Klauda Toto: Ju rrëfej lotët e fëmijërisë

0
155
blank

Pjesa e tretë e intervistës së Klauda Totos, e bija e Kristiana Beçës dhe e mbesa e Nikolla Beçës e Elena Noel-it. Ajo rrëfen për kujto.al, vuajtjet e familjes gjatë diktaturës. Vrasja e gjyshit në torturat e burgjeve komuniste, burgosja dhe internimi i gjyshes franceze Elena Noel. Rrëfen se si regjimi komunist e ndau familjen e saj dhe për pasojë Klauda përfundoi në jetimore.

Kujto.al, realizoi dokumentarin që i kushtohej kësaj historie dramatike të familjes Beça, mbështetur në rrëfimin e Klaudës. Kujto.al do të publikojë intervistën e Klauda Totos. Nis me pjesën e parë të historisë, burgjet dhe internimet, pasojat që lanë në familjen e Nikolla Beçës.

blank"Unë kam qenë një fëmijë... vërtet kam qenë melankolike, por nuk kam pasur lot sepse që të kesh lot duhet të dhunohesh, por të kesh lot për dicka që të mungon mama nuk e koncepton dot, nuk ishte puna se unë e kisha mamën, më iku dhe po e përjetoj. Unë erdha, u rrita pa mamë, lot nuk kam pasur, kam qenë melankolike, por jo. Kam qenë një fëmijë i veçantë. Edhe atje ku isha më shikonin me sy tjetër, edhe aty ku kam qenë më kanë dashur, pse më kanë dashur këtë nuk e di, por nuk kam ndier dhunë. Lot malli nuk mund të kisha sepse ke për atë që ke pasur dhe të mungon, unë nuk e kam pasur, unë e kam pasur verbalisht, nga ana emocionale e edukuar, e dhënë dashuria për mamin sepse sot dëgjon ka një divorc dhe i japin urrejtje palës tjetër, kjo nuk ka ekzistuar tek unë. Unë mamën time, n.q..s baba im do kishte fol keq për mamën, ndoshta dhe unë do ta kisha urryer, kjo është meritë e babës tim që më ka dhënë dashuri, por edhe ndjekja e saj nga larg që nuk u rresht asnjëherë, si ajo dhe gjyshja. Pastaj mama ime u martua atje, u lindën 2 çuna, unë kur lindi i madhi, Patrick, unë isha 7 vjeç e gjysmë, pastaj kur lindi Xhalyk unë i kisha kaluar 9 vjeç e gjysmë, afërsisht 10. Diçka që mama ime kur u martua me të shoqin francez, ia tregoi historinë që kishin një vajzë, mirëpo si të huaj që e kanë, e mbyllën me aq, nuk është që ta kultivonte siç kultivoi babai im me mua dashurinë për mamën, edhe ai ta kultivonte te vëllezërit e mi që kanë një motër, kjo nuk u bë. Ndërkohë që unë ashtu siç ndiqte mamaja ime ecurinë time, rritjen time, unë ndiqja ecurinë, nëpërmjet fotografive që më vinin nga mama, të vëllezërve të mi dhe ato nuk dinin asgjë që kishin një motër, unë e dija dhe unë i kisha ndjekur gjithë jetën e tyre nga lindja deri kur i pashë fizikisht që u përballëm, i kisha ndjekur, i njihja.

  • Në Tiranë po rriteshe dhe kishe një motër dhe vëlla nga babai; si vazhdoi jeta jote këtu?

