Mësuesja e parë e muzikantëve të mëdhenj, në pranga

0
758
blank

E arsimuar në Itali, Ida Melgushi, para luftës, ishte mësuese dhe drejtoreshë shkolle dhe jepte mësime pianoje. Në 1945-ën, ajo u prangos me grupin e grave të para të arrestuara në Shkodër. Me një mbrojtje mbresëlënëse para prokurorit Aranit Çela, Ida Melgushi nuk u thye kurrë para komunistëve. Edhe pasi e liruan nga burgu duke i hequr të drejtën e profesionit, ajo vazhdoi të jepte mësime pianoje në shtëpi, ku nuk i munguan kurrë nxënësit. Ajo mbeti një mësuese e paharruar për disa breza shkodranësh dhe mësuesja e parë e pianos së disa prej muzikantëve më të mëdhenj të vendit

 

Ida Melgushi është një figurë e njohur në qytetin e Shkodrës, ku  të gjithë e thërrisnin Zojushë Ida, para se kjo fjalë të bëhej “zysh”. Shtëpia e saj në fundin e rrugicës së Kafes së Madhe, siç saktëson Fatbardha Saraçi Mulleti, u kthye në një qendër kulture dhe edukimi për shumë breza. Ishte e vetmja hapësirë ku nxënësit e etur për të mësuar piano ose gjuhë të huaja mund të përfitonin prej dijeve dhe aftësive të saj didaktike, pas vitit 1945, sepse regjimi komunist ia hoqi të drejtën e ushtrimit të profesionit në shkollat publike. E megjithatë nxënësit nuk reshtën kurrë së ardhuri tek ajo. Kaluan vitet- disa e kujtojnë pikërisht “me flokë të bardhë”- por admirimi për të vetëm sa shtohej bashkë me brezat që merrnin mësime prej zonjushë Idës.

blank
Shkodër, 1936. Foto: Dedë Jakova. Muzeu Marubi

Dhe sot, 38 vjet nga ndarja e saj nga jeta, kur postohet në internet ndonjë fotografi e vjetër ku Ida Melgushi është protagoniste, nuk mungojnë komentet që shprehin simpati dhe respekt për mësuesen e shumë brezave. Dhe nuk është vetëm zonjushë Ida që zgjon ndjesi përmes atyre fotografive, por edhe i gjithë mjedisi përreth, që rrezaton emancipim, sharm dhe elegance dhe që shumë shqiptarë të lindur në diktaturë, nuk e kanë ditur se kishte ekzistuar ndonjëherë në Shqipëri. Siç është një fotografi e vitit 1939 e Dedë Jakovës, fotografitë e të cilit u shfaqën në një ekspozitë në Muzeun Kombëtar të Fotografisë Marubi. Fotografia është realizuar në parukerinë e Rrok Serreqit në Shkodër, që saktësisht ishte sapuneri-parfumeri-parukeri dhe Ida, 30-vjeçare, me vetullat e theksuara me laps, si gjithë aktoret e ekranit të madh të asaj periudhe është duke marrë një trajtim flokësh. Vetëm diçiturat i lokalizojnë në Shqipëri personazhet e kësaj fotografie që mund të ishte shkrepur në çdo vend të Evropës, në vitet ’30.

Dhe pavarësisht që nuk është një fotografi kushtuar Idës, Ida është aty. Dhe prania e saj flet për këtë grua moderne, që gjithë jetën, frymëzoi qytetari dhe emancipim. Siç flasin për të rreshtat e shkrimeve që u kushtohen të tjerëve e ku Ida Melgushi shfaqet si mësuesja e parë e pianos.

Zonjushë Ida

Këto dëshmi, kjo përmendje e emrit të Idës, edhe atëherë kur personave që tregojnë nuk iu është kërkuar të flasin për të, flet për figurën e saj më shumë se çdo shkrim i dedikuar. Siç flet edhe prania e saj në fotografitë e viteve ’30 që nuk kanë për fokus atë, por rrethanat, por ku ajo ka gjithsesi një rol të rëndësishëm, qoftë kyç si ai i mësueses së pianos së një vajze të vogël, qoftë simbolik si ai i klientes në një sallon bukurie.

