Imzot Ernest Çoba, fotoja e gjyqit publik

0
247
blank

Historia e klerikut që drejtoi Kishën Katolike në vend në 10-vjeçarin e fundit para se feja të ndalohej. Survejimi i gjatë që përfundoi me një dënim aq të rëndë me burg, sa Ernest Çoba nuk mundi të dalë gjallë

Imzot Ernest Çoba (1913-1980), në kohën e vështirë të komunizmit, në vitet 1957-1967 ishte kryetar i Kishës Katolike Shqiptare. U arrestua në vitin 1976, u dënua me 25 vjet heqje lirie.

Deri sa u arrestua, pati një persekutim të zgjatur. Qysh në vitin 1968, ishte kërkuar nga operativi që ndiqte problemin e tij të arrestohej si “agjent italian e jugosllav”, por kjo nuk ishte miratuar. Deri në vitin 1975, në drejtim të Çobës kishin raportuar 29 bashkëpunëtorë. Të dhënat në të cilat bazohej kjo degë ishin të vjetra dhe jo të rëndësishme. Ato zmadhoheshin me qëllim si normë pune, por nuk mund të përligjnin në të vërtetë asnjë veprim. Jo pa qëllim përdorej motra e Ernest Çobës si “ndërlidhëse” me ambasadën italiane në Tiranë, kur në fakt nuk kishte se çfarë të lidhte.

Në të gjitha herët, Sigurimi akuzon për spiunazh, por asnjëherë nuk është i zoti të përcaktojë natyrën e informacionit të spiunazhit. Sepse duhet të pranosh se kleriku Çoba kishte në dorë informacione të rëndësishme për të arritur në përfundime se vërtet ia vlente t’i kalonte në kanalet e pretenduara. Me këtë rast sipas studimit të Sigurimit u goditën 7 klerikë midis të cilëve, Leon Kabashi, Gjon Kovaçi, Frano Kiri, Mikel Koliqi.

Çështja u gjykua nga Gjykata e Rrethit të Shkodrës e përbërë nga Shefqet Muçi, Xhemal Gramshi dhe Dodë Kapiti, duke pasur pranë prokurorin Faik Minarolli. Gjykimi u zhvillua më 27-29 prill 1977. Në fund të pretencës së tij, prokurori i kërkoi gjykatës:

“Shokë gjyqtarë! Duke vendosur për këta armiq të popullit dhe të partisë, duhet të jeni të ndërgjegjshëm për detyrën tuaj që është mbrojtja e popullit tonë nga armiqtë dhe agjentët e tyre. Prandaj vendimi juaj të jetë i drejtë, por i rreptë. Ai lipset të shprehë urrejtjen e popullit tonë për imperializmin e social-imperializmin, revizionizmin modern e agjentët e tyre. Ai duhet të shprehë dashurinë e madhe të popullit tonë për partinë, pushtetin dhe Komitetin Qendror me shokun Enver Hoxha në krye”.

Gjykata dilte në përfundim se “akuzat u vërtetuan plotësisht” sepse “qysh në fëmijëri” klerikët ishin “brumosur me ideologjinë reaksionare të fesë katolike”, e cila ishte feja e pushtuesve romakë, austriakë, etj. Kisha katolike konsiderohej se kurdoherë kishte qenë “shtypëse e lëvizjeve përparimtare”, si “kundërshtare e pushtetit popullor”, etj. Gjykata e Rrethit të Shkodër, e përbërë nga Shefqet Muçi, Xhemal Gramshi dhe Dodë Kapiti, duke pasur pranë prokurorin Faik Minarolli, me vendimin nr.108, datë 29.4.1977, i deklaroi fajtorë dhe i dënoi si vijon:

-Imzot Ernest Çoba, për tradhti ndaj atdheut e agjitacion e propagandë, me 25 vjet burgim.

-Dom Lec Sahatçija, për tradhti ndaj atdheut e agjitacion e propagandë, me 25 vjet burgim.

-Dom Zef Hardhija, për tradhti ndaj atdheut, moskallizm krimi, agjitacion e propagandë, me 15 vjet burgim.

-Dom Kolë Toni, për tradhti ndaj atdheut, moskallëzim krimi, agjitacion e propagandë, me 13 vjet burgim.

Imzot Çoba nuk mund të rezistonte gjatë. Fotoja e tij në gjyq e tregon të lodhur e të dobësuar. Ishte 63 vjeç, por dukej shumë më i vjetër. Dukej që nuk do mund ta kryente atë dënim të madh që i dhanë. Vdiq pa e mbaruar dënimin më 7.1.1980 në spitalin e burgut në Tiranë, për t’u varrosur në varrezën e Tufinës. Eshtrat iu gjetën rreth vitit 1993 dhe u dërguan në Shkodër.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here