Pasi mbarova shkollën në Durrës, në mjeshtëri sportive, ndërkohë isha dhe sportiste, luaja basketboll, fillimisht e fillova me "Partizanin" këtu, kur isha e vogël, pastaj ika në Durrës, në shkollë, ika me "Lokomotivën" edhe isha një nxënëse shumë e mirë dhe në vit të katërt kur mbaronte shkolla, ne plotësonim një formular për të vazhduar shkollat e larta dhe unë aplikova, por ndërkohë ishin dhe këta spiunët e lagjes dhe më thonë që ti nuk do aplikosh. Me thënë të drejtën, ata mësuesit e mi u çuditën pak me mua sepse isha nxënëse e mirë. Ky ishte efekti i biografisë që mamaja ime ishte franceze, kështu që u ndëshkova. Pasi mbarova shkollën e mesme të mjeshtrisë më caktuan në fshatrat e Librazhdit, nuk ndenja shumë, ndenja nja 4 muaj sepse duke qenë sportiste më tërhoqi Elbasani dhe luajta 5 vjet me Elbasanin, me "Labinotin". Pastaj u martova dhe u riktheva në Tiranë, luajta dhe me "Tiranën", pastaj ngela shtatzënë dhe e lashë përfundimisht, megjithëse më ofruan për t'u bërë trajnere, por unë hoqa dorë sepse kisha gjithmonë atë damkën e biografisë në sport që jo Kombëtare nuk më afronin, edhe kur bënim stërvitje atëherë që ishin jo kinezët, jo kosovarët, unë isha e masakruar nga biografia. Kjo më bëri që mos më tërhiqte më sporti dhe e lashë.

  •    Çfarë ndimkimi pati "biografia"?

Kur përfundova studimet në shkollën e mesme, mua nuk më doli e drejta e studimit për universitet sepse më pengoi biografia. Megjithatë, unë ia dola të vazhdoj studimet më vonë kur u martova me bashkëshortin tim, Fatosin. E kisha shok klase dhe me thënë të drejtën unë e shihja si vëlla, s'kisha asnjë lloj ndjenje për të, vetëm si vëlla, shokë të mirë, djalë shumë i mirë. Si duket, më vonë, kur isha në Elbasan, ai ishte i emëruar në Rrëshen, atje bëri edhe ushtrinë në Spaç, te burgu i Spaçit dhe si duket telefonatat dhe këto, ne kishim një shok të përbashkët në Elbasan, ai kishte një motër në Elbasan dhe me telefonata, kur një ditë unë isha në Elbasan, isha në një konvikt sepse isha jabanxhie, vjen një telefonatë dhe më thotë hajde se të kërkojnë në telefon, kur flas në telefon flas me Tosin, ato nostalgjitë e moshës, ato gallatat e shkollës së mesme. Mirëpo si duket, dhe ai atje në ushtri, ndihej i vetmuar dhe herë pas here me telefonata, por gjithmonë si shokë. Mbaron ushtrinë ai dhe vjen në Elbasan tek e motra, ndëkohë kishim shokun tonë të përbashkët në Elbasan. Një ditë, vjen në stërvitje, ne bënim stërvitje jashtë, në ambientin tonë sportiv dhe ky më thërret, unë e shoh dhe me thënë të drejtën më erdhi mirë sepse po shihja një të njohur, shok të mirë dhe m'u bë qejfi sepse edhe unë në Elbasan isha vetëm fare. Kështu që megjithëse kisha shoqërinë time, koleget e mia, shkonim shumë mirë, pastaj aty ai erdhi edhe një herë tjetër për sebepin e motrës, ndoshta dhe për mua, pastaj e kuptova që ka ardhur edhe për mua. Një ditë prej ditësh, ai si duket u tregua pak trim edhe shfaqi ato ndjenjat e veta, po unë gjithmonë me sportivitet duke i marrë, me ato shakatë tona që rri urtë e mos na mërzit shumë etj., etj.. Ai gjithmonë më ngacmonte "jo ti ke pretendime, jo andej po këtej". Si përfundim, në kokën time, xhirova një replay të shoqërisë sonë që ishte e pastër, e pakamufluar, është ndryshe kur hiqesh se në fund do dalësh se kush je. Ne ishim dy shokë që njiheshim me të mirat dhe të këqijat tona dhe kështu u lidhëm bashkë, një djalë shumë i mirë dhe ai e kishte lënë arsimin dhe ishte futur në minierë, pastaj kaloi te brigada e shpëtim minierave sepse kishte mbaruar edhe fizkulturën. U martuam, lindëm djalin dhe kur djali ishte 2 vjeç e gjysmë detyra e tij ishte kur kishte ndonjë avari sepse ajo ishte brigadë speciale për këto avaritë nëpër miniera, aty pësoi një aksident, plasi gazi metan edhe i mori jetën, jo atij po nja 6 vetave, ai i shkreti u fut për të ndihmuar një shokun e vet, ndërkohë ai kishte vdekur, por ishte dhe risku i tij për të ngelur aty. Unë isha e re edhe ai shumë i ri sepse ne kishim 2 muaj diferencë, kështu jeta ime prapë u nxi sepse njeriu kur krijon një familje sheh atë lumturinë e vetë por është një shprehje si nisesh edhe bitisesh, por ishte një vdekje tepër e rëndë për familjen, për mua por që kjo është jeta. Atëherë une e kisha djalin 2 vjeç e gjysmë dhe u lidha me djalin, rrita djalin, sot është i martuar, ka dy fëmijë edhe ka jetën e tij, i kam komshinj, janë shumë mirë, vajza është në vit të dytë fakultet, djali është në vit të parë shkollë të mesme, nusen e kam shumë të mirë, janë shok edhe ata si unë me Tosin edhe Ledio me Anën janë moshatarë, 3 muaj e gjysmë diferencë kanë. Kështu që jemi mirë përsa i përket jetës që po jetojmë, çdo gjë shkon mirë, kemi shëndetin, kemi jetën, harmoninë, nuk na mungon asnjë gjë, vetëm shëndet e jetë!

