Dëshmia/Mark Alija: Burgu nuk ishte asgjë, para presionit të Sigurimit

0
210
blank

17 vjeç e arrestuan dhe në gjyq as nuk e kuptoi sesa vjet u dënua. Do e kuptonte gjatë kohës që i vuajti ato vite, kur provoi punën e rëndë të kampeve. Kujto.al sjell dëshminë e Mark Alijas, një rrëfim për burgjet dhe kampet komuniste, për të burgosurit fisnikë politikë që i popullonin dhe trajtimin e tyre shtazarak

Cila është historia e persekutimit të familjes suaj?

 

Goditjen e parë, familja ime e ka marrë në ’44-ën. Një kushëriri im, një Prengë Qerimi, nuk kishte ndonjë nivel shkolle, por ai ishte betuar që me partizanët mos të shihej fytyra e tij, sa të jetë bota: “fytyra ime nuk do shihet me partizanët”, i ishte fiksuar. Dhe partizanët vijnë në kodër dhe i thonë njerëzit, ndoshta dhe si për shaka: “O Prengë erdhën partizanët”. “Ku janë?” “Në kodër”. Edhe ky ikën nga ato shtëpitë që ishin…mirëpo partizanëve iu bie në sy: “Ç’është ky njeri që u largua? Duhet të jetë ndonjë njeri që është kundër partisë” dhe i vihen prapa. Mirëpo lumi i Drinit në nëntor ishte shumë i rrëmbyeshëm edhe ky hidhet në lumin e Drinit për të kaluar. Në mes të Drinit, ishte një gur dhe shkon për të marrë frymë. Partizanët e zunë, e vrasin, prej aty e mori Drini dhe sot e kësaj dite, as varr, as nam, as nishan, nuk iu gjet. Domethënë këtu filloi ajo goditja e parë, në ’44-ën. Në ’51-shin më dënojnë një dajë, në moshën 20 vjeç dhe ma çojnë në kala të Gjirokastrës. Daja nga natyra ka qenë shumë i shkathët. Biles dëshmitarë sot janë, se kanë vdekur një pjesë e njerëzve, Bajazit Kaloshi edhe Ramiz Mena që kanë qenë në një dhomë. Ky paska pasur konflikt me një grek edhe rrihen aty në burg. Vjen drejtori i burgut. “Çfarë ka bërë vaki?” “Kështu-kështu u rrahën këta të dy”. “E po shumë mirë,- thotë,- çojini në kala sipër, i fusni në një dhomë”. Që të vritnin njëri-tjetrin. Këta se ku paskan pasur një sharrë, presin hekurat. Mirëpo batanijet italiane, të vjetra… edhe i bëjnë ato batanijet litar. Ky daja im hedh këtë grekun përpara. I thotë: “Je më i lehtë ti se mua mund të më këputen këto batanijet.” Ky greku bie shëndoshë, dajës tim, në gjysmë të kalasë, i këputet ai litar prej batanijesh, edhe dëmtohet në kolonë. Ky greku e merr, me thënë të drejtën, largohet një pjesë edhe daja i thotë: “Ik, se unë kam mbaruar, të paktën shpëto ti”. Përfundimisht ai greku ikën, dajën e kapin forcat dhe siç më thotë Ramiz Mena dhe Bajazit Kaloshi: kur e kanë prurë, e kanë prurë të vdekur nga torturat. Edhe i thërrasin doktor Isufit që ishte në burg, i thonë: “Hajde, vizitoje” se ishte i burgosur doktor Isufi. “Jo”, thotë. “Paskeni mbaruar punë me të, ju”. Edhe vdiq daja. Në ’51-shin më arrestojnë dajën tjetër, bën 17 vjet burg, edhe ai. Në ’58-ën më gjeti mua, më arrestojnë edhe mua.

Cili ishte momenti i arrestimit?

Ne ishim 3 fëmijë nga 17 vjeç dhe bëmë mend për t’u arratisur, për të shkuar në Jugosllavi sepse nuk na dhanë bursa, pasi mbaruam 7-vjeçaren. Kishim dëgjuar që në Amerikë jetohet mirë. Edhe dolëm në Jugosllavi me mendim për të dalë në Amerikë. Na kapën në Shkodër në kufi...

