Burgu politik i Dr. Kadri Kërçikut

0
187
blank

Pas vitesh të tëra studimi në Austri, Dr. Kadri Kërçiku u kthye në Shqipëri ku duhej të përballej me sëmundjet dhe prapambetjen. Megjithëse iu ofruan mundësitë, zgjodhi Shqipërinë në vend të Austrisë dhe rolin e mjekut të njerëzve të thjeshtë, në vend të rolit të doktorit të familjes mbretërore. Pavarësisht vështirësive, nuk e ndali për asnjë çast punën e përkushtuar, përveç atyre viteve kur regjimi komunist e burgosi me akuza politike.

 

Emrin e Dr.Kadri Kërçikut e has lehtësisht në historinë e mjekësisë shqiptare për kontributin e pashlyeshëm kundër sëmundjeve veneriane, në kujtimet e mjekëve që ka përgatitur si profesor i Fakultetit të Mjekësisë, në botime apo dhe në një rrugë të qytetit të Tiranës, por, siç ndodh me qindra profesionistë të spikatur, Dr.Kërçikun e gjen edhe mes të dënuarve gjatë regjimit komunist.

Dr.Kadri Kërçiku ishte një mjek i njohur, kur u arrestua dhe u gjykua me të ashtuquajturin “grupi i tretë i deputetëve”. Në këtë grup nuk kishte asnjë deputet, por ata akuzoheshin se kishin pasur marrëdhënie me deputetët të cilët ishin arrestuar dhe gjykuar më parë për qëndrimet kundër qeverisë. Fillimisht, Kadri Kërçiku u dënua me 15 vjet heqje lirie, pavarësisht që ai nuk e pranoi akuzën. Pas gati një muaji, Gjykata e Lartë Ushtarake e ktheu dënimin e tij në 2 vjet burg.

Dalja nga burgu mund të mos e kishte shpëtuar nga përndjekja, në shumicën e rasteve, ish-të burgosurit nuk lejoheshin t’u ktheheshin profesioneve të tyre, por nevoja për mjekë dhe sidomos për specialitetin e tij për sëmundjet dermoveneriane të përhapura dhe shumë të rrezikshme në atë kohë, bëri që Dr.Kadri Kërçiku të lejohej të ushtronte profesionin e mjekut, diçka e mirë për të, por pakrahsueshmërisht e mirë për popullsinë shqiptare. Me profesionalizmin dhe përkushtimin e tij, Dr.Kadriu arriti të luftojë sifilizin derisa arriti në zhdukjen e kësaj sëmundjeje në Shqipëri.

 

Kadri Kërçiku u lind në një familje autoktone tiranase. I ati, Sulejmani, që studioi në një shkollë ushtarake të mesme në Stamboll, u bë komisar policie në Shijak e Tiranë dhe pati kontribut të veçantë gjatë dy dhjetëvjeçarëve të parë të shekullit XX. Për këtë arsye u nderua më pas edhe nga Mbreti Zog. Sulejmani pati pesë fëmijë. Kadriu ishte i treti. Pas viteve të para të arsimit në Tiranë, ai shkoi në Austri, siç bëri më pas edhe vëllai më i vogël, i cili u diplomua për arkitekturë dhe nuk u kthye në Shqipëri, por vazhdoi karrierën në Austri ku u bë kryearkitekt i bashkisë së Grazit.

Kadriu kreu shkollën e mesme në Linc, më pas studimet e larta për Mjekësi në Grac dhe specialitetin për Dermatologji dhe Venerologji në Vjenë. Pavarësisht se, siç ka treguar e bija në një program televiziv në TVKlan, atij iu kërkua nga profesori i tij të qëndronte në Austri, vendosi të kthehej në Shqipëri, ku nevojat për mjekë ishin të mëdha. Në Shqipëri filloi punë në ambulancën e Durrësit dhe të Tiranës.

 

Djali i tij i motrës, Gëzim Peshkëpia, ka thënë për memorie.al se Mbreti Zog i kërkoi të punonte si mjek i familjes mbretëore, por Dr.Kërçiku nuk pranoi duke thënë se për shkak të specialitetit të tij, kjo do të përhapte fjalë sikur familja mbretërore vuante nga sëmundjet veneriane. Ai i përkiste një familjeje me prona të gjera në Tiranë, çfarë bëri që kur në Shqipëri u vendos regjimi komunist, ata të shiheshin si armiq. Situatën e rëndoi edhe fakti që një nga vëllezërit, Hamdiu kishte qenë simpatizant i Ballit Kombëtar gjatë luftës dhe pas saj, ai ishte larguar jashtë Shqipërisë. Bashkëshorten dhe vajzat e Hamdiut i internuan, ndërsa disa nga djemtë e burrat e kësaj familjeje u dënuan me burg. Një prej tyre ishte edhe Kadri Kërçuku.

