"Malli për nanën e burgosur...”

2
1707
blank

Rrëfimi i Aleks Kapllajt për burgun e nënës dhe babait gjatë diktaturës… “ Malli për nanën në atë moshë mbetet për tanë jetën dhe nuk hiqet ma as kur e ke afër dhe kur e shtrëngon mes krahëve. Boshllëku i mungesës së saj në jetën tonë mbetet i tillë për pjesën tjetër të jetës. Mungesa e  dashurisë së saj e bënte më të vështirë pritjen, që dukej e pafund…”

 “…Ata që e organizuan dramën e familjes sonë ishin shumë të vegjël, tepër të vegjël para nesh. Ne ishim viktimat e tyne por ne ishim dhe dënimi moral i përjetshëm për padrejtësinë që na bënë, një dënim që e kanë mbajtur dhe do ta kenë mbi shpinë, tanë jetën e tyne”.

Intervistoi: Luljeta Progni 

Lexova mesazhin që ju keni shkruar se ishit në gjyqin që po i bënte fshati prindërve tuaj, është padyshim kujtim i hidhur, por çfarë ju ka mbetur më shumë në mendje nga ajo ditë?

Dita e gjyqit të prindërve të mi më ka mbetë në kujtesën teme si dita ma dramatike për familjen tonë. Që nga ajo ditë jeta jonë nuk do ishte më si më parë. Bomba e terrorit komunist që na hodhën në shtëpi, na shkatërroi qetësinë dhe lumturinë e familjes sonë, për aq sa mund të quhet e tillë në regjimet diktatoriale.

Që nga ajo ditë do të ndryshonte e ardhmja jonë, duke u futur në një tunel të gjatë vuajtjesh, dhimbjesh, privimesh, përbuzjesh dhe persekutimesh, që do të mbaronin vetëm me shembjen e komunizmit dhe ardhjen e demokracisë, de jure se de fakto nuk ka ardhur ala.

Atë ditë, nuk ishte gjyqi i fshatit kundër prindërve të mi, sepse njerëzit e fshatit dhe qytetit tonë, Lezhës, shumica në heshtje, ishin në mbështetje të familjes sonë. Por ishte gjyqi i disa njerëzve të këqij që u bënë shërbëtorë të regjimit komunist për interesat e tyre meskine reciproke, duke goditur të pafajshmit për të terrorizuar të gjithë rrethin e Lezhës.

Kur Kastriot Dervishi publikoi foton e një të pandehuri që shoqërohej në një kamionçinë nga policët e armatosur, m'u kujtua ajo "foto" e kujtesës që tanë jetën e kam rujt në menjen teme, si momenti ma dramatik i jetës sonë.

Baba i jonë ishte i lidhun me pranga me dy të tjerë, njeni mas tjetrit, të tre të akuzuar si sabotatorë të ekonomisë socialiste.

blankIshim aty edhe ne për me ndjekë gjyqin e prindërve tanë, që regjimi komunist i akuzonte me akuza të randa, që mund të dënoheshin deri me pushkatim. Ishte koha kur në Shqipëri kishin pushkatuar e burgosur shumë “grupe armiqësore" të pushtetit popullor në Tiranë. Në rrethe, njerëzit e partisë ishin përqendruar të aplikonin politikën dhe mësimet ideologjike që kishin mësuar në shkollën e saj në kryeqytet në luftë kundër armikut të klasës.

Prindërit e mi, Prena Stakaj Kapllaj e Martin Kapllaj u arrestuan në vitin 1977, e para u arrestua nana (12 shtator) dhe më vonë baba (më 28 dhjetor)...