Sa veta ishit?

Tri vetë.

A të kujtohen shokët?

Si nuk më kujtohen shokët! Javer Hoti, Rustem Berisha. Javeri, ndjesë pastë, shok i mirë. Vdiq, kurse Rustemi është gjallë. Banon në Mamurras.

Ku ju dërguan?

Ne, herën e parë, na morën prej afër Hanit të Hotit edhe na prunë në Degën e Brendshme të Shkodrës. Ishin gjëra të paparashikueshme. Ne nuk e dinim se ka prokurori, se ka gjykatë...këto organet që merren me këto punë. Na ra shumë e papritur. Na çuan në Shkodër, na mbajtën nja një javë në Shkodër. Na mori në pyetje vetë Hilmi Seiti atëherë, që ishte kryetar Dege. Tha: “Këta kanë dashur të arratisen? M’i zhdukni sysh dhe mos t’i shoh më!” Kaq ka qenë problemi me Seitin. Pastaj na prunë në Degën e Brendshme të Krujës, por edhe burgjet kanë fatin e vet: dikush është më tolerant, dikush është më i rëndë. Atje gjetëm një kryetar dege, një Muhedin Garxhalliu, nga Bicajt e Kukësit. Me thënë të drejtën, njeriu duhet të flasë realitetin, për në racën e komunistëve, ai ishte burrë i mirë. Nuk na shau, nuk na torturoi. Më mori në hetuesi dhe më tha: “A mos ka ndikuar gjë familja që ti ke dashur të arratisesh?” “Zoti kryetar,- thashë,- mua me pas hetu serbët se jam djali i filanit, mua më kishin kërkuar për mish dashi, por familja ime nuk ka admirim për serbët, se ne prej serbëve kemi ikur”. Mirëpo hetues më vjen kushëriri i këtij, Nuredini. Ky kishte mbaruar në Bashkimin Sovjetik për hetuesi dhe siç duket, e pati punë diplome këtë punën tonë, sepse hera e parë u mor me ne në hetuesi. Nuk na shau, nuk na torturoi. Unë ngula këmbë shumë që nuk e pranova fajin. Më në fund ishim përpara fakteve që na kishin kapur në kufi. Ai tha: “Ta kishe pasur këtë besë për partinë, nuk e di ku do të kishim çuar, por ti ke besën e ligë, prandaj ke 10 vjet burg.” “Po mirë zoti hetues, këtu jepet?” “Gjykata është formalitet,- tha.- Vetëm sa shkon për ta konfirmuar dënimin. 10 vjet sepse Shqipëria ka nevojë për të hapur kanale edhe ju jeni elementi më i mirë, për t’ia lënë partisë nja 10 vjet në kanal”. E po mirë. Na nxorën në Gjyqin Ushtarak, atje ishte Gazeli Sejko, prokuror, me gjithë një Faik Minarolli. Me thënë të drejtën, ai nxirrte flakë prej goje, sidomos ky Faik Minarolli. Një Sul Bajraktari ishte avokat, sepse atëherë unë jam dënuar me avokat. Edhe i bëri thirrje trupit gjykues: “A e shihni? Këtu janë tre fëmijë që dënohen. Ju i akuzoni për lidhje me komunistët jugosllavë. Ç’lidhje kanë këta me komunistët jugosllavë?” Edhe më thotë kryetari i gjyqit: “Çohu i pandehur!” “Urdhëro”. “Ju çfarë dini për lidhjen e komunistëve të Jugosllavisë?” “Mor zotëri kryetar, po ku di gjë unë ku lidhen, ku zgjidhen komunistët jugosllavë!” Nejse, u çua prokurori, tha: “Në bazë të deponimeve që kanë bërë në hetuesi, këta do shkonin në Jugosllavi, nga Jugosllavia në Amerikë, prej Amerikës, do vinin do rrëzonin pushtetin popullor në Shqipëri”. Se do shkonim te CIA ne, do bëheshim agjentë të CIA-s, do vinim të rrëzonim pushtetin. Aty, me thënë të drejtën, kam fol një fjalë, kam thënë: “Bjeri Haxhi Qamil”, se s’dija çfarë t’i them, kjo ishte përrallë me mbret. Përfundimisht, me pastërti po të them, kur kemi dalë nga salla e gjyqit, nuk e dinim sa na kishin dënuar. Ne u gëzuam që u pamë me njëri-tjetrin. Edhe e pyes shokun: “Di gjë sa më kanë dënuar?” “Ik ore, unë nuk di sa më kanë dënuar mua, po ec”. Nejse, pak rëndësi i kushtonim edhe dënimit. Kur shkuam në biruca, na doli ai përgjegjësi i birucave. “Hë, tha sa jua prenë kostumin?” Thashë: “S’na kanë prerë kostum”. Tha: “Jo, jo, sa vjet ju dhanë?” “Nuk dimë gjë”. “Nesër, tha, do ju çojmë te politikanët e mëdhenj, në burg të Tiranës”. Unë me thënë të drejtën, mendoja që do ishim shtatë-tetë vetë, se çfarë kishim bërë ne që u etiketuam politikanë? Kjo ishte gjë shumë e çuditshme. Kur shkuam gjetën nja 170 vetë në burg atje. Mirëpo që nga birucat, dëgjonim Tonin Prosin që lexonte faqen e katërt të “Zërit të popullit”. Edhe kapterët: “Hë, e filloi politikën ai?”. Ne ishim të panjohur me ato probleme. Shkuam në burg të Tiranës. Edhe atje gjetëm një ambient tepër të mirë, jo nga komanda, por nga njerëzit që ishin aty.

