Dëshmia e Athina Turtullit, si e dënoi diktatura familjen e mirëbërsve të Korçës

1
1374
blank

Athina Turtulli rrëfen për Kujto.al jetën e babait të saj Aleko Turtullit, trashëgimtarit të vetëm të një prej familjeve më të shquara dhe filantrope korçare, emri i së cilës është një gur i çmuar në historikun e qytetit të Korçës. Një rrëfim i bashkëngjitur me dokumenta zyrtare dhe foto domethënëse ku tregohet kthesa e papritur në jetën e familjes Turtulli ku në vend të nderimit dhe mirënjohjes ajo do përballej me hakmarrjen dhe përndjekjen komuniste. Një jetë e ndarë mes kontributit të vyer dhe bamirësisë së pakursyer të familjes së njohur që i kishte dhuruar Korçës, bibiliotekën, liceun, kinemanë, spitalin, në sekuestrimin e pasurisë, dënimin me burg të pinjollit të saj. Sikur mos t’u mjaftonte fshirja e emrit nga kujtesa historike, i shkatërruan edhe varrin monumental ku preheshin Thoma dhe Vangjel Turtulli, duke ua zhdukur kockat si forma më e skajshme e urretjes komuniste ndaj Turtujve.

Nga: Najada Pendavinji

Dëshmia e plotë

Znj. Athina, mund të na tregoni diçka për familjen Turtulli para se të instalohej regjimi komunist?

Jam Athina Aleko Qirici Turtulli, kam lindur në një familje të shquar korçare, e dëgjuar për filantropinë  dhe patriotizmin e saj. Mbiemri që unë mbaj, Turtulli, në çdo kohë ka lënë gjurmë të mëdha të shpirtit të dhembshur altruist, por në shekullin XX u kthye në fenomenin e mirëbërësve shqiptarë të të gjitha fushave. Korça do ishte qyteti që do gëzonte gjithë bamirësinë e Turtujve të cilët i dhuruan një pasuri të madhe kulturore dhe jetësore. Dera e madhe qytetare Turtulli, vjen nga Vithkuqi i Korçës, por që herët të gjithë veprimtarinë e saj do e drejtonte kah zhvillimit të qytetit të Korçës. Stërgjyshi im Koçi i Ndrios etiketohej si gozhdaxhiu dhe merrej me tregti, materiale ndërtimi, ku qysh në vitin 1885, djemtë e tij, pra gjyshërit e mi, do krijonin firmën tregtare që quhej atëherë “Vëllazëria Turtulli”. Një firmë e cila do t’i kalonte kufijtë shqiptarë dhe do shtrinte degët e saj në Selanik, Manastir etj.. Kështu filloi të ngrihej pasuria e Turtujve e cila që në atë moment do vihej në shërbim të njerëzve në nevojë apo në përgatitjen e pajës së vajzave të reja. Në testamentin që ne kishim, pasi në vitin 1973 u dogj shtëpia dhe u zhdukën shumë dokumenta, por e kam lexuar vetë, kishin martuar 50 vajza, me prikë dhe i kishin dhuruar nga 50 deri në 100 napolona flori. Gjithashtu do përfshiheshin edhe në lëvizjen atdhetare të qarkut Korçë, duke treguar patriotizmin e tyre në shumë drejtime. Ishte koha kur elita e kombit po sakrifikonte në mënyra të ndryshme për atdheun. Turtujt përpos të tjerave zgjodhën rrugën e bamirësisë. Ishin njerëz me mendje të ndritur dhe zemër të pastër të cilët ideuan projekte të mëdha e të rëndësishme që shenjuan jetën e korçarve dhe jo vetëm. Vëllazëria Turtulli ishin: i madhi Andrea Turtulli, i dyti Thoma Turtulli që spikati për filantropinë e tij, i treti Mihal Turtulli me profesion mjek, i emëruar si ministër i Shëndetësisë në qeverinë e Kongresit të Lushnjës, i katërti Vangjel Turtulli, Senator Nderi në senatin Italian dhe e pesta motra e tyre, Evanthi Theodhosi, e ëma e Koço Theodhosit, ministër i pushkatuar nga regjimi komunist. Kjo ishte familja Turtulli e cila ishte burim i qytetarisë korçare dhe gëzonte respektin e dashamirësinë e banorëve të qytetit të Korçës në këtë periudhë. Jo më kot iu përmenda pak më sipër që Turtujt kanë realizuar vepra të mëdha për kohën dhe dihet që meritën më të madhe për ngritjen e këtyre veprave e ka gjyshi im, filantropi Thoma Turtulli. Ishte një njeri që adhuronte dijen, mbështeste rininë, e donte Korçën aq shumë saqë ëndërronte ta kthente në një qytet evropian. Dhe atë bëri. E gjithë pasuria e tij shkoi për zhvillimin e këtij qyteti. Të gjithë i dinin veprat që ai ngriti, shumëkush i ka jetuar dhe përjetuar ato. Edhe gazetat e revistat e kohës kanë shkruar shumë për dhurimet e tij duke e lartësuar figurën e Thomait si një nga mirëbërësit më të mëdhenj të të gjitha kohërave.  Gjyshi im Thoma Turtulli ishte ai që i dhuroi Korçës, bibliotekën me një fond të pasur librash të dhëna nga vëllai i tij Mihali dhe Nikollaq Lakoja, Liceun Kombëtar ku u diplomuan me qindra studentë, spitalin ku u  shëruan mijëra njerëz dhe kinemanë e njohur “Majestik”, një “La Scala” në zemër të qytetit, për t’u argëtuar të rinjtë. Janë vepra që ekzistojnë akoma edhe sot, por që jo të gjithë i njohin si veprat e dhuruara nga Thoma Turtulli, disa për shkak të kohës së mbrapshtë që po vinte dhe disa të tjerë për fat të keq nga mosmirënjohja.