Tanë jetën teme që i kam kujtuar ato momente, vetëm ose me vëllain dhe motrat e mia, apo kur kam treguar historinë tonë, çdo herë ato momente na kanë tronditë si atë ditë të gjyqit apo ditët kur arrestuan prindërit tanë. Lotët e shoqëruan jetën tonë për vuajtjet nga mungesa e prindërve për pesë fëmijët (Violeta Kapllaj 14 vjeçe ma e madhja, Florinda Kapllaj, Vera Kapllaj, Arben Kapllaj dhe Aleks Kapllaj 6 vjeç, ma i vogli) të mbetur "jetimë" me prindërit gjallë dhe të lënë vetëm me dy gjyshërit tanë Drane Kapllaj e Vat Kapllaj dhe në ndihmën e tezes sonë të dashur Shaqe Loshi dhe axhave Marash dhe Prelë e në mëshirën e Zotit.

A mund të kthehesh tek ai moment, fëmija 6-vjeçar që sheh nënën dhe babain para gjyqit të popullit e të rrëfesh ndjesitë e një fëmije në këtë pozitë të pazakontë?

Po, fotografia në kujtesën time ishin ato pranga që ia kishin shtrënguar deri në kockë babës dhe kur po uleshin nga kamionçina e shtynë.. duke qenë i prangosur me një tjetër, ai bërtiti nga dhimbjet që i shkaktuan hekurat e prangave, që nuk ishin gja tjetër vetëm katër shufra hekurash të saldume që shtrëngoheshin me dy bullona me dado. Ajo britmë dhimbjesh më ka mbetë edhe sot në mendje dhe më duket se e ndoqi babën tem deri ditën e fundit të tij.

blankPër mua, ai moment ishte pjesa e dukshme - një pikë uji në oqeanin e dhimbjeve - që ata kaluan gjatë 14 muajve torturash dhe vuajtjesh në hetuesi të përsekutuar me terrorin psikologjik se në fund të hetimeve ata i priste vetëm pushkatimi.

Dua të them se gjyqi nuk ishte i popullit se populli na donte shumë. Baba i jem ishte shefi i planit ekonomik në të gjithë fshatrat përreth Lezhës, pjesa e Ishull-Lezhës e Ishull-Shëngjinit dhe i kishte ndihmuar shumë banorët e këtyne zonave. Më kujtohet një herë një moment, kur takova një person që punonte në një karburant, në vitet '90, më afrohet e më thotë: "Ti je djali i Martinit? Baba i juaj na ka shpëtuar jetën kur ne po vdisnim urie". Ky person ishte Viktor Leka, baba i modelit Ronaldo Leka, që jeton në Kinë e që i dhuroi Shqipërisë 300 mijë maskerina gjatë pandemisë.

Me burgosjen e prindërve, unë me vëllain dhe motrat tona mbetëm të braktisur në mëshirën e fatit dhe të kujdesjes së disa të afërmëve tanë që ofruan dashurinë dhe ndihmën e tyre. Unë dhe vëllai im kishim 6 e 7 vjeç dhe ishim në një moshë që kishim nevojë për praninë e prindërve e sidomos për nanën tonë. Për disa javë na thoshin se nana ishte në spital, por me mungesën edhe të babës, nuk mund të fshihej ma e vërteta. Na thanë se prindërit nuk mund të vijnë në shtëpi për një kohë të gjatë.

Por edhe motrat, që më e madhja kishte 14 vjeç ishin në një moshë delikate që prania e nanës është shumë e rëndësishme. Njëkohësisht, ajo që dhemb dhe që la shenja për tanë jetën ishte se dy motrave ma të mëdhaja, u takoi të fillojnë punë në fermë e kooperativë qysh 14 vjeçe, duke ba punë të randa, për të siguruar të ardhurat për mbijetesë për familjen, duke braktis andrrat e tyre rinore për studime të mëtejshme.

Më thatë se nëna ishte arrestuar disa muaj më herët se babai, e patë nënën kur e arrestuan …?