Kë gjetët në burgun e Tiranës?

Ne gjetëm Ali Menën, që ishte një ndër burrat më të mirë, bajraktarin e Lurës, gjetëm Muç Sejdinin nga Elbasani, dajë Muçin që i thoshim, gjetëm Ramazan Tabakun, gjetëm Sul Dizdarin, gjetëm njerëz...ishte krejt administrata e Zogut, Abdurrahman Dibrën, ministrin e Arsimit dhe aty ne u brumosëm, me thënë të drejtën. Ne, le që kishim një prejardhje nga familja, që kishim dëgjuar për komunizmin, por aty e mësuam shumë mirë dhe unë kam folur një fjalë atëherë që “Partia e Punës po përgatit një fidanishte shumë të rrezikshme me ne të rinjtë”, për aryse sepse: çfarë dinim ne çfarë është politika e jashtme, e brendshme? Te ne vinte New York Times, ishte kandidatura e Kenedit dhe Niksonit, edhe ne, brenda gjashtë muajve, arritëm të thoshim: “ishallah fiton Niksoni” se na dukej më serioz sesa Kenedi. Dhe Partia e Punës formoi një fidanishte që ia kallëzoi pastaj në ’90-ën, me revolta e të gjitha. Mbaruam burgun e Tiranës, gjashtë muaj. Tani ne ishim përgatitur. Dhe më kujtohet atë natë që do na nisnin për në kamp, dolën të na përcillnin me shumë dhimbje, Sul Dizdari, Ali Mena, të gjithë, ata njerëz që me thënë të drejtën ishin të rrallë, autoritetin e kishin shumë të madh, ishin njerëz me kulturë, me fakultete. Edhe më kujtohet Sul Dizdari, ne 17 të rinjve që na çuan në kampin e Rinasit, me lot: “Do t’u lutem shumë,- tha,- partia komuniste dhe komunistët janë duke kërkuar gjakun tuaj, djersën tuaj. Nderin mos e jepni,-tha.-Mos u bëni agjentë të tyre”. I thamë: “Zotni Sulë, zotni Ali, rrini pa merak, se të vdekur do dëgjoni që kemi dalë nga dera e kampit, por të turpëruar nuk do dalim.” Dhe shkuam atë natë në kamp, na thirri operativ Elmazi, të 17 të rinjtë që kishim ardhur. Ndër ta ishte dhe Ylli Tabaku, djali i xha Zanit, që kishte qenë deputet, në grupin e deputetëve, baba i tij. Na thirri një nga një për të na çuar, na premtoi se do na çonte në dhomën e rinisë. Dhe na tha operativi: “Ju keni bërë një faj kundër partisë, por partia do ju mbajë afër se jeni të rinj dhe do të punoni”. Unë thashë: “Unë personalisht pashë këta pleqtë e vjetër, i pyeta, sepse dukeshin të burgosurit e vjetër, këta bënin nga dy norma. Unë do bëj katër”. “Jo, jo, tha, nuk e duam atë punë, por me dëgju ndonjë gjë çfarë thonë këta.” “Nuk jam i aftë”. “Këtu do t’i lësh kockat!” Edhe këtu tani, përfundoi gjithçka, që ata vunë një pikëpyetje në kartelë që nuk pranojnë të bëhen agjentë dhe ndenjtëm në Rinas. Në Rinas, ngjarje të përditshme kishte. Vjen komandanti i kampit edhe e ngriti profesor