Është një fjalë që thotë më mirë një rini e vështirë dhe një pleqëri e rehatshme dhe e mbarë, vërtet është më mirë kështu se kur je i ri i përballon të gjitha ato sfidat e jetës dhe unë gjithmonë në jetën time kam ecur gjithmonë me objektiva.

Padyshim që një prej objektivave të jetës tënde ka qënë takimi me mamën?

Po, objektivi im kryesor ka qenë të arrija të shikoja nënën time edhe e arrita. Pak me vonesë sepse sistemi ishte i tillë, sado ëndrra mund të kisha unë, por erdhi momenti kur u ndërrua sistemi në ’90-ën, atëherë u hapën ambasadat, por unë nuk u futa në ambasadë sepse nuk jam edhe natyrë e tillë. Unë kur bëj një hap para, duhet të bëj nja 3-4 mbrapa që ta mendoj mirë atë hapin para që do bëj sepse e tillë ka qenë jeta ime dhe pastaj ishte dhe një thikë me dy presa ajo puna e ambasadave, por që nuk e bëra, ndërkohë që unë kisha shkuar për të marrë vizë në ambasadën franceze, dokumentet i kisha futur për vizë, por që nuk arrita ta marr dot vizën sepse u bllokuan ambasadat pas ikjes së refugjatëve. Por që një opsion tjetër ishte, bile një shoqja tjetër që sot është në Austri, ajo këmbënguli tek unë: "futu futu tek ambasada italiane", që ishte një ambasadë që i dha vizat pa masë të gjithëve dhe unë me një vizë italiane u pajisa, por ndërkohë unë ngulmoja tek ambasada franceze të merrja vizë franceze sepse gjithmonë duke mos i shkelur rregullat, jam pak kështu strikte për këto gjëra, jo se kam frikë, por më mirë çdo gjë te jetë brenda normave. Isha gati duke marrë dhe vizën italiane, por pastaj arrita, ndërkohë që unë kisha bërë në plan të ikja nga nëntori, vdes vjehrra ime kështu që e shtyva, njerëzit e burrit i kam të mrekullueshëm edhe sot e kësaj dite i kam si motra sepse dy kunetërit kanë vdekur, jemi një familje nga ana e burrit jashtëzakonisht të mirë, dmth kemi qëlluar të dy palët jashtëzakonisht të mirë. Unë kam tepër respekt për ata edhe ata për mua, dmth jemi si motra, fjala kunatë për mua më duket pak e vrazhdë, e egër fjala kunatë, unë i kam si motra sot e kësaj dite. Pastaj ika në Francë, për herë të parë që kam ikur, kam ikur në datën 4 dhjetor të vitit 1990 sepse thashë e shtyva për vjehrrën time që humbi jetën.

