Diktatura ndaloi Novruzin, por nuk mund ta ndalonte ditën e re

    0
    664
    blank

    Gjatë regjimit diktatorial, bashkë me klerikë të besimeve të tjera, u vranë, burgosën dhe u internuan dhjetëra klerikë bektashinj, të cilët nuk kishin dhënë vetëm për fenë, por edhe për atdheun…por që nuk hoqën dorë kurrë nga besimi dhe idealet e tyre

    Novruz në persisht do të thotë ditë e re. Festohet kur vjen pranvera dhe, në disa kultura, shënon edhe fillimin e vitit të ri. Është gjithashtu festa më e madhe e bektashinjve. Një nga ato festa që, bashkë me çdo festë tjetër fetare, u ndalua në vitin 1967, megjithëqë diktatura kishte nisur shumë kohë më parë ta shtypte gëzimin në mjediset e besimtarëve me arrestimet, burgosjet dhe vrasjet e klerikëve. Drejtuesit bektashinj u goditën gjithashtu nga urrejtja e përgjithshme e komunizmit për ata që si zot njihnin Zotin.

    blank
    Posteri i dokumentarit te realizuar per Baba Kamber Prishten i cilesuar martir i bektashizmit dhe i kombi

    Kryegjyshi botëror i Bektashizmit, Dede Kamber Prishta u arrestua që në fillimet e diktaturës. Kontributi në fenë e tij dhe në atdheun e gjithë shqiptarëve, iu llogarit për faj e tradhti. Kishte 74 vite mbi supe kur e futën në burg, nga nuk do të dilte më. Ndërroi jetë në vitin 1950 në spitalin e burgut. Regjimi pushkatoi edhe Baba Qamil Gllavën në vitin 1945 dhe Baba Xhelo Gllavën në vitin 1946. Baba Ali Tomorri u pushkatua në vitin 1948. Po atë vit, u pushkatuan Bedri Cakranji, Shefqet Koshtani dhe Baba Habibi. Studiuesi Uran Butka shkruan që u pushkatuan 15 klerikë bektashinj. Rreth 30 u dënuan me burgim dhe disa prej tyre nuk mundën të dilnin të gjallë nga burgjet. Shumë të tjerë u internuan. I internuar ishte kryegjyshi botëror Dede Ahmeti, po ashtu dhe dervishi Reshat Bardhi që do të bëhej kryegjysh botëror pas rënies së komunizmit. Në atë kohë, drejtuesit shqiptarë të feve ishte e vështirë të mos  vinin nga burgjet apo fshatrat e internimit. Komunizmi ishte kujdesur të godiste thuajse të gjithë klerikët. Vriste dhe torturonte në mënyrë të verbër e të shurdhër, pa kuptuar që ky ishte grupi që, sado e fortë të ishte, e ndiente më të butë goditjen sepse e zbuste atë në shpirtin e besimtarit, i cili pranon vuajtjet; zgjedh gjithmonë ta pësojë padrejtësinë sesa ta bëjë atë; ka paqe sepse po sakrifikohet për hir të besimit dhe nuk e mundon urrejtja…Janë pikërisht këta njerëz, të çdo besimi fetar, që deri në çastet e fundit kanë ndarë mesazhe inkurajimi, që kanë shfaqur urtësi e mëshirë, që para togave të pushkatimit, kanë thirrur për lavdinë e Krishtit, të Zotit, për Shqipërinë dhe kanë falur vrasësit e tyre.

    Tomorr Aliko, i cili ka qenë në burg me Dede Kamber Prishtën dhe në të njëjtën dhomë spitali në ditët e fundit të jetës së kryegjyshit botëror, dëshmon për fjalët inkurajuese që i thoshte Dede Kamberi vazhdimisht dhe nxitjen për të besuar në Zot.