Kur filloi përndjekja komuniste ndaj familjes suaj?

Kjo është një nga periudhat më pak të njohura të historisë së familjes sonë, por më e mundimshmja.  Në fakt ne e dimë që menjëherë pas ardhjes në pushtet, komunistët nisën atë fushatën e spastrimit të vendit nga familjet me ndikim dhe më të pasura të asaj kohe. Nuk kishte si të shpëtonte nga kjo goditje familja Turtulli veçanërisht për vetë lidhjen e saj me mbretin Zog, pasi nderohej dhe respektohej në kohën e tij. Enver Hoxha kishte një urrejtje patologjike ndaj familjes sonë. Nuk e pranonte dot që emri i Turtujve ishte i njohur dhe i nderuar në gjithë vendin dhe bëri çmos që këtë emër ta përndiqte, t’ia sekuestronte pasurinë, t’i shkulte mirënjohjen nga zemrat e njerëzve, aq sa ngriti turma njerëzish për të rrafshuar bustin e Thoma dhe Athina Turtullit të skalitur në mermer. Por kjo nuk i mjaftonte, dëshironte t’i fshinte plotësisht nga kujtesa historike. Dhe ashtu bëri. Nuk i duhej shumë kohë për të hequr emrat e Thoma Turtullit dhe familjes së tij nga godinat e bibliotekës, liceut, spitalit apo dhe kinemasë ku vetë në veprën e tij “Vitet e Rinisë”, ai me një zili të zellshme i quante “furiçka”, këto dhurata të familjes sonë. Fati i tyre i keq apo i mirë nuk di si ta quaj ishte që vëllezërit Turtulli vdiqën përpara ardhjes së regjimit komunist dhe nuk arritën dot të shikonin persekutimin që po i bëheshe emrit të tyre. Nëse ata do ishin gjallë, jam e sigurt që do hiqnin në kurriz të tyre një terror të frikshëm. Këtë e them se ai regjim nuk i la të preheshin të qetë as në banesën e fundit dhe ua lëvizi të shkretëve edhe kockat nga vendi.

blank

Pra, shpërblimi që mori filantropi i shquar korçar për kontributin e tij, Thoma Turtulli  ishte fshirja e emrit dhe zhdukja e eshtrave të tij? Një hakmarrje që të paktën ai njeriu me dinjitet të lartë dhe me zemër të madhe, nuk besonte se do i ndodhte ndonjëherë.