Dhe baba im ka qenë i mrekullueshëm, dmth një njeri... Unë kam qenë shumë e llastuar, mbaj mend në klasë të 5-të na bënë lijën, unë e kisha bërë një lijë kur isha e vogël, vaksinën e lijës, e kisha bërë e vogël, por nuk e mbaja mend, ndërkohë në klasë të 5-të na bënë një tjetër dhe unë u sëmura shumë me temperaturë dhe unë, sot e kësaj dite, temperaturën nuk e njoh, nuk kam temperaturë. U sëmura jashtë masës, nja një muaj në krevat, baba ime ka qenë gjithmonë mbrapa. Shtëpia ishte plot edhe gjithmonë më ngacmonte dhe më bëhte për të qeshur se nuk para qeshja shumë, edhe gjithmonë më fuste poshtë jastëkut jo çokollatë, jo..., kanë qenë disa që ju ndoshta s'i keni arritur se jeni të vogla në krahasim me mua, lloj-lloj, e dinte ai çfarë doja unë dhe m'i fuste poshtë jastëkut. Më thoshte mua: "ha", i thoja unë: "o ba, po përtoj të ha", "si moj përton të hash?", aq keq isha katandisur nga ajo vaksina e lijës. Po një burrë i mrekullueshëm, jo se ka qenë baba im, por asnjëherë s'ma ka prishur. E di kur qaja unë? Unë qaja po ta ngrinte tonin baba im, n.q.s. baba im do ta ngrinte tonin, më shkonin lotët. Unë qaj për njeriun që dua më shumë, vetëm për atë njeri unë kam qarë, njeri tjetër jo, njeriun që dua më shumë, n.q.s. nuk e shoh mirë, ose n.q.s. shoh një ndryshim, mua më rrjedhin lotët, për njeriun që dua më shumë qaj, për mamën time, për babën tim, për djalin tim, po jo kështu kot më kot, për njerëzit që dua më shumë, qaj.

  •  Si ndodhi takimi me mamanë? Si u ndjeve?