    Në një shkrim të Reshat Kripës, për të cilin autori ka shfrytëzuar materiale nga Pjetër Pepa, Fritz Radovani, Agron Tufa, Ibrahim Vasjari, vjen situata rrëqethëse e pushkatimit të Baba Ali Tomorit dhe fjalët e tij të fuqishme. Ishte janar 1948. Ndërsa ishin bërë gati për të qëlluar, ushtarit që do të pushkatonte Ali Tomorrin, i bie të fikët. Atëherë, kleriku i thotë:

    “Nrehu bir! Qëllo bir! Zoti qoftë me ty!...Po s’qëllove ti, do të qëllojë dikush tjetër. Po s’vrave ti, do të vrasë dikush tjetër. Gjak, gjak, gjak sa të zbuten djajtë në shpirtin e njeriut”. Dhe kur dervish Resuli i heq taçin dhe shfryn "U  shoftë Shqipëria me këtë farë të keqe që ka ardhur!", përsëri Ali Tomorri kërkon të paqtojë: - "Mos e mbush gojën bir, mos e rëndo shpirtin! Se Shqipëria është e të gjithëve, e të gjallëve dhe e të vdekurve. Dhe sikur të mos e duan të gjallët, nuk e lënë të vdekurit. Mos e ngarko shpirtin! Shqipëria duhet. Shqipërinë e ka bërë Zoti të jetojë!”

    Është një dialog shumë i gjatë, për të pranuar që është zhvilluar kështu fjalë për fjalë, por mbështetet pa diskutim në besimin, mëshirën dhe atdhedashurinë që ky klerik, njëkohësisht kronikan, poet e përkthyes, shfaqi gjatë gjithë jetës deri në çastet e fundit të saj, për të cilat dëshmojnë me saktësi dokumentet. Janë ato që tregojnë për zgjedhjen e tij nga mbledhja e Komitetit Qarkor për Beratin në datat 2 – 3  gusht 1943, anëtar të Shtabit të Ushtrisë të Qarkut të Beratit, por edhe për arrestimin e mëvonshëm në janar 1948 si “spiun” i anglezëve, çfarë do e çonte në pushkatim, ku fjalët e fundit të dokumentuara kanë qenë: “Ruani dorëshkrimet e mia. Rroftë Shqipëria!”

    Nuk e kuptonin komunistët as që duke ua ndërruar veshjen fetare me uniforma burgu, apo rroba pune në fshatrat e internimit, nuk ndryshonin asgjë në shpirtin e këtyre besimtarëve. Pengonin mbledhjet masive të besimtarëve, por nuk pengonin dot fjalën shpresëplotë që shpesh kthehej në shërim e forcë për shpirtrat e të burgosurve dhe të internuarve që i rrethonin.

    blank
    Dede Ahmet Myftari

    Siç ka treguar, Baba Reshat Bardhi për Dede Ahmet Myftarin, ai arriti madje ta shndërronte vendin e internimit në një vend pelegrinazhi, megjithëse kjo ishte e ndaluar. “Në mënyrë të veçantë, kuraja dhe guximi i tij, shkëlqyen në vitet e vështira të  internimit, në fshatin Drizar të Mallakastrës. Aty u shfaq si rrallë herë qëndresa e tij. Teqeja e vogël e Drizarit, ai vend i humbur mes prrallesh, u bë Selia e Shenjtë e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane. Te kjo teqe kanë ardhur me mijëra besimtarë, nga e gjithë Shqipëria”. Dede Ahmet Myftari në luftë kishte bërë zgjedhjen e detyruar të një atdhetari për të dalë me armë kundër pushtuesve edhe duke u plagosur, por në paqe bëri zgjedhjen e lirë për t’i shërbyer Zotit. Kjo përparësi, e shprehur jo vetëm me jetën, por edhe fjalët e tij në referatin e mbajtur në konferencën  “Apel Paqes!” në vitet '50, ku Zoti zinte vendin e merituar, e kthyen heroin në armik.

    Ai do të shkarkohej nga detyra dhe do të internohej, por megjithatë nuk do të pushonte së qeni një lider shpirtëror për bektashinjtë, madje duke drejtuar e përforcuar në këtë rrugë, atë që do të bëhej pas rënies së komunizmit, kryegjysh botëror, Baba Reshat Bardhin.

    Këtë nuk e kuptonin komunistët. Ndoshta më syçelëtit e tyre kuptonin që kësaj, nuk kishin çfarë t’i bënin. Klerikët dhe besimtarët e vërtetë, i kishin sytë mbi gjithçka që mund të bënte diktatura dhe idealet aq thellë sa ajo nuk arrinte dot. Në kishte një shpresë në ato vite te ata që e shihnin, pa lentet e propagandës, gjendjen e Shqipërisë dhe që diktatura nuk kishte si ta zhdukte, ajo qëndronte vetëm te Zoti.

    Te Zoti që vazhdon të sjellë vite, pranvera dhe ditë të reja…

     

     

    Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

    PËRGJIGJU

    Please enter your comment!
    Please enter your name here