Po e vërtetë… atij njeriut që dikur i vlerësohej figura, që adhurohej për bamirësitë e tij, nderohej nga vetë mbreti Zog dhe familja e tij. Edhe gjatë kohës që Thomai ishte i sëmurë dhe po dergjej në shtrat, mbreti Zog shprehte interesimin e tij duke dërguar motrat e veta për ta vizituar apo edhe duke sjellë doktorët më të mire, por për fat të keq, më 28 gusht të vitit 1937, në moshën 72 vjeçare gjyshi Thoma Turtulli mbylli sytë për jetë.

blank
Ceremonia e Varrimit të Thoma Turtulli

Ajo që unë dua të përmend për të bërë atë dallimin e kohërave, është ceremonia e varrimit e cila ishte madhështore dhe varri monumental i gdhendur në mermer ku u preh Thomai dhe vëllai i tij Vangjel Turtulli deri në momentin e ardhjes së Enver Hoxhës në pushtet. Nderimet e fundit iu bënë sipas meritës. E gjithë Korça ishte në zi. Tregtarët korçarë i ulën qepenat dhe zyrat i mbyllën dyert në shenjë zie për t’i dhënë lamtumirën e fundit.

Madje edhe brenda Parlamentit shqiptar me urdhër të mbretit Zog, u mbajtën 5 minuta heshtje në nderim të kujtimit të Thoma Turtullit. Në gazetat dhe revistat e kohës shkruhej: “ Vetëm një gjë mund t’i themi për të lavdëruar shpirtmirësinë e gjërë duke iu drejtuar njeriut më të pastër Thoma Turtulli; Kombi do të të jetë mirënjohës”!  Kohët ndryshuan dhe njerëzit po ashtu dhe Thoma Turtullit jo vetëm që nuk iu shpreh mirënjohja, por iu zhduk emri së bashku me eshtrat. Regjimi i asaj kohe e shkatërroi në mënyrë barbare varrin monumental ku po prehej Thoma dhe Vangjel Turtulli i ndërtuar nga vetë ata, i cili ndodhej pranë kishës së Shën Mërisë, në hyrje të Korçës.

blank
Varri-Monumental-i-Thoma-dhe-Vangjel-Turtulli-para-se-te-shkaterrohej-nga-regjimi-komunist

Një varr që nëse do ekzistonte akoma mendoj se do kthehej në një monument kulture. Unë kam shkuar me time gjyshe, Athina, çdo javë që e pastronim dhe kryenim ato ritet tona, ishte madhështor, ishin të dy vëllezërit brenda në atë varr dhe është mizore të mendosh që regjimi e mori të gjithë mermerin e kollonat dhe i çoi në Elbasan ku ndërtoi një lapidar për partizanët. Varri u rrafshua, kockat nuk dihen ku u hodhën dhe ne nuk kemi asnjë dijeni akoma dhe sot se ku mund të jenë. Ky ishte regjimi i Hoxhës. Në një kohë që emri i Thoma Turtullit duhet të ishte i gdhendur me shkronja të mëdha në historikun e qytetit të Korçës, ai nuk është as mbi një varr.

Çfarë përfaqësonte figura e babait tuaj Aleko Turtulli?