M'u duk vetja si në shtëpinë time, që s'kisha dalë asnjëherë jashtë. Aty pastaj marr në telefon gjyshen, marr mamën. Ishte një surprizë, ato nuk më prisnin mua sepse disa herë kisha tentuar të shkoja dhe kur kërkoja garanci, ato nuk e kuptonin fare pse duhet të kërkoja garanci kur ti ke mamën dhe gjyshen atje. Megjithatë arrita. Nja 2 orë me telefonata nuk arrita sepse gjyshja 2-3 herë në javë shkonte jo flokët, jo atë klubin e Brixhit që luante me shoqet, mama ishte në punë, pastaj vendosa të marr taksi, adresat i kisha dhe shkoj direkt te gjyshja. I bie citofonisë, citofonitë për ne ishin të reja, por më ndihmoi shoferi i taksisë, tha "e ke këtu" dhe kur i bie citofonisë më del gjyshja ime, i flas frëngjisht që jam unë dhe ajo "Klod" edhe vjen me vrap edhe më sheh nga këmbët te koka disa herë dhe më përqafon dhe më bën, edhe Ledion. U futëm brenda, ajo jetonte në qendër të Tuluzës, në një rezidencë super edhe ndërkohë kur s'do me të ecë fati, kur futemi brenda, sistemohemi pak a shumë, vjen vëllai im, Patrick-u. Ndërkohë gjyshja ime merr mamin tim në telefon që ka ardhur Klodi, ajo niset direkt sepse jetonin veç e veç, por që kur futemi ne, vjen Patrick-u. Patrick e kishte një herë në javë, një herë njëri, një herë tjetri, që hante darkë te gjyshja ime. Më duket se ka qenë ditë e enjte dhe kur futet Patrick, që unë e dija kush ishte, ai nuk më njihte fare, gjyshja ime e prezanton që është kushërira ime. Me thënë të drejtën mua s'më erdhi mirë sepse e kuptoja frëngjishten, s'më erdhi mirë dhe mbajta pak qëndrim. Pastaj vjen mama ime, mama ime nuk e dinte që do vinte Patrick dhe kur hyn mama ime, më e bukura ia hapa unë derën, më takon sikur më kishte takuar para 5 minutash. Pse? Sepse siç të thashë, ato nuk e dinin që isha unë motra e tyre. Me thënë të drejtën, nuk u ndjeva mirë sepse mendoja tjetër gjë, por ishin rrethanat e tilla që ishte ajo skenë, ama kur iku Patrick-u, çdo gjë pastaj ishte ndryshe, mama gjithë kohën pranë meje, nuk e di një nënë që sheh fëmijën e vet pas 34 vjetëve. Unë isha 34 vjece, ajo më la të vogël fare, bebe, po gjithmonë me fotografi dhe më njihte, po ashtu dhe gjyshja. Mirëpo vjen edhe Zhalyk, jo atë ditë një ditë tjetër, Zhalyk më i dashur, nuk e di kishte diçka tjetër. Atëherë gjithmonë "kushërira, kushërira", më vonë kur unë ndenja gati 2 muaj atje dhe u ktheva, si duket Zhalyk...se m'i tregon pastaj Zhalyk. Ika pastaj në ’93, nuk e mora djalin me vete, ndenja 3 muaj dhe pastaj vazhdimisht, vazhdimisht sepse vizat në ambasadën franceze unë i merrja pa problem, kështu që Zhalyk, e tregon pastaj që "mua diçka më kishte rënë në sy"- tha,- "si ka mundësi që një kushërire t'i bëhen gjithë këto temena, ti rrihet para mbrapa". Ti e di, francezët janë të frohtë, por i kishte bërë përshtypje "kush është kjo, mama dhe gjyshja preokupohen shumë për këtë dhe çdo gjë me bollëk". Pastaj në ’93-shin, kur shkova unë, deri në ’93 as Zhalyk nuk e dinte se kush isha, po mama nuk i tregoi, as gjyshja. Kur shkova në ’93-in, atëherë unë i thashë mamës sime që pse nuk i tregon të vërtetën. Ndoshta edhe ajo e kishte të vështirë, ndërkohë që ajo ishte e sëmurë me kancer edhe kishte filluar kimioterapinë, por atë periudhë që isha unë ishte mirë. Kaluam pushimet bashkë, pastaj unë shkova me gjyshen në kufi me Spanjën, në një vend turistik që kaluam atje me gjyshen, e mama ndërkohë ishte me punë, gjyshja më tha vetë që n.q.s. do mund të shkosh te mama për ca ditë që kishin mbetur, se ne ishim gati një muaj në kufi të Francës edhe unë i hipi trenit edhe iki, ndërkohë unë duke bërë muhabet me mamën që pse s’ju tregon të vërtetën, e kishim lënë që kjo... po më tha "do shkruaj një letër dhe do ia tregoj gjithë historinë", mirëpo edhe unë e lashë ashtu siç donte ajo sepse nuk doja që mama ime të lëndohej, dmth lëndimin e saj unë e vuaja shumë sepse e dija dhe vuajtjen e saj. Kështu që një ditë unë shkoj në pishina me vëllain tim dhe me nusen e vëllait edhe kaluam një ditë shumë të bukur, pastaj një ditë tjetër burri i hallës sime, kishte vëllain në Tuluz, më kishin ftuar për të dalë, për të kaluar një ditë me ata, ndërkohë mama do dilte me mikun e saj, më kishin treguar çdo gjë dhe unë do ta aprovoja sepse nuk kisha mundësi ta ndaloja se ishte jeta e saj private dhe kur u kthyem në darkë në shtëpi, "si ja kalove ti? si ja kalova unë". "Shumë mirë,- thashë,- kalova me filanin, filanin", se me hallën time mama ime njihej kur ishte këtu, kështu që mirë. "Po ti si ja kalove?"-"Mirë,-i thashë unë,- u kënaqëm shkuam këtu, e shkuam atje". Rri, rri edhe: "Çfarë të thanë shqiptarët?". "Çfarë më thanë shqiptarët? Asgjë s'më thanë shqiptarët". Si duket, raportin me Shqipërinë nuk e ka pasur të mirë asnjëherë edhe normal. "Çfarë thanë shqiptarët? Çfarë thanë shqiptarët?" "Çfarë thanë? Asgjë s'më thanë shqiptarët". "Po çfarë të thanë shqiptarët"? Epo mirë, atëherë unë u detyrova me i thënë: "Më thanë: Pse nuk rri ti këtu? Ti ke mamën. Ne rrimë që s'kemi njeri këtu, ti ke mamën dhe nuk rri këtu. Në atë kohë u tërbua fare, ndoshta u ndje shumë keq edhe e revoltuar edhe e inatosur nuk e di, diçka që mua më erdhi keq, që e shndëroi aq shpejt humorin, ndërkohë që e dija që ajo ishte e sëmurë me kancer dhe nuk doja që ajo të vuante, të shqetësohej dhe me një gjë të vogël, mirëpo si duket, erdhi momenti që kështu si padashje të plasë kjo bombë edhe u krijua një ftohtësi. Unë aty po, aty kam qarë, kam qarë jo për veten time, por për vuajtjen e mamës sime, kur shihja atë që ishte e revoltuar e inatosur, diçka që nuk i bënte mirë për shëndetin e saj unë e vuaja dhe i thashë "përse më ngacmove, sepse unë nuk doja të thoja asgjë, ti vetë më ngacmove çfarë thanë shqiptarët, çfarë thanë shqiptarët". Nejse, kjo ishte. Pastaj, të nesërmen, unë dola prapë me vëllain dhe shkuam prapë në pishina, u ktheva te shtëpia e vëllait, ishin shumë afër me shtëpi. Erdhi mama nga puna, e kishte punën poshtë pallatit edhe vjen aty te vëllai, vëllai e shikon që kjo nuk ishte në terezi, në atë humorin e saj edhe më thotë mua "Klodi, ikim në shtëpi". "Ikim", i thashë. Shkojmë në shtëpi kur Zhalyk... ishte tepër i lidhur me mamën, ai e ndjeu diçka kishte dhe më vjen direkt në shtëpi, dmth 200-300 metra rrugë, ai i bëri me makinë, as 200 metra, i bëri me makinë dhe erdhi direkt atje.

