“I urti çka din nuk flet, i marri çka flet nuk din”

0
317
blank

“Por le të mendojnë shqiptarët se shka bahet sot ka me pasë pasoja të idhta për ne. Në t’ardhmen na kemi me pas turp të kërkojmë liri shtypi e mendimi. Me kamt tona kemi me shkue drejt robnisë tonë. E shka asht ma zi ka me u zmadhue aq fort mënija shekullore në mes elementesh sa të huejt mezi kanë me prit me futë hundët në punët tona e na e dime atëbotë se shka na gjen”.

Gjon Shllaku, ishte një ndër publicistët e spikatur të viteve ’30. Ai shkruante në revistën “Hylli i Dritës”.  Një prej artikujve të tij publikuar nën pseudonimin Gjin Shpata titullohej “Jehona e Shtypit” dhe u drejtohej disa kolegëve të tij gazetarë e publicistë që përmes artikujve në gazeta të kohës, po lartësonin “djalërinë e re”, djemtë e lëvizjes komuniste. Artikujt i përkasin janarit të vitit 1944.

Në atë kohë, disa gazetarë  të spikatur në publicistikën e kohës, kishin publikuar disa artikuj për lëvizjen komuniste. Vasfi Samimi, ishte një prej tyre. Ishte një ndër intelektualët e shquar të kohës. Shkruante artikuj në gazeta si “Bashkimi i Kombit” me pseudonimin Agim Shkëndija, shkruante një artikull të ngjashëm me lavde madhështore për djalërinë komuniste të Shqipërisë së vitit 1944. Në artikullin me titull ”Misioni historik i djalërisë shqiptare”, Vasfi Samimi, të datës 18 janar 1944 ai shkruasn ndër të tjera:

blank

“Djalëria shqiptare sot nderohet më tepër se kurrë nga i gjithë populli, aq sa një gjë e këtillë nuk është parë asnjëherë në historinë tonë. Këto lule të njoma të fisit arbnor, janë në gjëndje shpirtërore e mendore që të kuptojnë thellësisht tingëllimën e melankoslisë e të tragjedisë që jehojnë në të katër anët e atdheut, sepse ky brez prej katër vjet me rradhë jetoi i lidhur ngushtësisht me popullin, në të gjitha vuajtjet, mjerimet dhe lotët…”

Në të njëjtën gazetë, pra “Bashkimi i Kombit”, do të shkruante me vlerësimë të larta edhe publicisti tjetër i njohur i kohës, Kasëm Bajrami. Me titullin “Ç’kërkon rinia?!”, botuar më 27 janar 1944 theksonte ndër të tjera:

“Duhet të kuptojmë kohën e shpirtin e rinisë. Duhet të njohim botën që rinia vijëzon përpara vetes. Duhet të ecim me kohën. Rinia kërkon ndërtimin e botës së re të shkëputur nga prangat e fanatizmave, të nepotizmit, të regjionalizimit, të kapitalizimit të tërbuar, të feudalizmit shekullor. Rinia kërkon të ndërtojë botën e solidaritetit, atë të vllaznimit, botën e socializmit.”

Për të gjitha këto mendime të shprehura nga këta gazetarë që shkruanin në atë kohë në mbështetje të djalërisë dhe ideve komuniste, “Hylli i Dritës” tërhiqte vëmendjen, pavarësisht pasojave që mund të kishte. Në një artikull të rubrikës së përhershme: “Jehona e Shtypit”, autori Gjon Shllaku, me pseudonimin Gjin Shpata, argumentonte krejt të kundërtën.

Artikulli “Jehona e Shtypit”, analizon ndikimin e ideve komuniste te gazetarët e kohës. Më një farë kritike, autori shenjëstron disa gazetarë që shpallën gatishmërinë për të lënë penën e për të rrokur armët në luftë për çlirimin e atdheut. Me një citim që i referohet një thënieje popullore, autori nis kritikën për propagandën e ideve komuniste në shtypin e kohës.

“Na ktej ka Shkodra kemi nji thanie popullore: I urti shka din nuk flet, i marri shka flet nuk din.

blank

E keqja ndër ne asht se çdo njëri e ndien veten shpëtimtar i atdheut. Prandaj shumë nga shkrimtarët tanë hodhën penën e rrokën shpatën. Nga puna e përpjekja e tynë në lamën strategjike e ushtarake, po kemi përfundime ma se tragjike. Gjysmën e Shqipnisë e dogjëm e gjysmën tjetër kemi mbetë me dyshim: ta djegim a mos ta djegim?