Foto Balën. Foto Bala kishte mbaruar me Enver Hoxhën. Unë, sot, nuk di asgjë për Enver Hoxhën më tepër sesa kam ditur në ’58-ën që na shpjegonte Foto Bala se kush ishte Enver Hoxha. “Profesor Bala!” “Urdhëro, zoti direktor!” “Ju i mbani sytë nga Perëndimi,-tha. Po dini mirë që po erdhën englezët, amerikanët në Vorë, ne do t’ju pushkatojmë këtu dhe nuk do takoheni as me amerikanët, as me englezët,- tha.- Po erdhën ata në Vorë, ne do t’ju pushkatojmë këtu në Rinas dhe nuk do ju gjejnë ju, ndaj mos i mbani sytë nga Perëndimi!” “Zoti direktor,- tha,- unë jam shqiptar. Unë nuk dëshiroj që Shqipëria të pushtohet as nga serbët, as nga grekët, as nga italianët, as nga amerikanët, as nga kurrkush se unë jam shqiptar dhe e dua Shqipërinë, por në qoftë se vijnë anglezët dhe amerikanët në Vorë, ty nuk të del koha me vesh as çizmet”. “Profesor, -tha,- 30 ditë birucë”. “Këtë e pres”,- tha. Dhe kur dëgjonim nga këta njerëz, këtë lloj guximi, këtë lloj vendosmërie dhe ne ishim të rinj, detyrimisht që u brumosëm me këto ide.

Pas kampit të Rinasit ku ju çuan?

Pastaj, për ta ndarë grupin sepse kishim shkuar të tre, na prunë në Thumanë, por kishte një diçka: transferimi nga kampi në kamp, kur komanda që çonte rekomandimet për ne, që “janë spiuna”, “s’janë spiuna”, “janë armiq të vendosur”, po kështu vinte rekomandimi edhe në mënyrë tjetër te shokët që do të gjenim atje që “e kini pa merak se është yni”, “nuk është i komandës”. Edhe kur shkova aty, e morën vesh, më dolën përpara, na mbajtën afër në kampin e Thumanës. Kampi i Thumanës ka qenë një tmerr i vërtetë, të gjitha kampet, por kampi i Thumanës kishte veçanti sepse s’kishte ujë me pi, normat ishin shumë të mëdhaja. Aty gjeta Preng Ded Gjonmarkajn, Sherif Koshenën, kishte një solidaritet shumë të madh Jugu me Veriun. Në burgun e Tiranës, për shembull kur kam shkuar, unë habitesha me Xhako Butkën sesa iniciator ishte...Këta njerëz, ku ta di unë, janë të papërsëritshëm dhe më vjen keq që ata njerëz nuk e panë ditën e demokracisë, e kam pikë në zemër që s’e panë ditën e demokracisë. Sepse po të ishin ata njerëz gjallë, shtresa e të përndjekurve politikë do ishte në nivele të tjera, por ata nuk rrojnë dhe kjo është fatkeqësi shumë e madhe dhe jam shumë i prekur që vetëm dy orë ta kishin parë rënien e komunistëve, nuk do ta kishin marrë, por ata morën një brengë shumë të madhe saqë na linin një amanet ne të rinjve: “kur të bjerë komunizmi, hajdeni te varri dhe na thoni që ra komunizmi në Shqipëri”, prandaj jam shumë i prekur për këtë që s’e arritën.