Babai im Aleko Turtulli ka lindur në Selanik në vitin 1910. Është djali i Vangjel dhe Olimbi Turtullit, pinjolli i vetëm i vëllazërisë Turtulli. Duke qenë se Thoma dhe Athina Turtulli nuk kishin fëmijë ata e konsideruan si evlatin e tyre dhe trashëgimtarin e gjithë pasurisë.

blank
Vangjel dhe Olimbi Turtulli- Prindërit e Aleko Turtullit
blank
Aleko Turtulli- me veshje kombëtare

Pra, Alekoja u rrit nga dy nëna dhe dy baballarë. I edukuar me frymën e dashurisë për familjen, për dijen, për lirinë, babai kishte të trashëguar nga ata vlerat më të mira të atdhedashurisë dhe filantropisë. Ai e kishte në gjak dhurimin, bamirësinë, bujarinë, dashurinë për njerëzit sidomos ata në nevojë. Ishte një njeri i ndershëm dhe inteligjent. Me sjelljen dhe karakterin e tij e tregonte më së miri se vinte nga një familje me prestigj në qytetin e Korçës dhe jo vetëm. Ishte një djalë i ri që adhuronte arsimimin dhe ndoqi studimet në vitet 1921-1926, fillimisht në Liceun Kombëtar të dhuruar nga vetë familja e tij, i cili kishte nxjerrë në atë periudhë një plejadë të rëndësishme licestësh nga i gjithë vendi.

blank
Aleko Turtulli, liceist

Më pas vazhdoi në Paris, pasi dihet që studentët që kishin mbaruar në këtë lice integroheshin shumë lehtë në universitetet franceze. Babai vinte nga një familje tregtarësh dhe studimet e larta i orientoi drejt kësaj dege teksa në vitet 1926-1931, ndoqi shkollën e Lartë të Tregtisë në Monpelje si dhe në Lion për Shkenca Ekonomike.blank

I diplomuar me rezultate të shkëlqyera, në vitin 1933 kthehet në atdhe, ku i kushtohet normalisht marrëdhënieve tregtare si dhe u mor me studime ekonomike që i botoi në shtypin e kohës, por që shumë shpejt jeta e tij do kthehej përmbys.

blank
Aleko dhe Dhimitra Turtulli

Cila ishte lidhja e tij me diktatorin Hoxha?

Aleko është njohur me diktatorin Hoxha në disa momente. Momenti i parë ka qenë periudha e studimeve në bankat e liceut. Kanë qenë shokë klase në Liceun e Korçës dhe po të lexosh librin “Vite të Rinisë”, Enveri ka shkruar për babain me një urrejtje dhe zili ku thoshte: “Nganjëherë i thoshim Aleko Turtullit shok klase, djali i Vangjos dhe nipi i Thomait: Na sill ca dru nga shtëpia  o “viç i artë”, se do t’i ftohesh mamasë që të ka të vetëm!” E dinte shumë mirë që ai ishte trashëgimtari i vetëm i gjithë pasurisë së Turtujve dhe e ngacmonte. Më pas, në Paris, ata do vazhdonin studimet e larta së bashku në Monpelje, ku babai do e afronte Enverin dhe do e ndihmonte duke e mbështetur moralisht dhe materialisht. Madje në të shumtën e rasteve i ka dhënë edhe para borxh, por që kurrë nuk iu kthyen. Babai e zgjaste gjithmonë dorën e tij bujare kundrejt çdokujt që kishte nevojë, të njëjtën gjë bëri edhe me Enver Hoxhën që në atë kohë ishte vetëm një student me bursë dhe që herë pas here i ndërpriste studimet dhe nuk kishte qëndrime të mira.  Babai, Alekoja, as që e kishte menduar ndonjëherë se ndihma ndaj Enverit do i kushtonte shtrenjtë, shumë shtrenjtë. Erdhi koha dhe fati i atyre që në vitet e liceut u kryqëzuan me të mallkuarin Hoxha do të ishte tragjik. Sidomos për babain që ishte një mik i afërt i tij, i rinisë dhe i studimeve që ia dinte pikat e dobëta dhe e kishte ndihmuar në kohë të vështira.