Nanën nuk e kam pa duke e arrestuar sepse nuk isha në shtëpi. Por nanën ditën e arrestimit e thirri një e "njohur" e familjes, që sapo ishte kthyer bashkë me të shoqin nga Tirana që kishin mbaruar shkollën e Partisë. I tha: "Të ka kërkuar kryetari i kooperativës dhe don me folë me ty, më tha". Ajo e shoqëroi mamën tonë deri te xhipi i sigurimit dhe aty u futën në makinë. Mbas 10 minutash ajo doli dhe e la nanën tonë vetëm në xhip, i cili e çoi direkt në Degën e Brendshme.

Kjo zonja dhe i shoqi ishin personazhe që njiheshin si çifti komunist. Kishin përfunduar edhe shkollën e komunizmit në Tiranë.

Ata kur u kthyen nga kjo shkollë ishin transformuar. Kishin në sy urrejtjen për armikun e klasës dhe ishin në kërkim të tyre. Ishin shumë ambiciozë, por fodulla e bosha në shpirt dhe në mendje, por ndiheshin të plotfuqishëm për t'i shërbyer partisë e për këtë mund të shkatërronin edhe familje.

Unë i kam njoftë nga afër se ne kishim hyrje e dalje familjare dhe në jetën teme sa herë i kam takuar i kam krahasuar me zvarranikë që afroheshin pa u ndier dhe me një servilizëm, që ka qëllim të shkurtojnë distancën me ty e të kafshojnë me pabesi nga etja për gjak.

Për 14 muaj rresht nanën nuk e takova asnjëherë, sepse nuk na lejonin se e konsideronin një armike shumë të rrezikshme dhe ishte përherë në izolim ose siç quhej birucë. Mbas 14 muajsh, e pashë në sallën e gjyqit të mbushur plot e për plot . Njëkohësisht gjyqi transmetohej me altoparlant jashtë, për ata që nuk kishin mundur të hyjnë në sallë. Babën e pashë kur po hynte, ndërsa nanën e futën nga një hyrje tjetër. Unë kërkoja nanën me sy dhe ajo mua. Dikur arrita ta dalloj mes policëve. I kishin pre flokët dhe ishte krejt në të zeza. Ishte dobësuar shumë dhe kishte një trishtim në çdo qelizë të qenies së saj, por ishte krenare. Ishte ma e fortë dhe kurajoze se të tanë ata që ishin në atë sallë. Ajo i mbante kryet lart dhe nuk i linte të flitshin dhe hidhte poshtë çdo akuzë. Dukej se ajo po u bante gjyqin moral atyne.

blankShpesh kur e kujtoi atë moment me ngjason me foton e gjyqit të Musine Kokalarit.

Sa me pa ajo buzëqeshi dhe më përshëndeti me shikim. Mrapa u përqendrua në ndjekjen e gjyqit. Hodhi poshtë çdo akuzë për tri ditë rresht. Hodhi poshtë edhe ato që kishte firmosur.

Gjykatësi që po zhvillonte procesin i drejtohet: "E pandehur pse i keni firmosur këto akuza"? Nana e jeme i përgjigjet: "Sepse me kanë kërcënuar me pistoletë te veshi dhe jeta asht e amel e nuk mund të lija pesë fmijë jetim".

Kur i arrestuan e burgosën prindërit, çfarë ndodhi me ju, kush kujdesej për ju fëmijët? Si ishin ditët e tua pa nënën edhe pa babanë?

Çdo sekondë dhe moment i jetës sonë kur prindërit ishin në burg ishte një vuajtje dhe dhimbje zemre që nuk mund të përshkruhet. Vetëm ata që e kanë përjetuar mund ta kuptojnë. Qëllimi i vetëm ishte të ndiqnim këshillat e prindërve që të vazhdonim mësimet dhe me dalë me rezultate të mira. Dua të them se ne shiheshim në Lezhë si "fatkeqët" që na ra shorti për të terrorizuar banorët e rrethit tonë. Keqardhja e tyre ishte ma shumë një detyrim në këmbim të fatit të tyre që nuk ishin në vendin tonë.

