Syrja Lame i revoltës së Spaçit, 26 vjet burg politik

0
123
blank

Lindi më 6.7.1935 në Rëmbec të Korçës dhe u nda nga jeta më 11.8.2011 në Durrës. Me origjinë familje e pasur, cilësohej kulak në vendimet gjyqësore, vuajti burgimin e tri dënimeve me 26 vjet, 5 muaj, 27 ditë heqje lirie. Hyri në burg 22 vjeç dhe doli 56 vjeç. Si ngushëllim mbeti një periudhë e shkurtër lirie në vitet 1967-1968.

 

Dënimi i parë

U arrestua më 25.9.1957 në përpjekje për t’u larguar nga Shqipëria së bashku me shokun e tij Mehdi Myslimi. U akuzua në bazë të nenit 64 në kombinim me nenet 10 e 13 të Kodit Penal.

Gjykata Ushtarake Korçë, me vendimin nr.36, datë 9.12.1957 e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 10 vjet heqje lirie dhe heqjen e së drejtës zgjedhore për 1 vit. Në aplikim të një amnistie, dhënë me dekretin nr.2544, datë 27.11.1957, dënimi iu kthye me 7 vjet e 6 muaj heqje lirie. Nuk iu konfiskua pasuria sepse nuk kishte. U la në fuqi me vendimin nr.231, datë 28.12.1957 të Kolegjit Ushtarak të Gjykatës së Lartë. U lirua më 13.2.1963 nga Reparti nr.303 Tiranë.

 

Dënimi i dytë

U arrestua më 2.12.1969. U akuzua në bazë të nenit 64 në kombinim me nenin 10 të Kodit Penal. Ngjarja njoftohet në komunikatën nr.285, datë 5.12.1969 të MPB-së, në të cilën thuhej se i përmenduri kish bërë përgatitje për arratisje. Gjykata e Rrethit Korçë, me vendimin nr.18, datë 18.2.1970 e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 13 vjet heqje lirie.

 

Dënimi i tretë

U arrestua më 23.5.1973. U akuzua në bazë të neneve 72 (sabotimi), 73/2 (agjitacioni me pasoja të rënda), 76 (pjesëmarrja në organizatë kundër pushtetit) të Kodit Penal. Duke vuajtur dënimin, u përfshi në revoltën e Spaçit të 21-23 majit 1973. U dënua në grupin e parë të revoltës, prej të cilit u pushkatuan Skënder Daja, Dervish Bejko, Hajro Pashaj, Pal Zefi. U pyet nga hetuesi Sali Budo. Nuk deponoi asgjë. Mohoi çdo gjë. Këshilli Gjyqësor i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë me veprim në Spaç, me vendimin nr.1, datë 23.4.1975, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 25 vjet heqje lirie, konfiskimin e pasurisë dhe heqjen e së drejtës zgjedhore për 5 vjet. U lirua më 10.1.1991 nga reparti në konvaleshencën e Durrësit, me dekretin nr.7444, datë 5.1.1991 të Presidiumit të Kuvendit Popullor (nr.102 i listës).

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here