Letrarët me parzmore e përkrenare le të bajn punën e vet. Ne kemi guxim të japim këshilla. Por gzim i madh ka me qënë për ne kur ti rrokim për parzëm këta kingja të butë që braktisën grigjën.

Kur deri letrarve u kërceu gjaku në krye e nuk mund pritën me ba ata shka banë, shka do të thomi për turmën amorfe shqiptare, për gjithë ata malokë, injoranta, vagabonda që trajtojnë masën e murrme antihistorike shqiptare?

Në vazhdim të analizës së “Hyllit të Dritës”, evidentohet një parashikim për të ardhmen e shtypit shqiptar nën regjimin komunist. Problematika e nisur qysh para çlirimit, konstatohet në analizën e mëposhtme:

“Por le të mendojnë shqiptarët se shka bahet sot ka me pasë pasoja të idhta për ne. Në t’ardhmen na kemi me pas turp të kërkojmë liri shtypi e mendimi. Me kamt tona kemi me shkue drejt robnisë tonë. E shka asht ma zi ka me u zmadhue aq fort mënija shekullore në mes elementesh sa të huejt mezi kanë me prit me futë hundët në punët tona e na e dime atëbotë se shka na gjen.

Intelektualët e njerzit e artë të Shqipnisë le të bijn në fije. Menitë vetjake e kolektive në mos mujshin me i zhdukë, ti lanë për ma vonë se asht në rrezik kombi.

Shpresa e kombit, si pat kenë thirrë ndër ne në këto dhjetë vjetët e fundit rinia jonë, asht tu ringjallë e frymëzue edhe të rritunit e deri pleqt, me e kujtue vetin si të jetojshin gjithnji në at moshë: lum, lumi un” vetëm pse nuk kursehen në lavde të teprueme kundrejt kësaj breznije që sot e ka vu aq fort ne mendim kombin e shtetin tonë….

Por rinia aq fort e lavdërueme, aq fort e adhurueme na paraqitet sod e dame ndër llogore të ndryshme, prej kah njiheri me plumba që vringëllojnë, ndihet edhe fjala “trathtarë” me të cillën gjuhen pjesët kundërshtare ndërmjet vetit. Kush nuk mendon këtë tradhëti në dritën e këtij fakti le të heshtë ma mirë, pse asht i vërbt e nuk mundet me pa, as asht rradhitun shpritnisht në njenen ndër këto llogore të çiluna.”

blank

Megjithëse mbështetës të djalërisë komuniste, Samini dhe Bajrami do të shpalleshin armiq të popullit nga regjimi komunist qysh në muajt e parë të marrjes së pushtetit. Vasfi Samini u arrestua më 15 dhjetor 1944, u gjykua në procesin e “Gjyqit special” dhe u dënua me 3 vjet burg, i akuzuar për veprën që kishte shkruar në vitin 1943 “Nëna Kosovë-Shqipëria e vërtetë”.

Dita e gjyqit të tij do të botohej në gazetën “Bashkimi”, ku kishte punuar si gazetar e ku kishte thurur lavde për djalërinë komuniste.

“Kryetari i gjyqit (Koçi Xoxe):-Pse e ke botuar atë librin “Nëna Kosovë” që merret me propagandë?

I pandehuri (dr. Vasfiu):-Unë librin “Nëna Kosovë” e kam shkruar me plot ndërgjegje dhe përgjegjësinë për përmbajtjen e tij e marr vet. Këtë libër e kam shkruar si një shqiptar dhe ka një stil human….

-Keni bërë propagandë … jeni armik i popullit…”

Edhe Kasëm Bajrami, gjithashtu mbështetës i dikurshëm i lëvizjes së rinisë komuniste, do të burgosej nga diktatura. Në listën e gjyqit special do të përfshiheshin edhe gazetarë e publicistë të njohur si: Fiqri Llagami, apo Lazër Radi. Më pas lista e gazetarëve të vrarë e të burgosur do të shtohej me emra të tjerë të njohur, në procese gjyqësore të sajuara me dëshmitarë të rremë dhe akuza false.

Shënim: Artikulli mbështetet në materiale të marra nga libri “MEDIA SHQIPTARE, rrugëtimi i vështirë drejt lirisë, me autore Luljeta Progni, mbështetur nga Konrad Adenauer.

 

blank

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here