Si ishte puna dhe trajtimi në kampin e Thumanës?

Erdhëm në Thumanë. Terrori ishte shumë i madh, sepse atje, fati i keq yni, gjetëm kriminelin gjakftohtë Vangjel Rrëmbeci, drejtor kampi. Kishte qenë drejtor i burgut të Burrelit, se çfarë kishte pasur me çështjen e Koçi Xoxes diçka edhe e kishin prurë në kampin e Thumanës. Ky tani donte të mbulonte atë kthesën e Koçi Xoxes. Ishte i pangopur. Bëje tri norma, thoshte: “pak”, “katër”, “pesë”. Ditën e shiut, unë e kam dëgjuar me veshët e mi se nëndrejtor kishim Novruz Shehun nga Mallakastra, kushëririn e Mehmet Shehut. Tha: “Drejtor, tërë ky rrebesh, nuk bëhet punë, pse t’i nxjerrim?” “Nxirri, të lagen dhe të vijnë brenda, që të merren me tharjen e rrobave se në qoftë se nuk i lagim, këta merren me politikë”. Kampi i Thumanës kishte ngjarjet e veta. Më 28 nëntor, me thënë të drejtën, vlonjatë të organizuar bënë festën e flamurit dhe filloi vallja në mes të kampit. I ndjeri, Sherif Koshena udhëhiqte vallen. “Europa shkruan e thonë: Ç’është kështu që dëgjojmë?” Edhe u çua tërë kampi duke kënduar për festën e flamurit. Komanda tani dyshoi që ne jemi përmirësuar dhe u kënaq komanda me këtë festë që bëmë ne. Më datën 29 nëntor, ne shpallëm ditë zie. Fikëm zjarret, shkuam hymë në kapanon dhe nuk dolëm, asnjë, jashtë. Këtu filloi terrori i vërtetë. Na ruajtën, më 28 nëntor të vitit që erdhi, ne na lanë gjithë ditën në shi, më 28 dhe 29 dhe oficerët, se ishim në kampin e Gjormit këtu, deshën të këndonin për festën e Çlirimit të tyre që mos e gëzofshin sa e gëzuan dhe ne na lanë, na mbyllën depot e ushqimit që mos të gatuanim dhe na lanë dy ditë pa ngrënë nga ushqimet që kishim personale vetëm për të marrë hakun e një viti më përpara. Kampi i Thumanës u shoqërua dhe me vizitën e Hrushovit. Dy javë ne na kanë prerë gazetën, takimet, korrespondencën, gjithçka, që mos të komunikonim me familjet se vinte Hrushovi në Shqipëri dhe gjithsecili kamp kishte ato të vetat.

U zhvendosët përsëri që aty?