Si erdhi arrestimi dhe dënimi i Aleko Turtullit nga regjimi komunist? 

Momenti i dytë i takimit së Alekos me Enverin do ishte kur ai erdhi në pushtet si diktator. Ai studenti që tregonte babai, “që dikur rrinte i mënjanuar, disi i drojtur në një cep të murit të liceut, i frikësuar”, tani do kthehej në një hakmarrës mizor. Duket sikur mezi po e priste dënimin e Alekos, nipit të Thomait dhe djalit të Vangjos, prej të cilëve kishte ngelur vetëm ai që rritej të trashëgonte pasurinë e tyre. U shpall “armik i regjimit” dhe fillimisht ndaj babait u zbatua një tatim i jashtëzakonshëm, një pjesë arriti ta shlyente dhe një pjesë jo dhe si pasojë iu sekuestruan me dhunë të gjitha pronat, dyqanet, pasuritë dhe një pjesë e floririt. Duhet theksuar se emri i Alekos ishte në listat e të pushkatuarve të natës së 21 shkurtit 1951, të hyrë në histori si “hedhja e bombës në Ambasadën Sovjetike”, por qe fati i tij i bardhë që i ishte hequr kryqi nga emri për t’u ekzekutuar atë natë, por në 5 mars të po atij viti 1951, arrestohet nga regjimi komunist dhe u dënua me gjyq ushtarak me 10 vjet burg si agjent i monarko-fashistëve grekë, meqenëse kishte lindur në Selanik dhe me misionin anglez në Mesdhe pasi kishim radio transmetuesin në shtëpi dhe dinte 5 gjuhë të huaja. Ishin akuza false që vërtetojnë mendimet paranojake të Enverit. Më e vështira për Alekon ka qenë hetuesia, ku qëndroi për gati 9 muaj, këtu në degën e Korçës dhe kryetar dege ka qenë Feçor Shehu.

blank
Të dy prindërit- Aleko dhe Dhimitra me vajzën e madhe Athina

Unë isha e vogël, por mbaj mend që kur shkonim me mamanë për t’i çuar ushqime dhe ndërresa se çdo javë do vinim, këmishat e babait ishin të gjitha me gjak. Feçor Shehu ka përdorur një dhunë të tmerrshme karshi babait tim edhe dhëmbët e gojës e thonjtë e gishtave ia ka shkulur me darrë. Dënimin e tij e ka vuajtur në disa kamp-burgje të regjimit, ndër ta ka qenë edhe në kënetën e Maliqit ku vuante dënimin së bashku me vjehrrin Themistokli Lako dhe xhaxhain e gruas, të mamasë sime, Sotiraq Lako i cili vdiq nga torturat e Tasi Markos në kënetë dhe eshtrat i ngelën aty përjetë. Ndërsa babai arriti të dalë gjallë dhe u transferua në Fier-Shegan, ku kam shkuar edhe unë që e kemi takuar, një nga momentet më të vështira të miat, në Gosë të Kavajës.  Në fund ka qenë në burgun e Tiranës ku qëndroi për gati 4-5 vjet si përkthyes i gjuhës frënge.

Çfarë ndodhi me familjen Turtulli dhe me nënën tuaj gjatë kohës që babai juaj Aleko vuante dënimin me burg?