“Aty pranë (kolegjit të jezuitëve) banonte Ida Melgushi, kjo mësuese popullore flokëbardhë që për vite të tëra u dha mësime muzike fëmijëve shkodranë. E Ndoka qysh 5 vjeç mëson t’i bjerë pianos së saj, tingujt e të cilës mbushin gjithë ditën atë rrugë karakteristike me mure të lartë”, shkruan Besnik Dizdari ndërsa është duke i kushtuar një shkrim mikut të tij, pianistit të parë të operës shqiptare, Ndok Pistulli. “Mësimet e para të pianos, Terezina i mori qysh në moshën 7-vjeçare, nga profesoresha e njohur Ida Melgushi”, shkruhet në një artikull tjetër kushtuar Terezina (Radoja) Grevës, “ylli i basketbollit dhe i muzikës”.

Ida Melgushi është një shkollë e përbashkët e shumë brezave në Shkodër, madje edhe e atyre që më pas u bënë muzikantë të njohur në të gjithë vendin. Ajo formoi kompozitorët dhe muzikantët Tonin Harapi, Çesk Zadeja, Nino Saraçi, Tonin Daija, Robert Radoja…” Kam pasur një mësuese shumë të dashur që kam filluar të mësoj pianon, Ida Melgushi, që ishte dhe mikeshë e familjes”, thotë Robert Radoja në një intervistë për Dhurata Hamzain, botuar te shqiptarja.com.

Sforzando 1945

Ida Melgushi u lind në Shkodër në vitin 1909. Të atin ia quanin Kolë, ndërsa nënën e kishte italiane. Sipas informacioneve të publikuara nga Muzeu Marubi, që shoqërojnë foton e saj, Ida Melgushi ndoqi studimet në Itali dhe më pas u kthye në qytetin e lindjes. Në vitin 1927, u transferua në Normalen e Korçës dhe pas një viti u rikthye në Shkodër, ku shërbeu si drejtoreshë e shkollës së Parrucës.

Paralelisht, siç tregon edhe fotoja e vitit 1936, ajo jepte mësime pianoje. Kjo ishte jeta e ida Melgushit, para se ajo të tronditej nga regjimi komunist. Angazhimi i saj intelektual, miqësia me të tjera figura intelektuale të kohës, dashuria për muzikën, artin, kulturën perëndimore, vetë përvoja jetësore që kishte pasur në Perëndim, e bënin atë të dyshimtë dhe të padëshiruar për këtë regjim, ndaj ajo u prangos në fillim të vitit 1945 me grupin e parë të grave të arrestuara në Shkodër, ku bënin pjesë edhe Ida Lezha, Margerita Gjeloshi, Pina Kola dhe Gjystina Sekuj.

Fatbardha Saraçi Mulleti, në librin e saj “Kalvari i grave në burgjet komuniste”, ISKK, shkruan se “Ajo e mbrojti veten përpara prokurorit Aranit Çela me një elokuencë të shkëlqyer dhe me fakte tregoi që s’ishte e drejtë që ajo të dënohej. U dënua me 5 vite burg për veprimtari antikomuniste. Mbas 7 muajsh burg, e liruan me kusht, d.m.th., s’kishte të drejtë me folë me njerëz, nuk i lejohej asnjë lloj aktiviteti, iu mohua e drejta e ushtrimit të profesionit të mësueses dhe u cilësua armike”.

E megjithatë respekti i familjeve shkodrane për zonjushë Idën e mposhti frikën e imponuar nga regjimi. Prindërit vazhduan t’i çonin fëmijët te shtëpia e mësueses së zonjë, nga dijet e së cilës do të përfitonin shumë breza. Ajo, siç shkuan Fatbardha Saraçi Mulleti, jepte edhe mësime gjuhësh të huaja si gjermanisht, frëngjisht dhe italisht, të cilat në ato vite nuk mësoheshin në shkolla.

Regjimi, pavarësisht që në dukje e la të qetë, nuk i akordoi Ida Melgushit pension për vitet e punës si mësuese para luftës duke treguar se ajo mbetej armike për këtë regjim. Megjithatë, edhe pse pa pension dhe pa një familje të sajën, Ida Melgushi nuk u izolua në vetmi apo dëshpërim. Kishte mbjellë shumë dashuri dhe respekt te njerëzit të cilët iu gjendën pranë deri në fund të jetës. Ajo mbylli sytë në vitin 1986 dhe u përcoll nga nxënësit e saj të disa brezave.

Madje, Fatbaradha Saraçi, sjell në librin e saj edhe një fakt shumë shprehës duke shkruar se në vitin 2004, në Shkodër erdhën një grup shkodranësh që jetonin në Itali për të kujtuar mësuesen e tyre Ida Melgushi; i bënë asaj një memorial dhe i vendosën shumë lule.

Dhe ndoshta në vesh u ka tingëlluar Sonata e hënës.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here