Prej kampit të Gjormit, pastaj, mua më transferuan vetë i 13-të dhe na çuan në sanatorium, ku po bëhej sanatoriumi i ri, për arsye sepse komanda kishte futur njerëz për të në pyetur, se ne ishim prej këtu, prej vendit: “A e njihni këtë vend?”. “Po e njohim, ne këtu kemi lindur”. Ata kishin frikë se mos arratiseshim, se mos përgatisnim ndonjë arratisje të kampit dhe na çuan në sanatoriumin e ri që po bëhej në Tiranë. Me thënë të drejtën, konditatat e sanatoriumit ishin më të mira sesa ishin këtu, se të paktën ujë kishim me pi, edhe thamë “ndonjë bukë e dhënme”, si themi ne, që e patëm këtë fat që erdhëm sepse uji ishte, nuk punonim në baltë e në llucë si në kampin e Gjormit, se kampi i Gjormit ishte më i keq sesa kampi i Thumanës, një metër ishte llucë dhe kishin vënë vetëm disa gurë që shkonim deri te kapanoni, po ai oborri, ku silleshim, ai ishte me baltë. Dhe vjen një ekip nga Tirana, për të parë në gjendjen. Përfundimisht, komisari nuk pati metër me çfarë ta maste thellësinë, se sa e thellë është lluca, edhe i bëni zë Kujtim Pelës që ishte tellall: “Kujtim!” “Urdhëro, shoku komisar.” “Hajde shpejt!” Kujtimi kishte ardhur nga Gjermania, se tellall, po tellalli kishte dy privilegje: lustronte çizmet, e mbante veten. I afrohet komisarit dhe komisari e shtyn. E shtyn, e lëshoi në llucë deri këtu. “Zoti komisar, çfarë bëra?” “Nuk kishim metër me mat llucën, prandaj Kujtim, mos u shqetëso, ik tani”. Dhe u tha atyre të komisionit të Ministrisë së Brendshme: ja, thellësia sesa është.

Në sanatorium kur shkuam, gjetëm Ethem Çakon, që “kishte ardhur diversant”. Se atje, si i thoshim: “moj kasolle ku na mblodhe”, ishin mbledhur nga të katër anët, nga probleme të ndryshme. Ndër ta, dua të kujtoj Zafer Vilën që kishte qenë konsulli ynë në Selanik. Ishte një intelektual i madh. Isuf Çeka, Zafer Vila, këta punonin në përkthime sepse në atë kohë, këta nuk kanë pasur përkthyesa, s’kanë pasur kuadro. Edhe librat e Dantes, më kallëzonte ai Isuf Çeka që "ne i përkthejmë".

Po Zaferi ishte shumë nevrik. Edhe një ditë i tha komisari, Besnik Çomo: “Dëgjo, tha, ju keni kulturë borgjeze. Ne kulturën tuaj, nuk e duam. Tani s’kemi nevojë për shkollë ne, se për ne ka shkollë Enver Hoxha. Ne kena vetëm një shkollë: Drurin e luajmë dhe kjo na duhet ne, se shkollë për ne ka Enver Hoxha, ne të tjerët s’kena nevojë për shkollë”. Dhe Zaferi i tha: “Dëgjo, unë me shokët e tu, nuk pranoj të lustroj këpucët, jo që të bisedoj.” Këtu, Zaferi bëri 30 ditë birucë. Por ishte i papërkulur. Prej aty, pastaj, na çuan në Kombinat të Mishit, në Tiranë.

Një ditë prej ditësh, më vjen Isufi, më thotë: “Vetëm një sekondë,- thotë.- U prishëm me Bashkimin Sovjetik” “Si është e mundur?” “Po, thotë, sepse e hoqën flamurin rus, kanë vënë një banderolë të kuqe në vend të flamurit rus”. Me thënë të drejtën këtu…shpresë shumë, por këta shtuan terrorin. E shtuan terrorin shumë në Kombinat të Mishit, saqë për natë fillonin torturat në njerëz. Norma e madhe, torturat shtoheshin sepse ne kuptonim diçka: kur i kishin punët mirë këta, në arenën ndërkombëtare, e ulnin pak tensionin, kur i kishin punët keq, e ngrinin tensionin në burg, mirëpo ai tensioni na bënte mirë se kuptonim që këta nuk i kanë punët mirë edhe prandaj i duronim ato tortura që behëshin dhe kënaqeshim, të torturohemi, vetëm që këta mos t’i kenë punët mirë. Dhe, erdhi puna, mbarova burgun. Në burg, më fejuan, shtëpia. Edhe për fejesën që u fejova, pata probleme, sepse më vjen motra, edhe nëna, deshën si nëna, si motra, të ndërtoja dhe unë jetën, si gjithë të tjerët edhe më thotë nëna: “kështu-kështu, duam me të feju”. Unë i thashë: “Në asnjë mënyrë, për arsye se unë jam i dënuar, pse ta angazhoj bijën e botës, të më presë mua etj. etj.” Në darkë, më thërret operativi në komandë, sepse vinte operativi, nuk ishte në komandë, por vinte, më thotë mua: “përse nuk fejohesh ti?”. “Zoti kapiten, thashë, jam i dënuar edhe bija e botës, ç’rrezik ka për të më pritur mua?” “Jo,- tha,- ti do që ti kesh këmbët e lira, kur të lirohesh, me u arratis” . “Për nder thashë kjo nuk më kishte vajtur ndër mend, vetëm po ma kujton ti”. Llogarit se ku u punonte mendja këtyre, djallëzitë e këtyre.