Çfarë bëje ti, kur të zinte malli për nënën… i kujton dot ato momente?

Cili është ai njeri apo ata njerëz që ju ndihmuan në ato kohë të vështira?

Shumë ishin njerëzit e mirë që na ndihmuan dhe na lehtësuan vështirësitë e asaj kohe. Teze Shaqja, axhat tonë të dashur, Marash dhe Prelë Kapllaj ishin mbështetja dhe shpëtimi ynë. Por gjyshërit tanë Vat dhe Drande Kapllaj ishin ata që e mbajtën familjen tonë të bashkume dhe që na shpëtuan nga një internim i mundshëm në zonat e thella malore të Lezhës.

Cilët ishin ata njerëz që të kujtohen për keq dhe a je ndeshur me ta pas vitit 1990?

Ishin disa persona që kishin marrë pjesë në "komplotin" kundër familjes sonë që na konsideronin "armiku i klasës", vetëm sepse dajat e babës sonë ishin fretnit antikomunistë At Klement Miraj dhe At Mëhill Miraj, që edhe para gjyqit deklaruan se ardhja e komunizmit në Shqipëri ishte një tragjedi kombëtare që do ta çonte vendin në një luftë klasash dhe përçarje. Kisha neveri për të gjithë ata sa herë i shihja në rrugë, por nuk i urreja kurrë. Gjyshja jonë na thoshte përherë se duhet t'i falim. Ashtu bame. Por ajo që më bënte përshtypje ishte se ata që e organizuan dramën e familjes sonë ishin shumë të vegjël, tepër të vegjël para nesh. Ne ishim viktimat e tyne, por ne ishim dhe dënimi moral i përjetshëm për padrejtësinë që na kishin ba dhe që mbajtën mbi shpinë tanë jetën e tyne.

Por duhet thanë se të gjithë e morën dënimin prej Perendisë.

Duhet theksua se i biri i njërit prej atyre që i bënë keq prindërve të mi, na kërkoi falje për dhimbjet që na kishin shkaktuar prindërit e tij. Rast i rrallë sot, kur vazhdon akoma krenaria e kriminelëve për krimet e tyre nga ata vetë dhe bijtë e tyre.

Por fundi i hetuesit Gj. Lajthia ishte i veçantë. Njeriu që drejtoi hetimet ndaj prindërve të mi, mbas '90 u bë avokat. E shihja shpesh në qytet dhe shpesh kisha tundimin ta godisja për atë që na kishte bërë, por nuk mundesha sepse njihja edhe fëmijët e tij.

Si e kujton ditën kur nëna u kthye nga burgu? Po ashtu, ditën kur babai u kthye nga burgu si e kujton?

blankDitën kur u kthye nana jonë nga burgu ishte një festë e madhe. Mbetet një ndër ditët më të lumtura të jetës teme. E njëjta forcë emocionale. Nipa, mbesa, të afërme..tanë lagjja jonë kishin dalë me e pritë. Ishin të tanë të lumtur dhe kurioz me e pa' si ishte. Shpija jonë e vogël u mbush plot me njerëz, shumica gra dhe vajza, shoqet e nanës dhe të motrave tona. Të tanë zgjateshin me e pa' sikur ishte një njeri i ardhun prej nji planeti tjetër…

Çfarë të dhemb më shumë nga kjo kohë e vështirë?  Çfarë të ka mbetur më shumë në mendje?