Unë e kam qarë mamën time për së gjalli, sa kur mora vesh që kishte vdekur mama ime asnjë lot, se e qava për së gjalli kur isha atje.

Mua më vinte keq kur mama ime vuante edhe erdhi vëllai direkt atje dhe pa mamën që nuk ishte mire, u futën në dhomë ndërkohë që unë isha në një dhomë tjetër dhe folën të dy dhe Zhalyk, siç të thashë, kishte ndjerë diçka dhe i thotë: "mos është vajza jote?", ajo i thotë "po", ai i thotë "si ka mundësi që e ke mbajtur tërë kohën edhe s'na ke thënë, pse ke vuajtur kaq shumë?" sepse një pjesë e vuajtjeve të saj është edhe kjo. Të ikësh një fëmijë, se 18 e pak, je fëmijë dhe të lësh një fëmijë nga mbrapa, të shkosh një jetë, u martua dhe ajo, i shoqi nuk ishte shumë korrekt me atë edhe e tradhtonte nganjëherë, kështu që prandaj Zhalyk-u ishte i lidhur me mamën, më tepër se Patrick-u dhe mama e kishte dhe nusen e tij, se zëvendësonte, e kishte sikur më shikonte mua. Kështu ajo i zbrazi dhe çdo gjë ja tha vëllait, Zhalykut. Kur Zhalyk-u e merr vesh, vjen dhe më afrohet, më përqafon edhe thotë "jam shumë i lumtur, e kam dashur një motër, e kam dashur një motër" dhe një përqafim që s'kam për ta harruar asnjëherë, ndërkohë që Patrick-u s'dinte asnjë gjë. Atëherë, të nesërmen, ne ikim për të marrë gjyshen në Lusho, atje ku kaluam pushimet, unë në fakt pak e revoltuar nga ajo që kalova dy net përpara dhe thashë "nuk vij, do rri këtu" dhe "jo, hajde,hajde, shkojmë atje" dhe mama ia tregon gjithë historinë gjyshes dhe unë rri me Zhalyk në verandë. Kishin një vilë të bukur dhe ai gjithë kohën duke më thënë "çfarë mund të bëjmë që ti të rish këtu", dmth një afrimitet, ajo kënaqësia e tij që kishte një motër, dmth ai ishte në qiell të shtatë, ndërkohë edhe unë, po unë një çik më ndryshe sepse thashë edhe vetë, jeta më kishte bërë më të fortë edhe e njihja dhe ecurinë e jetës së tij. Pastaj kur mama doli me gjyshen, ia tregoi gjithë historinë dhe gjyshja vjen dhe i thotë "Zhalyk, bravo", e përgëzon, problemi do ishte reagimi kur mami t'i thoshte Zhalykut që është motra jote, por jo, ndërkohë Patrick e ka marrë vesh më vonë. Sa më vonë, nuk e di, por më vonë. Edhe ai, mirë. Kështu që kjo është pak a shumë historia, historia është shumë e gjatë, po pak a shumë me e përmbledh.