Kur u arrestua babai, Alekoja, në shtëpinë e Turtujve kemi ngelur vetëm ne fëmijët dhe zonjat e familjes. Ishte nëna ime, Dhimitra, ishin të dyja gjyshet, të vejat e Thomait dhe Vangjelit, përkatësisht Athina dhe Olimbi të cilat mbetën fillikat edhe pa djalin e tyre të vetëm. Mbaj mend, unë atëhere isha vetëm 10 vjeçe, por gjatë kohës që babai po dënohej, Sigurimi i Shtetit erdhi në shtëpinë tonë dhe fillimisht ka marrë nënën time e cila as dyzetë ditë nuk kishte, që kishte lindur motrën time të vogël dhe e kanë mbajtur për gati 2 javë në hetuesi; asaj nga trembja i iku dhe qumështi i gjirit. Kërkonin që ajo t’i nxirrte florinjtë, xhevahiret, paratë, ato që babai nuk mundi t’ia paguante shtetit. Më pas kanë marrë edhe të dyja gjyshet të cilat i mbyllën të ndara nëpër birucat e Korçës, ku i torturonin dhe i kërcënonin me jetën e birit të tyre të vetëm për të nxjerrë florinjtë. Dhe i nxorën, 12 mijë napolona florinj na morën, veç 4 mijë të tjera që i spiunoi Robert Ballauri. Na kanë lënë në mes të katër rrugëve. Na hoqën nga shtëpia jonë, na i morën edhe orenditë. Kemi kaluar një kalvar të gjatë mundimesh ku na kanë hedhur nga një shtëpi në një shtëpi tjetër. Fillimisht na kanë çuar në banesat e rënuara të Kulleirit siç i thonë korçarët, ku kemi qëndruar vetëm dy javë. Më pas, kemi shkuar në shtëpitë e Petraq Katros, e Selim Kacilles, e Seit Panaritit, të Koço Gramenos të cilat ishin shtëpi të vjetëra, të lyera me baltë, pa dyer dhe penxhere, pa askurrgjë. Dhe deri në fund që na kanë sjellë në korridoret e shtëpisë së gjyshes Olimbi të cilën e kishte dhuratë nga i ati, por që në atë kohë ishte e shtetëzuar dhe e mbushur me qiraxhinj.

blank
Athina Turtulli Qirici me të ëmën Dhimitra Turtulli

Mamasë do i binte e gjithë barra e shtëpisë dhe në mungesë të babait, i duhej të bënte punë nga më të vështirat për të mbajtur familjen, ku fillimisht ka shkuar në fermën “Hirakli Tërova” dhe më pas ka punuar edhe si fshesaxheshë në komunale. Madje ka pasur raste kur mamaja e ndodhur ngushtë i ka dërguar edhe letër Enver Hoxhës ku i thoshte: “ju e njihni më mirë se unë që e kam burrë Alekon dhe e dini shumë mirë që Aleko nuk ka bërë asgjë dhe e keni dënuar kot. Edhe unë si gruaja e tij kam kërkuar punë, por meqë e kam burrin e dënuar asnjë punë nuk më jepet dhe kam shpresa vetëm për punë krahu”. Ajo grua që kishte mbaruar Shkollën Amerikane në Selanik dhe ishte njohëse e mirë e 5 gjuhëve, erdhi koha që do kthehej në një bojaxheshë për shumë vite.

blank
Dhimitra Turtulli- Duke punuar si bojaxheshë në vitet e komunizmit

Si rodhi fati i Alekos, pinjollit të familjes më të pasur korçare mbas lirimit nga burgu komunist?

Babai lirohet në ’59-ën. Ai Aleko që dikur ishte një burrë shtatlartë, i shëndetshëm, i pashëm,  kur doli nga burgu komunist ishtei shpërfytyruar si një kufomë e gjallë.

blank
Aleko Turtulli- Në vitin 1960 pas daljes nga burgu komunist

Trupi i tij ishte i sakatuar nga torturat dhe rrudhat kishin mbuluar fytyrën e qeshur të babait. Pinjolli i Turtujve tani do trashëgonte vetëm varfërinë dhe “njollën e biografisë së keqe”, gjatë gjithë diktaturës komuniste.

blank
Athina Qirici Turtulli së bashku me babain e saj Aleko Turtulli -në vitin 1960, Aleko i sapo dalë nga burgu komunist

