Dede Ahmet Myftar Ahmataj Klerik i lartë bektashian, Kryegjysh Botëror i Bektashinjve (1948-1958). Lindi më 22 shkurt të vitit 1916, në fshatin Brataj të Vlorës. Kreu Shkollën Qytetëse më 1924-1929. Pasi mbaroi shërbimin ushtarak, u vesh dervish në teqenë bektashiane të Bllacës (Dibër) tek Baba Zeneli, ku qëndroi deri më 1939. Që nga kjo kohë e deri më 1942 shërbeu në disa teqe të vendit, si në atë të Baba Hamidit në Elbasan (u emërua më 16 janar 1941), në Turan të Tepelenës dhe në Vlorë. Më 22 korrik të vitit 1942 u hodh në luftë, në radhët e Brigadës XVIII Sulmuese, në batalionet partizane të Martaneshit, Elbasanit dhe të Pezës. Më 1943 u internua nga italianët në Porto Romano. Pas internimit kaloi në çetën partizane të Shijakut, ku u plagos rëndë. Në qershor të vitit 1944 u gradua «Baba» dhe u dërgua në Vlorë, ku themeloi teqenë e Kuzum Babait. Aty shërbeu deri më 1948, kur u zgjodh Kryegjysh Botëror i Bektashinjve. Dhjetë vjet më vonë, më 1958, shteti komunist e largoi nga Kryesia e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane.

U internua së bashku me dervishin e tij, Reshat Bardhi, në Drizar të Mallakastrës, ku qëndroi nëntë vjet, deri më 1967, kur në Shqipëri u ndalua ushtrimi i fesë. Që nga kjo kohë e deri sa vdiq, më 10 korrik 1980, jetoi në familjen e të vëllait në Tiranë. Është dekoruar me medaljen «Pishtar i Demokracisë».

 

Burimi: Kujtim Ahmataj, Shenjti këmbëzbathur: Dede Ahmet Myftar Ahmataj (22 shkurt 1916-10 korrik 1980), Tiranë, pa datë; Kujtim Ahmataj, Loti i vrarë, Tiranë, 2012, f. 86; Gjysh Qazim Dedej, Fillimet e Bektashizmit në Shqipëri dhe në Elbasan, Elbasan, 1997, f. 107; Kujtim Ahmataj, ahmataj Dede Ahmet Myftar, në «Fjalor Enciklopedik Shqiptar», 1, Tiranë, 2008, f. 26-27
Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.