Mark, ç’ndodhte me familjen tuaj gjatë kohës që ju ishit në burg?

Me familjen ndodhte kjo, që shiheshin me syrin e armikut, nuk u jepnin punë. Vetëm punë të rëndomta, kuptohet. Edhe shiheshin me syrin e armikut saqë as në dasmë nuk të thërrisnin se “ka djalin armik, iu është shpallur djali armik” e nga këto gjëra, por unë pata një fat se kur u lirova, takoj një mik timin, në Tiranë, që kisha punuar më përpara me të, një Agim Bashën, edhe më thotë: Ku do të punosh? I thashë: “do të punoj në Laç”. “Në Laç, thotë, kam vëllanë tim kryeinxhinier. “Cilin? “Bujar Bashën.” Edhe më dha një letër, erdha, u stabilizova, edhe punova 35 vjet këtu në Laç.

Çfarë kujtoni si vuajtjen më të rëndë të burgut?

Por burgu nuk ka qenë asgjë. Koha e burgut, s’ka qenë, për mua, asnjë gjë. Unë pata një traumë shumë të madhe në vitin ‘70. Më arrestuan djalin e axhës që kishte qenë arsimtar sepse kishte një mbiemër tjetër, Berisha dhe unë e kisha Alija, e kuptoni dhe vetë që njerëzit ndaheshin me tjetrin për një pako kafe, ndërronte mbiemrin për t’i shpëtuar diktaturës. E arrestuan djalin e axhës. Tani, unë isha kontigjent i gatshëm për të shkuar dhe unë atje për herë të dytë. Edhe një të diel, vjen i plotfuqishmi. S’kisha biseduar ndonjëherë me të. Vjen te dera e shtëpisë: “Dil” Dola unë. Ishte ditë e hënë, më kujtohet si sot, e vitit 1971. Me thotë mua: “Nesër, të kërkon kryehetuesi në Krujë, Marenglen Rrapi”. Me thënë të drejtën sikur të më vinte hekurat aty, e ndjeja, e dija çfarë më kishte gjetur. Mblodha vëllezërit, kishim edhe nanën gjallë, dritë pastë! Thashë: “Dëgjoni këtu, unë po shkoj dhe nuk kthehem më”. Isha i martuar me një fëmijë. “Por dini që unë nuk i kam bërë asnjë të keqe këtij shteti, po shkoj mish për top”, se kështu e përdorim ne, edhe…Më kujtohet, nënën e kam pasur shumë kurajo, më tha: “Zoti ka për të shpëtuar se s’i ke bërë kujt keq”, tha. Shkoj, pres. Vjen shefi i seksionit të Degës, një Thanas Tota me gjithë një Axhem Velinë që ishte operativi i Mamurrasit. Atë ditë të hëne, këta kishin përgatitje ushtarake, të veshur me uniformë. Mirëpo unë Thanasin e njihja, se këtu e kishte shtëpinë. Kishte një familje shumë të mirë. “Hë,-më tha,-po ti?” Thashë: “Më ka kërkuar kryehetuesi i Degës”. Unë e njihja shumë mirë sepse ai kryehetuesi ishte i fejuar këtu në Laç, e shihja duke shkuar te e fejuara vazhdimisht. “Marengleni?” “Po,- i thashë unë,- kryehetuesi”. “Mirë, mirë se vjen ai, prit se vjen”. Prit unë deri në orën 11.00, nuk erdhi. Edhe duke u kthyer nga stërvitja, ka pas qenë e planifikuar, më thotë: “erdhi Marengleni?” “Jo, s’më kanë kërkuar ala”. “Hajde, hajde, se do mbarojmë punë bashkë”. Hyjmë në degë, aty ku kisha qenë 20 vjet më parë. Më futën në një qoshe, presioni i parë, domethënë nën arrest. Më thotë