provokuese), kush qëlloi !!?? Pastaj komandanti i Postës filloi të lexojë disa emra të shkruar (më parë) në listë. Dikush tha duke drejtuar gishtin nga tribuna, se e qëlloi kapteri i ulur në krahun e majtë të të deleguarit të Frontit Demokratik. Të tjerë thanë se krisma erdhi nga lumi, Posta, të tjerë thanë se erdhi nga pema sipër. Thonë se në atë rrëmujë kapteri vrapoi për nga Posta, ku ndërroi armën dhe u kthye përsëri. Shumë nga të pranishmit meshkuj u ndaluan, u lidhën me pranga e në mungesë të tyre edhe me tela. Burrat u mbajtën të rrethuar e nën kontroll brenda mureve të kishës deri të nesërmen.

Vazhdon...

Shënim: Kujto.al do të publikojë në vijim shkrime për vazhdimin e ngjarjeve, duke filluar nga masakra e 28 gushtit, ku u pushkatuan 10 burra të akuzuar për vrasjen e pazbardhur të Rexhë Deliut.

Në foton kryesore: Fragment nga një foto e vitit 1935, tragjike si ajo e Romanovëve. Në të ndodhen disa të ekzekutuar në vitin 1946, si Zef Miri, Llesh Miri dhe familjarë të tyre që u internuan e u burgosën.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here