Mojs Miraka, dënimi me burgim, proceduar nga 4 bashkëpunëtorë dhe 6 denoncues

0
302
blank

Diktatura dënonte vetëm për shkak të origjinës. Këtu mbështetej thelbi i dënimeve të saj sepse këto formulonin “forcën” e luftës së klasave. Kështu ndodhi edhe me Mojs Kolë Mirakën (1938-2001). Pas internimeve të gjata, regjimi vendosi ta burgosë. Propozimi erdhi nga rrethi ku ishte internuar, në Lushnje. U mor edhe mendimi i sekretarit të parë të Komitetit të PPSH-së, i cili ishte dakord.

Me shkresën nr.451/1, datë 7.7.1979, Drejtoria e Hetuesisë në MPB, i kthente dosjen formulare nr.319, me 89 fletë, vendimin e arrestimit, fillimin e transferimit të çështjes, 5 procese kallëzimi (në gjyq shtohet edhe një), biografinë dhe certifikatën familjare kundër Mojs Kolë Mirakës.

Në relacion thuhej se i ati Kolë Bibë Mirakaj dhe xhaxhai Pal Mirakaj, ishin arratisur dhe kishin vdekur. Ishin vrarë nga regjimi xhaxhai Pashuku dhe vëllai Ndoci. Pas lufte familja ishte internuar në Berat, Tepelenë dhe më pas në sektorin Gradishtë. Më 29.8.1977 ishte ngritur në përpunim aktiv 2A “për veprimtari armiqësore në formën e agjitacionit dhe të propagandës kundërrevolucionare”.

Sipas bashkëpunëtorit “Pandelija”, dilte se “në mënyrë të organizuar” me “armiq” si Sazan Dine, Ahmet Kolgjini, Genc Pervizi, etj., zhvillonte veprimtari armiqësore. Ishte shprehur se arbëreshët e Italisë gëzonin të drejtën e fjalës. Të dhëna kishin sjellë edhe bashkëpunëtorët “Korabi”, “Aparati”, “Pena”.

Në thelb të të gjithave ishte jeta e keqe që bëhej në vendin tonë si dhe opinioni se pas prishjes së marrëveshjes së Mukjes filloi vëllavrasja. Kësisoj Mojsi u arrestua më 10.7.1979. U akuzua në bazë të nenit 55/1 të Kodit Penal. Gjykata nuk e fshihte karakterin klasor të goditjes, kur artikulonte fjalët:

“I pandehuri Mojs Mirakaj, duke mbështetur veprimtarinë armiqësore të babait të tij, është kthyer në një element armik duke përhapur ide dhe pikëpamje kundër vijës politike të partisë tonë në drejtime të caktuara. Veprimtaria kriminale...ka patur si objekt cenimin e fitoreve që ka arritur populli ynë nën udhëheqjen e partisë në fushën politike, ekonomike, ushtarake e shoqërore”.

Gjykata e Rrethit Lushnje, e drejtuar nga Zylfi Beqa, me pjesëmarrjen e prokurorit Riza Taullahu, me vendimin nr.104, datë 9.10.1979, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 10 vjet heqje lirie. Mojsi u lirua më 20.12.1986.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here