mua: “Dëgjo, ka ardhur një fletë-arrest për të arrestuar”. “Hallall i qoftë!”Pëllumb Kapo ishte nënkryetar Dege. Thotë: “Shoku Pëllumb ka dhënë urdhër për të të arrestuar”. “Përderisa kanë dhënë urdhër për të më arrestuar, unë ja ku jam, gjë nuk kam bërë, kur të doni, këtu më kini”. “Por unë,- tha,- e kam ndaluar arrestimin tënd”. “Për hajër,- thashë,- faleminderit që i paske treguar të vërtetën që unë jam punëtor dhe punoj.” “Po,- tha,- ti punon, por duhet të punosh, t’ia shpërblesh Partisë, të punosh me organet e sigurimit të shtetit.” “Të punosh me organet e sigurimit të shtetit,- thashë,- është nder I çdo qytetari të Republikës Socialiste të Shqipërisë që punon me sigurimin e shtetit.” “Ashtu?”, tha. “Po.” Po të betohem që ia bëri me shenjë ai Axhemi, që “kot na e ka paraqitur aq problematik se ky po pranoka me fjalët e para”. Aty më prunë një formular për ta firmosur. “Ç’është ky?” “Është një formalitet,- tha,- do firmosësh.” “Unë të firmos,- thashë,- e të marr përsipër gjëra që nuk mund t’i bëj? Në asnjë mënyrë! Unë kam një edukatë tjetër, unë partinë nuk e gënjej, unë në qoftë se shoh që po helmohet ujësjellësi, vij e njoftoj, në qoftë se do të vihet eksploziv uzinës vij e njoftoj, por që të gënjej Partinë e të them unë që do punoj me organet e sigurimit të shtetit, duke  e njohur aftësinë time, unë e kam në edukatë që një punë që nuk di ta bëj, jo se s’dua, unë nuk e marr përsipër. Tha: “Ti ngelesh armik i partisë se ti ke qenë në burg”. “Partia,- thashë,-është si nëna e mirë që kur gabon fëmija, ia fut një shpullë. Mua partia më ka dhënë një shpullë, për gabimin që kam bërë, por unë e ndiej veten të barabartë mes shtetasve shqiptarë. “Ke 17 vjet burg”. Këtu, Zoti më dha një forcë që unë sot nuk jam në gjendje ta kuptoj. Thashë: “Ti mua nuk je në gjendje të më dënosh as 17 minuta, jo 17 vjet burg, po 17 minuta ti nuk mundesh të më dënosh” “Pse?”,- më tha mua. “Sepse unë kam besim te Partia, si te drita e diellit që Partia nuk dënon njerëz kot. Kam bërë një faj, Partia më ka dënuar, unë sot jam si tërë shtetasit shqiptarë.” “Ashtu?, tha. Po na fliske si bilbil”,- tha ky agjenti. “Partia bën punë bindëse se çdo të hënë bëj dhe unë punë politike, siç bëni dhe ju, por unë nuk e kam aftësinë për të qenë oficer, siç jeni ju, se dhe oficer do isha, por nuk e kam aftësinë si ju, prandaj mua partia më ka caktuar atë punë që unë e kryej me shumë përgjegjësi: bojaxhi në komunalen e Laçit. Kaq!” “Mirë,- tha,- një kompromis mund ta bëjmë”. “Fol.” Tha: Mos me i thanë njeriu që të kemi thirrur”. Thashë: “Për këtë të jeni të sigurt. Kurrë njeriu nuk i them gjë”. Edhe kështu që u ndava dhe unë sot falënderoj Zotin që nuk rashë në atë…

Nga arkiva e familjes Doko

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here