Momenti i tretë i takimit të babait me Enverin do ishte kur ka erdhur Enver Hoxha në Korçë që bëri inaugurimin e Filaturës, së bashku me Myftar Grabockën që ishte Kryetar i Komitetit Ekzekutiv.  Në atë kohë, babai kishte vetëm disa muaj që kishte dalë nga burgu dhe punonte si bojaxhi së bashku me mamanë. Myftari e pa babain dhe i thotë: shoku Enver e di kush kaloi këtu pranë? – Jo, kush është ai?’ e pyeti.  “Aleko Turtulli, ju e njihni mirë atë’, iu përgjigj Myftari. Ashtu? Thirreni këtu! Edhe vete Niko Ceta dhe e thërret Aleko Turtullin, që në atë moment po suvatonte muret e një godine aty pranë. “Hajde se po të kërkon shoku Enver".-"Për çfarë i duhet shokut Enver, një bojaxhi i thjeshtë siç jam unë!?” –i kthehet babai. Por gjithsesi ai shkon afër tij dhe menjëherë Enveri siç ishte ashtu përpara të gjithëve thotë: “E shikoni këtë? Ky njeri ka larë gjynahet e prindërve të tij, por mos kini frikë nga ky njeri, nuk turbullon ujërat”. Çfarë gjynahe të prindërve? Të Thomait që ishte filantropi më i madh ku u dekorua edhe nga Ambasada Amerikane në 2011-ën apo të Vangjos që në testamentin e tij pas vdekjes kishte lënë 10.000 franga ari për spitalin e shtetit në Korçë. Gjithsesi që nga ky takim babain e caktojnë të punojë shef llogarie në NSHN, por që nuk zgjati shumë e lanë për vetëm 1 vit dhe e heqin që andej. Aleko u kthye përfundimisht si bojaxhi ku si i tillë e mbylli edhe jetën, më 10 shtator 1988. Dua të them diçka, kur unë e pyesja babain tim Alekon mbi Enver Hoxhën nuk më kthente përgjigje derisa në momentet e fundit të jetës së tij më është shprehur: do më vijë turp nga vetja që e kam ndihmuar atë njeri”!/kujto.al

Shënim: Në foton kryesore, Vangjel dhe Olimbi Turtulli me djalin e tyre, Aleko.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

1 Koment

  1. Deshmi interesante.Disa nga te dhenat qe jepen ne shkrim nuk i njihja.Dicka qe e quaj me vend ta shtoj,qe te mos humbase me brezin tone,pas shume e shume fakteve te cilat kane humbur me qellim prej komutnisteve dhe pasardhesve te tyre.Si pasardhes ,nip, i "patriotit te vjeter",Hari Panaritit,Mitrushi,i cili ishte per shume vjet kryetar i dhomes se tregetise ne Korce,dhe mik i gjithe tregetareve e industrialisteve te qytetit,di prej xhaxhait,doktor Sotirit se ajo familje e nderuar bamiresish dhe tregetaresh mjaft te zgjuar per kohen,perdorte nje truk te bukur qe i siguronte mjaft fitime ne tregetine e tyre.Psh.- Deklaronte nje dhurate bamiresie,si Liceu apo Biblioteka dhe fillonte pas aprovimit nga Mbreti ZOG punimet per ndertimin e objektit.Ne preventivat e objektit shifrat perpunoheshin psh.ne se objekti kerkonte nje ton gozhde,ne preventiv shkruheshin 10 ton,te cilat meqe flasim per bamiresi,futeshin ne Shqiperi pa takse doganore,dhe keshtu edhe per hekurin ,cimenton etj..etj.Fitimet nga mospagimi i takses ishin shume me te medha se vlefta e paguar per objektin.Pra familjes i mbetej emri i mire dhe te ardhura te shumta.Faleminderit qe me dhate mundesite ti ndaj me ju keto fakte qe te mos humbin ne kohe.Kuptohet qyteti i Korces zbukurohej dhe lulezonte ne ate kohe,po ashtu edhe familja e zgjuar Turtulli.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here