  • Dua të ma rrëfesh përqafimin e mamit

Shiko, mama ime, siç tregova, d.m.th. ishte vëllai aty, Patrick-u, ishte Patrick-u që reagoi në atë formë, pak e ftohtë. Pra unë "kushërira" sepse ato unë e shoh: kushërinjtë edhe sot e kësaj dite, unë kam dy vëllezër atje, janë dy goca xhaje... dhe shihen një herë në 3-4 vjet apo telefonatat sepse secili ka jetën e vet atje sepse e tillë është jeta në Francë. Prandaj edhe mama u soll në atë formë, me një kushërirë atje, nuk para puthesh aq shumë, d.m.th. takohesh, siç mund të takohesh me një njeri thjesht dhe pastaj unë kisha dhomën time dhe mama ime rrinte gjithë kohën në krevatin tim më përkëdhelte, më puthte, më pyeste, kurioziteti i saj tani nga afër. Ndihesha shumë mirë si me mamën edhe me gjyshen, e ke parasysh këto dhuratat pastaj, edhe këto gjërat për mua e për djalin, ishin me shumicë.

  • Sa vite jetove me mamën?

Mamën time unë e kam parë për herë të parë në ’90-ën, mama ime ka vdekur në ’96-ën, gjyshja ime ka vdekur në ’94-ën.

  • Çfarë kishte marrë me vete nga Shqipëria gjyshja?

Gjyshja ime kishte marrë me vete vetëm urrejtje për Shqipërinë. Kur tregonte gjyshja historinë e saj sepse unë gjithë këtë punën e burgut e të internimit, unë i kam mësuar nga gjyshja ime. Kur tregonte për Shqipërinë ajo qante dhe më ka treguar momentet e burgut: këtë që u pa me gjyshin tim, m'i ka treguar d.m.th. çfarë tërheqje, sikur e përpinë gjyshin tim pse i foli gjyshes. "Unë kam vuajtur shumë,- tha gjyshja,- unë nuk flija" sepse dhe ajo mendonte për mamën, e kishte lënë vetëm, "ku është vajza ime, ku ndodhet vajza ime", d.m.th. dhe ajo ka kaluar një periudhë jashtë mase të vështirë dhe me lënien e mamës pa asnjeri dhe ajo për Shqipërinë kishte vetëm urrejtje d.m.th. nuk kishte asgjë sepse ajo sakrifikoi Francën për dashurinë, për mbrojtjen edhe nga lufta franko-gjermane, pa i bërë njeriu keq, edhe gjeti belanë këtu.

  • Po mama çfarë kishte marrë me vete?

Mama ishte një çikë më ndryshe sepse ajo të paktën 13 vjet i kishte kaluar këtu, nga 4 vjeç deri 18 vjeç, me ato peripecitë e veta me ato vuajtjet e veta, po kur je fëmijë, nuk e kupton. Me shoqërinë që kishte lënë këtu se kishte dhe ajo shoqet e veta... Mama nuk më fliste për Shqipërinë, as mama, më tepër për babën tim, tregonte marrëdhënien e saj me babën, dashurinë që kishin pasur që ndërkohë unë e kisha faktuar dhe nëpërmjet letrave dhe më tepër për mua, më tepër ishte tek unë.

  • T'i tregoi vuajtjet e veta, ato kohë kur i mungoi nëna e saj?