Dhimbja nuk na u nda ma për tanë jetën. Nga një familje normale dhe e qetë në harmoninë e saj me kushtet e kohës së burgut "Shqipëri", kaloi në një luftë për mbijetesë duke evituar shërbëtorët e regjimit që na banin jetën ma të vështirë. Ajo që më ka tronditë jashtë mase ishin vuajtjet që kishte kalue nana në burg. Në fletoren e saj të kujtimeve ajo kishte shkrujt: "Për 14 muaj hetuesi, çdo natë vijshin hetuesat e më torturonin duke me kapë për flokësh dhe gjuajt me grushta e shtjelma me majën e këpucës. Ndodhte që sapo me kishte kapë gjumi duke menduar për fmitë e mi, ku janë a kanë fjetur dhe a kanë pasur bukë me hangër, kur futej hetuesi i radhës e fillonte pyetjet dhe torturat. Te tanë kishin të njëjtën metodë torturash, të pashpirtë sepse kishin një urrejtje të pafund për ne. Nuk e kuptoshim pse?".

Në njëvjetorin e kalimit në amshim të babës miqtë e familjës sonë më kanë lanë këto mesazhe ngushëllimi.

Vitore Frani

"Më kujtohet si tani se kur kishin gjyqin prindërit e tu, unë isha me nanen teme. Nanën e babën tënd i akuzojshin vetëm për propogandë, se nuk dishin se për çfarë të akuzoheshin. Nuk më harrohen fjalët e "tezes", që i thoshte hetuesit: "me keni ra me gryken e pistoletës".  Zoti e dënoftë farën e komunistave".

Fran Vuksanaj

"Past dheun e lehte shoku im dhe miku im i paharruar Martini....gjithë kohën ishte lojtari im i skuadrës së shahut i paharruar i respektuar, një DEMOKRAT i flakët dhe për ndryshim, që kurrë nuk u përul përpara bishës dhe spiunëve të Diktaturës.

I PAHARRUAR QOFTE KUJTIMI I tij. Shpirti i tij pushoft ne paqe.

Shumë emocionuese ishte mesazhi i Rudolf Markut, profesori im dhe miku i babës dhe i familjes i cili ka shkruar:

"Respekt dhe kujtesë të përjetshme zotit Martin. E kujtoj me atë buzëqeshje të amël dhe sytë e butë e të paqtë- njëri ndër njerëzit më të mirë që kam njoh gjatë jetës.

I takon Parajsës dhe u prehtë në Paqen e përjetshme Shpirti i tij i bukur"!

Respekt të veçantë kujtimit te Martin Vat Kapllajt- një burrë ndër më të rrallët nga fisnikëria dhe mirësia. Mbetet në kujtesën time ajo buzëqeshja e tij plot dritë dhe sytë e tij të butë e aq paqësor!

U prehtë në Paqen e përjetshme Shpirti i tij i bukur!

blank

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

2 KOMENTE

  1. O zot çfare sakrificash dhe vuajtjesh njerzore ! O njerez, te pakten ju bashkevuajtes, si nuk leni nje koment ... si ka mundesi nje indiferentizem i tille shoqeror ?! Sa poshte ka ra morali i kesaj shoqerie ....

  2. E dhembshme, prekese, emocionuese ngjarja qe pershkruan i interbvistueri, z.Aleks Kapllaj, per burgosjen dhe torturimin e prinderve te pese femijeve te mitur, pa asnje faj te te akuzuareve, por me fajin e akuzuesve, njerezve te vegjel te cilet nuk bejne hije as ne driten e diellit. Padyshim, torture me madhe se ato fizike e psiqike qe iu kane shkaktuar hetuesit, prindet: Prena e Martin Kapllaj kane pasur duke menduar per jeten e femijeve te mitur. Fale drejtesise se Zotit, pas 14 muajve vuajtjeje, prindet u kthyen ne shtepi, vazhduan jeten nen survejimin e terrorit komunist, por priten dite te mira, rritjen, shkollimin dhe punesimin e femijeve, te cilet u bene te njohur e te respektuar. Nena Drane ne kete bote, po edhe babe Martini ne boten tjeter, jane krenar me bijte dhe bijat dhe nipat e mbesat e tyre. Vuajtjet e Familjes Kapllaj te Lezhes, i kane perjetuar mijera e mijera familje shqiptare ne terrori komunist. Secila familje ka romanin e vet te vuajtjeve te egra.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here