Ai u arrestua në vitin 1947, duke u akuzuar se kishte pasur marrëdhënie me grupin e deputetëve opozitarë. Për të në dokumentet e procesit shkruhej: “nga Tirana, 51 vjeç, mjek. Akuzohej si pjesëtar i “organizatës”. Nga nga hetuesia e zhvilluar nga Beqir Ndou nuk del ndonjë implikim”.

Procesi u hap më 22.3.1948 në Tiranë nga një trupë gjykuese ushtarake e drejtuar nga kapiten I Abdyl Hakiu, kapiten II Shaban Rezha dhe toger Hamet Çiraku, duke pasur pranë prokurorin kapiten Petrit Hakani. Kadriu, ashtu si shumica e të arrestuarve që gjykoheshin me të, nuk i pranoi akuzat

Me vendimin nr.212, datë 30.3.1948, Gjykata Ushtarake e Tiranës vendosi konfiskimin e pasurisë, si dhe dënimin me 15 vjet burgim të Kadri Kërçikut. Ky vendim u rishikua nga Gjykata e Lartë Ushtarake, e cila më 21 prill 1948, bëri ndryshime për gjithë të dënuarit. Me vendimin e saj nr. 127. Dr. Kërçiku u dënua me 2 vjet burgim. Ai u lirua më në fund në vitin 1949. Mund ta priste çdo lloj pune, por përhapja e sëmundjeve veneriane në ato vite, si sifilizi apo lebra, nuk linte shteg. Dr. Kërçuku ishte i domosdoshëm si mjek dhe ai iu vu punës për të kryer misionin e tij. Hartoi menjëherë një ligj i cili detyronte zbulimin, denoncimin dhe kurimin e sëmundjes së sifilizit. Ai udhëtoi në çdo cep të Shqipërisë, solli medikamentet e duhura nga jashtë, izoloi dhe trajtoi të sëmurët. Falë punës së tij u ngritën rreth 60 dispanseri të sëmundjeve dermoveneriane dhe u specializuan shumë mjekë e infermierë për trajtimin e tyre. Si rezultat i gjithë kësaj pune të përkushtuar, mijëra të sëmurë u shëruan.

“Në vitin 1955 u mbajt një kongres europian për Dermatologët dhe Dr.Kërçiku shkoj aty dhe mbajti gjithë temën ku deklaroi se sifilizi ishte gati në largim në Shqipëri. Atëherë ata i thanë se vinte nga një vend komunist dhe se thoshte gjëra jo të vërteta. Dr.Kërçiku u tregoi se ishte mjek përgjegjës, se kishte studiuar në Vienë dhe se kishte arritur vërtet atë gjë. Atëherë e gjithë salla është ngritur në këmbë dhe e ka duartrokitur”, ka thënë gjatë intervistës për TVKlan, e bija. Dr.Kërçiku u bë anëtar i shoqatës Europiane të Dermatologjisë dhe falë tij, në Shqipëri vinin vazhdimisht pako me medikamente të reja.

Dhe para mjekut që mposhti sifilizin, u mposht edhe regjimi komunist. Me vendim të Plenumit të Gjykatës së Lartë, në vitin 1959, Kadri Kërçiku, mori pafajësinë. Bashkë me të edhe mjeku tjetër Irfan Pustina dhe Vasil Xhaj, të dënuar në të njëjtin proces.

Por lëshimi nga e keqja që bënë ndaj doktorit nuk e zbuti dorën ndëshkuese mbi familjen. Shtëpia e tij e madhe dhe e bukur, mbeti si një kujtim i zbehtë në mendjen e fëmijëve, sepse ata u nxorën që aty kur ai u arrestua. Edhe më shumë do vuanin nipat e mbesat e tjerë të familjes. Një nga djemtë e vëllait të madh të Dr.Kadriut, Estrefi u dënua dy herë dhe vuajti 13 vite si i burgosur politik. Djali i motrës, e cila pas pushkatimit të të shoqit, u internua familjarisht, Gëzim Peshkëpia, gjithashtu vuajti 8 vite burg politik. Vajzat e vëllait tjetër, Hamdiut, u rritën në internim.

Diktaturën nuk e ndalte asgjë.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here