Me thënë të drejtën edhe unë nuk e ngacmova shumë mamën sepse thashë ishte e sëmurë, këto të gjitha të mamës sime m'i tregoi gjyshja. Gjyshja ndërkohë edhe këto shoqet e mamës që sot nuk jetojnë më, edhe ato më kanë treguar shumë dhe një pjesë të historisë, edhe baba im. Po baba im ka qenë ajo pjesa që ka kaluar me mamën time dhe sa u bëra unë e aftë për të shkruar e për të pasur unë korrespondencë me mamën time pavarësisht se baba kishte të vetën, kishte dhe korrespodencë familjare sepse baba u martua, u bë me fëmijë, ndërkohë që vazhdonin pakot dhe të fëmijëve, të motrës dhe të vëllait tim dhe nuses së babës tim d.m.th njerkës sime. Mama më tepër ishte e fokusuar tek unë, te jeta ime, nuk i interesonte asgjë tjetër sepse këtu nuk kishte t'i interesonte, se mos kishte ndonjë jetë sociale apo ndonjë punë, këtu erdhën mirë dhe ikën me tmerr, nuk ka si mund të kesh diçka për Shqipërinë, Shqipëria për ato isha vetëm unë dhe tani për mua, kur mendoj, Franca paska qenë mama ime them, vërtet, mama dhe gjyshja, tani edhe vëllezërit i kam, por ata janë nëpër punëra. Ata më thonë "hajde, rri këtu", unë them që Franca ka qenë mama ime, n.q.s. do ishte mama atje unë ndoshta nuk do isha këtu sot. Nuk kam as mamën as gjyshen, vëllezërit i kam shumë të mirë, më duan shumë, më presin, Zhalyk vjen herë pas herë këtu, unë iki atje kur të kem qejf, jam e mirëpritur, bile te vëllai im kam dhomën time, te Zhalyk, por që them paska qenë mama ime, nuk e kam atë dëshirën e madhe që të iki në Francë. Iki në Francë se duhet të iki, d.m.th. shkoj vazhdimisht, shpesh, se kam edhe nipër, mbesa, iki se duhet të iki, d.m.th. rutinë, por që të jetoj tani në Francë nuk e kam më atë dëshirë, më iku ajo. Ndoshta me ikjen e mamës sime dhe gjyshes sime ka ikur edhe dëshira e Francës.

 

  • Duket sikur nuk është shuar dot kurrë malli që kishe për mamën...?

Jo vetëm për mua, por për të gjithë, nëna nuk dorëzohet kollaj, kur të vdes nëna, nëna nuk jepet kollaj. D.m.th. dashuria për nënën është, mua më ka munguar gjithë jetën dhe aq pak sa kam kaluar me mamën time, po t'i mbledhësh të gjitha kohët që kam kaluar me mamën time, i kam bërë, a si kam bërë 1 vit e gjysmë, por që nëna është nënë. Dhe baba im ka qenë i mrekullueshëm, d.m.th. një njeri, unë kam qenë shumë e llastuar.

blank

 

  • Kur ka qenë momenti më i vështirë?

Mua jeta më ka bërë të jem shumë e fortë sepse fëmijëria ime iku si iku, d.m.th. një pjesë e vogël, pastaj adoleshenca ime iku në Durrës, d.m.th. që isha në konvikt, pastaj u emërova që dola, d.m.th. unë nga shtëpia kam dalë 15 vjeç dhe nuk jam kthyer më te shtëpia e babës tim, vetëm me pushime, me pushime isha kur isha me sportin që bënim përgatitje fizike, që përgatiteshim për kampionatet. Unë kam vuajtur shumë vdekjen e tim shoqi sepse më erdhi bombë, ai iku duke vrapuar 3-4 shkallë dhe më erdhi me arkivol, nuk e imagjinoj dot si kam qenë kur kam marrë atë lajmin e parë sikur më fut njeri në elektroshot që edhe po të dua ta bëj tani unë s'e bëj dot, dridhesha komplet. Më ngushtë nuk e di jeta ime ka plot, por karakteri im është i fortë dhe i përballoj, ndoshta ka qenë edhe kjo aparenca ime, por edhe fizikisht kam qenë e fortë sepse sporti, fizikisht kam qenë e fortë, por edhe aparenca ime, autoriteti im edhe në marrëdhënie në punë, me kolegët kam qenë mësuese nëpër gjimnaze, gjithmonë kam pasur autoritet, jo autoritet me dhunë, boll mënyra e shikimit, mënyra e qëndrimit, kam qenë tepër korrekte edhe me nxënësit korrekt shumë, me të gjitha korrekt. Njeriu më qafë nuk i bie, por që jam tolerante, deri në një farë mase.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here